` . Lirohet Afrim Ukshini (VIDEO) – TV-SHENJA

Lirohet Afrim Ukshini (VIDEO)

Disa orë pas ndalimit të tij nga policia në vendkalimin kufitar “Tabanoc”, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm është liruar Afrim Ukshini, ish i akuzuar në rastin “Sopoti”.

Pasi ishte arrestuar, Ukshini ishte mbajtur në Policinë e Kumanovës deri në orët e vona të mbrëmjes ndërsa më pas ishte sjell në Gjykatën Penale në Shkup.

Bëhet fjalë për njërin nga ish të akuzuarit e rastit “Sopot”, i cili ka qenë i arratisur në Kosovë dhe i njëjti është dënuar në mungesë.

Edhe pse të akuzuarit në rastin “Sopoti” janë liruar tërësisht nga akuzat dhe janë shpallur të pafajshëm, si duket regjistrat e policisë nuk janë të përditësuara kështu që në listën e personave të kërkuar, figurojnë ende njerëz që tashmë janë liruar.

Më 19 mars të 2018-ës, Gjykata Penale e Shkupit i shpalli Sopotasit të pafajshëm për vendosjen e minës. Prokuroria Speciale e cila tashmë e kishte marrë rastin në dorë, e tërhoqi akuzën dhe tha se madje janë në gjurmët e autorëve të vërtetë të ngjarjes. Pas 15 viteve, “Sopotasit” gjetën drejtësinë por si duket jo edhe qetësinë. Sopotasit vazhzdojnë të presin edhe konfirmim nga Ministria e Drejtësisë lidhur me dëmshpërblimin për vitet e kaluara në burg padrejtësisht.

13 banorë të fshatit “Sopot” u akuzuan për vendosjen e një mine në hyrje të fshatit në vitin 2003, ku si pasojë u vranë 2 ushtarë të NATO-s dhe një civil. Ata u dënuan me 156 vjet burg vetëm në bazë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Ramadan Bajrami, i cili më vonë vetë pranoi se ka dëshmuar në atë mënyrë pas keqtrajtimeve policore.

Dënimin e vuajtën pesë banorë: Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani dhe Zenel Klaiqi, ndërsa Samet Limani, ndërroi jetë duke pritur pafajësinë. Rasti i “Sopotit” në opinion njihet si një ndër rastet e dyshuara që janë të montuara e të ndikuara nga politika.

Ajnur Bafqari /SHENJA/