` . Ky vend (s’)do të bëhet - TV-SHENJA

Ky vend (s’)do të bëhet

 Fataliteti lidhet ngushtësisht me humbjen e shpresës se gjërat do të marrin për mbarë. Humbja e shpresës është edhe më e rëndë sesa vuajtjet që ka kaluar ky vend për të mbërritur këtu ku është, edhe pse me shumë e shumë vështirësi. Në çastin që humb shpresa humb dashuria ndaj vendit, humb sakrifica për rindërtimin e tij, humb kuptimi i të jetuarit në këtë vend, edhe pse ende nuk janë larguar, por presin të largohen në rastin më të parë

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Periudha kohore në të cilën jetojmë është e mbushur me vrunduj idesh, mendimesh, analizash, të cilat rrahin të qartësojnë rrugët që duhet të ndjekin shqiptarët për t’iu bashkëngjitur zhvillimeve më pozitive, me qëllim që jeta në vendin ku jetojmë të jetë sa më pranë standardeve të vendeve të zhvilluara.

Sekush mundohet të ofrojë parashtrime, të japë shpjegime, udhëzime, të nxjerrë konkluzione si e qysh duhet vepruar për të kapur ritmin e praktikave më të përparuara në fuqizimin e zhvillimeve të një vendi. Janë apo jo kompetentë për sferën që mëtojnë të lëvrojnë, ajo është një histori tjetër. Me rëndësi në këtë rast është mënyra se si e perceptojnë ecjen përpara. Si i vizatojnë karakteristikat që duhet të ketë individi i kësaj shoqërie dhe, mbi të gjitha, a janë po vetë individë të këtij kallëpi që vizatojnë për gjithë masën tjetër të shoqërisë?

Vendi në të cilin jetojmë ka potenciale të mëdha natyrore, mbi dhe nëntokësore. Në pikëpamjen natyrore nuk i mungon asgjë për të qenë në rangun e vendeve me zhvillime të standardeve të larta. Natyrisht që nuk duhet kaluar në eufori, duke e menduar veten si kërthizë e botës, por vlerësimi të jetë real, faktik. Edhe përtej infrastrukturës natyrore ende mbetemi shoqëri me mjaft probleme në zhvillimin kulturor dhe institucional.

Në çdo analizë të parashtruar nuk duhet harruar kurrsesi se vendi ynë ka dalë prej një izolimi të gjatë kulturor, politik, ekonomik, fetar, kjo si pasojë e qeverisjes prej 47 vjetësh të totalitarizmit komunist. Shpërgënjtë, të cilët e lidhin shoqërinë shqiptare kanë hyrë thellë në qelizat kulturore të këtij vendi dhe të çlirohesh prej tyre nuk është aq e thjeshtë sa mund të duket, kur merr lapsin dhe teorizon si duhet ndërtuar shqiptari dhe Shqipëria.

Njëzet e tetë vjet më pas, pas ndërrimit të sistemit politiko-ekonomik, individi shqiptar ende endet në dilemën e madhe nëse një ditë do ta shohë apo jo këtë vend të ndriçuar e lulëzuar, ashtu si e përfytyronin rilindësit e mëdhenj shqiptarë të shekullit XIX. A mund të mos ishte e pranishme kjo dilemë? Natyrisht që mundej të mos ishte, por fakti mbetet fakt. Prania e kësaj dileme është njëkohësisht dhe mundësia për t’i dhënë përgjigje.

Ky vend s’do të bëhet. Nuk është pak pjesa e shoqërisë që çdo ditë gdhihet e ngryset duke ia përsëritur vetes refrenin e kësaj kënge të trishtë. Dhe, duke e përsëritur çdo ditë këtë refren, i përforcohet bindja deri në patjetërsueshmëri fatale. Ky vend s’do të bëhet ndonjëherë. E ka marrë lumi. Keq e më keq po shkon. Nuk pamë një ditë të bardhë në këtë vend. Të ikim një orë e më parë e ta shpëtojmë veten dhe të ardhmen e fëmijëve. Dhe, nuk e thonë këtë vetëm ata të cilët janë të lindur pas vitit 1990-të e nuk dinë ç’do të thotë të jetosh në izolim, por e thonë edhe ata të cilët përballuan një nga regjimet më të zymta, me të egra që njeh historia njerëzore.

Fataliteti lidhet ngushtësisht me humbjen e shpresës se gjërat do të marrin për mbarë. Humbja e shpresës është edhe më e rëndë sesa vuajtjet që i ka kaluar ky vend për të mbërritur këtu ku është edhe pse me shumë e shumë vështirësi. Në çastin që humb shpresa, humb dashuria ndaj vendit, humb sakrifica për rindërtimin e tij, humb kuptimi i të jetuarit në këtë vend; edhe pse ende nuk janë larguar, presin të largohen në rastin më të parë.

Kjo gjendje i ka arsyet e veta, por më së shumti lidhet më dëshirën e ethshme që ka kjo pjesë e shoqërisë për ringritje të shpejtë ekonomike në kohë të shkurtër, duke bërë krahasime të pajustifikueshme nga perspektiva historike me vende të cilat, për të mbërritur aty ku janë sot, kanë mbi dyqind e kusur vite ose diçka më pak, që punojnë, pa harruar të shtojmë dhe shfrytëzimin kolonial të shumë e shumë vendeve të tjera në favor të tyre. Dhe, sot në kontakt me informacionin për këto zhvillimeve, ne duam të katapultohemi në nivele të tilla pa kaluar trasenë historike që çojnë në këto standarde. Ne e duam zhvillimin, por nuk e duam rrugën, procesin historik të ndryshimeve, përmes të cilit duhet kaluar pashmangshëm që të kuptohet se çfarë do të thotë zhvillim i njëmendtë. Është e njëjta situatë sikur një njeri të dëshirojë të bëhet i ditur pa lexuar një kohë të gjatë dhe më pas humb shpresat e thotë që unë nuk mund të bëhem ai që dua. Pa punë askush nuk mund të bëhet ai që ëndërron të bëhet.

Ky vend do të bëhet. Edhe pse mund të jenë të paktë që e besojnë këtë ëndërr, nuk na humb e drejta të shpresojmë. Ky vend do të bëhet. Do të bëhet kur ne të shpresojmë. Kur ne ta duam këtë vend dhe përtej barrierave, përtej vështirësive ta bëjmë sakrificën vetjake, duke mos e braktisur. Edhe në qoftë se largohemi jashtë këtij vendi, t’i ruajmë lidhjet me të. Është vendi ynë. Vendi i kujtimeve tona. Vendi ku secili që është larguar ka një pjesë të jetës këtu. Njeriu nuk është thjesht makineri konsumi, komoditeti e luksi. Para këtyre është qenie me ndjenja dhe emocione. Nuk mund të fashiten ose varrosen përgjithmonë në emër të rehatisë.

Ndoshta ky vend sot nuk ta ofron atë që e ëndërron, por si do të ta ofrojë nëse nuk sakrifikon qoftë edhe pak për të? Pa djersitur, pa u lodhur, pa sakrifikuar për t’u bërë njerëz më të mirë, nuk mund të bëhet ky vend. Pa a nuk e duan shqiptarët të mirën, të drejtën, njerzillëkun, kulturën? Besoj që e duan. Por, rrethanat e zhvillimeve ndoshta i kanë tjetërsuar në këto pika, duke u mbivendosur gjëra të huaja për natyrën dhe karakterin e tyre. Duke punuar të gjithë nga pak me dashuri dhe shpresë për ta risjellë më të mirën e shqiptarëve, që të kemi njerëz më të mirë kulturalisht, do të hyjmë në trasenë e procesit historik të bërjes së këtij vendi. Rruga është e gjatë, por rrugë tjetër nuk ka.