` . Lidhja shqiptare e Prizrenit në vargje – TV-SHENJA

Lidhja shqiptare e Prizrenit në vargje

Lidhja e Prizrenit do të bëhet temë e preferuar e poetëve tanë, sidomos në 100-vjetorin e saj të shënuar me aktivitete shkencore dhe, përgjithësisht, shoqërore të kohës. Klima e tillë e solemnitetit të përvjetorit jubilar do të fitojë edhe më shumë peshë nga konteksti disi më i favorshëm shoqëror që rezultoi me disa avancime të shqiptarëve nën ish-Jugosllavinë federative.

Shkruan: Hysen Matoshi, Prishtinë

Në jetën e shqiptarëve Lidhja e Prizrenit shënon përpjekjen e parë për ta unifikuar potencialin mbarëkombëtar drejt bërjes së Shqipërisë më vete. Prizreni edhe sot mbetet reminishenca më e denjë e ngulmimit mbarëshqiptar për të frymuar natyrshëm si komb në një strukturë organizative shtetëror, që do të shtrihej në kufijtë etnikë. Prandaj, është e kuptueshme pse në veprimtarinë tonë politike, shoqërore, kulturore e të tërësore kjo ngjarje ka peshë të veçantë, jo vetëm si histori, jo vetëm si aktualitet, por edhe si formulë magjike, si një mantër identifikuese e synimeve shqiptare që pandërprerë përsëritej sa herë që ndodheshim në rrugën e lirisë dhe sa herë që gjendeshim vetëm një hap larg humnerës.

Poetët shqiptarë, në mënyrë të veçantë, do t’ia kushtojnë krijimet e tyre letrare këtij qyteti të lashtë, ruajtës besnik i shtresave interesante kulturore. Përtej rëndësisë kulturore, vlerave të padiskutueshme përfaqësuese të kohëve dhe përkatësive të ndryshme, Prizreni në poezinë moderne shqipe do të kthehet në një metaforë, kuptimi bartës i së cilës do të jetë bashkimi kombëtar.

Lidhja e Prizrenit do të bëhet temë e preferuar e poetëve tanë, sidomos në 100-vjetorin e saj të shënuar me aktivitete shkencore dhe përgjithësisht shoqërore të kohës. Klima e tillë e solemnitetit të përvjetorit jubilar do të fitojë edhe më shumë peshë nga konteksti disi më i favorshëm shoqëror që rezultoi me disa avancime të shqiptarëve nën ish-Jugosllavinë federative. Ndryshimet në statusin e Kosovës kishin krijuar shpresën se procesi i filluar do të konvergjente në mjaft pika me programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në perceptimin poetik aktualizimi i kërkesave të programit të Lidhjes Shqiptare dhe konteksti i kohës e ushqenin simbiozën emocionale e racionale, për dhënien fund të robërisë shekullore. Kështu, në krijime të kohës shpaloset krenaria për të kaluarën – për aktin historik të Lidhjes, por edhe shpresa se programi i lirisë së atdheut në përmasat e tij etnike do të bëhej realitet. Shtëpia e Lidhjes, simboli i krenarisë kombëtare, do të trajtohet në mënyrë të veçantë. Përmasat e saj në perceptimin poetik janë interesante: Përmasa e saj lëndore nuk korrespondon me përmasën që ka ajo në kujtesën e kombit, përkatësisht në historinë e tij, sikundër e gjejmë në njërën ndër poezitë me këtë temë. Fjala është për krijimin “Shtëpia e Lidhjes” të autorit Agim Vinca, të shkruar në 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje madhështore. Kështu, sipas poetit Shtëpia e Lidhjes është
“E vogël në hapësirën e gjerë të qytetit
Por e madhe në zemrën e kombit”.

Përmasa ideore e emocionale e Shtëpisë së Lidhjes, përveçse është e madhe kundruall qytetit të Prizrenit, shfaqet e tillë krahasuar edhe me Atdheun:
“E vogël në hapësirën e paskaj të atdheut
Por e madhe në zemrën e kombit”.

Poeti e cilëson shtëpinë e Lidhjes edhe me shprehje të zgjedhura: ajo është për të një nënë e mirë, madje edhe një loke.

Si shtëpi të kujtesës, përkatësisht të historisë, do ta çmojë edhe poeti tjetër i njohur shqiptar, Xhevahir Spahiu, në krijimin poetik “Në Prizren”:
“I pyeta rrugët e Prizrenit
– Ku po më çoni ju?
Ato ma morën zemrën për dore
Dhe më thanë:
– Këtu.

Tek kjo shtëpi e historisë.

E pyeta majin:
– Ku je ti,
Ti ku je maj i blertë?
– Ja, rreth e qark kësaj shtëpie,
derdhur i gjithi tek ky plep…

Tek ky plep, tek kjo shtëpi,
ku dhe bilbili këndon shqip.

Streha e moçme njëqindvjeçe
në prehër mbante një fëmijë.

Unë iu afrova dhe e pyeta:
– Pa thuaj xhaxhit, ç’emër ke?
I vogli tha:
– Atdhe.”

Teknika e dialogimit të poetit me rrugët e Prizrenit, me majin dhe me një fëmijë, e shoqëruar edhe me përshkrime domethënëse të shtëpisë historike, e cila këtu paraqitet si strehë qindvjeçare, e bëjnë këtë poezi një krijim të veçantë – një lirikë të rrëfyer, brenda së cilës nuk është vetëm përjetimi i subjektit, por është edhe e ndodhura, epizmi i saj.

Pa dyshim, shprehja “ma morën zemrën për dore” është përgjithësisht ndër vargjet më të bukura e më inventive të Xhevahir Spahiut.
“Qyteti i kremtes së madhe”, që lidh skajet e dy shekujve, në vizionin poetik të Muhamed Kërveshit, është shpresa për rrugëtim në një histori të re. Poezia e tij “Lidhja e Prizrenit” nuk është karakteristike vetëm për kthesën e paralajmëruar që do ta shënojë 100-vjetori i kësaj ngjarjeje madhore, por të tillë e bëjnë edhe mjetet shprehëse tejet origjinale, pastaj ligjërimi alegorik dhe sidomos përshkrimet e përjetimeve që zgjon prania e saj në jetën tonë:

“Prej vatrës në vatër
Dhurata e ngrohtësisë së pritjes
Ndalet shpesh pranë nesh
– qëndron gatitu pranë portreteve të Lidhjes
Në shkallët e gjata të pritjes
Emri ynë roje
Kaloi edhe nëpër tunelin e Procesit
Pranë dashurive shndërrohet në urë
Zemra e florës e ushqen
dielli prore ia tregon rrugën
edhe dashuria jonë po feston
Sot fjala jonë – qytet i kremtes së madhe
ecën dhe hyn në histori të re.”

Përkushtimi për të krijuar vepra të arrira artistike për Lidhjen e Prizrenit nuk i ka munguar pjesës më të madhe të autorëve tanë. Madje, ka pasur të tillë që e kanë sprovuar fuqinë e tyre imagjinative në format më kërkuese standarde të poezisë. Duke e pajtuar lirinë poetike me një formë të kodifikuar të shprehjes, dy gjëra këto vështirë të pajtueshme, poeti Enver Gjerqeku, nëpërmjet kurorës sonetike “Rrënjë lashtësie”, me nëntitullin Lidhjes së Prizrenit, na ka ofruar një krijim me vlera antologjike në poezinë tonë. Mjeshtri i sonetit gdhend me durim vargun, qëmton fjalët bartëse të idesë dhe njëkohshëm u përgjigjet kërkesave rigoroze të rimës e të metrit; krijon sonetin, por edhe ciklin e soneteve, kurorën e soneteve me magjistralin, a sonetin mjeshtëror të kurorës. Bukuria plastike e formës do të ishte krejtësisht e pakuptimtë në rast se kjo kurorë sonetike nuk do të kishte vargje të këtilla mjeshtërore:

“Ti o Lidhja jonë – më e shtrenjta besë
Vatra jonë e ndezur për mik dhe njeri
Dita jonë e madhe sa një histori
Ag i lindur n’parzma mbushur plot me shpresë”

Gjithsesi njëra ndër poezitë më interesante me këtë temë është edhe “Lidhja e Prizrenit” e Milaim Berishës, po ashtu e datuar në njëqindvjetorin e kësaj ngjarjeje madhore në historinë tonë. Në këtë krijim natyrshëm ndërthuren legjenda dhe historia, guri i legjendave dhe muri i historisë, por, gjithashtu, është i pranishëm edhe çasti i evokimit që lidhet me kohën e lindjes së poezisë. Pa dyshim njëra ndër gjetjet më interesante, e gjithsesi origjinale, poetike sa i përket perceptimit të Lidhjes së Prizrenit është e këtij autori. Fjala është për shprehjen antitetike dhe mjaft domethënëse “Lashtësi e re”. Ky riciklim i lashtësisë dhe i historisë së Kuvendit të madh shqiptar shfaqet në përvjetorin jubilar si shpresë për një zgjim e për një rilindje të vërtetë:

“Imazh Hyjnor. Tokë e lashtë. Lashtësi e re. Bukuri
o jetë –
Ti më je: Lumë që s’ndalesh Shqipja ime dhe Zgjimi
ynë i vërtetë!”

Gjatë punës për këtë shkrim u binda se, përveç autorëve që u zunë ngoje, ka edhe shumë të tjerë të cilët Lidhjen e Prizrenit e kanë pasur burim frymëzimi dhe objekt të përsiatjes poetike. Pa u ndalur në përgjithësime të tjera, dua të theksoj se një antologji e poezisë shqipe me këtë temë, përveçse identifikim i vlerave ndër me të arrirat poetike, do të ishte përjetësimi më i mirë poetik e artistik i ngjarjes më madhore në jetën e përbashkët të kombit tonë, i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

*Për shkak të natyrës së revistës janë hequr të gjitha fusnotat.