` . LAGJJA DYQANXHIK – PA NAM E NISHAN! – TV-SHENJA

LAGJJA DYQANXHIK – PA NAM E NISHAN!

“Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të mos e shqetësojë fqinjin e vet”. (Hadith)

Shkruan: Ismail Bardhi

Para disa ditësh pashë se ishte rrënuar barnatorja në lagjen tonë të Dyqanxhikut. Sinqerisht u tmerrova. Për çdo ditë që jam duke kaluar përjetoj frikë dhe nënçmim. Ndoshta me të drejtë mund të thoni se ç’është kjo “hipokrizi” e imja, kur çdokush e di që vendbanimet tona të vjetra dita-ditës janë duke u rrënuar nga themeli, duke e humbur në tërësi fizionominë e tyre, si lagjja, ashtu edhe qyteti; thuajse nuk ka mbetur asgjë e paprekur, madje as ato që na tregojnë rrugën si shenja udhërrëfimi, për të cilat te ne janë përdorur fjalët “isharet” dhe “nishan”: pra, jemi bërë lagje pa nam e nishan, të humbur brenda oborrit, rrugës e qytetit. Vendbanimet tona janë shndërruar në diçka që na e mbyll fuqinë e të menduarit dhe historinë e ekzistimit tonë.

Çështjen e rrënimit të “nishaneve” dhe “ishareteve”, respektivisht të barnatores, ia thashë edhe imamit të xhamisë së Dyqanxhikut, hafiz Abdylkerim efendiut, një imam shumë i respektuar, i edukuar, me një lexim të Kur’anit tamam të një hafizi që meriton të jetë imam. E pyeta: “I dashuri hafiz, çka është duke ndodhur? A nuk e sheh se u zbraz lagjja jonë nga shtëpitë e vjetra plot histori dhe traditë? Edhe kjo e fundit, barnatorja, ishte një simbol i mirë dhe kuptimplotë për banorët e lagjes, ku si shumë të tjerë edhe unë kam blerë ilaçe. Njëherë, para shumë vitesh, aty, madje, më ka ndodhur edhe një “incident”, kur pasi u futa në barnatore, pas meje erdhi një burrë që ishte shumë i njohur ndër shqiptarët, i ashtuquajturi agjenti Rauf. Unë, hafiz me sarëk në kokë, asokohe rreth 15-vjeçar. Ai më pyeti: ”Si i ke ata t’tutë në Amerikë?“. (fjalën e kishte për familjen time atje). Faktikisht ai e kishte për detyrë t’i ndiqte dhe t’i merrte në pyetje njerëzit, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim, respektivisht fitne”. Sidoqoftë, hafiz Abdylkerim efendiu më tha: “Hafiz Ismail abi, sipas fjalëve të nënës sime (Merjem hanëmi, e cila ditë më parë ndërroi jetë – Allahu e mëshiroftë), para se aty të ndërtohej barnatorja ka qenë një vakëf, teqe (melamite) dhe është quajtur “Teqeja e Kara abës”. Sa i përket Kara abës, edhe mua ajo më kujtohet shumë mirë, për arsye se si fëmijë, kur mësoja Kur’anin te daja i këtij imamit, rahmetli hafiz Idriz efendiu, ne e vizitonim atë për ditën e Bajramit, që ishte një zonjë e moshuar asokohe dhe që jetonte në një shtëpi ku tani është një dyqan për lodra, përballë xhamisë së Dyqanxhikut. Karakteristikë për atë zonjë, Zoti e mëshiroftë, ishte se ajo gjithmonë na gëzonte me dhurata në ditën e Bajramit. Në fakt, rahmetli Kara aba, fillimisht paska jetuar afër teqesë, por pas rrënimit të objektit nga komunistët, ajo qënka zhvendosur te shtëpia që e përmenda.

Lagjja e Dyqanxhikut ka pasur edhe disa nishane të tjera të vjetra, si p.sh. aty ku sot gjendet rruga e famshme e “plastikave”, ka qenë një çezme dhe një objekt fetar. Po ashtu, edhe në afërsi të shkollës, përveç teqesë në fjalë, ka pasur mure të vjetra të ndonjë objekti fetar. Edhe këto u rrënuan para më shumë se 40 vjetësh, pra gjatë komunizmit. Pastaj, karakteristikë e kësaj lagjeje ishin shtëpitë e vjetra me oborre të rrethuara me avlli dhe me “kapixhike”. Por, të gjitha oborret ishin të zbukuruara me lule, sidomos me hardhi rrushi. Nuk duhet harruar këtu se kjo lagje nuk ka pasur rrjet kanalizimi dhe ujësjellësi. Rrjeti i ujësjellësit u instalua aty nga viti 1968. Të gjitha shtëpitë ishin të lidhura me njëra-tjetrën përmes atyre “kapixhikëve”. Kultura e çajit pas ikindie ishte e pranishme nëpër shumicën e shtëpive, sidomos në ato të familjeve të hoxhallarëve dhe ishte, si të thuash, një ritual i përshpirtshëm, sepse aty e shihje edhe edukatën e fëmijëve ndaj prindërve dhe të prindërve ndaj fëmijëve.

Shtëpitë e hoxhallarëve ishin ato të rahmetli Mehmed efendiut, një dijetar i pajisur me dituri dhe kulturë të lartë të fesë dhe historisë dhe vaiz i njohur në xhaminë e Isa Beut; pastaj ajo e hafiz Ibrahim efendiut, respektivisht djemve të tij, hafiz Idriz efendiut dhe hafiz Ademit efendiut, të cilët kanë qenë të angazhuar në xhaminë e Dyqanxhikut, në atë të Jelen Kapanit dhe në xhaminë Allaxha; pastaj shtëpia e një alimi me një histori të rëndësishme për kulturën e Islamit, Nimetullah efendiu, i biri i Ataullah efendi Kurtishit, i cili ishte imam në xhaminë e Ballabanit. Kur përmend Ataullah efendiun, nuk duhet harruar rolin e tij në themelimin e medresesë “Medah”, ku janë shkolluar një numër i madh alimësh sipas sistemit klasik tradicional. Në lagjen e Dyqanxhikut jetonin edhe dy hoxhallarë që ecnin me sarëk (shall) në kokë, haxhi Shaip efendiu, nëpunës i lartë në Bashkësinë Islame të atëhershme, dhe haxhi Zyhdi efendiu. Vlen të përmendet edhe emri i hafiz Xhemail efendiut, i cili pas largimit nga Kumanova vendoset përballë shkollës në këtë lagje; një dijetar ky që ka qenë i burgosur nga ish sistemi, nën pretekstin e “nacionalizmit” shqiptar, por në fakt për arsye të bindjeve fetare dhe dashurisë ndaj vatanit, qytetit dhe lagjes.

Në këtë lagje ka pasur po ashtu edhe disa shtëpi të krishterësh, që nuk janë më, edhe pse me shumicë banorët e lagjes kanë qenë myslimanë dhe qytetarë të vjetër të Shkupit. Është me rëndësi se asnjëherë nuk kam parë ndonjë incident ndërfetar këtu, por jam dëshmitar i asaj se ka mbretëruar një respekt i ndërsjellë, në veçanti ndaj traditës fetare të njëri-tjetrit.

Në vitin 1963 lagjja e Dyqanxhikut humbi shumë nishane ose objekte fetare dhe shtëpi/vakëfe, që u rrënuan si pasojë e tërmetit, në mesin e të cilave edhe xhamia më e bukur, e cila mbeti me vite të tëra në rrënoja. Në fakt shpëtoi vetëm minarja, që thuajse nuk u prek fare nga ai tërmet. Më kujtohet që rahmetli babai im (haxhi Abedini), Allahu e mëshiroftë me xhennet, me disa shokë disa herë edhe në kohën e komunizmit pati grumbulluar nënshkrime dhe pati dërguar kërkesa deri te institucionet e qytetit për rindërtimin e xhamisë. Mirëpo, përpjekjet mbetën pa asgjë konkrete, ngaqë nisma e tillë nuk pati përkrahje as nga Bashkësia Islame e atëhershme.

E tani ç’të flasim për Dyqanxhikun e sotëm? Me çka është e njohur kjo lagje? Sa ka kuptim ajo që të mbetet në kujtesë për fëmijët tanë? Përgjigjen më të mirë do ta merrni nëse me vëmendje, respektivisht me mendje në kokë, ecni dhe e vështroni këtë lagje që ka mbetur pa nam e nishan. As brezat që lindin brenda këtyre 20 viteve nuk kanë mundësi ta njohin lagjen e tyre; faktikisht, fëmijët e kësaj lagjeje janë të humbur edhe në oborrin e tyre. Rrënime, ndërtime, shkatërrime: kjo është fotografia e sotme e kësaj lagjeje. Jo vetëm që i kapërcen të gjitha dimensionet e një lagjeje që duhet të mbetet e tillë, me një histori të rëndësishme, por ajo është bërë tamam si ato “ndërtesat” nëpër filmat horor ose apokaliptik. Me këtë fare nuk mëtoj ta fyej dikë që sot jeton në këtë lagje, por dëshiroj t’i them se kjo që po ndodh është kundër nesh, kundër jush dhe këtë nuk e kanë bërë “shkijet” e as komunistët, por jemi duke e bërë ne; ne që edhe rrugët i zaptojmë duke falur namaz dhe që pandërprerë themi “selam alejkum vëlla”. Çfarë paradoksi! Thua se ne nuk e dimë se çfarë do të thotë të ruhet privatësia, qytetaria, qytetërimi ynë, të ruhet qetësia e fëmijëve, kënaqësia e nënave tona, që sot janë burgosur nëpër shtëpitë 3-4-katëshe, që nuk kanë kurrfarë shijeje, përpos që janë ndërtime tamam horor për vete. Mos e dhëntë Zoti të përsëritet ’63-shi. E sa i përket rrjetit të kanalizimit, ujësjellësit, nuk duhet thënë gjë, ngaqë fare nuk interesohet për këtë. Para disa muajsh e pamë se si me ditë të tëra “buronte” ujë në mes të rrugës kryesore të lagjes; nuk e di se çfarë ishte, vetëm e di se kishte erën e pistë, ndërsa askush nuk pati mundësi të bëjë asgjë. Kur i shihni shtëpitë dhe ndërtimet “madhështore”, që janë bërë këtu, nuk keni mundësi ta besoni se diçka e tillë mund të ndodhë, sepse pamjet e tyre tregojnë se ato i kapërcejnë përmasat dhe mundësitë e njerëzve të varfër. Ja mjerimi, si i të varfërve, ashtu edhe i të pasurve!

Më në fund, elhamdulil-lah, xhamia e Dyqanxhikut u rindërtua me ndihmën e vëllezërve muslimanë nga Sharika dhe nga Turqia dhe ajo është bërë një xhami e bukur. Natyrisht se ka pasur kontribute edhe nga xhemati i lagjes, por edhe më gjerë. Së fundmi, në këtë xhami gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është duke u lexuar Kur’ani në tërësi (mukabele) nga hafizët tanë. Por, a mjafton vetëm rindërtimi i xhamisë dhe leximi i mukabeles në këtë lagje? Assesi! Përshkrimi i mësipërm dëshmon rrezikun e madh për këtë lagje, sepse ka humbur gjithçka: sot nuk ka mundësi të flitet për një histori, për një traditë, e cila mundëson qytetërim dhe kulturë në përgjithësi, saqë edhe “nishanet” fetare janë duke i kapërcyer përmasat mbështetëse në thëniet e Pejgamberit a.s., me zhurmën e tepruar dhe pengimin e atyre që kalojnë rrugën, e të mos flas për parkimin e veturave, që është bërë tmerr i veçantë nënçmues për besimtarët dhe banorët jo vetëm të lagjes, por edhe më gjerë. Mjafton vetëm ta kujtojmë një hadith të Pejgamberit a.s. që thotë: “Kur fqinji të kërkojë ndihmë nga ti – ndihmoji; kur të sëmuret – vizitoje; kur e gjen ndonjë e mirë – uroja; kur e godet fatkeqësi – ndjej dhembshuri për të; kur të vdesë – shkoji në xhenaze; mos e ndërto shtëpinë lartë, që të mos i bësh strehë, përpos nëse ai të lejon; mos e shqetëso me aromën nga tenxherja jote, përveç nëse edhe atij i jep nga ajo; nëse blen fruta – jepi atij nga ato, e nëse nuk je në gjendje ta bësh këtë, atëherë futi ato në shtëpi që ai të mos i shohë; dhe fëmija yt me atë le të mos dalë jashtë në oborr, që fëmija e fqinjit të mos e dëshirojë të njëjtin.”

E them me keqardhjen më të madhe se te ne po krijohet një shprehi, tamam si ajo e qenve, që dikush të shkojë ta bëjë pis një vend dhe pastaj ta rrethojë atë si të vetin; pra, nëse sheh se dikush i ngul ca kunja diku, u morr vesh se ç’është puna: ja dyqan dykatësh, ja dyqan trekatësh, ja dyqan me podrum plus tre kate, duke i harruar tri anët e tjera të botës, pa i interesuar fare kanalizimi e shqetësimi i njerëzve të mëhallës. Unë isha dëshmitar i rrethimit të vendit ku ishte dikur barnatorja, por dëgjova se pati një nismë që kjo punë të ndërpritet për shumë arsye (nuk flas për rikthimin e objektit sakral, por për barnatoren), aq më tepër se objekti kufizohet me shkollën fillore të lagjes, e ndërtuar kaherë, që fillimisht mbante emrin “Jane Sandanski”. Kjo ishte shkollë ku ka pasur paralele me mësim në gjuhën shqipe, maqedonase dhe turke, dhe me sa më kujtohet, në kohën kur unë mësoja aty, kishte më shumë paralele në gjuhën turke.

Pyetjen kryesore që ia parashtrova vetes ishte se cila komunë është përgjegjëse për këtë lagje; lagjja më parë i ka përkitur komunës Qendër, ndërsa tani qenka nën komunën e Çairit dhe ky rrënim/ndërtim a bëhet me lejen e Komunës apo jo? Për këtë akoma nuk kam njohuri. Por, sipas natyrës së zhvillimit të gjërave, është e qartë se këtu diçka nuk shkon, si lejimi ashtu edhe moslejimi janë të paligjshme. Por, më e dhimbshmja dhe më e turpshmja është se drejtoria e shkollës në fjalë hesht gjatë kësaj masakre urbanistike, që u ndodh në oborr, ngaqë fëmijët e shkollës tashmë nuk mund të marrin frymë nga asnjëra anë, për shkak të gjithë atyre ndërtimeve përreth (mos dhëntë Zoti që drejtori të ketë lejuar diçka të tillë!). Këtu nuk e shoh fajtor “ndërtuesin” ose blerësin e vendit, por megjithatë çdokush duhet të mbajë përgjegjësi. Ne, njerëzit e lagjes së Dyqanxhikut, jemi të thirrur, të detyruar, e sidomos kur i themi vetes që jemi besimtarë dhe qytetarë, që ta kemi parasysh thënien e Profetit a.s.: “Nuk është musliman ai, nga dora dhe gjuha e të cilit nuk janë të sigurt të tjerët”. Këtu nuk bëhet fjalë as për dorën, as për gjuhën, sepse këtu nuk ka siguri për askënd nga asnjë anë. Sipas disa të dhënave, shkolla në fjalë ka dhënë disa hapësira të objektit me qira. Këtë e them nga ajo që më shohin sytë se si njerëz punojnë ose tregtojnë brenda vetë godinës së shkollës, e jo vetëm oborrit. Me çfarë kuptimi e me çfarë të drejte e bëjnë këtë nuk e di, përpos që e di se diçka nuk është në rregull.

Pasi që jemi edhe në prag të zgjedhjeve lokale, e shoh të udhës ta them edhe këtë se kjo komunë nuk e ka fatin e të gjitha komunave të tjera dhe kjo për shumë arsye: të gjitha kanë mundësi të flasin se si dhe çfarë plani do të kenë për ta ndërtuar komunën. Nëse kjo komunë dëshiron të mbetet komunë e njerëzve të qytetëruar, ajo e ka të domosdoshme që së paku t’ia kthejë atë qetësi që e ka pasur ajo, që do të thotë “ta rrënojë” këtë komunë. Komuna e Çairit, sidomos hapësira e parkut, kanë qenë lakmi edhe për banorët maqedonas të Shkupit, për shkak të ndërtesave, parkingjeve dhe zonave të gjelbëruara të bëra me plan, ku mbretëronte qetësia, rehatia, pastërtia dhe rregulli. Sot, për fat të keq, edhe ajo që ishte në rregull është çrregulluar nga themeli. E ç’të themi për lagjen e Gazibabës, Dyqanxhikut, Serovës, Çeshme mëhallës…? Kjo nuk është fare kritikë ndaj një partie, sepse i kapërcen të gjitha përmasat urbanistike, arkitektonike, qytetare dhe qytetëruese, për çka nuk ka nevojë të flitet, ngaqë në botën moderne, por edhe te ne, janë caktuar standarde: para se të ndërtohet objekti, fillimisht duhet të rregullohet kanalizimi; para se të lindë fëmija, medoemos duhet t’i caktohet varri. Ne veprojmë anasjelltas. E sot çfarë dëshirojmë të bëjmë kështu: mburremi me ndërtimin e objekteve fetare, megjithëse nuk e di se çfarë dëshmojmë: fe apo hipokrizi? Ky realitet i hidhur na e mbyll gojën për gjithçka – ne nuk kemi të drejtë të flasim e as t’u ofrojmë qytetarëve diçka për të ardhmen si Komunë e Çairit; kjo është e vetmja komunë që është e dënuar të flasë për të kaluarën dhe t’i kthehet të kaluarës; përndryshe “nevojën” do ta kryejmë nga vende jo të natyrshme. Kjo dëshmohet pas çdo reshje shiu, kur shohim se si familjet tona kërkojnë medet dhe derman.

Nuk duhet harruar se lagjja ka pasur dhe ka domethënie të rëndësishme vetëm atëherë kur mundëson qetësinë, lehtësimin dhe dashurinë e të jetuarit, aty ku njerëzit kanë mundësi të mësojnë nga çdo shenjë e lagjes, ku krijohet dhe zbukurohet fjalori i qytetarëve dhe krijohet qytetërimi; ku dëgjohet zëri dhe mbretëron heshtja e kuptimtë, ku ke mundësi që fëmijëve t’ua mësosh historinë. Sot çfarë mund të flitet për lagjet tona, përpos për ndërtimet, respektivisht për burgosjen e trupit. Shumica e njerëzve vetëm ankohen nga fitimet dhe borxhet që kanë, e të mos flasim për kuptimin dhe përgjegjësinë e qytetëruar nga fqinjëve. Ne sot nuk dimë se si t’u flasim fëmijëve tanë. Ata nuk kanë mundësi të mësojnë asgjë nga mentaliteti që ndërton pa leje dhe uzurpon paturpësisht, si dhe shkatërron gjithçka që e simbolizon të kaluarën dhe qytetarinë e lagjes. Lagjja jonë është bërë lagje që nuk ka bibliotekë, nuk ka librari, nuk ka barnatore. Lagjja jonë e ka humbur kuptimin e të jetuarit. Lagjja jonë bëhet jo ashtu siç duhet, por ashtu siç i “vjen” për qejfi dikujt. Lagjja jonë ka marrë formën e varrit masiv. Sa mirë është përshkruar gjithë kjo në thënien profetike se ndër shenjat e kijametit është kur “…çobanët do të garojnë me ndërtesa të larta...”.

Prandaj, lagjja e Dyqanxhikut e ka të domosdoshme të krijojë një grup njerëzish të urtë, të mençur, të edukuar, pa marrë parasysh “mjekrën” apo “jo-mjekrën”, por në asnjë mënyrë me vagabondë dhe banditë, që me kabadaillëk mundohen “të rregullojnë” diçka. Ky grup duhet të kërkojë derman nga ky tmerr i madh që i bëhet lagjes, sepse nuk është mirë të presim që dikush tjetër të mund të na i rregullojë punët tona; këtë duhet ta bëjmë ne vetë, mu ashtu siç e bëjnë këtë njerëzit e qytetëruar, të edukuar e të frymëzuar me heshtjen dhe dashurinë e lutjes dhe familjes. Përndryshe, për një kohë shumë të shkurtër fëmijët tanë dhe nënat tona do të çmenden dhe as që do të duan të jetojnë në një ambient të këtillë, ku do të mbeten vetëm ndërtimet e zbrazëta pa nëna, pa fëmijë dhe pa nipër e mbesa. Duhet ta kemi të qartë se nëse dikush merret me ne si muslimanë dhe si shqiptarë, ai merret me atë se si ne ndërtojmë, çka ndërtojmë dhe çka lëmë pas nesh; sipas kësaj, del se ne jemi shumë të ndërlikuar për t’u kuptuar.

Shkup, 9 tetor, 2017