` . Ligji për Gjuhët nuk është përfundimtar (Video) – TV-SHENJA

Ligji për Gjuhët nuk është përfundimtar (Video)

Çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe ende nuk është përmbyllur. Madje edhe vetë ligji i miratuar dje në Kuvend është i pasigurt dhe i njëjti mund të pësojë ndryshime. Problemet e para të cilat kanë të bëjnë vetëm me zvarritjen e zyrtarizimit të ligjit aktual burojnë nga villa presidenciale.

Presidenti Gjorgji Ivanov ka të drejtë që të mos e nënshkruajë të njëjtin dhe ta ktheje për rishikim në Kuvend. Por, kjo situatë mund të tejkalohet pas afatit shtatëditor që ka presidenti, duke hyrë në lexim të tretë.

Por, nëse edhe kësaj radhe ligji para votohet atëherë i njëjti nuk do të ketë më nevojë për nënshkrimin e presidentit Ivanov. Por edhe nëse kalojnë të gjitha këto faza dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve hyn në fuqi, përsëri ka paralajmërime zyrtare se i njëjti mund të pësojë ndryshime dhe disa nga dispozitat mund të shfuqizohen. Konkretisht nga ligji aktual mund të hiqet përdorimi i gjuhës shqipe në uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe kartmonedhave. Kjo mund të ndodh në rast se Komisioni i Venedikut jep mendim negativ për dispozitat në fjalë.

Në një brifing me gazetarë, deputeti i LSDM-së Tomisllav Tuntev ka thënë se amendamentet e paralajmëruara nga LSDM gjatë shqyrtimit të ligjit, kanë të bëjnë pikërisht me këto sfera. Të njëjtat ka thënë ai mund të futen në procedurë parlamentare nëse Komisioni i Venedikut jep mendim negativ për përdorimin e gjuhës shqipe në uniforma të policisë, zjarrfikësve dhe në monedha. Tuntev në sqarimin e tij paralajmëroi se LSDM do të propozojë ndryshime në Ligjin për Gjuhët për të gjitha pikat të cilat do të kontestohen nga komisioni i Venedikut. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e cila bojkotoi seancën e djeshme ka dalë me një konferencë për shtyp në të cilën Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve e ka quajtur antikushtetues dhe diskriminues për komunitetet e tjera. Sipas kësaj partie, ligji favorizon vetëm shqiptarët, si dhe devalvon etnitetet e tjera dhe vetë gjuhën maqedonase.

Darko Kostovski, VMRO-DPMNE

“Ky ligj është në kundërshtim me amendamentin 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Me këtë ligj bëhet favorizimi i vetëm një bashkësie etnike-shqiptarëve, ndërsa nga ana tjetër të gjitha të tjerat margjinalizohen. Mundësia që procedurat gjyqsore, administrative, ekzekutive, parahetimore, hetimore, penale, kundërvajtëse, materiale, jomateriale, për kryerjen e sanksioneve dhe procedurave të tjera të udhëhiqen në njërën nga dy gjohët e relativizon oficialitetin e gjuhës maqedonase”

Nga VMRO-DPMNE i kanë bërë thirje edhe presidentit Gjorgji Ivanov që të mos nënshkruajë ligjin për përdorimin e gjuhëve.Nga kabineti i këtij të fundit nuk ka ende asnjë përgjigje se si presidenti do të veproj rreth këtij ligji. Por, në disa paraqitje të mëparshme, Ivanov ka pasur qëndrim kundër propozim-Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Arben Zeqiri /SHENJA/