` . Lindja e një artisti - TV-SHENJA

Lindja e një artisti

Artistit në fjalë nuk iu desh shumë kohë që zëri i tij i rrallë t’i pushtojë skenat më të mëdha botërore. Rruga e suksesit të tij ndërkombëtar fillon nga Gjermania, ku ai debuton me sukses me rolin Alfredo Germontit në operën “La Traviata” të Verdit, në shënimin e 50-vjetorit të festivalin “Eutin” dhe, më pas, me të njëjtin rol paraqitet edhe në Lybeck të Gjermanisë

Shkruan: Teuta BUÇI, Shkup

I cilësuar si një ndër zërat më spikatur të gjeneratës së tij, Ramë Lahaj është tenori kosovar që viteve të fundit po përfaqëson shqiptarët në skenat më prestigjioze në botë të muzikës klasike. Ndryshe nga shumica e artistëve të mëdhenj, biografitë e të cilëve flasin se ata kryesisht janë zhvilluar që në fëmijëri të hershme dhe të cilët kanë lidhje të veçantë me artin që në kontaktin e tyre të parë me botën, me artistin në fjalë ndodh krejt e kundërta. Në qytetin e tij të lindjes, Istogu, ku e përfundoi shkollën fillore dhe të mesme, ai nuk gjeti kushte dinjitoze, të cilat do t’ia mundësonin atij njohjen me talentin e tij. Madje, atje nuk kishte as shkollë të muzikës. Po ashtu, familja e tij nuk shquhej për ndonjë lidhje të veçantë me artin e muzikës. Megjithatë, kjo nuk e pengoi aspak zërin e rrallë kosovar që ta ndjekë ëndrrën e tij. Pasionin për muzikën Lahaj fillon ta shfaqë në moshën 21-vjeçare. Edhe pse fillimet e tij nuk ishin të lehta dhe talenti i tij nuk u njoh fillimisht, puna e tij dhe përkushtimi i palodhshëm në realizimin e ëndrrës së tij, i mundësuan që të regjistrohet në Akademinë e Arteve në Tiranë, në klasën e profesorit e baritonit shqiptar, Burhan Spahiu. Zëri i tij gjatë studimeve u trajtua si tenor dramatik, por gjatë bashkëpunimit me muzicientë botëror, ata e kanë gjetur natyrën e zërit të tij, që është tipik lirik. Ai u diplomua si student nderi në vitin 2008.

Suksesi i tij në skenën botërore të muzikës klasike

Artistit në fjalë nuk iu desh shumë kohë që zëri i tij i rrallë t’i pushtojë skenat më të mëdha botërore. Rruga e suksesit të tij ndërkombëtar fillon nga Gjermania, ku ai debuton me sukses me rolin Alfredo Germontit në operën “La Traviata” të Verdit, në shënimin e 50-vjetorit të festivalin “Eutin” dhe, më pas, me të njëjtin rol paraqitet edhe në Lybeck të Gjermanisë. Lahaj mori kritika pozitive nga shtypi gjerman, të cilët e cilësuan si “zbulimi më i mirë i skenës operistike gjermane”. Skena gjermane do t’i mundësojë atij që të bëjë disa paraqitje në rolet e tij debutuese. Me po të njëjtin sukses ai do ta realizojë rolin e Rodolfit në operën “La Boheme” në Dortmund. Suksesi dhe përcaktimi në punën e tij do ta çojnë atë në vitin 2011 në Operën Shtetërore të Hungarisë, me rolin e Macduff nga opera “Macbeth”. Gjatë vitit 2012 ai mori ftesë për të performuar në Operën e Lionit në Francë, ku debuton me rolin e Rodolfos nga opera “La Boheme” në Operën Nacionale të Montpellier. Kulmin e suksesit të tij do ta arrijë me performimet e tij në Itali me rolin Duca di Mantova/Rigoletto në Teatro Massimo të Palermos, Alfredo/La Traviatta dhe Rodolfo/La Boheme, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai performoi në skenën më të spikatur, The Royal Albert Hall, me rolin Rodolfo/La Boheme. Ky performim u cilësua si sukses absolut.

Ramë Lahaj në Shkup

Megjithatë, tenori, i cili tanimë bën pjesë në listën e artistëve më të mëdhenj botëror, nuk do ta ketë një përvojë të tillë dinjitoze edhe në Operën dhe Baletin e Maqedonisë së Veriut. Koncerti i paralajmëruar për më 4 prill, në kuadër të festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare”, ku ishte paralajmëruar performimi i tenorit, i shoqëruar nga shumë instrumentistë, rezultoi me anulimin e pjesëmarrjes së orkestrës së operës vetëm katër orë para koncertit dhe u vendos që koncerti të shkojë me mbështetje instrumentale nga artisti Genc Tukiçi. Në opinion kjo u perceptua si sabotim nga ana e orkestrës, për shkak të përkatësisë etnike të tenorit, por Opera dhe Baleti i Maqedonisë së Veriut i përgënjeshtroi zërat e tilla dhe sqaroi se anulimi ishte rezultat i pamundësisë së përshtatjes në aspekt muzikor dhe teknik të orkestrës dhe repertorit të koncertit. Ndërkaq nga festivali “Skena e muzikës serioze shqiptare” komentuan se orkestra e OBM-së nuk ka pasur kapacitet që ta plotësojë nevojën artistike të koncertit të Ramë Lahaj & Friends.

Gjithsesi, edhe kjo situatë e pakëndshme nuk arriti t’i vë në dyshim aftësitë mahnitëse të artistit, pra edhe në rastin kur ai përcillet vetëm me piano.