` . Kush ishte Shuajb El-Arnauti, dijetari kolosal shqiptar që veproi në tokat arabe | TV SHENJA
shuajb-arnauti

Kush ishte Shuajb El-Arnauti, dijetari kolosal shqiptar që veproi në tokat arabe

Dje ka ndërruar jetë një nga dijetarët më të njohur të kohës bashkëkohore, 88 vjeçari shqiptar, Shuajb El-Arnauti, i cili ishte i dalluar dhe i shquar në shkencën e hadithit, më saktësisht merrej me autoktoninë apo ekzaminimin dhe vërtetësinë e hadithit, raporton AA.

Shuajb El-Arnauti, u lind në Damask të Sirisë në vitin 1928, rreth dy vite pas shpërnguljes së familjes së tij, e cila u shpërngul nga Shkodra për shkak të presionit dhe të orientimeve politike që kishte atë kohë Mbreti Zogu i Shqipërisë. I ati i tij, Muharremi, në atë kohë njihej si njeri fetar, prandaj dhe ishte cak i presioneve të asaj kohe, gjë që ndikoi të vijë deri tek shpërngulja e tij.

Dijetari Shuajb El-Arnauti, i cili u rrit dhe u edukua në gjirin e tij familjar nën një kulturë islame ku që në moshë të vogël kishte mësuar bazat e fesë islame dhe shumë pjesë nga Kur’ani, arriti të mësojë gjuhën arabe nga dijetarët më të njohur të kohës së tij.

Njëri nga këta dijetarë që ia mësoi gjuhën arabe për rreth 8 vite, ishte edhe dijetari me origjinë shqiptare, Gavoçi e Nuh El-Albani. Pas mësimit të gjuhës arabe, Shuajb El-Arnauti orientohet drejt mësimit të jurisprudencës islame dhe i mësoi edhe komentimin e Kur’anit, terminologjinë e hadithit, bazat e fesë dhe etikës, etj.

Ai gjatë mësimeve rreth jurisprudencës islame, vuri re se dijetarët e bashkëkohës së tij kishin një lloj ngecje në dallimin e haditheve autoktone prej atyre të hyra në fe apo prej atyre të dobëta dhe të shpifura.

Kjo ishte edhe arsyeja që e orientoi atë drejt mësimit të shkencës së hadithit dhe të merret me kategorizimin e tij. Pas 20 viteve studime të hadithit në Damask, ai u shpërngul në Amman të Jordanisë, ku vazhdoi punën si përgjegjës për vërtetësinë e hadithit në qendrën e një prej shtëpive botuese më të mëdha të vendit.

Shuajb El-Arnauti ka arritur të nxjerrë mbi 240 vëllime të cilat kryesisht ndërlidhen me hadithin, por që ka edituar shumë nga veprat klasike dhe manuskripte nga trashëgimia islame.

Ai e fliste mirë gjuhën shqipe dhe disa herë ishte për vizitë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ndërsa për herë të fundit ishte në vitin 2011 ku dhe mbajti një mori ligjëratash në xhami dhe institucione të ndryshme të këtyre vendeve.

Shuajb El-Arnauti ishte dijetari i fundit kolosal shqiptar që ka jetuar dhe vepruar në tokat arabe. Krahas tij, dijetarë shqiptarë me famë botërore nga tokat arabe ishin edhe Sheikh Nasiruddin Al-Albani nga Shkodra, i cili jetoi dhe ndërroi jetë në Amman, pastaj Sheikh Abdul-Kader Arnauti nga Kosova, i cili ndërroi jetë në Damask, Vehbi Sulejman Gavoçi, si dhe shumë të tjerë.

Botimet dhe nxënësit e tyre sot gjenden në çdo cep të botës arabe.

Postime të Ngjajshme