` . Luftën kundër harresës duhet ta fitojmë vetë - TV-SHENJA

Luftën kundër harresës duhet ta fitojmë vetë

Ne kemi problem me vlerësimin e përpjekjeve tona kulturore, intelektuale, politike, diplomatike, ushtarake për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Thënë thjesht, luftën kundër harresës duhet ta fitojmë vetë

 

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

 

Të nderuar themelues të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, të nderuar pjesëmarrës në aktivitetet në 30 vjetorin e Shoqatës Shqiptare “Migjeni”, i nderuar Martin!

Miku i vjetër, Martin Berishaj, më është drejtuar me një kërkesë miqësore e dashamirëse, që të shkruaj një tekst në 30-vjetorin e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në themelimin e së cilës pata marrë pjesë bashkë me poetin Ali Podrima, si përfaqësues të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila në atë kohë drejtohej nga Ibrahim Rugova dhe ishte zëri më autentik i shqiptarëve në Kosovë dhe në ish Jugosllavi. Martini më njoftoi me mirësi se organizatori nuk ka mundësi të më ftojë në Lubjanë, por që do të ishte mirë ta dërgoja një kumtesë, e cila do të lexohej dhe do të përfshihej në monografinë që po përgatitet. Pa e menduar gjatë, i premtova se do të bëja përpjekje të shkruaja diçka, si nderim për atë ngjarje, e cila ka pasur ndikim edhe në lëvizjen tonë për pavarësi. Natyrisht, nuk kishte si të mos më mbetej peng mungesa e ftesës të mirëfilltë, në një ngjarje kaq të rëndësishme e kaq të dashur. Mungesa e saj arsyetohet me mungesë mundësish financiare. Është e kuptueshme. Por, është edhe e imponueshme nga ndryshimet që kanë ndodhur në këto tridhjetë vjet, në raportet ndërmjet njerëzve, në hierarkinë e vlerave dhe në kujtesën tonë historike. Vendin e shkrimtarëve, pas çlirimit të Kosovës, e kanë zënë zëra të tjerë, duke retushuar edhe ngjarjet e duke uzurpuar edhe kontributet. Na mbetet të shpresojmë se është një keqkuptim kalimtar në shoqërinë tonë të hutuar nga liria dhe se në procesin e dekonstruktimit të narracioneve fiktive, gjërat do të vihen në vend. Nëse jo, nuk kemi merituar më mirë.

 

Të nderuar miq!

Meqë nuk mund ta bëj një udhëtim drejt Lubjanës për këtë aktivitet, në 30-vjetorin e themelimit të “Migjenit”, më mbetet ta evokoj udhëtimin e parë: me Aliun udhëtuam me tren, pa u ulur asnjë çast nga Fushë Kosova e deri në Beograd. Ishte një rrëmujë e tillë në atë tren, saqë nuk mund të gjendej një ulëse. Nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë qëlluam në korridor me Mirko Zhariqin, një shkrimtar serb, i cili shkruante si korrespondent nga Kosova për gazetën “Politika.” Kur Aliu e qortoi pse po shkruante të pavërteta për Kosovën, ai pa fije turpi tha se me ato gënjeshtra tashmë kishte ndërtuar shtëpi dhe se falë tyre po jetonte për bukuri! Në atë derexhe kishte arritur morali i shkrimtarëve dhe gazetarëve serbë, pra, të mburreshin me shpifjet dhe gënjeshtrat që i fabrikonin kundër nesh. Kundërvënia ndaj asaj fëlligështie intelektuale e morale të elitave serbe ishte arsyeja pse ne si shkrimtarë shqiptarë po udhëtonim drejt Lubjanës, në themelimin e një shoqate kulturore shqiptare, e cila do të na bashkohej në kauzën tonë të kundërvënies ndaj histerisë nazifashiste serbomadhe. Ne po përpiqeshim ta zgjeronim frontin e rezistencës sonë me shqiptarët tanë në Slloveni dhe me miqtë tanë sllovenë, me të cilët kishim përballë po të njëjtin rrezik, po të njëjtin armik.

Në Lubjanë mikpritja ishte shumë e përzemërt. Aty ishin mbledhur disa personalitete që mund të quheshin disidentë, disa ish të burgosur, disa që kishin shkuar atje për të pasur një hapësirë më të madhe veprimi, sigurisht edhe disa kotsidashës. Nga bisedat me shumë prej tyre m’u bë e qartë që kishte edhe dallime ideologjike e edhe konceptuale. Por, motivi për të bërë diçka konkrete për Kosovën dhe shqiptarinë, ishte evident te të gjithë.

Në mbledhjen themeluese mbajta një fjalë përshëndetëse. Nuk e mbaj mend se çfarë kam theksuar, por shpresoj të jetë e ruajtur në arkivin e shoqatës. Po ashtu takimi me kryetarin e LSSP-së të Lubjanës ishte i dobishëm. Bisedat e gjata e miqësore me mikun tim të hershëm, Matjazh Hanzhek, të cilin e kisha mirëpritur edhe në familjen time kur vinte në vizita si përfaqësues i Komitetit të Helsinkit, ishin vazhdimësi e angazhimeve që kishin bashkërenduar edhe më herët kundër propagandës dhe represionit nazifashist serbomadh.

Biseda për të cilat ia ka vlejtur të bëhej ai udhëtim i mundimshëm patëm edhe në takimin me Jasha Zllobecin e me Vlladimir Sheksin. Ajo bisedë për mua ka qenë shumë e rëndësishme, në angazhimet e mëtejshme, për çka mirënjohja më mbeti e përhershme për miqtë që na patën mirëpritur në themelimin e shoqatës “Migjeni.” Atë takim e kam përshkruar në librin “Sekretet që nuk i mori me vete Ibraim Rugova” me këto fjalë: “… Sheksi ishte më eksplicit sesa Zllobeci në qëndrimet e tij antiserbe e antijugosllave. Gjatë një takimi të gjatë, ku ishim unë, Aliu, Jasha dhe ai, Sheksi insistonte se duhej të shkatërrohej Jugosllavia, sepse ishte bërë burg i kombeve tona. Nacionalizmi serbomadh kishte triumfuar në Serbi dhe ai kërkonte një përgjigje adekuate. Sheksi ishte i mendimit se duhej të punohej për krijimin e një fronti të përbashkët të refuzimit ndaj nacionalizmit serbomadh. Duheshin kontakte, duhej bashkëpunim dhe duhej koordinim. Jasha i miratonte shumicën e tezave të Sheksit dhe plotësonte ndonjë gjë, por më me maturi. Ndërsa ambicia e Sheksit për shkatërrimin e Jugosllavisë vinte e shfrenuar. Për herë të parë, në ato vite të aktiviteteve publike, jam ballafaquar me idetë aq direkte për shkatërrimin e asaj federate. Mbresat e asaj bisede mbetën të forta në mendjen time. Ai ishte një guxim i çartur. Por, ai tingëllonte edhe si një projekt i përpunuar. Kur u ktheva në Prishtinë, i tregova Ibrahimit për përvojat e mia nga Lubjana e sidomos nga bisedat me Sheksin e me Zllobecin. Për Sheksin ne dinim më herët, sepse ai na e pati dërguar një analizë të gjatë lidhur me dëmet që do të shkaktoheshin për Kosovën nga ndryshimet kushtetuese. Për Jashën po ashtu dihej, sepse ishte i biri i Ciril Zllobecit, një ish kryetari të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, i cili ndërkohë ishte bërë funksionar i lartë në Republikën e Sllovenisë. Ibrahimi më tha se ata e kishin më lehtë, sepse i kishin republikat e veta dhe i kishin udhëheqjet republikane më afër mbrojtjes së interesave nacionale. (…)

Pjesëmarrja në themelimin e Shoqatës “Migjeni”, takimet dhe idetë që mora me vete, kanë pasur ndikim në angazhimet tona në mëvonshme intelektuale e politike. Ndonëse projektin e pavarësisë së Kosovës më vonë ne e përpunuam ndaras, edhe për shkak se Komisioni i Badenterit na penalizoi rëndë, ne kemi marrë përvoja të dobishme nga sllovenët, si edhe nga kroatët.

Shoqata “Migjeni”, menjëherë pas themelimit, u bë një subjekt me ndikim, posaçërisht me revistën “Alternativa”, e cila në Kosovë shpërndahej ilegalisht dhe lexohej me interesim të jashtëzakonshëm. Kam pasur nderin të jem edhe bashkëpunëtor i saj me tekste  të herëpashershme.

Dëshira ime sot, në shënimin e 30-vjetorit, është që të realizohet përgatitja dhe botimi i monografisë, për të cilën më njoftoi Martini. Gjithsesi do të duhej që revista “Alternativa” të digjitalizohet e ashtu të vihet në shërbim të lexuesve dhe të gjeneratave të reja. Nëse i filloni këto projekte në këtë 30-vjetor, do të ishte puna më e mençme që mund ta bëni. Pse? Sepse luftën kundër okupatorit e fituam, me ndihmën e NATO-s, dhe ajo histori është e dokumentuar. Por, ne kemi problem me vlerësimin e përpjekjeve tona kulturore, intelektuale, politike, diplomatike, ushtarake për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Thënë thjesht, luftën kundër harresës duhet ta fitojmë vetë. Urime e gjithë të mirat!

(Tekst përshëndetës në 30-vjetorin e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni”,  e cila u themelua me 7 qershor 1989 në Lubjanë.)