` . Luran Ahmeti, aktori që s’di të ndalet - TV-SHENJA

Luran Ahmeti, aktori që s’di të ndalet

Për aktorin Luran Ahmeti edhe teatri edhe filmi janë dy gjëra të ndryshme në realizim dhe që të dyja e kanë mrekullinë në vete. I pëlqejnë që të dyja dhe nuk mund t’i ndajë, por nëse do të duhej që patjetër të zgjedhë vetëm njërën, ai do ta kishte zgjedhur filmin.

Shkruan: Anila LIMANI, Shkup 

I lindur në fund të korrikut të vitit 1974, aktori 40-vjeçar nga Shkupi, Luran Ahmeti, nuk është më vetëm një nga aktorët më të dashur të skenës së teatrit shqiptar, por edhe një nga figurat më të njohura të serialeve turke. Pasi luajti dhjetëra role në teatër, Lurani falë talentit dhe punës së tij hyri në botën e filmit turk.

Qëkur doli në skenë për herë të parë, në vitin 1994, edhe pse në një shfaqje amatore që e luanin studentët e albanologjisë, ku studionte edhe ai, të cilët kishin formuar një grup teatror “Indeksi 7”, Lurani la përshtypjet më të mira tek publiku dhe njerëzit e artit. Një talent i ri po ngjitej në skenë shqiptare të Shkupit. Ky do të ishte edhe momenti që edhe ai vetë do të “dashurohej pas këtij profesioni” dhe do të ndërronte edhe fakultetin.

Që nga ajo kohë Luran Ahmeti ka realizuar dhjetëra role në teatër dhe në film, madje ai ka qenë pjesë edhe e filmit të njohur “Taken 2”, ku edhe pse ka një rol të vogël në film, ai shfaqet dy herë gjatë reklamës që i bëhet filmit para së të transmetohet. Por, nuk është filmi “Taken 2” ai që e bëri Luran Ahmetin aktor mjaft të njohur jashtë skenave shqiptare. Janë rolet që ai ka luajtur në nëntë seriale turke, të cilat janë transmetuar në qindra kanale televizive të mbarë botës.

Por, si u gjend Lurani në serialet e Turqisë? Ishte viti 2007 kur në Manastir nisën xhirimet e serialit turk “Elveda Rumeli” (Lamtumirë Rumeli), ku u ftua edhe Lurani për t’u bërë pjesë e atij ekipi. Duke e pranuar ftesën, atij iu hapën edhe mundësi të tjera për të vazhduar karrierën e tij në Stamboll.

Turqishten e ka mësuar shumë shpejt, edhe pse ai ka ditur të komunikojë në turqishten që flitet në Shkup, mirëpo “turqishtja e Shkupit” dhe “turqishtja e Stambollit” kanë aq shumë ndryshimes saqë ka qenë tepër e vështirë për t’u marrë vesh.

Për të edhe teatri edhe filmi janë dy gjëra të ndryshme në realizim dhe që të dyja e kanë mrekullinë e tyre në vete. I pëlqejnë që të dyja dhe nuk mund t’i ndajë, por nëse do të duhej që patjetër të zgjedhë vetëm njërën, Lurani do ta kishte zgjedhur filmin.

Aktori Luran Ahmeti nuk i veçon rolet, pasi për çdo rol punon me përkushtim të madh. “Asnjë rol nuk do ta kisha veçuar. E vërteta është se disa role kanë bërë që të njihem në opinion më shumë se disa të tjera, por për mua përkushtimi dhe dashuria për personazhet ka qenë gjithmonë maksimale”, thotë aktori.

Shkupi, Prishtina, Tirana dhe Stambolli janë kryeqendrat ku punon aktori Luran Ahmeti. Kinematografia mes tre të parave dhe kësaj të fundit ndryshon shumë. Aktori është skeptik se ndonjëherë do të zhvillohet filmi ndër shqiptarë, pasi siç shprehet ai, udhëheqësit politikë të cilët vendosin për buxhetin e filmit janë injorantë për sa i përket kulturës.

“Kinematografia turke është zhvilluar shumë. Për këtë flet edhe fakti që gati çdo vit në festivalet në Kanë ose Venedik ata i mbledhin çmimet. Dhe, sigurisht që ka ndikuar fakti që Turqia është zhvilluar shumë ekonomikisht dhe kanë mjete për të realizuar produkte të mira. Artet performuese janë shumë të lidhura me buxhetet dhe turqit çdo vit e më shumë kanë buxhete më të mëdha dhe produkte më të mira. Ndërkohë që te ne gjendja vazhdon të jetë e mjerueshme. Te ne ka lëvizur pak cilësia e prodhimit televiziv, por edhe kjo ka vend që të zhvillohet edhe shumë. Unë jam skeptik që do të zhvillohet filmi ndër shqiptarët, sepse udhëheqësit politikë, ata të cilët vendosin për buxhetet, janë shumë injorantë sa i përket kulturës”, shprehet ai.

Për aktorin Luran Ahmeti nuk ka shumë rëndësi vendi se ku do ta vazhdojë karrierën e tij si aktor. E rëndësishme është se ai vazhdon të luajë dhe t’i dhurojë kënaqësi publikut, ndërsa familja është vendi që ia jep qetësinë dhe sigurinë.

Filmat dhe serialet televizive ku ka luajtur aktori

Kinema: 

Puppet Show (Shfaqe kukullash) 1998

Stories about Love (Tregime për dashurinë) 2001

Bal-Can-Can 2004

10 2007

Izstop (Tërheqja) 2007

Hayde Bre 2010

Güzel Günler Göreceğiz (Ne do të shohim ditë të bukura ) 2011

Taken 2 2012

Seriale

Muhteşem Yüzyıl (Sulltani i Madhërishëm) 2013

Son Yaz-Balkanlar 1912 (Vera e fundit – Ballkan 1912) 2012

Elveda Rumeli (Lamtumirë Rumeli), 2007-2009

Balkan Düğünü (Dasma e Ballkanit) 2009

Bahar Dalları (Degët pranverore) 2009

Tek Başımıza 2011

Reis (Udhëtim) 2011

Karakol – Herkes Adalet İster (Patrulla – Çdokush për drejtësinë) 2011

O sa mirë 2013 -2014

Buyuk surgun Kafkasiya (Vala masive e Kaukazit) 2014

Postime të Ngjajshme