` . Liria e mediave dhe çanësimi juridik i saj - TV-SHENJA

Liria e mediave dhe çanësimi juridik i saj

Për të pasur një pasqyrë mbi kriteret e problematikës së lirisë së mediave, në vijim do të paraqitet një shembull nga praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), e cila ka pasur në fokus publikimin e një audio-incizimi të përgjuar ilegalisht

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

E bazuar dhe e ndërvarur me lirinë e mendimit, në tërësinë e saj, liria e shprehjes ngërthen edhe të drejtën për informim ose lirinë e shtypit (mediave). Për nga tiparet që kanë, liria e mendimit dhe ajo e shprehjes së lirë i takojnë fushës së të drejtave civile dhe politike. Domethënë, kjo mund të konkretizohet si liri për të shprehur pikëpamjen dhe mendimin individual në mënyrë të lirë, e po ashtu si e drejtë për të pranuar informacione. Ushtrimi i këtyre mund të jetë në formë verbale, të shkruar, nëpërmjet artit ose formave teknologjike.

Një variant i paraqitjes së lirisë së shprehjes është ai nëpërmjet mediave. Niveli i lirisë së shtypit njëherësh është tregues i nivelit të demokracisë në një vend. Trysnia ndaj mediave dhe konsolidimi i sistemit demokratik është e pamundur të jenë në përpjesëtim të drejtë. Qytetarët e gëzojnë të drejtën të jenë të informuar mbi jetën publike, paçka se informacionet mund të bëhen shkas për kritikë ndaj qeverisjes. Të kujtojmë vetëm regjimet totalitare komuniste e fashiste, që karakterizuan disa shtete para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. S’do mend se në ato vende përhapja e informacionit ishte e ngulfatur nga filtrat e pushtetit politik dhe kur arrinte tek qytetari, veçse shndërrohej në një trajtë krejtësisht të ndryshme e të devijuar. Në ato shtete censura ishte mjet i rëndomtë i pushtetit. Një gjë e tillë mbase është e vetëkuptueshme për regjime të tilla: ndalimi i shprehjes së lirë ose kufizimi i saj është ndër hapat fillestarë që hedh një pushtet, i cili mëton kontrollimin e rreptë të jetës publike, aq më shumë duke u përzier edhe në jetën private të qytetarëve.

Procesi i globalizimit ka sjellë edhe rritjen e dukshme të rolit të mediave. Sot mediat janë shndërruar në autoritet që krijon perceptime të llojllojshme tek njerëzit: ato orientojnë shoqëritë në kahe të ndryshme dhe arrijnë të bëhen faktor themelorë në situata të ndjeshme të karakterit politik e social. Ndikimi i tyre sot është aq i madh, saqë janë cilësuar si “pushteti i katërt”, krahas tri pushteteve klasike, të pranuara botërisht: legjislativi, ekzekutivi e gjyqësori.

Marrja e informatave dhe shpalosja e tyre në opinionin kolektiv është detyrë e mediave. Por, ndodh që gazetaria e zbatuar të jetë në shërbim të së mirës së përgjithshme, ashtu edhe siç mund t’u shërbejë objektivave të grupeve të ngushta të interesit për dizajnimin e strukturës të skenës politike. Kjo mund të mos jetë e thjeshtë për t’u përcaktuar dhe në rast të shfaqjes së ndonjë kontesti, detyra e gjykatave në këtë drejtim është mjaft e ndjeshme.

Disa burime juridike

Liria e shprehjes si kategori juridike e gjerë rregullohet me akte të shumta ndërkombëtare e vendore. Këtu do të përmenden disa nga më baziket.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e (1948) ka përcaktuar shprehimisht se “Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informacionit dhe ideve me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë” (neni 19).

Në rrafshin evropian, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka paraparë se “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audio-viziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me licencë” (neni 10/1).

Kushtetuta e Kosovës i ka adoptuar standardet bashkëkohore të garantimit të lirisë së shprehjes dhe asaj të mediave. Neni 40 garanton lirinë e shprehjes, të cilën e definon si “të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”.

Së këndejmi, Kushtetuta e Kosovës proklamon lirinë dhe pluralizmin e mediave dhe ndalon censurën. Sipas nenit 42, “Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet mediave, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare. Çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin”.

Kufizimi i lirisë së shprehjes

Në teorinë e së drejtës dhe në jurisprudencën moderne mbizotëron opinioni se kufizimi i të drejtave të njeriut duhet bërë në mënyrë restriktive. Kufizimi duhet të bazohet mbi dy parakushte fondamentale: së pari, të jetë i përcaktuar me ligj dhe, së dyti, të jetë i domosdoshëm në një shoqëri demokratike.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut i ka ndërtuar disa standarde, të cilat mund ta arsyetojnë kufizimin e lirisë së shprehjes. Neni 10/2 i Konventës thotë: “Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare (neni 40/2).

Përmbledhtazi, shkaqet e kufizimeve mund të jenë të ndryshme, si: siguria kombëtare e publike, integriteti territorial, parandalimi i kriminalitetit, ruajtja e shëndetit ose moralit, mbrojtja e reputacionit ose e të drejtave të të tjerëve, pengimi i zbulimit të informatave të marra në besim, paanësia e gjyqësorit etj.

Për të pasur një pasqyrë mbi kriteret e problematikës së lirisë së mediave, në vijim do të paraqitet një shembull nga praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), e cila ka pasur në fokus publikimin e një audio-incizimi të përgjuar ilegalisht.

Rasti “Radio Twist kundër Sllovakisë”

Ky rast i ngritur para GJEDNJ-së (Nr. 62202/00) ka ndodhur si rezultat i shterjes së mjeteve juridike në të drejtën e brendshme të shtetit sllovak nga ana e referuesit “Radio Twist” kundër Republikës së Sllovakisë. Ky radiostacion, i themeluar në vitin 1991, ka qenë mjaft i popullarizuar në Sllovaki.

Në vitin 1994, në Sllovaki krijohet një koalicion qeveritar me partitë HZDS (Hnutie za demokratické Slovensko) dhe SNS (Slovenská národná strana). Ngjarja zë fill kur anëtarët e koalicionit ishin pajtuar t’i ndanin pozitat në njërën ndër ndërmarrjet e mëdha të vendit. Fjala është për “SP” (Slovenská poisťovňa A.Ş.), e cila ka qenë një kompani e madhe sigurimesh dhe atëbotë menaxhohej nga Agjencia Sllovake e Privatizimit (Fond národnéhomajetku). Në Bordin Drejtues të kompanisë në fjalë janë emëruar përfaqësues nga partitë e koalicionit, proporcionalisht me fuqinë e tyre. Dy vite më pas kishte plasur sherri në këtë kompani. Partitë donin të kishin kontroll të plotë në procesin e privatizimit të kësaj kompanie fitimprurëse dhe e shihnin njëra-tjetrën si pengesë. Kishte pasur përpjekje për shkarkimin e përfaqësuesve të partisë tjetër dhe kishte ndodhur një operacion policor i ndikuar politikisht për marrjen forcërisht të godinës së kompanisë.

Përkitazi me këto zhvillime, në vitin 1996, Radio “Twist” ka publikuar një përgjim të një bisede telefonike të zhvilluar midis Zëvendëskryeministrit të atëhershëm dhe Sekretarit të Ministrisë së Drejtësisë. Ajo bisedë ishte incizuar në mënyrë të kundërligjshme dhe radioja ishte e vetëdijshme për këtë. Madje, vetë gazetari moderator i programit kishte theksuar se ka njohuri mbi kundërligjshmërinë e incizimit dhe se parimisht kjo do të duhej të bëhej vetëm pas një vendimi gjyqësor, por megjithëkëtë kishte bindjen se publiku i gjerë do të duhej të ishte në dijeni për rastin dhe se kjo bënte pjesë në kuadër të së drejtës për informim të qytetarëve. Për rrjedhojë, Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë kishte ngritur një padi civile në dobi pasurore kundër radios dhe kishte kërkuar që radioja të shprehte kërkim falje publike. Më 1999, gjykata kompetente vendore kishte vendosur në favor të paditësit, duke e detyruar radion të kërkonte falje dhe ta paguante dëmin jomaterial prej 100.000 krunash sllovake (rreth 2.600 euro).

Me gjithë kërkimfaljen e bërë, Radio “Twist” e kishte apeluar vendimin gjyqësor. Ajo kishte potencuar faktin se paditësi kishte qenë zyrtar publik, se audio-incizimi ka qenë i natyrës së funksionit publik dhe se ekzistimi i tij është përfolur qysh para se t’i dërgohej radios përmes postës elektronike nga dërgues të panjohur. Krahas kësaj – pohonte radioja – me këtë veprim është informuar publiku për ngjarjet që janë në interes të tij. Po ashtu, pas publikimit të këtij audio-incizimi, paditësi është bërë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, që domethënë se ky përgjim nuk i kishte shkaktuar kurrfarë dëmi konkret atij.

Këto argumentime nuk e kanë bindur Gjykatën e Qarkut Zilinia, e cila, megjithëse kishte nënvizuar nevojën e kontrollimit të politikanëve nga ana e medias në një shoqëri demokratike, ka vendosur se një bisedë telefonike e publikuar në këtë mënyrë përbën shkelje të privatësisë së personit.

Duke humbur betejën juridike në rrafshin kombëtar, Radio “Twist” i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ). Sikurse referuesi i çështjes, Radio “Twist”, ashtu edhe pala tjetër, Qeveria e Sllovakisë, kishin shtruar argumentimet e tyre.

Sipas qeverisë, kufijtë e gjerë të kritikës, që mund t’u bëhen politikanëve nuk mund të vlejnë edhe për jetën e tyre private. Audio-incizimi është siguruar në mënyrë të jashtëligjshme dhe e ka shkelur garancinë kushtetuese të konfidencialitetit në informim dhe komunikim. Duke pasur parasysh këtë, radioja ka ndërmarrë publikimin e saj. Përpos kësaj, cilësia e ulët e incizimit lë vend për dyshim nëse zëri i ka takuar me të vërtetë personave të apostrofuar. Kështu, qeveria ka pretenduar se radioja i ka tejkaluar parimet e etikës së gazetarisë, duke krijuar një përshtypje të pavërtetë për këta individë. Pretendimi tjetër i qeverisë ishte se vendimi i gjykatave vendore ka vërtetuar nevojën e ndërhyrjes për një shoqëri demokratike, duke respektuar proporcionalitetin me qëllimin e ligjshëm.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e radios pohonin se ndërhyrja kundër tyre nuk mund të arsyetohet dhe as të peshojë më tepër se nevoja shoqërore për garantimin e lirisë së mediave dhe informimin e opinionit publik për çështje që janë në dobi dhe interes të përgjithshëm.

GJEDNJ-ja ka përfaqur pikëpamje të kundërt me gjykatat sllovake. Sipas GJEDNJ-së, para së gjithash, liria e shprehjes është ndër themelet e një shoqërie demokratike dhe përbën kusht për avancimin e shoqërisë së tillë dhe zhvillimit individual. Edhe mendimet kritikuese duhet të kenë hapësirë si nevojë e pluralizmit dhe tolerancës. Kjo gjykatë ka vlerësuar se nuk mund të konsiderohet sferë e privatësisë një bisedë mes dy zyrtarëve të lartë publikë lidhur me privatizimin e një kompanie të madhe sigurimesh. Biseduesit bartnin identitet politik dhe përmbajtja e bisedës ishte haptazi e karakterit politik. Për këtë arsye, GJEDNJ-ja nuk ka hasur në diçka që do të bënte pjesë në jetën private. Nuk kishte prova se moderatori i programit ishte i përfshirë në incizimin e kësaj bisede, bile ndaj tij nuk qe hapur ndonjë procedurë penale as nga gjykatat vendore, të cilat gjithashtu nuk kishin konkluduar askund se audio-incizimet nuk janë origjinale. Sipas GJEDNJ, arsyeja bazë e vendimeve të gjykatave sllovake kundër Radio “Twist”-it kishte qenë fakti i publikimit të audio-incizimit të tjetërkujt në mënyrë të kundërligjshme. Veç kësaj, GJEDNJ-ja ka theksuar se nuk kanë hasur në prova se radioja ose gazetarët kanë vepruar me qëllim të keq ose për ndonjë përfitim, përpos që kanë dashur ta informojnë opinionin e gjerë.

Kështu, në vitin 2007, në çështjen “Radio Twist v Slovakia”, GJEDNJ-ja ka gjetur se me vendimet e gjykatave sllovake është cenuar e drejta në informim dhe – rrjedhimisht – liria e shprehjes, prandaj ka gjykuar se është shkelur neni 10 i Konventës. Ndërkaq, meqë referuesi nuk ka kërkuar kompensim material, Gjykata nuk ka gjykuar për këtë.

Në vend të përfundimit

Korniza juridike që e rregullon fushën e gjerë të lirisë së shprehjes duhet të ndërtohet me mekanizma efektivë, në mënyrë që të arrihet baraspesha e kërkuar midis lirisë së mediave, që ngërthen të drejtën për informim dhe sigurisë publike bashkë me respektimin e privatësisë së personave.

Fuqizimi i lirive dhe të drejtave të njeriut nuk mund të imagjinohet pa parimet e shtetit të së drejtës. Mbrojtja nga arbitrariteti i pushtetit shtetëror dhe njëkohësisht nevoja për autoritetin shtetëror si garantues i mbarëvajtjes në jetën publike janë të domosdoshme. Në këtë segment shfaqet roli i gjyqësorit, i cili ka obligim exofficio ta ruajë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe ta bëjë ndarjen e drejtësisë.