` . Lundruesi kundrues - TV-SHENJA

Lundruesi kundrues

Ai u zgjua i zhubravitur edhe pse kishte fjetur mirë. Mendja menjëherë i vajti te barka e tij, përmes së cilës i ushqente peshqit dhe i sodiste vëmendshëm ndodhitë matanë brigjeve të lumenjve. Qëndrimin e tij në barkë dhe sfondin e saj me ujë e pëlqente shpeshherë mbase edhe për arsye të mbingarkesës së padrejtësive dhe të pakuptimtave maratonike, që rridhnin nëpër brigjet e ndryshme, sidomos në një tokë që kufizohej në tri anët me ujë.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Kumanovë

Rrezet e diellit fare pa trokitur kishin shpuar xhamat e vendosur me kujdes, që kishin pak ajër në mes. Ai i cili duhej zgjuar me lajmërimin e vagëllimës dukej se ishte zhytur thellë në ëmbëlsinë e muzgut të thellë, kohë kjo kur atë e kishte kapluar gjumi. Ai e urrente mosshfrytëzimin e rrezeve të diellit, që prodhonin dritë dhe nxehtësi, si dhe – në anën tjetër – druante shumë në shpenzimin e dritës artificiale në kohën kur ekzistonte mundësia që flegrat e të bëmave të asaj dite t’i kruspullojë ashtu si mbyllen kapakët e syve për gjumë. Rrezet e diellit që sinjalizonin vigjilencën mbase nuk kishin nevojë të trokisnin dhe të prisnin leje prej zotërisë së atyre xhamave për hyrje në dhomë, ngaqë rrezet për nga natyra janë shpuese, hyjnë aq thellë, sa është edhe fuqia ngrohëse e diellit. Rrezet, që depërtonin përmes dritareve, as që kishin mundur të paktën t’ia vënë në lëvizje ndonjë gjymtyrë të trupit Lundruesit.

Dielli gjithmonë ngroh njësojë, porse pranimi dhe tërheqja e asaj ngrohtësie varet prej pozitës rrotulluese të tokës. Dielli njësoj për çdo cep të tokës dhe ujit lëshon ngrohtësi, por është toka ajo që e përcakton se cili cep duhet ngrohur tani dhe cili më vonë. Mbase edhe duke e lënë ndonjë cep gjithmonë larg rrezeve të diellit, ngrohja e të cilit do të ndodhë vetëm atëherë kur njeriu, përmes epshit të pangopur në konkurrencën e prodhimit, do ta vrimonte jo natyrshëm mbështjellësin e tokës, duke u dhuruar kështu rreze po ashtu jo të natyrshme akullnajave, rezultati i të cilave do të jetë ngadhënjimi i mëtutjeshëm i ujit kundrejt tokës, me këtë edhe duke i fshirë disa shtete prej hartës tokësore. Vetëm pasi rrezet, përmes përmbajtjes së nxehtësisë së nevojshme, kishin mësyrë muret e shtëpive, sikur uji që futet ngadalë dhe pahetueshëm në rrënjën e ndonjë peme, ashtu edhe ato kishin pushtuar muret e shtëpive, që në pamundësi të mbajtjes për vete të asaj ngrohtësie, me vrik dhe me vrull e kishin lëshuar atë ngrohtësi dhe vullkani thuajse e kishte liruar energjinë e tij të frikshme, për ta lajmëruar Lundruesin se në këtë kohë edhe farërat e hedhura të grurit kanë filluar t’i çajnë kallinjtë e tyre, për t’ia krijuar kështu mundësinë e shumimit.

Ai u zgjua i zhubravitur edhe pse kishte fjetur mirë. Mendja menjëherë i vajti te barka e tij, përmes së cilës i ushqente peshqit dhe i sodiste vëmendshëm ndodhitë matanë brigjeve të lumenjve. Qëndrimin e tij në barkë dhe sfondin e saj me ujë e pëlqente shpeshherë mbase edhe për arsye të mbingarkesës së padrejtësive dhe të pakuptimtave maratonike, që rridhnin nëpër brigjet e ndryshme, sidomos në një tokë që kufizohej në tri anët me ujë. Ai gjente prehje përmes qëndrimit, ushqimit të peshqve, meditimit, soditjes dhe hedhjes në letër të asaj që e kishte përjetuar nën këmbët e pluhurosura të brigjeve shpeshherë të gjakosura, pikërisht në ujërat që rravgonin gjendje të ndryshme, veprimi i të cilave ia rikujtonte rrjedhat kësaj jete me shumë fytyra, që shpeshherë paraqitej prej të pafytyrëve si jetë me një fytyrë.

Realitete të tilla, që përkojnë me natyrshmërinë e kësaj bote dhe ecuritë e dukurive të përgjithshme gjeografike, ma kujtuan edhe realitetin e përditshmërisë sonë. Në truallin që ende sipër tij shohim rërë, rrezet e diellit që nuk rrezatojnë njëlloj për të gjithë. Jo pse kjo është ndonjë natyrshmëri e caktuar prej Krijuesit të botëve, porse pangopësia e njeriut për pushtet dhe të mira materiale të huaja e bëri të veten. Dikush e shfrytëzoi dobësinë e tjetrit, dikush i mallkoi epërsinë e tjetrit dhe dikush tjetër vendosi që mllefin ta shprehë përmes asaj që i asgjëson mbajtësit e atij vullneti dëmprurës. Për këtë arsye ndodhën edhe luftëra gjakatare të mëdha, shfrytëzues të së cilës ishin maskarenjtë. Ato mbaruan dhe u përvijuan me kujtime të trishtuara dhe çdo pllangë gjaku të shpezëve në kohë paqeje tek ata prodhonte ligështim dhe e ndizte nostalgjinë që i rrëfente rrufetë e zjarrta të atyre që mendonin se Krijuesi i kishte privilegjuar si racë më të bukur dhe më të fortë kundrejt racave të tjera. Gjuha e kësaj nostalgjie ua kujtonte të mbijetuarve rrëketë e gjakut, që pas një kohe kishin krijuar lumenj të tërë të mbushur me gjak, duke ndikuar kështu në vdekjen e njerëzve dhe në gjallërimin e lumenjve, me këtë edhe duke ia kujtuar njeriut se lëngu është ai që krijon shtratin dhe jo shtrati lëngun, i cili edhe për së thati do ta rrëfente trishtimin dhe zallahinë e dikurshme.

Lundruesi kishte vendosur ta arsyetonte lindjen dhe ta meritonte vdekjen. Ujërat e turbullta, që shpeshherë vërshonin brigjet, ai i vështronte sikur me thikë në zemër. Edhe më keq bëhej kur çdo tentim i tij për ta ndryshuar atë llum njerëzor përmes dorës së tij shkonte në shportën nënçmuese, ku me gulçe të shpeshta e urrente atë anarki dhe krijuesit e asaj anarkie që për fatin e tyre të keq moti kohë e kishin harruar Krijuesin e tyre, para të Cilit një ditë do të përgjigjen për të bëmat e tyre në cilësinë e krijuesve të asaj rrëmuje, nën hijen e së cilës me gaz qeshnin. Atij, pavarësisht mburojave të ndyta që i bëheshin vetëm e vetëm që të detyrohet të qëndrojë sa më larg pastrimit të atij bataku, ai s’ishte ndalur në asnjë rast së dhëni kontribut drejt thyerjes së asaj zymtësie. Ai kishte vendosur t’i shtrijë këmbët aq sa e kishte jorganin, por assesi të lejojë që t’i shkurtohen këmbët vetëm pse jorgani i tij ishte shumë i shkurtër, kuptohet i shkurtër në dioptrinë e mistrecëve, ngaqë në dioptrinë e atyre që ishin të prirë të shihnin mirësi, gjallëri dhe devotshmëri, shihej një jorgan aq i gjatë, saqë edhe shumë këmbë tjera, që kishin ngarendur vetëm pas të drejtës, mund të gjenin vend. Lotët, që i fitonte përmes vrojtimin të gjendjes së mjerë nëpër brigje, nuk i derdhte atje. Mbase i dhimbset edhe pak ai gjelbërim, që përmes lotit mund të zverdhej. Andaj sa herë që zemra i mbushej me dhimbje dhe sytë me lot, Lundruesi ia mësynte, përmes barkës së tij, ujërave, duke druajtur që përmes dënesjes së madhe të mos ua prishte rehatinë peshqve. Ai humbte në vegim në mes të atyre valëve, shushurima e të cilave e mbyllte edhe më tepër në dukurinë që ngadalë ia gërryente shpirtin, ashtu siç e gërryen uji dheun nën brigje të larta. Shpeshherë ujin e pandehte si lot, thuajse lundronte përmbi lotët e tij. Në fakt, loti tek ai ishte si karburanti i makinave që vinin në lëvizje motorët. Mbyllja dhe përhumbja e tij karakterizoheshin me hapjen e dritareve, përmes së cilave shihte ndodhitë që rridhnin matanë brigjeve. S’i kishte mbetur gjë tjetër, pos t’i përveshë llërat dhe t’i rreket ngarendjes së hedhjes në letër të asaj që e shihte dhe të asaj që e përjetonte vetë ai dhe dashamirët e tij. Në mos më shumë, ai mëtonte që zërin qarës së të shkretëve ta përçonte përtej kalasë mbyllëse dhe mbytëse të asaj që me të vërtetë ndodhte. Të paktën ndërgjegjen e kryerësve të atij krimi asnjëherë të mos e lërë të qetë, edhe pse për praninë e ndërgjegjes së tyre vështirë ishte të dëshmonte dikush.