` . Lufta e Kosovës në mediat botërore - TV-SHENJA

Lufta e Kosovës në mediat botërore

Mediat e shteteve dominuese të NATO-s nuk e thyen traditën e mbështetjes në mbulimin mediatik të luftës së Kosovës. Vlen të përmendet se në një vend të margjinalizuar të NATO-s si Bullgaria – ku mbulimi i shtypit ishte përshtatur në mënyrë neutrale ndaj vendimit të NATO-s për të nisur sulmet ajrore kundër RFJ-së dhe qëndrimin e qeverisë bullgare për të mbështetur këtë vendim – dhe Greqia, që mbajti një vështrim të pakompromistë kundër luftës, ato “devijuan” nga mbulimi kryesor i mediave që gjendet në shumicën e qartë të NATO-s dhe vendeve të tjera perëndimore

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren

Lidhjet ndërmjet medias dhe luftës janë identifikuar për më shumë se një shekull. Media shpesh luan një rol kyç në konfliktet e sotme. Në parim, roli i tyre mund të marrë dy forma të ndryshme dhe të kundërta. Mediat ose marrin pjesë aktive në konflikt dhe kanë përgjegjësi për dhunën në rritje ose qëndrojnë të pavarura dhe jashtë konfliktit, duke kontribuar kështu në zgjidhjen e konflikteve dhe zbutjen e dhunës.

Lufta e Kosovës ishte koha reale ku mediat kishin ndikim moral te udhëheqësit dhe shtetet perëndimore dhe anasjelltas. Kjo ishte koha kur të drejtat dhe vlerat e njeriut duhej të vinin në dukje, si gjithmonë, duke ushtruar presion mbi udhëheqësit ndërkombëtarë për të vepruar. Kur shpërtheu lufta e Kosovës më 1999, në vendngjarje ishin pothuajse 4.000 gazetarë, shumë prej të cilëve ishin të pavarur (freelancer). Philip Knightley në librin The First Casualty: The War Correspondent as Hero and Myth-Makerfrom the Crimea to Kosovo pohoi se kishte më shumë korrespondentë lufte sesa kurrë më parë, pasi “2.700 njerëz të medias shoqëruan forcat e NATO-s kur hynë në Kosovë në fundin e fushatës së bombardimeve. Zhvillimet teknologjike bënë që lufta e Kosovës të jetë lufta e parë e transmetuar në internet. Përtej zonës së betejës, çdokush me një kompjuter mund të transmetonte pikëpamjet e veta në një audiencë globale nga komoditeti i shtëpive të tyre edhe pse rreth 8% e popullsisë së botës kishte hyrë në WorldWideWeb, kryesisht në Evropë dhe Amerikën Veriore”.

Lufta e Kosovës në mediat amerikane

Në artikullin me titull Legitimizing `Humanitarian Intervention’? CNN, NATO and the Kosovo Crisis, ku ekzaminon mbulimin e bombardimeve të NATO-s nga Jugosllavia në mars-qershor të vitit 1999 nga rrjeti televiziv global i lajmeve, Cable News Network (CNN), Daya Kishnu Thussu argumenton se veprimi paraprak i NATO-s – konflikti i parë në të cilin aleanca ushtarake e më të fuqishmëve në botë ndërhyri në punët e brendshme të një shteti sovran – u raportua pa kritikë dhe u paraqit nga CNN si një ndërhyrje humanitare. Imazhet televizive priren ta ndjekin agjendën e lajmeve të krijuara nga ushtria amerikane. U shfaqën pak pikëpamje alternative dhe, më e rëndësishmja, ndryshimi thelbësor në natyrën e NATO-s – nga një aleancë mbrojtëse në një organizatë ofensive të zbatimit të paqes – u injorua në masë të madhe. Sipas Thussu-s, intervenimi i NATO-së u paraqit si një emergjencë humanitare, si alternative e fundit kur të gjitha opsionet e tjera diplomatike ishin shterur. Duke i dhënë një pjesë të madhe të kohës së lajmeve komandantëve ushtarakë të SHBA-së, zëdhënësit të NATO-s dhe, në përgjithësi, ekspertëve “të pavarur”, CNN synonte të legjitimonte bombardimet. Edhe pse liderëve jugosllavë dhe serbë u është dhënë një mundësi për të vënë në pikëpamjet e tyre, koha e caktuar për këto pikëpamje ishte shumë e kufizuar vlerëson Thussu. UÇK-ja, e cila në vitin 1998 u caktua si një organizatë terroriste nga qeveria amerikane dhe nga një grup udhëheqës i të drejtave të njeriut me bazë në SHBA, u transformua nga CNN në ushtri e “luftëtarëve të lirisë”. Hammond dhe Peterson, në studimin e tyre me titull CNN: Selling NATO’s War Globally për mbulimin e kohës së luftës në CNN, përfunduan se në përdorimin e fjalëve, supozimet, zgjedhjen dhe trajtimin e çështjeve dhe burimeve mbi luftën e Kosovës, CNN dhe gazetarët e saj ndoqën udhëheqjen e NATO-s dhe i shërbyen si një partner de fakto i informacionit publik. Këta gazetarë kurrë nuk i morën në pyetje motivet e NATO-së, nuk shqyrtuan për ndonjë agjendë të fshehtë, nuk sfiduan pretendimet e NATO-së dhe nuk ndoqën ndonjë rrugë hetuese që nuk përputhej me kërkesat e propagandës së NATO-së. Gazetarët e CNN jo vetëm që ndoqën agjendën e NATO-s dhe nuk arritën të bëjnë pyetje kritike, por gjithashtu shërbyen si shitës dhe promotorë të luftës së NATO-s.

Studimi i Jin Yang, Framing the NATO Air Strikes on Kosovo Across Countries: Comparison of Chinese and US Newspaper Coverage ku është përdorur teknika e analizës së kornizës (frameanalysis), krahason mënyrën se si mediat kineze, të përfaqësuara nga People’s Daily Online dhe China Daily, dhe mediat amerikane, të përfaqësuara nga New York Times dhe Washington Post, i mbuluan sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999. Analiza e përmbajtjes së 200 artikujve të lajmeve zbulon se gazetat kineze dhe gazetat amerikane kanë adoptuar dy korniza të ndryshme mediatike në rrëfimin e veprimeve ushtarake në shkallë të gjerë. Përderisa gazetat kineze i përkujtuan sulmet ajrore si një ndërhyrje në sovranitetit e territorit të Jugosllavisë, gazetat amerikane i paraqiten sulmet ajrore si një ndihmë humaniste për shqiptarët për ta ndaluar spastrimin etnik të iniciuar nga serbët. Yang-u arriti në përfundim se qëndrimi i qeverisë kineze për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë dhe zgjidhja e konfliktit të Kosovës përmes bisedimeve paqësore dhe politike u përsërit pothuajse në të gjitha aspektet në kornizën mediatike. Nëpërmjet përzgjedhjes së temave të protestave dhe dënimeve dhe largimit nga temat e spastrimi etnik dhe të refugjatëve, gazetat kineze përqendroheshin në sfidimin e sulmeve ajrore të NATO-s. Duke zgjedhur burimet kineze dhe ruse shumicën e kohës, gazetat kineze më shpesh adoptuan pikëpamjet serbe sesa gazetat amerikane. Prandaj, ishte e arsyeshme të konkludohej se mbulimi i gazetave kineze reflektonte reagimin e qeverisë kineze ndaj sulmeve ajrore. Gazetat kineze i paraqitën audiencës kineze një kornizë të ndërhyrjes së NATO-s me forcë në çështjet e brendshme të Republikës Federale të Jugosllavisë. Nga ana tjetër, gazetat amerikane, duke i kushtuar më shumë vëmendje temave të përditësimeve të luftës ajrore dhe strategjive / taktikave / armëve, e morën të drejtën e legjitimitetit të aksionit të sulmeve ajrore. Duke përdorur burimet amerikane dhe të NATO-s në shumicën e kohës, gazetat amerikane më shpesh mbuluan tregime nga pikëpamja shqiptare. Prandaj, ishte e ligjshme të konkludohej se rruga në të cilën raportimet amerikane ishin përshtatur përputheshin me qëndrimin e qeverisë amerikane ndaj konfliktit.

Mbulimi i Luftës së Kosovës në mediat evropiane

Stig A. Nohrsetedt, Sophia Kaitatzi-Whitlock, Rene Ottosen dhe Kristina Riegert, në artikullin e tyre From the Persian Gulf to Kosovo-War Journalism and Propaganda, hulumtuan mbulimin e tri ditëve të para të sulmeve ajrore të NATO-s në gazetat e katër vendeve: Daily Telegraph nga Mbretëria e Bashkuar, Ta Nea nga Greqia, Aftenposten nga Norvegjia dhe Dagens Nyheter nga Suedia. Fokusi bie në shkallën në të cilën imazhi propagandistik i konfliktit, i paraqitur nga Presidenti Clinton në fjalimet e tij më 23 dhe 24 mars, kur filluan sulmet e para ajrore, ishte gjithashtu i pranishëm në mediat evropiane dhe gjithashtu deri në çfarë mase u kritikua dhe u kundërshtua. Kjo arrihet duke krahasuar diskursin e përditshëm të gazetave në këto vende në drejtim të ndërtimit të këtyre temave: (1) fjalimet e Clinton-it; (2) imazhin e Millosheviqit; (3) pasojat e sulmeve ajrore; dhe (4) pozicionimi i vendit, gjegjësisht vendit të medias. Analiza zbuloi se Daily Telegraph ndryshonte nga gazetat e tjera, sepse përshkruante Tony Blair-in si udhëheqës dominues i NATO-s, në vend të Bill Clinton-it. Po ashtu u zbulua se Daily Telegraph e kishte ndjekur Clinton-in dhe Blair-in në personalizimin e luftës rreth Millosheviqit më shumë se gazetat e tjera, duke e fajësuar atë për të gjitha problemet në Ballkan gjatë dhjetë viteve të kaluara. Analistët konkluduan se vetëm Ta Nea greke vazhdimisht e vuri në diskutim diskursin e NATO-s. Hulumtimi i tyre, gjithashtu, zbuloi se The Daily Telegraph nuk e vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e sulmeve ajrore të NATO-s po aq sa edhe gazetat e tjera; kritikoi më së shumti bombardimet për mungesën e efikasitetit dhe diskutoi nëse trupat tokësore ishin përgjigjja shumë më tepër se tri gazetat e tjera. (Nohrstedt, Kaitatzi-Whitlock, Ottosen, & Riegert, 2000: 391-401).

Kur shikojmë shtypin britanik të studiuar nga Hammond Third Way War: New Labour, the British Media, and Kosovo gazetat politikisht konservatore, si The Times, Telegraph, Express dhe Daily Mail, shprehën mbështetjen e tyre të zakonshme për ushtrinë britanike. Në të njëjtën kohë, këto gazeta shprehën një paralajmërim të caktuar rreth qëllimeve të veprimit të NATO-s, veçanërisht në ditët e para të luftës. Kryeopinionistit të Daily Mail me siguri i ishte dukur e natyrshme theksimi i “mbështetjes së qartë” të trupave të armatosura britanike dhe të NATO-së (25 mars). Në të kundërtën, për pjesën liberale të shtypit, veçanërisht për gazetat The Guardian dhe Independent, qëndrimi pro-ushtarak nuk është përgjigje refleksive tradicionale, ishte misioni i shpallur moral i NATO-s që kapi imagjinatën. Me ndihmën e medias, Blair-i krijoi një “qëllim moral kombëtar” të përkohshëm mbi Kosovën. Duke marrë sugjerime nga biseda e tij për të mirën kundrejt së keqes, shumë gazetarë e kremtuan bombardimin si një luftë të drejtë për viktimat e shtypjes, duke thjeshtëzuar realitetin e konfliktit (Hammond, 2000: 124-130).

Në hulumtimin e titulluar The Image War: NATO’s Battle for Kosovo in the British Media konfliktit në Kosovë iu dha prioritet nga BBC, e cila kishte krijuar një prani në Prishtinë një vit përpara shpërthimit të konfliktit. Mbulimi i bombardimeve të NATO-s ishte operacioni më i madh i mediave logjistike i ngritur nga BBC. Deri në kohën kur trupat e KFOR-it hynë në Kosovë më 13 qershor 1999, në Prishtinë kishte rreth 60-70 individë të BBC-së në terren. Gazetarët ranë dakord se konflikti i Kosovës përfaqësonte një qasje shumë më të sofistikuar për menaxhimin e medias sesa në konfliktet e mëparshme që përfshinin Britaninë e Madhe. Kishte më pak censurë dhe kontroll, përkundrazi: kishte një rrjedhje gjithnjë e më të madhe të informacionit – më shumë informacione për shtyp, informacione të regjistruara, se kurrë më parë. Analiza mikrostrukturore tregoi se qëllimet, arsyetimet dhe motivet e NATO-s mbeten të padiskutuara nga mediat britanike.

Raportimi gjerman për intervenimin e NATO-s, sipas Thomas Deichmann (From ‘Never again War’ to ‘Never again Auschwitz’: Dilemmas of German Media Policy in the War against Yugoslavia), nuk ishte më ndryshe se në vende të tjera në Perëndim. Kishte gazetarë të jashtëzakonshëm, që u përpoqën të jepnin një pamje të balancuar, por ata mezi dëgjoheshin. Megjithëse u ngritën pyetje për efektet shkatërruese të bombardimeve të NATO-s, kritika ishte e kufizuar ndaj drejtuesve të luftës; legjitimiteti i saj rrallë është vënë në pikëpyetje. Për pjesën më të madhe, mediat përsërisnin justifikimet zyrtare të luftës dhe madje ofruan argumente dhe retorikë të tyre për t’i legjitimuar sulmet ajrore. Politikanët gjermanë pohuan se NATO-ja nuk po bënte një luftë, por po mbronte të drejtat e njeriut, duke tentuar të pengonte një gjenocid që Millosheviqi e kishte planifikuar një kohë të gjatë. Kah fundi i luftës raportimi i mediave u përqendrua në përpjekjet diplomatike të ministrit të jashtëm gjerman (të asaj kohe), Joschka Fischer, për ta zgjidhur konfliktin. Takimet midis Fischer-it dhe negociatorëve rusë u raportuan shumë në Gjermani, por shpesh nuk u përmendën fare në mediat amerikane. Fokusi i diplomacisë së Fischer-it korrespondonte me një ndryshim në strategjinë e Zyrës së Jashtme Gjermane, e cila u pasqyrua menjëherë në raportet e medias.

Diskursi i mediave në Suedi dhe Norvegji, sipas Höijer, Nohrstedt dhe Ottosen (The Kosovo War in the Media – Analysis of a Global Discursive Order), ishin të zëna me fatin e popullatës civile dhe vuajtjet e tyre për shkak të terrorit në terren dhe sulmeve ajrore të NATO-s. Në aspekte të tjera, mediat norvegjeze dhe suedeze patën dallime. Autorët konkluduan se, në veçanti, operacioneve bombarduese të NATO-s fillimisht i ishte dhënë një mbulim kundër, por më vonë dy diskurset e mediave u konvergjuan drejt një imazhi tepër kritik. Që nga fillimi, media në Norvegji, vendi i NATO-s në këtë krahasim, kishte një profil të ulët në lidhje me efektet e sulmeve ajrore, por ato përgjithësisht u përshkruan si të domosdoshme për ta rikthyer paqen në Kosovë. Mediat suedeze, përkundrazi, kishin një zë shumë më të hapur dhe kritik, duke theksuar rreziqet e mundshme të konfliktit që mund të përhapej në të gjithë Ballkanin dhe përfundimisht në një luftë të tretë botërore. Nën ndikimin e ngjarjeve të mëvonshme, dhe veçanërisht të sulmeve gabimisht të NATO-s ndaj refugjatëve shqiptarë, lajmet e mediave në të dyja vendet u shndërruan në një imazh kryesisht kritik të bombardimeve të NATO-s. Në këtë rast shpjegimi që sugjerohet nga autorët është se efekti i kombinuar i qasjes së gazetarëve në përvojat e civilëve në të dyja anët, përveç ndikimit të diskursit të dhembshurisë, çoi në një rritje kundër presionit ndaj përpjekjeve të NATO-s për ta dominuar diskursin e medias.

Sipas hulumtimit me titull Consensus and Conflict in the Russian Press, debati në mediat ruse për përgjigjen e duhur ndaj luftës çoi në kontradikta, mospërputhje dhe fajësime reciproke. Pjesa më e madhe e diskutimit u përqendrua në raportimin perëndimor dhe propagandën e NATO-s. Përderisa mediat perëndimore prezantuan refugjatët shqiptarë etnikë si viktima të dukshme të mizorive serbe dhe “spastrimit etnik”, duke përshkruar eksodin si një “katastrofë humanitare”, gazetarët rusë theksuan se njerëzit po iknin nga bombardimet e NATO-s dhe se sulmet ajrore të projektuara gjoja për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës, e kishin bërë situatën më të keqe. Shtypi rus u mundua të argumentojë se mediat perëndimore po bënë një luftë propagandistike në anën e qeverive të tyre, duke synuar opinionin publik vendas dhe vetë Jugosllavinë. Gazetarët perëndimorë u kritikuan nga homologët e tyre rusë për raportimin e tyre të njëanshëm, ndërsa edhe lufta propagandistike e NATO-së u cilësua si sjellje e “pamëshirshme” dhe u kritikua shpesh. Sipas Hammond, Nizamova, & Savelieva, lufta e Kosovës veproi si një prizëm, duke reflektuar pikëpamjet e brendshme politike dhe duke nxitur një rivlerësim të rolit të Rusisë në botë. Pothuajse të gjitha mediat ruse ishin të shqetësuara nga roli i caktuar Rusisë në konflikt ose, më saktë, mungesa e një roli. Siç shihet, nga Rusia ka pasur dy faza kryesore të konfliktit: “pa pjesëmarrjen e Rusisë” dhe “me praninë e Rusisë”. Kjo u reflektua në mbulimin e mediave, të cilat në fillim të krizës paraqitën mosmiratimin e mprehtë të “agresionit të NATO-s” dhe mbështetjen për “Jugosllavinë sovrane”. Megjithatë, pas njohjes së “rolit të Rusisë”, shumica e gazetave miratuan një ton më neutral, duke sjellë më shumë artikuj rreth refugjatëve shqiptarë dhe ekseset e regjimit të Millosheviçit dhe më pak raporte për “vëllezërit serbë”.

Sipas studimit të Lallit, të quajtur Media and War Events: The Influence of Media Information About Kosovo War, mbi mediat italiane rreth veprimeve ushtarake të NATO-s në Kosovë, ato nxjerrin në pah disa aspekte të rëndësishme. Sa i përket lajmeve televizive, është vërejtur se angazhimi emocional në përfaqësimin e medias ishte shumë i lartë. Ishte shumë e vështirë për të gjetur burime të sigurta alternative, si dhe për ta kontrolluar të vërtetën dhe besueshmërinë e informacionit në dispozicion; për më tepër, kjo ndjenjë e distancës dhe pasigurisë u përforcua nga mungesa e furnizimeve vizive që dëshmonin se çfarë po ndodhte me të vërtetë në Serbi dhe Kosovë. Në gazeta, Lalli gjen dy korniza kryesore retorike në debatimin dhe raportimin e fakteve të luftës: nga njëra anë, legjitimitetin humanitar të veprimit ushtarak të NATO-s, dhe nga ana tjetër, vështirësia e njëkohshme e pranimit të një mënyre të tillë të përgjakshme për të reaguar ndaj një lufte civile të zhvilluar në një vend të huaj. Në fund mund të themi se përfaqësimi mediatik italian i luftës së Kosovës – përveç disa gazetave “militante” të orientuara nga e majta, luhateshin vazhdimisht midis një lloj hutimi përpara një angazhimi masiv ushtarak të fuqive perëndimore dhe përpjekjeje për të ndërtuar dhe publikuar një “raportim” të këtij angazhimi, që të jetë sa më i sigurt dhe i miratuar (pëlqyer) të jetë e mundur.

Lufta e Kosovës në mediat ballkanike

Raptis, në studimin me titull The Greek ‘Participation’ in Kosovo mbi shtypin grek, shkroi se përpara fillimit të bombardimeve situata në Kosovë u raportua pothuajse çdo ditë në mediat greke, por kryesisht të bazuara në burimet e agjencive e lajmeve perëndimore. Eleftherotipia, për shembull, mbajti një distancë pothuajse ekuivalente ndaj UÇK-së, të cilën e konsideronte si “pjesë bartëse të përgjegjësisë për konfliktin” dhe nga “mizoritë serbe”. Sidoqoftë, shumica e editorialëve argumentuan se shqiptarët etnikë po e intensifikonin konfliktin në mënyrë që “ta ftonin” NATO-n në Kosovë. Në raportimin e konfliktit në Kosovë gazetarët grekë kishin mbështetjen e padyshimtë të popullsisë greke, të cilët nuk u mashtruan nga “humanitarizmi” i NATO-s në klasifikimin e shqiptarëve si “djem të mirë” dhe serbët si “të këqijtë”. Megjithëse, siç pritej, qeveria greke i përmbushi dëshirat e SHBA-së, ndërsa “kontributi” i popullsisë greke në konfliktin e Kosovës mund të gjendet në rezistencën e tyre ndaj ndërhyrjes së SHBA-së/NATO-së. Sipas Margarita Kondopoulo (The Greek media and the Kosovo crisis), që nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë në pranverën e vitit 1999 dhe gjatë gjithë kësaj fushate mediat greke kanë mbajtur një opinion të veçantë dhe të pakompromistë anti-luftë në ngjarjet që po ndodhin, si në hapësirën ajrore, ashtu edhe në hapësirën tokësore në ish-Jugosllavi. Kjo pikëpamje ishte e ndryshme nga shumica e perspektivave të medias në vendet e tjera anëtare të NATO-s. Kondopoulou arriti në përfundimin se pikëpamja e përgjithshme e mediave greke u bazua në një qasje të veçantë, që e shihte veprimin e NATO-s si një akt agresioni jo vetëm kundër Serbisë, por edhe kundër rendit gjeopolitik në Ballkan. Veç kësaj, karakteristikat e njohura kulturore dhe fetare të përbashkëta të Greqisë dhe Serbisë çuan në një pikëpamje të miratuar kryesisht – por jo vetëm – nga gazetat e krahut të djathtë, të cilat ngjallnin ndjenjat nacionaliste dhe u bashkuan me serbët. Këto karakteristika, së bashku me kundërshtimin tipik popullor ndaj ndikimit amerikan në Greqi, duket se orientonin mbulimin mediatik grek në masë të madhe.

Ekatarina Balabanova në hulumtimin me titull Media, wars and politics : comparing the incomparable in Western and Eastern Europe shikon marrëdhënien midis mediave të shkruara dhe politikëbërjes në Bullgari në kohën e konfliktit në Kosovë. Së pari, analizon mbulimin e mediave të shkruara të konfliktit të Kosovës gjatë dy periudhave kohore – 24 shkurt-25 mars 1999 dhe 15 prill-15 maj 1999. Në terma krejtësisht sasiorë, kriza e Kosovës gëzonte mbulim të gjerë mediatik në periudhën përpara përfshirjes ushtarake të NATO-s. Midis 24 shkurtit dhe 25 marsit 1999 ishin 725 artikuj të publikuar në 24Chasa, Trud, Demokracia, Duma, Pari, Sega, Standart dhe Kapital, që përbënin një referencë të rëndësishme për situatën në Kosovë. Katër nga këto gazeta – Sega, Standart, Demokracia dhe 24 Chasa – publikuan botime speciale, përveç atij të rregullt, më 25 mars 1999, kushtuar krizës së Kosovës dhe fillimit të sulmeve ajrore. Gjatë periudhës shkurt/mars, mediat bullgare të shkruara raportuan me qasje neutral dhe më pas, gjatë periudhës prill/maj, në mënyrë kritike, kur u diskutua çështja lidhur me qëndrimin qeveritar mbi konfliktin e Kosovës dhe sulmet ajrore të NATO-s. Raportet që iu referuan refugjatëve dhe shkatërrimit të luftës ishin të përshtatur me ndjeshmëri (empati). Prandaj, rezultati i aplikimit të modelit të ndërveprimit të politikës me mbulimin e shtypit bullgar dhe hartimin e politikave të jashtme sugjeron që mediat e shkruara nuk kanë pasur ndonjë ndikim thelbësor në qëndrimin e qeverisë bullgare për konfliktin e Kosovës gjatë dy periudhave të shqyrtuara. Sidoqoftë, sidomos gjatë periudhës së parë të analizuar, ishte veçanërisht zbulimi i mbulimit të mediave në mënyrë neutrale në një temë me rëndësi të jashtëzakonshme për Bullgarinë – pozicionimi i vendit në konfliktin e Kosovës, në veçanti mbështetja e saj për fushatën ajrore të NATO-s kundër RFJ-së. Ky ishte rasti kur mbulimi i shtypit bullgar ishte përshtatur në mënyrë neutrale ndaj vendimit të NATO-s për të nisur sulme ajrore kundër RFJ-së dhe qëndrimi i qeverisë bullgare për të mbështetur këtë vendim.

Në një studim të bërë nga Aşkın, i cili bën krahasimin ndërmjet mediave perëndimore dhe atyre turke, duke kërkuar gjatë 24 marsit deri më 9 qershor 1999, në arkivat digjitale të gazetës turke Hürriyet me fjalën “NATO” dhe “Kosovë” gjen 442 artikuj, ndërkaq të njëjta fjalë u kërkuan (SHBA, Spanja, Franca, Gjermania) në 6 gazeta perëndimore (Washington Post, The New York Times, Financial Times, El Pais, Die Welt, Le Monde) të shteteve (SHBA, Spanja, Franca, Gjermania) dhe atje ishin identifikuar gjithsej 260 artikuj. Duke marrë parasysh që më shumë artikuj ka të publikuar në një gazetë turke sesa në gjashtë gazeta perëndimore, kjo duhet të konsiderohet si një shenjë e një interesi të madh të fushatës së NATO-s në shtetin e Turqisë (Aşkın, 2014: 126). Sipas një studimi të bërë nga Devrim Deniz Erol rreth luftërave të Jugosllavisë, gazetat turke më së shumti hapësirë mediatike i kushtuan luftës së Kosovës (dhe Bosnjës). Hulumtimet sasiore tregojnë se në një gazetë u botuan shumë fotografi, sidomos fotografi të civilëve, për ta shprehur ndjeshmërinë e luftës. Erol arriti në përfundimin se feja dhe historia e së kaluarës së përbashkët dëshmuan se në gazetat turke lufta në Kosovë (dhe Bosnja) zuri hapësirë dhe vëmendje të madhe. Gjetjet në gazeta tregojnë se, veçanërisht për boshnjakët dhe shqiptarët, lidhjet historike, fetare dhe kulturore, që kanë ekzistuar që nga Perandoria Osmane, kanë ndikuar gjithashtu në politikën e jashtme të Turqisë. Në këtë kontekst, politika e jashtme e Turqisë, veçanërisht në luftimet në Bosnjë dhe Kosovë, është ndikuar edhe nga informacionet dhe lajmet e botuara nëpër gazeta.

Epilog

Mediat e shteteve dominuese të NATO-s nuk e thyen traditën e mbështetjes në mbulimin mediatik të luftës së Kosovës. Vlen të përmendet se në një vend të margjinalizuar të NATO-s si Bullgaria – ku mbulimi i shtypit ishte përshtatur në mënyrë neutrale ndaj vendimit të NATO-s për të nisur sulmet ajrore kundër RFJ-së dhe qëndrimin e qeverisë bullgare për të mbështetur këtë vendim – dhe Greqia, që mbajti një vështrim të pakompromistë kundër luftës, ato “devijuan” nga mbulimi kryesor i mediave që gjendet në shumicën e qartë të NATO-s dhe vendeve të tjera perëndimore. Mediat e fuqive dominuese të NATO-s më shumë se kurrë kanë arritur në të gjithë globin, duke kërkuar të ndikojnë njerëzit dhe qeveritë jashtë kufijve të tyre. Mbulimi i të gjitha mediave të anëtarëve të NATO-s (Gjermani, Britani, Itali, SHBA) tregon se të gjitha luajtën si media partizane dhe luanin rolin e zëdhënësit të NATO-s. Arsyeja e tyre kryesore ishte se kishte dhunë në Kosovë dhe intervenimi ishte i domosdoshëm. NATO donte që mediat të përqendroheshin në mizoritë serbe dhe këtë e bënë në mënyrën e kërkuar. Ndërkohë, derisa gazetat kineze i raportuan sulmet ajrore si një ndërhyrje në sovranitetin territorial të Jugosllavisë, në Rusi ka pasur dy faza kryesore të konfliktit: “pa pjesëmarrjen e Rusisë” – mbulimi mediatik paraqet mosmiratim të mprehtë të “agresionit të NATO-s” dhe mbështetjes për “sovranitetin e Jugosllavisë” dhe “me praninë e Rusisë” – shumica e gazetave miratuan një ton më neutral. Secila prej pjesëve të hulumtimit ka marrë një analizë kritike të medias dhe rolin që kanë luajtur në konfliktin e Kosovës. Po ashtu secila prej tyre nënkupton se rrëfimet mbizotëruese, që kalonin përmes raportimit mediatik të konfliktit, ishin në masë të madhe mbështetëse ndaj linjës zyrtare të NATO-s dhe nuk arritën ta analizojnë në mënyrë domethënëse informacionin që u është dhënë nga “burimet zyrtare”. Në fakt, fuqia e mediave definitivisht ndikoi edhe në konfliktin në Kosovë: në fillimin e tij, gjatë përshkallëzimit të tij dhe rezultatin përfundimtar, kështu që ne mund ta marrim parasysh se fitorja e vërtetë u takon mediave.