` . LSDM: VMRO-DPMNE-ja e shkatërroi ekonominë – TV-SHENJA

LSDM: VMRO-DPMNE-ja e shkatërroi ekonominë

LSDM-ja reagoi në kumtesën e Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së duke thënë se  përmes qeverisjes kriminale dhe rrënuese  11 vite i ka varfëruar qytetarët dhe e shkatërroi ekonominë. E enjtja e përgjakur e 27 prillit e organizuar nga VMRO-DPMNE dhe tërë ambienti i ndarjeve dhe konflikteve krijoi pasiguri dhe solli kolaps ekonomik.

“Me formimin e Qeverisë reformuese të udhëhequr nga LSDM-ja filloi procesi i zbatimit të reformave që e lëvizin ekonominë dhe i sanojnë dëmet nga qeverisja shkatërruese, kriminale dhe anti-shtetërore e VMRO-DPMNE-së”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sipas LSDM-së, konfirmim për rikuperimin e politikave ekonomike të Qeverisë të udhëhequr nga LSDM-ja, është fakti që në vitin 2017 borxhi shtetëror dhe publik shënoi ulje për herë të parë pas vitit 2009, ndërsa agjencia ndërkombëtare e kredisë “Fiç” e përmirësoi kualifikimin kreditor të Maqedonisë prej negativ deri në pozitiv.