` . Kush kërkon kaos në Ballkan? - TV-SHENJA

Kush kërkon kaos në Ballkan?

A është i mundur edhe skenari amerikan? Po, por jo në këtë moment. Ndoshta disa muaj më vonë, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet në Francë dhe Gjermani dhe pasi të jetë konsoliduar Turqia pas referendumit. Nëse Amerika ka një qëllim, që të rikthehet në të gjitha pikat neuralgjike, përfshirë edhe Ballkanin, ku paraprakisht kanë penetruar këto dy shtete, asaj i duhet kontekst, por një kontekst që do ta krijojë vetë ajo.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Këto ditë përjetuam një dramë serioze psikologjike. Në prag të festave të Pashkëve opinioni u traumatizua me paralajmërime për sulme terroriste, tentativë ose përgatitje për likuidim të figurave kyçe politike në Kosovë dhe Shqipëri. Që kjo dramë të fitojë seriozitet, u përkujdes ambasada amerikane në Shkup, duke lëshuar deklaratë me të cilën e paralajmëronte stafin e saj që të jetë syçelë në ditët në vijim para dhe gjatë festave të Pashkëve. Kosova edhe më tej e dramatizoi situatën, pasi thirri Këshillin e Sigurimit që ta shqyrtojë gjendjen e krijuar. Këto paralajmërime, si një bombë që pritej të shpërthejë, krijuan atmosferë sikur regjioni është para kaosit. Pas këtij shoku të parë filluan komentet dhe spekulimet nga publicistë e krijues të opinionit, që prej atyre më serioze, e deri tek ato më banalet. Kështu, disa e relativizuan situatën aq shumë, saqë e quajtën një lojë të elitave të korruptuara politike shqiptare gjithandej nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Megjithatë, këtë moment duhet trajtuar më seriozisht, veçmas kur kemi parasysh se, përskaj skenës së vogël ku luajnë politikanët lokalë, në prapashpinë shkon edhe një lojë tjetër globale, të cilën do të mundohemi ta analizojmë që të mund të nxjerrim eventualisht korrelacionin me lojën tonë lokale.

Aktor kryesor në teatrin e madh paraqitet një kauboj i kohës moderne, që nuk gjuan me revole kot mbi indianë, por me Tomahawk dhe “Nënën e të gjitha bombave” në Siri e Afganistan. Së fundi kërcënon se mund t’i përdorë nëndetëset më të sofistikuara në Korenë e Veriut. Duket se presidenti Trump, që dikur deklaronte se nuk do ta angazhonte Amerikën në luftëra jashtë vendit, nën presionin e opinionit publik ose në funksion të realizimit të vizionit të ri, bën të kundërtën. Ndonëse është herët për t’u vlerësuar strategjia e tij për politikën globale, por nga veprimet e gjertanishme lë të kuptohet se, megjithatë, diçka serioze po ndodhë. Shikuar nga pikat që për momentin janë në shënjestër, mund të nxirret ky konstatim; nga të gjitha frontet prej ku paraprakisht u tërhoq paraardhësi i tij Obama, Trump-i rikthehet. Këtë e bën me një taktikë të re, e cila mund të përshkruhet si: “Sulmo e bisedo ose bisedo e sulmo”. Kjo krijon shumë konfuzion dhe paqartësi. Rusia, e cila në fushatën parazgjedhore u deklarua për mike, sikur u shndërrua në armikun kryesor, kurse Kina, që shihej vendi që më së shumti e dëmtonte Amerikën, promovohet në vend mik. Pse? Të mundohemi t’i arsyetojmë rastet një nga një.

Pikësëpari duket se fuqia kryesore botërore nuk mund të pranonte ta humbë vendin e vet në tavolinën e bisedimeve për Sirinë. Për t’u kthyer atje, presidenti amerikan urdhërojë të gjuhen 59 tomahovka mbi një aeroport, nën pretekstin se prej aty është shtënë me armë kimike ndaj civilëve. Rusia u mundua ta demantojë dhe kundërshtojë, por pa sukses. Bombat ndodhën, por me këtë as bombardimet nuk morën fund, as viktimat u ndalën, e ku më Shteti Islamik të jetë mundur, por ai arriti të gjejë vend në tavolinë pas këtij konteksti. Takim i Sekretarit të tij të Shtetit me Putinin dhe Lavrovin e vërtetoi këtë. Disa ditë më pas kryetari amerikan do të bëjë një shënim në Twiter: “Marrëdhëniet me Rusinë do të jenë të mira”.

Në Afganistan Trump-i e testoi bombën më të madhe jobërthamore të prodhuar ndonjëherë mbi ca male e shkrepa, edhe pse paraprakisht paraardhësi i tij Obama e tërhoqi pjesën më të madhe të ushtrisë nga ky vend. Për dëmet e kësaj bombe asnjë burim i pavarur nuk lajmëron, përveç një komunikate nga qeveria afgane se aty ka 36 terroristë të vrarë. Së fundi për t’i dhënë një lloj peshe këtij veprimi, u deklarua një numër prej 96 të vrarëve, por prapë të pakonfirmuar nga asnjë burim tjetër i pavarur. Efekti anësor i këtij veprimi del të jetë rikthimi shtesë ushtarak në këtë vend.

Në vazhdën e këtyre aktiviteteve Trump-i  paraprakisht e ftoi presidentin e Kinës në Shtëpinë e Bardhë dhe kërkoi nga ai të ndikojë në Korenë e Veriut që ajo të ndalojë me programin bërthamor dhe, në të njëjtin moment, nisi aeroplanmbajtësen drejt brigjeve të këtij vendi. Armiku i deklaruar në kampanjën parazgjedhore u shndërrua në mik, saqë prapë Trump-i në Twiter-in e tij do të shënojë: “Takova një njeri shumë të veçantë”.

Tani mund të shtrojmë dilemën: a është kjo taktikë, që parullën parazgjedhore “Amerika, e para” e materializon në stilin “unë jam më i forti”? Apo, këtë qëllim do ta materializojë me porosinë “Së pari do t’ju gjunjëzoj, pastaj do të bisedoj”. Kjo mund të jetë taktikë, por a ka strategji? Kjo pritet të shihet. Nëse një taktikë nuk është në funksion të realizimit të një strategjie, atëherë parashikimet e pesimistëve se ardhja e tij për president paraqet rrezik për botën, janë reale. Në funksion të këtij qëndrimi, ata argumentojnë: kur njeriu i parë i shtetit është i paparashikuar, ai prodhon politika të paparashikuara. Gjegjësisht, nëse Amerika dikton me politikat globale, atëherë duhet të pajtohemi me faktin se tani e tutje bota nuk do të udhëhiqet nga rregullat dhe parimet, por nga interesi dhe fuqia. Megjithatë, unë nuk jam krejt i bindur me këtë qëndrim. Besoj se, megjithatë, ka një strategji.

Në funksion të argumentimi se veprimet e Trump-it nuk janë pa strategji dhe pa qëllim, do të mundohemi që aksionet e ndërmarra t’i vendosim në një rend logjik. Të shohim se ku u intervenua dhe pse? Këtu duket qartë se ndiqet një logjikë. Intervenimi në Siri dhe Afganistan mund të kualifikohen si intervenim në vende ku paraprakisht kishte penetruar Rusia, kurse Koreja e Veriut është nën ndikimin kinez. Pra, Trump-i tenton t’i mbyllë çështjet e hapura jo me pasivitet, duke i lënë në harresë, por me aktivitet, duke i rihapur ato.

Jam i prirë të konstatoj se presidenti Trump ka një strategji që tenton ta realizojë me një taktikë që mund të përshkruhet si: “Shkakto një kaos/kontekst, që të zgjidhësh një problem!”. Si realizohet kjo? Në kaos nuk ka rregulla. Atëherë vlejnë rregullat e të fortit. Kjo do të thotë: “Amerika është më e forta”, andaj ajo vendos rregulla. Duke e pasur parasysh këtë, strategjinë e tij gradualisht mund ta vendosim brenda konturave “Amerika e para”. Nëse pak më me kujdes i shikojmë punët del se nga të gjitha ato tavolina, nga të cilat Obama paraprakisht u largua, Trump-i tani kthehet, bile është në krye të tyre. Pasi e kemi marrë për të vërtetë situatën globale nën ndikimin e strategjisë së re amerikane, si mund ta shpjegojmë situatën momentale dhe cilat janë pritshmëritë për regjionin. Është për t’u pritur që veprime të ngjashme të ndodhin edhe në vende të tjera? Në vende ku këto dy qendra kërkojnë hapësirë për pozicionim. Ato vende mund të jenë Irani dhe Ballkani Perëndimor.

Nëse e pranojmë faktin se është i mundur një kontekst në regjion, duhet të kërkojmë sqarim në pyetjen se kujt i duhet në këtë moment dhe kush mund ta shfrytëzojë alarmin që u lëshua ditë më parë? Përgjigjen e kësaj duhet kërkuar së paku në dy pista. Së pari, duke iu referuar disa burimeve të pakonfirmuara se pas kërcënimeve për likuidim dhe terrorizëm në Kosovë dhe Shqipëri qëndron Rusia. Kjo ka logjikë gjeostrategjike. Në mbështetje të këtyre burimeve të pakonfirmuara mund të radhiten këto argumente: pas befasisë që i bëri Trump-i Rusisë në Siri, është për t’u pritur që së paku për ta qetësuar opinionin e tij të brendshëm, si dhe për ta ruajtur dinjitetin dhe prestigjin, ky vend të kërkojë revansh. Por, a është i mundur edhe skenar i dytë. Ai amerikan. Po, por jo në këtë moment. Ndoshta disa muaj më vonë, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet në Francë dhe Gjermani dhe pasi të jetë konsoliduar Turqia pas referendumit. Nëse Amerika ka një qëllim, që të rikthehet në të gjitha pikat neuralgjike, përfshirë edhe Ballkanin, ku paraprakisht kanë penetruar këto dy shtete, asaj i duhet kontekst, por një kontekst që do ta krijojë vetë ajo.

Për këtë nuk i duhet shumë angazhim. Në Maqedoni kemi një situatë të padefinuar, por me një disponim antiamerikan në rritje. Shqiptarët që deklarohen pro-amerikanë dhe pro-evropianë janë komplet të deligjitimuar nga popullata e tyre për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë për të t’ia përmbushur nevojat popullatës që e  përfaqësojnë. Këto elita politike, për momentin, bëjnë pazar korrupsionin e tyre “me orientimin e tyre pro-perëndimor dhe mbrojtjen e Perëndimit nga Lindja”.

Ky Pazar i shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni mund të përshkruhet kështu: ne ua japim juve mbrojtjen nga ekstremizmi islam, kurse ju mbyllni sytë ndaj krimit dhe korrupsionit. Por, a mund të jetë ky pazar afatgjatë? Nuk besoj. Ka një definicion të pashkruar: krimi dhe korrupsioni prodhon terrorizmin dhe ekstremizmin. Kjo do të thotë se ai që e prodhon një të keqe, nuk mund ta luftojë atë. Shembulli i Greqisë, Italisë së Jugut dhe Amerikës Latine, ku gjatë Luftës së Ftohtë ndikimi i komunizmit u ndalua me hunta dhe mafi, është shembulli më i mirë i një eksperiment i tillë. Ato vende edhe sot e kësaj dite i vuajnë ato pasoja. Ato edhe sot e kësaj dite kanë problem me stabilitetin dhe demokracinë. Evropës nuk i duhet të përsërisë një gabim të vjetër.

Nëse ne dhe bota progresive jemi seriozisht të interesuar që regjioni dhe Evropa të jetë e mbrojtur nga ky rrezik, duhet bërë diçka më tepër se pushteti i këtyre elitave të korruptuara dhe të kriminalizuara të shihet si shpëtim. Ballkani ka nevojë për një kontekst dhe një fuqi që ka kapacitete ta ndërroja këtë gjendje. Turqia është para provimit të madh në këtë luftë. Nëse me sukses e mbyll problemin me Sirinë dhe terrorizmin, si dhe e përfundon projektin e refugjatëve, ajo mund të jetë partnere adekuate e Perëndimit dhe Amerikës për një luftë të tillë. Andaj mund të parashikojmë: është i mundur një kontekst ku shqiptarët mund të jenë bile ata që do ta iniciojnë, por jo edhe që do ta mbyllin. Ai kontekst mund të mbarojë me një tavolinë, ku në krye të saj mund të jetë Amerika, por përreth saj do të jenë Gjermania (Evropa), Rusia dhe Turqia.

Të konstatojmë: ky alarm nuk është kontekst i krijuar nga Amerika dhe nuk u hyn në punë shqiptarëve. Ky ishte vetëm një reagim instiktiv sa për ta dërguar porosinë se edhe ne kemi kapacitete për të krijuar turbulenca. Situata e padefinuar e status quo-së nuk mund të qëndrojë pa kufi. Kontekst do të ketë, por dikur më vonë. Ai duhet ndjekur me kujdes, sepse mund të thotë shumëçka për shqiptarët.

Postime të Ngjajshme