` . Liverpool me Salah shumë i fortë për Arsenalin - TV-SHENJA

Liverpool me Salah shumë i fortë për Arsenalin

Liverpooli tregoi gjithë fuqinë e tij përballë Arsenalit në sfidën e vlefshme për javën e tretë të Premier Leagues, ku ia doli të triumfojë me rezultatin 3-1 dhe të shkojë në krye të tabelës me 9 pikë të plota.

Pavarësisht “shkëndijave” të dhëna nga Arsenali gjatë merkatos dhe përgatitjeve verore, Liverpooli ishte sërish shumë i fortë për “Topçinjtë”, që rezistuan vetëm 41 minuta në “Anfield Road”.

Holandezi Wijnaldum ishte ai që zhbllokoi sfidën me një gol të shënuar pas një krosimi në zonë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë skenën e mori ylli egjiptian i “The Reds”, Muhamed Salah.

Ky i fundit dyfishoi shifrat në minutën e 49’, pas ekzekutimit të saktë të një penalltie, ndërsa 10 minuta më vonë shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Liverpoolin, duke vënë në kasafortë fitoren.

Reagimi i Arsenalit ishte i dobët dhe u desh të vinte minuta e 85-të, kur pas një rrëmuje në zonë, mesfushori uruguaian Torreira arriti të gjuajë saktë dhe të dërgojë topin në rrjetën e portës së spanjollit Adrian.

Minutat e mbetura, por edhe ato shtesë nuk sollën asnjë ndryshim, teksa Arsenali pësoi humbjen e parë sezonale, ndërsa Liverpooli konfirmoi se titulli kampion mbetet objektivi primar për këtë sezon.