` . Ligji për cilësinë e ajrit i obligon Ministrin dhe Kryetarin e Komunës | TV SHENJA
jugohrom

Ligji për cilësinë e ajrit i obligon Ministrin dhe Kryetarin e Komunës

Dilemat e shumta që u ngritën në opinion nëse Komuna e Tetovës dhe kryetarja e saj, Teuta Arifi, ka ose jo kompetenca për të penguar ndotjen e ajrit në Tetovë, si dhe për të luftuar ndotësit më të mëdhenj, i zgjidh ligji për cilësinë e ajrit.

Ligji saktëson edhe obligimet dhe të drejtat që ka edhe ministri i mjedisit. Ligji i jep fund edhe arsyetimit se ndotësi më i madh, fabrika e Jugohromit, është në komunë tjetër dhe se Tetova nuk mund të ndikohet.

Ndaj inspektorëve komunal që nuk kryejnë punën e tyre, qofshin edhe ato të Komunës së Jegunovcës, ligji parasheh edhe padi penale për të njëjtit. Ligji për cilësinë e ambientit i jep të drejta të këtilla ndëshkimi kreut të dikasterit, Nurhan Izairi. Ky ligj numëron një sërë kompetencash për kreun e Komunës, si nga ndjekja e cilësisë së ajrit, përpilimin e strategjive dhe një sërë kompetencash të tjera. Në Nenin 70 thuhet:
“Inspektori i ambientit jetësor dhe inspektori i autorizuar i ambientit jetësor të komunës dhe Qytetit të Shkupit është i obliguar të ngrisë padi penale dhe padi kundërvajtje deri te organet kompetente për kryerje të veprës penale gjegjësisht kundërvajtjeje, nëse gjatë kryerjes së mbikëqyrjes konstaton bazë për të njëjtat”.
Në paragrafin e dytë të këtij neni, precizohen sanksionet që parashihen për inspektorin komunal në rast se nuk vepron në bazë të ligjit.
“Nëse inspektori i ambientit jetësor dhe inspektori i autorizuar i ambientit jetësor i Komunës dhe i Qytetit të Shkupit nuk ndërmerr aktivitetet e nenit paragrafit 1 të këtij neni, do të vlerësohet se kanë kryer shkelje të rënda në vendin e punës”.
Neni 71 ndërkaq parasheh që për vendimet e inspektorëve komunal, palët mund të ankohen tek Ministri i Ambientit Jetësor.

Arben Zeqiri /SHENJA/

Postime të Ngjajshme