` . Liderët botërorë javën e ardhshme mblidhen në New York – TV-SHENJA

Liderët botërorë javën e ardhshme mblidhen në New York

Sesioni i 73-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme në New York do të tubojë udhëheqësit e botës, raporton Anadolu Agency (AA).

Asambleja e Përgjithshme gjatë javës së ardhshme do të presë më shumë se 140 krerë shtetesh dhe qeveritarë nga e gjithë bota.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan do të përfaqësojë vendin e tij në takimet e nivelit të lartë që do të fillojë më 25 shtator.

Presidenti rus Vladimir Putin, lideri kinez Xi Jinping dhe kancelarja gjermane Angela Merkel nuk do të jenë të pranishëm në samit. Të tre vendet pritet të përfaqësohen në nivel ministror.

Liderja ‘de facto’ e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, e cila mbetet e heshtur përballë krimeve kundër muslimanëve Rohingya në shtetin Rakhine të Mianmarit, përkundër thirrjeve nga bashkësia ndërkombëtare, nuk do të marrë pjesë gjithashtu në samit.

Tema e sivjemë e takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është “Bërja e Kombeve të Bashkuara relevante për të gjithë njerëzit: Udhëheqja Globale dhe Përgjegjësitë e Përbashkëta për Shoqëritë Paqësore, të Barabarta dhe të Qëndrueshme”.

Midis 25 shtatorit dhe 1 tetorit, liderët do të mbajnë fjalimet e tyre.

Vendi i parë që do të adresohet në takim do të jetë Brazili.

Adresimi i dytë do të bëhet nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump si nikoqir i eventit.

Presidenti i Turqisë, Erdoğan do të jetë kreu i katërt që do t’i drejtohet Asamblesë. Në margjinat e takimeve, zonja e parë e Turqisë Emine Erdoğan do të organizojë një event mbi forcimin e grave dhe vajzave në Afrikë.

– Do të kryesojë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për herë të parë

Pas kërcënimit vitin e kaluar për “shkatërrimit total” të Koresë së Veriut gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme, Trump pritet të targetojë Iranin këtë vit.

Trump do të kryesojë gjithashtu sesionin për Iranin më 26 shtator. SHBA-të kryesojnë presidencën e këshillit për muajin shtator.

Ndonëse zyrtarisht u njoftua pjesëmarrja e presidentit iranian Hassan Rouhani në mbledhjet e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme, ka presion në rritje ndaj Rouhanit për të mos shkuar në New York.

Financimi i axhendës së OKB-së 2030 për zhvillim të qëndrueshëm do të diskutohet në takimet e nivelit të lartë.

Kërkesat për reforma të OKB-së që shpesh janë shprehur nga shumë vende, veçanërisht nga presidenti turk Erdoğan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për sesionin e 72-të Miroslav Lajçak, pritet po ashtu të ngrihen nga krerët e shteteve dhe qeverive këtë vit.

Shumë vende anëtare të OKB-së kërkojnë reforma në OKB, duke thënë se nuk pasqyron realitetin e shekullit 21.