` . LUFTA E PARË BOTËRORE PËR MUSLIMANËT KURRË NUK PËRFUNDOI – TV-SHENJA

LUFTA E PARË BOTËRORE PËR MUSLIMANËT KURRË NUK PËRFUNDOI

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

Para disa dite lexova një shkrim në internet me titull “A ka përfunduar Lufta e Parë Botërore për arabët”[1], i cili mjaft korrespondonte edhe me përsiatjet e mia aktuale politike, sidomos pas ceremonisë në Paris më 11. 11. 2018, lidhur me përfundimin zyrtar të Luftës së Parë Botërore.

Të shtrohet pyetja se “A ka përfunduar Lufta e Parë Botërore” para opinionit do të shkaktojë komente të ndryshme. Disa do të thonë se ky njeri qenka tërësisht “dallash”, disa të tjerë do të mendojë se pas kësaj pyetjeje qëndron diç konspirative, e disa do të thonë se kemi të bëjmë me loje fjalësh, me ndonjë diletant, që abuzon dhe e provokon opinionin publik dhe durimin e tyre.

Marrëveshja sekrete 1916 Sykes-Picot

Megjithatë, nuk është ashtu! Përse të gjithë ne nuk mendojmë pak përtej asaj që shikojmë në TV apo drejtpërdrejt? Përse nuk shtrojmë disa pyetje, të cilat do ta bëjnë tregun e ideve më konkurrues. Sidomos, kur më 11. 11. 2018, në Parisin e dritave, të modës e ‘delikatesit’, në organizim të shtetit të Francës u organizua një manifestim për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe zotimin këmbëngulës të liderëve botërorë kundër luftës në përgjithësi[2].

A bën të zotohen për paqe ata që bëjnë luftë (Paris, 11.11.2018)           

Në fakt, çfarë ndodhi? Si shkoi puna atë kohë? Lufta e Parë Botërore përfundoi por Franca dhe disa shtete humbën shumë e fituan pak. Gjermania kapitulloi dhe u ndëshkua, por kjo nuk e rrënoi këtë shtet. E qartë, Gjermania e shkaktoi këtë luftë, por ndëshkimi ishte më i madh sesa meriton një popull. Thjesht, së paku kështu mendonte vetë populli gjerman, këtij populli iu bë padrejtësi. Gjendja e inferioritetit, e dëmtimit të dinjitetit gjerman ndikoi që forcat e djathta, naziste, më 1933, sërish ta fitojnë pushtetin dhe menjëherë të fillojnë përgatitjet për vendosjen e drejtësisë në Gjermani, e pastaj edhe përreth. Disa vite më pas, gjermanët, përkatësisht lëvizja naziste, e filluan edhe Luftën e Dytë Botërore[3]. Kjo ishte, qartë, një hakmarrje për padrejtësitë që iu bënë gjatë dy dekadave të fundit dhe përpjekja që Gjermania të merr vendin që e meriton në skenën botërore.

Duhet të cekim se përfundimi i Luftës së Parë Botërore më 1918 solli ndryshime të mëdha politike e gjeostrategjike në botë e sidomos në Evropë dhe Lindjen e Afërme. Pas kësaj lufte botërore kemi rënien e disa perandorive botërore: Austro-Hungareze, Pruse ose Gjermane, Ruse dhe Osmane,[4] dhe ndarjen e territorit të këtyre perandorive mes forcave fituese dhe aleatëve të tyre. Po ashtu, si pasojë e kësaj lufte, ranë katër dinasti të mëdha: Romanovët, Hohenzolernsët, Habsburgët dhe Osmanët.[5]

Për ne shqiptarët muslimanë, fundi i kësaj lufte botërore, përkatësisht rënia e osmanlinjve në Ballkan njëkohësisht ishte edhe fillimi i okupimit të tokave shqiptare nga aleatët e dy fuqive kryesore kolonialiste, Anglisë dhe Francës, pra prej serbëve, malazezeve, maqedonëve, grekeve dhe fillimi i shpërnguljes masive në vende tëp ndryshme si në Turqi, Egjipt, Siri, Jordan etj. Po ashtu, humbja e osmanlinjve ishte edhe ndarja e botës arabe në sfera interesi, sipas Paktit të Sykes-Picot[6]. Ky takim kishte filluar fshehtësisht qysh në nëntor të vitit 1915, për t’u bërë zyrtar më 1916. Siç e thotë edhe literatura botërore, kjo ishte njëkohësisht parapërgatitja për themelimin e shtetit sionist të Izraelit në tokën e Palestinës dhe fikjen e Palestinës si shtet.[7]

Georges-Picot & Mark Sykes

Këto shtete kolonialiste më 1923 në Lozanë ndër të tjera ratifikuan përfundimisht Traktatin për ndarjen e Lindjes së Afërt.[8] Këtë traktat, si palë humbëse, e rafitikoi edhe Turqia, që nënkuptonte se tash e tutje nuk kishte dorë nga shumë territore që më herët i posedonte, sikurse edhe ato në Ballkan.[9] Vendimet e Lozanës por edhe disa tubime tjera të fuqive botërore[10] nuk përfillën dëshirën e popujve të rajonit për liri e pavarësi, nuk përfillën nevojat e tyre nacionale e fetare, politike e ekonomike, por favorizuan forca të caktuara dhe neglizhuan popujt si shqiptarët, që mbetën të copëtuar në shumë shtete. Ata formuan shtete të vogla deri atëherë joekzistuese, të pafuqishme, të varura politikisht dhe ekonomikisht, instaluan në qeveri njerëzit e tyre dhe i mbronin ata, vizatuan kufijtë sipas interesave të tyre, me ç’rast edhe vizatuan kufijtë e Izraelit të ardhshëm. Marrëveshja e Sykes–Pico ishte fatkeqe për rajonin e Lindjes së Afërme dhe për muslimanët në përgjithësi. Fuqitë e mëdha i shfrytëzonin këto vende ekonomikisht por edhe politikisht. Ata instaluan institucione për t’i zëvendësuar ato të mëhershmet si të pavlera. Islami zëvendësohet me panarabizëm, formohen parti me ide shekullariste, themeluan gazeta që promovojnë modernizmin perëndimor, universitete ku feja mësohet vetëm si histori etj. Këto marrëveshje kishin për qëllim ndër të tjera që ta ndryshojnë strukturën e popullsisë në vendin e Palestinës, duke sjell sa më shumë hebrejë aty. Kështu, më 1922 në Palestinë kishte 11% hebrejë, por më 1949 kishte 30%.[11]

Shpjegimi i zonave të interesit[12]

Shtetet perëndimore fillimisht, qysh në shekullin XVIII, i organizuan arabët kundër hilafetit osman (lëvizja vehabiste etj.), e më vonë vetë perëndimorët i shkatërruan disa nga këto lëvizje e grupe që ishin aleatë në rrënimin e osmanlinjve, sepse Perëndimi e dinte që ata një ditë, do t’u kundërviheshin edhe kolonizatorëve perëndimorë.

Vetë Turqia, edhe pse u sulmua nga të gjitha anët, ndonëse e rrëgjuar, e ndrydhur, e gjymtuar nga muslimanët (Arabia vehabiste etj.) dhe jomuslimanët (disa shtete perëndimore, Rusia etj.), megjithatë arriti ta ruaj substancën e vet. Turqia e mbrojti veten, por vendet arabe, ranë plotësisht nën ndikimin e huaj.

Është interesant të thuhet se shtetet perëndimore me dekada propagandojnë demokracinë si model politik, ekonomik, kulturor e qytetërimor për botën, por po këto shtete ndihmojnë diktaturat në vendet muslimane. Madje, në ato vende ku dominonte përparimi dhe ngritja, organizoheshin grusht shtete (Pakistani, Turqia, Egjipti etj.), minohej çdo përparim drejt qetësisë, arsimimit dhe ruajtjes së sistemeve të instaluara nga vetë ata.[13]

Të rikujtojmë se me ‘përfundimin’ e Luftës së Ftohtë, me rënien e Murit të Berlinit, me rënien e Bashkimit Sovjetik, me rënien e Jugosllavisë dhe me përfundimin e luftërave në Ballkan, u fitua përshtypja se Qytetërimi Perëndimor përfundimisht fitoi karshi botës tjetër.

Por, së shpejti doli në shesh zhgënjimi. Harta e vizatuar nga perëndimorët për vendet muslimane duket e paqëndrueshme. Kemi Xhamu dhe Kashmirin, Afganistanin, Irakun, Sudanin, Gjirin Arab, Bosnjën, Kosovën, Tunizinë, Libinë, Egjiptin, Sirinë, Jemenin dhe vatrat tjera anembanë botës muslimane. Si reagim të muslimanëve (sic!) kemi edhe 11 shtatorin në Nju Jork, shpërthimet në Londër, Paris, Madrid. Sërish kemi hakmarrjen perëndimore ndaj shteteve arabe/muslimane por edhe fashizmin e racizmin bashkëkohor në Perëndim: sulmi ndaj femrave të mbuluara, sulmi ndaj xhamive, zjarri nëpër xhami e objekte tjera muslimane, ofendimet e skajshme nëpër televizione, revista, rrjetet sociale për Kur’anin, Muhamedin a.s., fenë islame në përgjithësi. Këtë po e vërejmë edhe në trojet shqiptare, në të gjitha nivelet, ku mediat e shkruara dhe vizive çdo ditë servojnë lajme të rrejshme, shpifje anti-islame, islamofobe.

[1] Abdullah Nasup, Da li je za Arape završen Prvi svjetski rat?, në: http://saff.ba/da-li-je-za-arape-zavrsen-prvi-svjetski-rat/
[2] Shih gjerësisht: https://en.wikipedia.org/wiki/World_War_I
[3] Shih: https://en.wikipedia.org/wiki/World_War_II
[4] Sipas: https://en.wikipedia.org/wiki/World_War_I
[5] Lisen Bashkurti, Epilog mbi përfundimin e Luftës së Parë Botërore, në: https://www.epokaere.com/epilog-mbi-perfundimin-e-luftes-se-pare-boterore/?fbclid=IwAR2jH1eDTWIqylrsHnZ-7sfxonvHLuo-dZYFQBblCc8aG5RxaU49M2nUMfw
[6] Sipas: Sykes-Picot Agreement, në: https://www.britannica.com/event/Sykes-Picot-Agreement;
Teksti i plotë i kësaj marrëveshje është në: https://www.jewishvirtuallibrary.org/the-sykes-picot-agreement-1916’; http://avalon.law.yale.edu/20th_century/sykes.asp
[7] Vetë titulli flet qartë: Pre-State Israel: The Sykes-Picot Agreement (1916), në:
https://www.jewishvirtuallibrary.org/the-sykes-picot-agreement-1916’.
[8] Tariq Tell,  Sykes-Picot Agreement, International Encycplopedia of the First World War, në: https://encyclopedia.1914-1918-online.net/article/sykes-picot_agreement
[9] Lisen Bashkurti, Epilog mbi përfundimin e Luftës së Parë Botërore, në: https://www.epokaere.com/epilog-mbi-perfundimin-e-luftes-se-pare-boterore/?fbclid=IwAR2jH1eDTWIqylrsHnZ-7sfxonvHLuo-dZYFQBblCc8aG5RxaU49M2nUMfw
[10] “Traktati Versajës dhe traktatet e tjera pasuese të mbas luftës thuajse nuk kënaqën askënd. Mbi këto ndjenja pakënaqësie që  dominuan gradualisht politikat e pas luftës, shumë shpejt do ringrihej një valë e re revanshi e rivaliteti e mbushur plot frikë, urrejtje dhe armiqësi të paparë. Në këtë klimë të helmatosur ndodhi edhe kriza e depresionit të madh në periudhën midis dy luftërave, 1929-1930. Kriza e rëndë e depresionit ekonomik provokoi përfundimisht përgatitjet për luftë të re.” Sipas: Lisen Bashkurti, po aty.
[11] Ahmet Alibasic, Islamska opozicija u arapskom svijetu, Sarajevë, 2015, fq. 30 e tutje.
[12] https://www.jewishvirtuallibrary.org/the-sykes-picot-agreement-1916.
[13] Vite me radhë, për ta penguar zhvillimin dhe bërjen e Turqisë fuqi rajonale e botërore, shtetet perëndimore, sidomos SHBA, edhe pse aleate në NATO me Turqinë, në mënyra të ndryshme e sulmuan Turqinë, sikurse nëpërmjet nxitjes së protestave qytetare, nëpërmjet inskenimit të aferave të ndryshme, përkrahjes së grupeve terroriste kurde brenda Turqisë apo nga shtetet fqinje, grupeve majtiste, pastaj nëpërmjet grusht shtetit ushtarak të projektuar dhe ndihmuar nga jashtë dhe së fundi nëpërmjet sulmit ekonomik amerikan. Meqë jemi në rrjedha të ngjarjeve, nuk do të përdori ndonjë burim relevant.

_______________________________________________________________________________

Të rikujtojmë se me ‘përfundimin’ e Luftës së Ftohtë, me rënien e Murit të Berlinit, me rënien e Bashkimit Sovjetik, me rënien e Jugosllavisë dhe me përfundimin e luftërave në Ballkan, u fitua përshtypja se Qytetërimi Perëndimor përfundimisht fitoi karshi botës tjetër.

Por, së shpejti doli në shesh zhgënjimi. Harta e vizatuar nga perëndimorët për vendet muslimane duket e paqëndrueshme. Kemi Xhamu dhe Kashmirin, Afganistanin, Irakun, Sudanin, Gjirin Arab, Bosnjën, Kosovën, Tunizinë, Libinë, Egjiptin, Sirinë, Jemenin dhe vatrat tjera anembanë botës muslimane. Si reagim të muslimanëve (sic!) kemi edhe 11 shtatorin në Nju Jork, shpërthimet në Londër, Paris, Madrid. Sërish kemi hakmarrjen perëndimore ndaj shteteve arabe/muslimane por edhe fashizmin e racizmin bashkëkohor në Perëndim: sulmi ndaj femrave të mbuluara, sulmi ndaj xhamive, zjarri nëpër xhami e objekte tjera muslimane, ofendimet e skajshme nëpër televizione, revista, rrjetet sociale për Kur’anin, Muhamedin a.s., fenë islame në përgjithësi. Këtë po e vërejmë edhe në trojet shqiptare, në të gjitha nivelet, ku mediat e shkruara dhe vizive çdo ditë servojnë lajme të rrejshme, shpifje anti-islame, islamofobe.

NË FUND, ME TË DREJTË NXIRRET KONKLUDIMI SE A KA PËRFUNDUAR, NË FAKT, LUFTA E PARË BOTËRORE PËR MUSLIMANËT?!, APO KA PËRFUNDUAR VETËM NJËRI NGA EPISODET E KËTIJ FILMI TRISHTUES, TË KËTIJ PROJEKTI HIPOKRIT TË PERËNDIMIT KARSHI MUSLIMANËVE DHE TË PAFUQISHMËVE.