` . Ku(sh) është heroi!? - TV-SHENJA

Ku(sh) është heroi!?

Heronjtë e kohës moderne nuk janë as liderët e suksesshëm, as ligjëruesit spiritualistë që na “tregojnë” çelësinë e suksesit dhe lumturisë ose liderët me ndikim të fushave të ndryshme. Heronjtë e kohës moderne janë, në fakt, minatorët, të cilët fitojnë çdo ditë nga një betejë me veten dhe me punën e tyre

Shkruan: Teuta BUÇI, Shkup

Hero është epiteti që i vihet një personi që shquhet për një vepër të lartë trimërie e vetëmohimi në luftë a në punë për popullin dhe për atdheun e vet, ai që shquhet për trimëri të lartë dhe për guxim të pashoq për të mirën e popullit. Ky është definicioni që mund ta gjeni në fjalor dhe që e sqaron fjalën hero. Pavarësisht definicionit dhe përkufizimit teorik që mund ta ketë kjo fjalë, kuptimi dhe perceptimi i saj mund të jetë i shumëllojshëm. Heroi mund të ketë edhe shumë modele, të cilat mund të mishërohen te personazhe të ndryshme fiktive, por edhe të kohës. Si i tillë, heroi është i pranishëm në letërsi, filma, histori, por edhe në jetën publike dhe të përditshme të njerëzve. Në këtë mënyrë, heroi ka një ndikim mjaft të madh në ndërtimin e personalitetit që nga vitet e hershme të fëmijërisë.

Në imagjinatën e fëmijëve, të frymëzuar nga librat për fëmijë ose edhe filmat vizatimorë, heroi identifikohet me forcë të pakrahasueshme dhe me personalitete që kanë fizik mjaftueshëm të fortë për t’u përballuar dhe për të mposhtur të gjithë përbindëshat, krijesat e këqija ose për t’ mbrojtur të gjithë njerëzit e pafuqishëm të bashkësisë, që rrezikohen fizikisht nga dikush ose diçka. Në këtë formë janë të thurura edhe përrallat dhe tregimet për fëmijë: gjuetari e shpëton gjyshen dhe kësulëkuqen nga ujku i keq, princi e shpëton Hirushen nga jeta mizore, supermeni i shpëton çdoherë njerëzit nga situatat e rrezikshme.

Me kalimin e viteve, perceptimi i heronjve merr tjetër koncept. Natyrisht, tanimë plotësisht të bindur se heronjtë fiktivë nuk ekzistojnë dhe nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, por janë thjeshtë pjesë e imagjinatës për t’ua bërë botën më interesante fëmijëve, karakteristikat e heronjve i kërkojmë te personazhet reale të kohës kur jetojmë ose edhe periudhave të mëhershme. Tanimë heroi duhet të ketë edhe një rol, që lidhet drejtpërdrejt me situatën tonë aktuale. Tani hero e shohim atë personalitet ose atë ideolog që e vlerësojmë si më të përshtatshëm për ta realizuar një ideal ose kauzë, për t’i zgjidhur situatat e pazgjidhura ose kaosin publik. Edhe pse nuk u besojmë më heronjve fiktivë, ne vazhdojmë të besojmë se diku në ndonjë skaj ose në ajër, duhet të ekzistojë një person që do të vijë dhe ta shpëtojë bashkësinë brenda natës, si me magji. Vazhdojmë të jemi në pritje të një heroi që do të na bëjë neve të mos shqetësohemi dhe të mos merremi më me çështje që kanë të bëjnë me shoqërinë, pasi ato do të jenë më në duar të sigurta. Sepse, tanimë heroi nuk identifikohet me forcën fizike, por me fuqinë dhe ndikimin e tij.

Prandaj, lista e librave më të shitur është e mbushur përplot me tituj që japin udhëzime se si të bëhemi të suksesshëm, si të jemi të lumtur, si të bëhemi liderë. Sepse, e kemi më të lehtë që të mos mundohemi të mendojmë për zgjidhje, por ato t’i marrim të gatshme nga dikush tjetër, që ka kaluar nëpër të njëjtën rrugë. Është e çuditshme se si askush nuk dëshiron të kontribuojë në ndërtimin e heroizmit të ri, por ama entuziazmohet skajshmërisht kur dikush tjetër e bën këtë. E kaplon një dëshirë e zjarrtë për të sjellë në shoqërinë e tij gjithë njerëzit me ide revolucionare e të guximshëm që jetojnë në botë ose ata të cilët kanë sjellë ndryshime të mëdha në të kaluarën.

E, në të vërtetë, heronjtë e kohës moderne nuk janë as liderët e suksesshëm, as ligjëruesit spiritualistë që na “tregojnë” çelësin e suksesit dhe lumturisë ose liderët me ndikim të fushave të ndryshme. Heronjtë e kohës moderne janë, në fakt, minatorët, të cilët fitojnë çdo ditë nga një betejë me veten dhe me punën e tyre. Hero janë punëtorët e mitur, që heqin dorë nga jeta fëmijërore për të ushqyer familjen dhe veten. Janë aktorët, që vazhdojnë ta bëjnë me zell punën e tyre, edhe atëherë kur publiku që e ndjek shfaqjen e tyre nuk numëron më shumë se dhjetë persona. Është mësuesi, që punon për pagë simbolike dhe i shpërfillet profesioni. Hero është çdokush që nuk ankohet vazhdimisht për gjendjen e tij, duke pritur të vijë dikush dhe ta nxjerrë nga situata, por që lufton vet me varfërinë, pasigurinë, shpërfilljet nga të tjerët, me dilemat që mund t’i ketë në kokë dhe që ia del vet.

Ndërkaq, heroike është një shoqëri që arrin ta shpëtojë vetveten nga mjerimi, nga tortura, nga përbuzja dhe nga tallja që i bëhet. Që e kupton se edhe heroi ndonjëherë është i pafuqishëm dhe i nevojitet një shoqëri e vetëdijshme.