` . Ligji i regjistrimit të popullsisë në seancë plenare pas pushimit të deputetëve - TV-SHENJA

Ligji i regjistrimit të popullsisë në seancë plenare pas pushimit të deputetëve

Propozim ligji për regjistrimin e popullsisë aktualisht ndodhet në duart e deputetëve të cilët po e shqyrtojnë, ndërkaq siç njoftojnë jozyrtarisht burimet brenda Kuvendit, i njejti do të vendoset në rend dite pas përfundimit të pushimeve.  Të njejtat burime sqarojnë se kryeparlamentari Talat Xhaferi ka dhënë hapësirë që deputetët të kenë mundësi ta analizojnë këtë propozim ligj dhe meqë ligji është shumë i rëndësishëm, i njejti nuk ka mundësi që të vendoset në rend dite gjatë këtij muaji.  Pasiqë në muajin gusht vijojnë pushimet, diskutimet për propozim ligjin për regjistrimin e popullsisë me gjasë do të gjenden në Kuvend në vjeshtë. Propozim ligji do të duhet të diskutohet edhe nëpër komisionet amë, ndërsa për shkak të reagimeve të deritanishme të partisë më të madhe opozitare, pritet që VMRO-DPMNE të parashtrojë shumë amendamente lidhur me këtë propozim ligj.

Në fund të muajit maj, Qeveria e miratoi këtë propozim Ligj, me çka pritet që regjistrimi i ardhshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut  të realizohet nga 1 deri më 21 prill të vitit 2020. Sipas  propozim ligjit regjistrimi do të zbatohet me metodë të kombinuar, respektivisht  me përdorimin e të dhënave nga  baza para-regjistruese dhe grumbullimin e të dhënave në terren, respektivisht  regjistrimi personal i të gjitha njësive në Regjistrim. Nga Qeveria i kanë propozuar Kuvendit që teksti i Propozim – ligjit  për Regjistrimin e popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2020 të miratohet, në mënyrë që, të krijohen kushte për përgatitje të përshpejtuara të këtij  Regjistrimi të shumëpritur. Në propozim tekstin e Ligjit janë konfirmuar  kriteret metodologjike të Regjistrimit të ardhshëm, si dhe specifikat organizative-teknike të operacionit më të madh statistikor. Risi për këtë Regjistrim është përdorimi i laptopëve në vend të formularëve të letrës që në masë të madhe e përshpejtojnë procesin e përpunimit dhe publikimit të të dhënave të grumbulluara.

Në bazë të këtij propozim ligji në formularin për regjistrimin e popullsisë, do të mbetet edhe grafa e përkatësisë etnike. Vitin e kaluar Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski pati deklaruar se në bazë të propozim-ligjit për regjistrimin e popullsisë, nuk parashihet paragrafi mbi përkatësinë etnike dhe religjionin. Simovski, pati theksuar se gjatë regjistrimit të popullësisë, për të kuptuar se cilës bashkësi etnike i takon çdo qytetar i Maqedonisë, duhet të përgjigjet në pyetjen “cila është gjuha amë e tij, dhe cilën gjuhë flet në komunikim“. Pas një deklarate të tillë, të gjitha partitë politike shqiptare reaguan, duke  kundërshtuar këtë propozim. Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, që u shoqërua me debate të shumta lidhur me përqindjen e popullatës shqiptare, e cila rezultoi të jetë 25.17 për qind. Ndërsa regjistrimi I vitit 2011 dështoi.

Ajnur Bafqari /SHENJA/