` . Lidhja shqiptare e Prizrenit ndërmjet realitetit dhe simbolikës – TV-SHENJA

Lidhja shqiptare e Prizrenit ndërmjet realitetit dhe simbolikës

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e mbajtur tash e 140 vjet më parë nga paria dhe intelektualët shqiptarë në Vilajetin e Kosovës, identifikon tërë situatën komplekse në të cilën u gjendën shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Lidhja dhe fryma e saj është modeli praktik dhe identitar i realizimit politik të shqiptarëve që ruan aktualitetin edhe sot e kësaj dite.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Ani pse gjeografikisht ishin brenda kufijve të Perandorisë Osmane dhe të integruar në hierarkinë perandorake, shqiptarët qysh para Krizës Lindore filluan ta ndjejnë rrezikun që u kanosej dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj ndryshimeve në Perandori.

Tanzimati dhe Kriza Lindore si shkas reaksioni

Përgjatë shekullit XIX, përveç kryengritjeve sporadike dhe lokale me motive sociale, politike, konservatore ose ekonomike, që shfaqeshin në territoret e banuara me shqiptarë, ishin dy pikënisje që më vonë do të shërbenin si themel i solidaritetit brendashqiptar dhe i shqiptarizmit në planin politik, kulturor e identitar. E para është reagimi ndaj reformave të Tanzimatit. Risitë që solli Tanzimati e preknin në radhë të parë shtresën konservatore myslimane dhe nxitën reagime e pakënaqësi jo vetëm tek shqiptarët, por anekënd gjeografisë osmane. Ky reagim kolektiv i periferisë ndaj reformave centralizuese të Portës së Lartë përbën bërthamën e parë të një solidariteti ose unifikimi ndërmjet shtresave për të kundërshtuar politikat që vinin nga qendra osmane. E dyta ishte çështja e kufijve, që buronin nga Kriza Lindore dhe nga përpjekja për t’i dhënë fund asaj. Luftërat ruso-osmane shkaktuan një cikël ndryshimesh të mëdha në Perandorinë Osmane. Ajo, nga njëra anë, e gjendur nën presionin ekonomik e politik të fuqive perëndimore dhe e detyruar të bëjë reforma të brendshme në administratë, ushtri, juridiksion, e nga ana tjetër, e ndodhur në gjendje lufte me Perandorinë Ruse, po e humbte fuqinë dhe territorin. Traktati i Shën Stefanit, i mbajtur për të vendosur paqe ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë Osmane, si dhe Kongresi i Berlinit, i mbajtur për të rishikuar vendimet e të parit, janë tregues real i disfatës që po përjetonte Perandoria Osmane, e cila e preku në themel fatin e shqiptarëve. Prandaj, nga njëra anë, vendimet e këtyre dy kongreseve, që territoret e banuara me shumicë shqiptare t’ia linin Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë e Greqisë, e nga ana tjetër aspiratat invaduese të po këtyre shteteve që tashmë kishin shpallur pavarësinë, ndaj territoreve osmane të banuara me shqiptarë shkaktuan zhgënjim e reagim masiv në mesin e shqiptarëve, të cilët përjetuan pasiguri dhe zhgënjim. Reagimi i shqiptarëve ndaj vendimeve që nuk përfillnin asnjë kriter demografik, etnik dhe fetar dhe nuk i trajtonin ata si subjekt me të drejta, ishte i dyanshëm: ata u zemëruan e u zhgënjyen me Perandorinë Osmane, pjesë e së cilës ishin dhe për të cilën kishin punuar e luftuar edhe në kufijtë e skajshëm të saj, ndërsa ajo tashmë nënshkruante pakte që nuk ua njihnin subjektivitetin e tyre historik, por ata u zemëruan edhe me fuqitë perëndimore, që lejuan një kompromis të tillë, që Rusisë me politikën pansllaviste i siguronte prani (përmes sllavëve) në këto territore.

Mbi simbolikën e tipareve të Lidhjes

Për nga situata specifike në të cilën lindi, modeli organizativ që aplikoi dhe orientimi konceptual që përvetësoi, Lidhja përmban edhe disa tipare që kanë karakter simbolik.

Lidhja së pari është reagim dhe prani. Projekti politik dhe mobilizimi ushtarak e kolektiv që derivoi nga Lidhja është një reagim ndaj zhvillimeve të disfavorshme në rivendosjen e kufijve. Programi i Lidhjes, ani pse nuk përpilohet në rrethana të qetësisë dhe të paqes, por si reaksion ndaj dinamikës së ngjarjeve të kohës, kur shqiptarëve nuk iu përfillte subjektiviteti historik e politik, ndërtohet mbi ide, vizion dhe botëkuptime koherente e parimore në planin ndërkombëtar, etnik, demografik e identitar. Kështu, duke artikuluar kërkesat e veta, ajo mohon vendimet e fuqive botërore dhe imponon praninë e vet në dinamikën e zhvillimeve ndërkombëtare.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit e simbolizon vetminë dhe veten. Në rrethanat kur ata gjendeshin ndërmjet shumë entiteteve të mëdha politike, interesat e të cilëve pikëtakohen në Ballkan, por nuk udhëhiqen nga principi i drejtësisë dhe i barazisë (Rusia, që mbron interesat sllave; fuqitë perëndimore, interesat e të cilave pikëtakohen në këto territore, por që më shumë fokusohen tek popullsitë katolike dhe shtetet ballkanike që kishin aspirata mbi këto territore), shqiptarët iu kthyen vetvetes. Ata e mundën braktisjen ndërkombëtare dhe rrezikun e tkurrjes, përmes kthimit te vetvetja, te vetorganizimi dhe kapacitetet e brendshme kohezive dhe mbrojtëse, u unifikuan me program politik dhe u mobilizuan ushtarakisht për ta imponuar veten si subjekt në ridefinimet e kufijve, që ishin arbitrare e joparimore.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit simbolizon aktin dhe dinamikën. Me mbledhjen e parisë shqiptare, prijësve fetarë dhe personave me autoritet nga të gjitha vilajetet e banuara me shqiptarë dhe me programin e saj, Kararnamenë dhe dokumentet tjera, shqiptarët në valën e zhvillimeve e përkthyen përkatësinë etnike, konceptet që ndërtonin, bindjet dhe pozicionimin politik, përjetimin dhe identitetin fetar në projekt politik dhe formacion ushtarak. Prandaj, ajo është akt dhe dinamikë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit simbolizon organizatën dhe qeverinë. Lidhja me organet e veta, ndonëse është një organizatë/platformë e krerëve të vilajeteve dhe njerëzve me ndikim, ajo për pak kohë e shtrin ndikimin e vet administrativ, ushtarak, ideologjik e politik në vilajetet, ku vepron dhe fiton pushtet real në terren, tamam si të ishte një qeveri në vete (mbron kufijtë dhe popullsinë, mban rendin publik, mbledh taksa, nënshkruan e dërgon memorandume, mban disiplinë të brendshme, ruan kohezionin, kultivon frymë barazie, etj.).

Lidhja Shqiptare e Prizrenit simbolizon idenë dhe praktikën. Ndonëse brenda Lidhjes u dalluan qartë dy rryma kryesore: njëra konservatore. që vë theksin mbi besnikërinë ndaj Sulltanit. dhe tjetra autonomiste. që bart më shumë karakter nacionalist, në aspektin simbolik ajo paraqet hapësirën (“Agorën”) ku thuhen mendimet, botëkuptimet dhe pikëtakohen programet. Mirëpo, ajo me dinamikën e punës, idetë dhe vendimet e kuvendeve të saj i përkthen në praktikë (memorandume, ushtri, administratë, etj.).

Lidhja Shqiptare e Prizrenit simbolizon kulturën e ridefinimit të autoritetit. Ndonëse paria shqiptare, krerë të fiseve, bejlerë e bajraktarë gëzonin privilegje të mëdha në nivel lokal e perandorak, në momentin vendimtar kur cenoheshin interesat jetike të komunitetit (etnik, gjuhësor e fetar) të cilit i përkisnin, ata u zgjuan për të ridefinuar autoritetin. Pra, një shtresë burokratësh, njerëzisht autoritativë e me nam që legjitimitetin e Sulltanit dhe të Perandorisë nuk i vënin në pikëpyetje në asnjë rrethanë, në situatën ekzistenciale të komunitetit, ata vendosën fatin e vet në rend të parë, vendosën autoritetin e principit të së drejtës e të së vërtetës mbi çfarëdo autoriteti politik, prirje kjo që shprehej herë me kryengritje të armatosura e herë me pengim a vrasje të personelit zyrtar që dërgonte qendra për t’i bindur ata t’i zbatonin vendimet a për të kryer ndonjë shërbim tjetër.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit simbolizon fatin dhe faktin. Ndonëse realitete të tilla, si vendosja arbitrare e kufijve ose ngjarje denigruese të entitetit kombëtar, te shqiptarët shpesh interpretohen si “fat” i yni historik, Lidhja e refuzoi një gjë të tillë. Ajo, këtë fat të tavolinave, u mundua ta ndryshojë e ta ndërtojë me fatin e ri në terren. Në fakt, Lidhja aspiratën e vet politike u përpoq ta bëjë fakt. Pra, vetëperceptimin, fatin e vetes, ta shndërrojë në fakt të vetes, në mënyrë që ky fakt i ri të bëhet më pas vetë fati.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbrendëson fenë dhe atdheun. Në programin e Lidhjes ka një theksim të luftës për “din, devlet e vatan”, që jep modelin e një përpjekjeje sublime të të shenjtë në dobi të komunitetit, i cilin dan vlera të përbashkëta, jeton në një hapësirë ndër shekuj dhe ka një subjektivitet historik dhe identitar. Ky theksim i jep asaj karakter shenjtërie dhe përjetimi të thellë moral e shpirtëror. Po ashtu, trajtimi i atij personi që braktis Lidhjen, si një që braktis Islamin, tregon dimensionin shpirtëror dhe nivelin e përjetimit të programit nga paria që e shkroi dhe e implementoi atë në terren.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit simbolizon dijen, ushtrinë, politikën dhe diplomacinë. Lidhja nuk ishte pikënisje e shqiptarizmit, ajo ishte momentum i avancuar i ridefinimit të shqiptarizmit dhe vendosjes së ideve mbi miqtë, armiqtë, veten dhe të tjerët. Asaj i paraprinë, ashtu siç edhe atë e pasuan, përpjekjet për vendosjen e alfabetit unik, ngase shqipja ende shkruhej me alfabet arab, latin e grek, përpjekjet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe etj., por aty kërkesat morën tjetër dimension. Po ashtu, asaj i paraprinë, ashtu siç edhe atë e pasuan, kryengritje të armatosura për jetësimin e kërkesave të komunitetit, por vetëm me Lidhjen ushtria u sistemua dhe arriti formë më të përsosur organizative. Përpjekja politike me Portën për kërkesat administrative e kulturore dhe shkëmbimet diplomatike me vendet perëndimore (Austro-Hungarinë, Francën, Anglinë, Gjermaninë etj.) për ta siguruar mbështetjen ndërkombëtare ishin edhe më të hershme, por memorandumet dhe letrat e Lidhjes bënë bujë në opinionin ndërkombëtar dhe i dhanë problemit të shqiptarëve një dimension tjetër. Prandaj në Lidhje takohet dija, ushtria, politika dhe diplomacia.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit simbolizon baraspeshën dhe guximin. Kërkesa për bashkimin e katër vilajeteve të banuara me shqiptarë në një njësi unike administrative brenda Perandorisë Osmane, është një akt strategjik që ruan baraspeshën ndërmjet historisë perandorake, ku bënin pjesë shqiptarët, përkatësisë fetare, të cilës i përkisnin ata në shumicë, civilizimit osman, ku kontribuonin edhe ata, me të ardhmen e bazuar tashmë edhe në veten, me përkatësisë etnike dhe me identitetin gjuhësor. Nga ana tjetër, ajo ruan baraspeshën ndërmjet fuqive: mbetet në kuadrin perandorak osman, në mënyrë që të respektojë vazhdimësinë/përkatësinë e deritanishme dhe t’u bëjë ballë më lehtë armiqve tradicionalë sllavë e grekë, por kërkon edhe të themelojë bërthamën e një njësie specifike administrative-ushtarake: unifikimin e vilajeteve në mënyrë që, në një situatë kur Perandoria Osmane s’do të mund t’i mbronte më, ata të ishin në gjendje ta mbrojnë veten; e njëkohësisht kërkon mbështetje nga Fuqitë e Mëdha për projektin politik. Pra, përmes artikulimit programor të kësaj baraspeshe, ajo shpreh guximin për ta mbrojtur veten edhe ushtarakisht, nëse mbetet vetëm.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit simbolizon krenarinë dhe vetëmjaftueshmërinë. Programi dhe praktika e Lidhjes simbolizon krenarinë, vetërespektin dhe vetëmjaftueshmërinë. Shqiptarët i bën të mos ndihen inferiorë e të vegjël karshi asnjë force, madje të mos njohin asnjë autoritet superior nga ana e miqve dhe armiqve. Kërkesat i ka parimore, pra ka pikënisje ideale.

Rilindja si plotësim

Lidhja ishte refleksioni politik i situatës së shqiptarëve dhe kulmimi politik i programit të tyre. Ani pse përmban më shumë karakter politik dhe ushtarak (lexo: vetëvlerësues dhe mbrojtës, që imponohet nga situata), Lidhjes i parapriu një aktivitet i tërë kulturor e arsimor i veprimtarëve shqiptarë, për të cilin më shumë u shquan shoqëritë shqiptare botuese e kulturore në diasporë, Stamboll, Bukuresht, Itali, Greqi, etj.  Veprimtaria e këtyre shoqërive luajti rol në formësimin konceptual të shqiptarizmit dhe orientimin gjeopolitik të shqiptarëve. Ishte Rilindja në tërësi, ajo që me veprat e saj vendosi themelet morale, letrare dhe ideore të shqiptarizmit. Në kushtet e kohës, veprimtarët e Rilindjes u munduan të gjejnë modelin adekuat identitar për t’i dhënë rrugën e duhur fatit të shqiptarëve. Edhe në aspektin politik, Rilindja e plotësoi një boshllëk, e ridefinoi kombin shqiptar. Shqiptarët nuk përbënin një millet në sistemin osman, sepse nuk i përkisnin një feje të vetme, sikurse ishin popujt tjerë ballkanikë, katolikë dhe ortodoksë, prandaj nuk përfitonin nga statusi i “miletit” në arsim, kulturë, administratë, etj. Ani pse në aspektin etnik ishin të ndryshëm nga turqit, ata në shumicë ishin myslimanë dhe ishin të lidhur me Perandorinë Osmane edhe nga botëkuptimi fetar, mirëpo një pjesë i përkiste fesë katolike dhe një pjesë më e vogël fesë ortodokse. Prandaj, insistimi i rilindësve në përbashkësinë e shqiptarëve mbi gjuhën, prejardhjen, gjakun dhe traditën ishte program pragmatik, që u siguronte legjitimitet historik në trojet ku jetonin, edhe nëse binte Perandoria Osmane.

Nga ana tjetër, Lidhja duhet kuptuar në planin e saj shumëdimensional, jo parcial, por tërësor. Si në rastin e Lidhjes, ashtu edhe në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar në tërësi, shfaqen botëkuptime që reflektojnë identitetet e shumëfishta të aktorëve, pra peshën e identitetit krahinor, fetar, politik dhe social. Kjo tregohet më së miri në debatet mbi alfabetin, ku aktorët e shqiptarizmit dallohen mes vete në modelin e shqiptarizmit që duan të ndërtojnë. Kështu duhet kuptuar edhe dallimet konceptuale brenda Lidhjes, që s’janë tjetër veçse një kristalizim i modeleve të përjetimit të identitetit në masën e gjerë. Prandaj, gjatë kësaj periudhe, jo çdo kryengritje dhe pakënaqësi e shprehur në ndonjë formë ka motiv dhe karakter ekskluziv etnik. Shpesh në thelbin e ngjarjeve, kryengritjeve të armatosura dhe reagimeve diplomatike e politike të rretheve shqiptare nga vilajetet e tyre ose në diasporë gjendet motivi konservator fetar, që ngulmon në ruajtjen e autoritetit të Sulltanit, traditës fetare, alfabetit arab, e të ngjashme; ai ekonomik, që kundërshton taksat e rregullta, ai social, që kundërshton humbjen e privilegjeve të shtresës së lartë, por edhe ai lokal tradicional që ngulmon në vetadministrim, rregulla e norma lokale, prijës e komandantë lokalë, ose edhe kundërshtime ndaj kryerjes së shërbimit të gjatë ushrarak në vendet e largëta të Perandorisë, ndaj çarmatosjes së popullatës etj. Ndonëse ngjarje komplekse dhe motive të shumëfishta, si këto që janë shtresuar në lëvizje dhe raste specifike të periudhës në fjalë, nga studiues e historianë rëndom reduktohen në motivin “etnik” dhe në interpretimin linear të historisë “kundër pushtuesit”, ato provojnë perspektivën e një realiteti më kompleks. Sidoqoftë, Rilindja hartoi modelin unifikues politik, ideor dhe shpirtëror për shqiptarët dhe mbeti projekti më serioz i realizimit social, letrar e politik të shqiptarëve.

Përfundim

Me gjithë nivelin e lartë të integrimit në sistemin osman në saje të mobilitetit vertikal, janë disa momente të rëndësishme gjatë shekullit XIX kur shqiptarët gjenden në situatë kritike dhe rebelohen ndaj qendrës perandorake. Reformat juridike, ushtarake, financiare, arsimore dhe administrative të Tanzimatit, të vitit 1839, anekënd Perandorisë iu dhanë shkas një pakënaqësie dhe revolte, ngase ajo lëkundte sistemin e vjetër dhe solli risi: rivendosi pozitat socio-politike të shtresave shoqërore dhe grupeve fetare, rrjedhimisht edhe te shqiptarët. Andaj veçanërisht shtresat, të cilave iu cenuan pozitat e privilegjuara që gëzonin, shprehën pakënaqësi për gjendjen e tyre në perandori. Nga ana tjetër, vitet e Krizës Lindore ishin ato që shkaktuan ndryshime drastike në hartën osmane dhe, rrjedhimisht, në gjeografinë e banuar me shqiptarë. Shqiptarët, duke parashikuar një rrezik të pushtimit nga sllavët, bullgarët dhe grekët, me kohë u gjendën në kërkesa për njësinë politike – autonomi të 4 vilajeteve, për shkollat dhe gjuhën shqipe, për administratë me punonjës vendorë, shërbim ushtarak brenda hapësirave të tyre etj.  Në çerekun e fundit të shekullit XIX ndryshimet u bënë drastike. Përderisa dobësohej Perandoria Osmane, territoret e banuara me shqiptarë tashmë po pushtoheshin nga fqinjët ballkanikë, të cilëve Fuqitë e Mëdha ua njohën sovranitet mbi territorin që po e humbte Perandoria.

Pra, ndonëse pati përpjekje nga shqiptarët që të formojnë një njësi autonome me 4 vilajete me shumicë shqiptare, qysh në çerekun e fundit të shekullit XIX, ky mbeti një synim politik i parealizuar. Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit i dhanë Malit të Zi, Serbisë e Bullgarisë hise mbi këto territore dhe po këto shtetet ballkanike, Serbia, Mali i Zi, Greqia e Bullgaria, me përkrahjen e Rusisë dhe me miratimin e heshtur të disa vendeve perëndimore, kaluan në sulm kundër forcave osmane në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti, që t’i merrnin nën kontroll territoret e banuara me shumicë shqiptare, kur Perandoria veçse po tkurrej me shpejtësi. Fuqia diplomatike dhe ushtarake e vendeve fqinje sllave në mjedisin ndërkombëtar ishte e madhe dhe vendimtare për të caktuar kufijtë e ri në dobi të tyre, ndërkohë që për shqiptarët çdo humbje e Perandorisë binte në kurriz të tyre dhe ata vazhdonin të luhateshin në dualizmin e tyre identitar.

Përderisa vendet ballkanike, si Serbia, Mali i Zi, Greqia e Bullgaria, që e kishin filluar luftën kundër Perandorisë Osmane, një nga një e fituan pavarësinë dhe krijuan shtetet e tyre nacionale, për shqiptarët situata ishte më e ndërlikuar. Ata nuk e fituan pavarësinë kombëtare deri në fund të vitit 1912, madje as kjo pavarësi nuk i përmbushi as për së afërmi pritjet, kërkesat dhe të drejtën e shqiptarëve për t’i përfshirë në shtetin e ri territoret e banuara me shqiptarë, për të realizuar kështu principin etnik të formimit të shtetit. Prandaj, edhe me shpalljen e pavarësisë më 1912, shqiptarët nuk realizuan projektin nacional sikurse fqinjët e tyre. Ata nuk e krijuan shtetin etnik që do t’i kënaqte interesat dhe pritjet e tyre kur Perandoria po binte. Ata nuk u lejuan as nga fuqitë evropiane dhe shtetet ballkanike me Rusinë, që të krijojnë shtetin e tyre që bazohet në parimin demografik dhe etnik, që do të përfshinte shqiptarët në të gjitha viset ku ata përbënin shumicën absolute të popullsisë. Por, u krijua një shtet shqiptar, minor në raport me shtrirjen demografike në rajonin e Ballkanit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e mbajtur tash e 140 vjet më parë nga paria dhe intelektualët shqiptarë në Vilajetin e Kosovës, identifikon tërë situatën komplekse në të cilën u gjendën shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Lidhja dhe fryma e saj është modeli praktik dhe identitar i realizimit politik të shqiptarëve që ruan aktualitetin edhe sot e kësaj dite. Ani pse forcat dominuese politike në hapësirat shqiptare nuk trashëgojnë mendimin politik të saj, rikthimi në kujtesë i Lidhjes, pas 140 vjetësh, është edhe një tregues i namit dhe vlerës historike, shpirtërore dhe kombëtare që ka ajo në mesin e shqiptarëve edhe sot e kësaj dite.