` . Lideri i Hamasit vlerëson mbështetjen e Malajzisë për palestinezët - TV-SHENJA

Lideri i Hamasit vlerëson mbështetjen e Malajzisë për palestinezët

Lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka përshëndetur udhëheqësinë “e guximshme” të Malajzisë për mbështetjen e të drejtave të palestinezëve, transmeton AA.

Sipas Organizatës Kulturore Palestineze në Malajzi (PCOM), Haniyeh në Putrajaya u takua me kryeministrin e Malajzisë, Mahathir Mohamad, ku rishikuan situatën aktuale në Palestinë, veçanërisht shkeljet e fundit të Izraelit në Kuds.

Në kumtesën e PCOM-së thuhet se lideri i Hamasit, i cili ishte i shoqëruar nga një delegacion, gjithashtu theksoi rëndësinë e “prishjes së planeve izraelite”.

Mahathir përsëriti qëndrimin e tij të fuqishëm për të mbështetur popullin palestinez dhe “kauzën e tyre të drejtë”.

Ai theksoi nevojën për një “strategji gjithëpërfshirëse” për të forcuar popullin palestinez.

Nga PCOM thonë se delegacioni i përbërë mes tjerash nga anëtarë të lartë të Byrosë politike të Hamasit, siç janë Ezzat Al-Rishq, Nizar Awadallah dhe Maher Salah, do të realizojë edhe disa takime me zyrtarë të lartë nga Malajzia.

Malajzia, një shtet me shumicë muslimane, është një mbështetëse e fuqishme e kauzës palestineze dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin.

Bllokada 13-vjeçare e Rripit të Gazës nga ana e Izraelit ka rrënuar ekonominë e enklavës bregdetare dhe u ka privuar 2 milionë banorëve të saj lëvizjen e lirë, si dhe ka parandaluar hyrjen e shumë nevojave elementare.

Që nga pushtimi i Kudsit në vitin 1967, palestinezët u janë nënshtruar formave të ndryshme të provokimeve, përfshirë arrestimet, dëbimet, rrënimin e shtëpive dhe vendosjen e taksave të paligjshme.