` . Legjitimiteti i humbur përballë shpresës së thyer - TV-SHENJA

Legjitimiteti i humbur përballë shpresës së thyer

Në zgjedhjet e fundit, të katërta me radhë të parakohshme, kishim një përsëritje të rezultateve të 2011-ës kur bëhet fjalë për legjitimitetin. Është hera e dytë që vullneti real i votuesve shqiptarë në Maqedoni të mos reflektohet në mandate faktike deputetësh. Me këtë edhe një herë u pamundësua kanalizimi i qëndrimit të shumicës së votuesve shqiptarë të Maqedonisë për ndryshime në përfaqësim në pushtetin ekzekutiv.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Pas një periudhe jostabile, të mbushur me konflikte dhe incidente ndëretnike, në vitin 2008 Maqedonia shkoi në zgjedhjet e para të parakohshme të saj. Nuk ishin mbushur as dy vite që kur e djathta maqedonase, VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit, e kishte fituar pushtetin. Në fakt ishin 18 muaj pushtet kur kjo parti preferoi një koalicion ideologjik me Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), që kishte fituar 11 deputetë, duke anashkaluar kështu Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), që kishte 18 deputetë. Bllokimi i Parlamentit dhe incidentet në terren ishin nxitur pikërisht nga BDI-ja e Ali Ahmetit, duke i treguar kështu edhe mandatarit, por edhe faktorit ndërkombëtar, se partia që ka fituar zgjedhjet te shqiptarët etnik të Maqedonisë, në fakt, është ajo që ka legjitimitetin t’i përfaqësojë ata në pushtetin ekzekutiv. Nëpërmjet turbulencave të shkaktuara, kjo parti tentonte të dëshmojë se një qeveri që nuk e respekton vullnetin zgjedhor të etnisë shqiptare nuk mund të prodhojë institucione stabile e as situatë të qetë. Me numrin më të madh të votave te kampi politik shqiptar në Maqedoni, BDI-ja dëshmoi se është faktor i stabilitetit në Maqedoni, i cili nuk mund të anashkalohet.

Kërcimi nga treni euroatlantik

Zgjedhjet e vitit 2008 u paraprinë nga një marrëveshje midis Gruevskit dhe Ahmetit, e cila u quajt Marrëveshje e Majit. Gruevski me 44 deputetët e tij dhe pa parimin e Badenterit, e cila nënkupton shumicën e deputetëve të etnive joshumicë në Maqedoni, ishte i detyruar të lidhë një marrëveshje të tillë me Ahmetin, që ishte në opozitë, me qëllim që t’i zhbllokojë ligjet ku kërkohej kjo shumicë e dyfishtë. Numri i deputetëve që i kishte BDI ishte ajo që e përbënte këtë shumicë të dyfishtë, një zgjidhje nga Marrëveshja e Ohrit, që ishte dizejnuar t’i mbrojë bashkësite etnike joshumicë nga majorizimi në institucionet e Maqedonisë.

Me këtë VMRO-DPMNE-ja e anashkaloi PDSH-në si partner në qeveri dhe negocioi me BDI-në, që insistonte të ishte pjesë e pushtetit. Ndërkohë, hulumtimet e opinionit publik kishin treguar një rritje të mbështetjes për Gruevskin dhe rënie të LSDM-së, si parti opozitare. Ky ishte një moment i mirë që Gruevski të shkonte në zgjedhje të parakohshme, një praktikë që nuk ishte shënuar në historinë pluraliste të Maqedonisë. Në kohën kur nga ndërkombëtarët kërkohej një konsensus politik për kapërcimin e problemit të emrit me Greqinë, që e ka bllokuar integrimin në NATO e BE, Gruevski kërkonte mundësitë që të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por pa mbajtur përgjegjësi për nxitjen e tyre. Këtë e bëri duke shtyrë BDI-në të parashtrojë zyrtarisht një kërkesë në Parlament, e cila u përkrah nga 44 deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe, si rrjedhojë, solli zgjedhjet e para të parakohshme. Me këtë u anashkaluan porositë e Brukselit dhe Uashingtonit zyrtar se zgjedhjet e parakohshme do të ishin “një kërcim nga treni që lëviz drejt integrimeve euro-atlantike”.

Zgjedhjet e 2008-tës, që u nxitën nga çështja e legjitimitetit politik të përfaqësimit të shqiptarëve, sollën një fitore rekorde të VMRO-DPMNE-së, e cila kishte fituar 63 deputetë. Kjo parti, me këtë numër deputetësh si e vetme kishte fituar shumicën në Parlamentin e Maqedonisë, që numëron gjithsej 120 anëtarë. BDI-ja dhe PDSH-ja kishin mbetur në numrat e njëjtë të deputetëve, aq edhe sa kishin nga mandati paraprak – e para 18, e dyta 11. Një humbës i madh ishte Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e cila nga 33 deputetë kishte rënë në vetëm 27. Kjo parti nuk ishte e përgatitur për këto zgjedhje shkaku i reformave turbulente nëpër të cilat kaloi pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2006. Kryesia e re ende ishte duke i konsoliduar radhët në kohën kur BDI-ja parashtroi kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Ajo e dinte se këto zgjedhje do ta shtrijnë përtokë opozitën dhe do ta ngrenë në qiell pushtetin e Gruevskit.

Humbja reale apo fitorja faktike

Nga ky kaos në skenën politike, i nxitur nga legjitimiteti i përfaqësimit të shqiptarëve, VMRO-DPMNE-ja u ngrit në një parti të fuqishme, e cila filloi të ushtrojë një pushtet agresiv mbi institucionet shtetërore, por edhe mbi partnerin e saj shqiptar – BDI-në. Pas këtyre zgjedhjeve, BDI-ja dukej minore në pushtetin absolut të VMRO-DPMNE-së, gjë që solli zhgënjim të thellë te shumica e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë. Ndërkohë, derisa VMRO-DPMNE-ja nuk dëshironte ta humbë këtë numër maksimal të deputetëve dhe një pushtet të qetë me BDI-në, opozita maqedonase kishte filluar ta rimarrë veten duke protestuar në rrugë.

Në vitin 2011 e kishte sfiduar Gruevskin e fuqishëm me zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që e kishte thelluar krizën politike me bojkot parlamentar dhe protesta në rrugë. VMRO-DPMNE-ja kishte pranuar sfidën, pasi kishte siguruar që tre deputetë plotësues t’i jepte diaspora, që me gjasë ishin dakorduar t’i takonin kësaj partie. Megjithëkëtë, kjo parti humbi shumicën parlamentare, duke numëruar vetëm 56 deputetë, ndërkohë që BDI-ja fitoi vetëm 15 deputetë. Në krahasim me përbërjen paraprake, Gruevski kishte 7 deputetë më pak, kurse Ahmeti doli më i dobët për 3 deputetë. Ajo që ndodhi në këto zgjedhje ishte delegjitimimi i parë real i BDI-së, por jo edhe faktik. Kjo parti, faktikisht, fitoi më shumë deputetë shkaku i favorizimit që kishte nga formula e D’Hontit në përllogaritjen e mandateve, por realisht më pak vota se opozita e përçarë. Ky moment solli një demotivim të një pjese të konsiderueshme të elektoratit shqiptar, gjë që rezultoi me një mbështetje të papritur ndaj BDI-së në zgjedhjet e treta të parakohshme, të mbajtura në vitin 2014. Ahmeti mori 153 mijë vota, 19 deputetë dhe një legjitimitet real e faktik kundrejt opozitës shqiptare të paunifikuar. Edhe pse materialet e përgjuara që i bëri publike opozita dëshmuan për falsifikime zgjedhore, megjithatë BDI-ja e riktheu legjitimitetin e humbur në vitin 2011.

Përsëritja e 2011-tës dhe demotivimi i radhës

Në zgjedhjet e fundit, të katërta me radhë të parakohshme, kishim një përsëritje të rezultateve të 2011-ës kur bëhet fjalë për legjitimitetin. Është hera e dytë që vullneti real i votuesve shqiptarë në Maqedoni të mos reflektohet në mandate faktike deputetësh. Me këtë edhe një herë u pamundësua kanalizimi i qëndrimit të shumicës së votuesve shqiptarë të Maqedonisë për ndryshime në përfaqësim në pushtetin ekzekutiv. Në kampin politik maqedonas kemi një barazim të mandateve midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, por me një numër të përafërt të votave që morën këto dy parti. Në bllokun politik shqiptar kemi po ashtu një barazim mandatesh midis BDI-së dhe opozitës së përçarë shqiptare (Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH), por dallimi në vota është tepër i madh. Derisa BDI fitoi 10 deputetë me afër 86 mijë vota, opozita mori të njëjtin numër të deputetëve me afër 120 mijë vota. Ky dallim i madh në vota e vë në pikëpyetje legjitimitetin BDI-së që të marrë pjesë ne qeveri, edhe pse shikuar veçmas ka fituar më shumë deputetë në bllokun e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë.

Nëse pas delegjitimimit të parë në zgjedhjet e 2011-tës votuesit e demotivuar iu kthyen sërish BDI-së, pas zgjedhjeve të 2016-ës të njëjtat mund të shohin arritjen e ndryshimit nëpërmjet subjekteve që nuk mbajnë prapashtesën shqiptare. LSDM-ja e Zoran Zaevit në zgjedhjet e fundit mori numër rekord të votave shqiptare, duke dalë fituese në komunat e Haraçinës, Dibrës dhe Studeniçanit dhe duke u radhitur e dyta ose e treta në dhjetë komuna të tjera me shumicë shqiptare. Orientimi i LSDM-së drejt votuesit shqiptar, duke artikuluar nevojat dhe të drejtat e tyre, si dhe mungesa e kapaciteteve përbashkuese të partive opozitare shqiptare, mund të sjellin në një votim më masiv për partitë e dominuara nga maqedonasit etnikë. Pas LSDM-së, pritet që edhe VMRO-DPMNE-ja të konkurrojë me ofertën e saj në terrenin politik të partive shqiptare në Maqedoni. Kultivimi i votuesit shqiptar nga dy partitë me dominim maqedonas do të vazhdojë të jetë më i theksuar në të ardhmen shkaku i politikëbërjes kryeneçe të Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët – si dy iniciativa të reja që nuk arritën ta farkojnë një alternativë politike kundrejt asaj të BDI-së, që u delegjitimua për së dyti herë.

Postime të Ngjajshme