` . Lexim në verë? - TV-SHENJA

Lexim në verë?

Çelësi për lexim kuptimplotë gjendet te të lexuarit e asaj çka është thelbësore, e te të bërit e kësaj në mënyrë të disiplinuar. Në verë ose në dimër, në shtëpi ose në rrugë, lexo për të zbuluar shenjat në horizontet dhe brenda shpirtrave tanë!

Shkruan: Ibrahim KALLËN, Ankara*

Unë nuk i pëlqej të ashtuquajturat “lista të leximeve verore”, sepse ato e minojnë vlerën dhe seriozitetin e leximit. Puna e “leximit të lehtë” më ngjan një fyerje, ashtu edhe për autorin dhe për lexuesin. Në vend të trajtimit të leximit të librave si diçka qejfi ose si vrasje kohe, ne duhet ta trajtojmë atë si një ftesë për t’u përfshirë në idetë, konceptet, ndjenjat dhe ëndrrat që na paraqesin autorë të mirë të prirjeve të ndryshme.

Leximi është një punë serioze. Në lexojmë një libër kuzhine ose Platonin, ne e lëmë autorin dhe librin të hyjë në botën tonë të mendjes. Ne i përfshijmë, i pëlqejmë, nuk i honepsim, i pranojmë ose i kritikojmë idetë dhe konceptet e tyre. Çfarëdo që të jetë rezultati përfundimtar, e pranojmë ftesën e tyre për të nisur një udhëtim intelektual. Sa pasurues, zemërlëshues ose zhgënjyes mund të rezultojë udhëtimi, kjo do të varet sa prej librave që lexojmë, aq edhe prej gjendjes sonë mendore e shpirtërore kur i lexojmë.

Leximi është një veprim i mendjes, si dhe i zemrës. Ne lexojmë me mendjen tonë, por gjithashtu me ndjenjat dhe emocionet tona. Në lexojmë një roman apo një libër mbi kozmologjinë, ne u përgjigjemi ideve dhe parashtrimeve kryesore të tyre me kultivimin intelektual dhe emocional që kemi. Librat e trajtësojnë mendimin tonë, por po ashtu ne u japim trajtë librave në mënyrat e ndryshme që u përgjigjemi atyre.

Leximi i një libri të mirë mund të sjellë lehtësim e gëzim. Ca mund ta shohin atë si një investim të mirë për kohën e lirë. Nuk ka asgjë të keqe te të lexuarit për të çlodhur mendjen dhe për ta ngritur moralin. Por, ai që e merr leximin seriozisht do të fitojë më tepër se thjesht çlodhja nga leximi i librave. Dhe, vërtet e gabuar është bindja se duhet të lexojmë në kohën tonë të lirë.

I bërë si duhet dhe në mënyrë inteligjente, leximi ushqen mendjen dhe shpirtin. Prandaj është e rëndësishme të dimë çfarë të lexojmë dhe si të lexojmë. Çdo libër është një udhëtim, kur shkruhet nga një autor dhe kur lexohet nga një lexues. Ne duhet ta marrim seriozisht këtë udhëtim nëse duam të arrijmë diçka të mirë në fund. Një libër mund të na bëjë të qeshim, të mendojmë ose të qajmë. Këto janë të tëra çështje serioze kur vendosen brenda rrugëtimit tonë të madh në këtë tokë.

Leximi kërkon disiplinë dhe përqendrim. Kjo nuk do të thotë se duhet shkuar në një bibliotekë të madhe kërkimore ose duhet qëndruar ulur në një zyrë të izoluar për të lexuar gjatë gjithë kohës. Kalimi i kohës në biblioteka është një përvojë tejet frytdhënëse. Vetëm hedhja e shikimit në titujt e librave mund të hapë mundësi të shumta në mendjen tonë. Duke pasur parasysh mundësitë që i kemi sot për t’i shtënë në dorë lehtësisht librat, ne duhet ta përcaktojmë ritmin tonë për të lexuar. Dhe, sigurisht, ne mund të lexojmë kudo. Gjithçka që na nevojitet është disiplina mendore dhe përqendrimi. Pa dyshim, kjo nuk është një detyrë e lehtë në një kohë në të cilën ne bombardohemi me miliona tituj të lajmeve të fundit e me deklarime me pak fjalë. Ç’është më e keqja, pritet që ne t’i përgjigjemi “njoftimit të atypëratyshëm” të botës moderne të komunikimit dhe të medias sociale në të njëjtën mënyrë siç është bërë: të shkurtër, të shpejtë, skandaloze, të cekët, agresive, mësymëse. Çdo histori lajmesh prodhohet tani për të lëvizur përnjëherë te tjetra: e prodhuar aty për aty, e konsumuar aty për aty, pa asnjë thellësi. Kjo e bën aktin e leximit edhe më të rëndësishëm. Ne mendohet të lexojmë për t’i zgjeruar njohuritë tona, për ta shtuar perceptimin tonë, e jo për ta kaluar kohën. Prandaj ka rëndësi çfarë lexojmë dhe si lexojmë.

Por, leximi nuk është i kufizuar me leximin e librave (ose të ekraneve këto kohë). Ai përfshin gjendje të tjera ekzistence, si natyrën, artet pamore dhe muzikën. Ashtu si një libër që na tregon shumë gjëra, natyra gjithashtu flet me ne. Nëse kemi veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë, natyra mund të na japë mësime të mëdha mbi të bukurën, balancën dhe harmoninë. Punët e artit mund të zgjojnë ndjenja sublime tek ne, për të shkuar kështu përtej formës e për ta kapur domethënien. Ato mund të na mësojnë po ashtu gjëra përmes “terapisë së shokut”. Muzika mund të jetë një mentor për ata të cilët duan ta përjetojnë domethënien përtej fjalëve. Këto janë të tëra forma të ndryshme leximi në kërkimin tonë për ta zbuluar vetveten dhe vendin tonë në zinxhirin e madh të ekzistencës.

Leximi është, në thelb, një akt zbulimi dhe arritjeje kuptimi, që vjen në forma të ndryshme. E vërteta dhe domethënia që bëhen të disponueshme për ne, përmes leximit të librave, të artit ose të natyrës, i hapin dyert tona të perceptimit dhe na ftojnë t’i zbulojmë botët e ndryshme për të cilat nuk jemi ndryshe të vetëdijshëm. Por, meqë çdo zbulim është gjithashtu një proces vetëzbulimi, ne fitojmë një njohje të brendshme të gjërave teksa ato qëndrojnë në botën e ekzistencës. Ne e zbulojmë vetveten në çdo përpjekje për ta kuptuar domethënien e gjërave.

Kjo qasje është e çmuar fort në traditën islame. I pari revelim që iu dërgua Profetit Muhammed ishte “Ikra!”, me kuptimin “lexo” dhe “recito”. Kjo sugjeron se ne e lexojmë Kur’anin si një libër të shenjtë, por në të njëjtën kohë ne kërkojmë të depërtojmë, nëpërmjet tij, në natyrën e brendshme të gjërave. Kur’ani i nxit njerëzit t’i lexojnë shenjat brenda shpirtrave të tyre dhe të universit, kështu që të mund të jenë kësisoj qenie më të mira njerëzore, duke përdorur inteligjencën e tyre dhe duke i përvetësuar virtytet. Ata të cilët nuk arrijnë të lexojnë, në këtë kuptim, e pranojnë në thelb të jetojnë nën potencialin e tyre të vërtetë për t’u bërë krijesa të plota njerëzore.

Ne duhet të lexojmë për t’i shtuar dijet tona, për t’i zgjeruar horizontet tona e për të zbuluar botë të reja. Kjo më çon mua veç te një përfundim: lexo çfarë është vërtet thelbësore dhe e qëndrueshme! Gjërat në modë vijnë e shkojnë. Mos e çoni kot kohën dhe mos e prishni mendjen me to. Lexoni ata autorë dhe ato libra që e kanë trajtësuar mendimin njerëzor, që e kanë shtyrë imagjinatën tonë përtej mesatares dhe që na kanë nxitur të jemi qenie më të mira dhe më inteligjente. Lexojeni Platonin dhe Aristotelin dhe mos ua vini veshin atyre që thonë se kjo është punë e rëndë. Lexojeni Mark Aurelin për të parë se si një filozof-mbret lufton me idealet dhe realitetet, me parimet dhe faktet; të njëjtat sfida me të cilat merremi çdo ditë në nivele të ndryshme. Lexojeni Shën Agustinin për të kuptuar se si një mendje e shkëlqyer merret me çështjet e besimit dhe arsyes.

Lexoni T. S. Eliot-in dhe C. S. Lewis-in për t’i kuptuar hallet tona moderne. Çoni kohë serioze me Farabiun, Ibni Sinain, Ibni Rushdin, Gazaliun, Suhreverdin, Mulla Sadrën e me mendimtarë të tjerë myslimanë, për të parë se si një mendje besimtare mund ta kuptojë botën pa sakrifikuar as Zotin, as arsyen njerëzore dhe lirinë. Lëreni mendjen dhe zemrën te Rumiu e Ibni Arabiu, për t’ju çuar ju në vendet e mrekullisë, të dashurisë dhe dhembshurisë. Kthehuni nga Ibn Xhubejri, Ibn Battuta e nga udhëtarë të tjerë myslimanë, për të parë se si myslimanët e ditur zhvilluan një nocion të botës globale përpara epokës së globalizimit modern. Kridhuni në poezinë e ngahershme të Hafizit, Sadiut, Khajamit, Attarit, Junus Emresë, Bakiut, Fuzuliut dhe të poetëve të tjerë që kënduan këngët e rrugëtimit dhe shoqërisë, dashurisë hyjnore dhe njerëzore.

Kjo listë mund të zgjerohet, për të përfshirë vepra nga tradita të tjera të mëdha të botës, mes të cilave qytetërimet kineze dhe indiane. Nuk ka rëndësi sa gjerë e hedhim rrjetën tonë,sepse, sidoqoftë, çelësi për lexim kuptimplotë gjendet te të lexuarit e asaj çka është thelbësore, te të bërit e kësaj në mënyrë të disiplinuar. Në verë ose në dimër, në shtëpi ose në rrugë, lexo për të zbuluar shenjat në horizontet dhe brenda shpirtrave tanë.

*Autori është Zëdhënës i Presidencës së Republikës së Turqisë – Ambasador

Përktheu:

Bujar M. Hoxha

Postime të Ngjajshme