` . Kush e zgjodhi Donald Trampin President - TV-SHENJA

Kush e zgjodhi Donald Trampin President

Sinjalet janë që qeveria e Trampit më nuk do t’i ofrojë askujt përkrahje bianko, as Bashkimit Evropian, as shteteve anëtare të NATO-s e as shqiptarëve në Ballkan. Prandaj edhe ne shqiptarët duhet të ndryshojmë sjelljen e të mendojmë si të bëhemi partner vërtet i besueshëm, e jo të mbetemi vetëm objekt që kërkon ndihma e siguri amerikane bianko.

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Zgjedhja e Donald Trampit si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara është etiketuar si “shok” nga një pjesë të elektoratit të SHBA-ve dhe nga pjesa më e madhe të botës, por treguesit kryesorë politikë, ekonomikë, akademikë, etikë dhe gjeostrategjikë dëshmojnë se ka pasur një logjikë për sa i përket zgjedhjes së tij. Pra, ai as nuk ka kandiduar rastësisht, as nuk ka fituar në Partinë Republikane rastësisht dhe as nuk ka triumfuar në garën finale rastësisht.

Elitat arrogante dhe shoqëria e traumatizuar nga kriza

Rruga që ka ndjekur që nga nominimi në partinë e vet e deri te fitorja finale, është një rrugë e trasuar nga ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në SHBA dhe në botë, përkatësisht nga mënyra traumatike se si janë përjetuar e kuptuar në SHBA ato ndryshime. Edhe pse ende është superfuqia e vetme botërore, SHBA-ja është e sfiduar gjithandej, sa nga impulset e brendshme të një shoqërie të traumatizuar nga disa kriza serike, sa nga rivalët e jashtëm, të inkurajuar që ta godasin sa më egërsisht, aty ku munden. Këtu po i evokojmë disa nga faktorët që sollën rezultatin tronditës në zgjedhjet presidenciale amerikane të 8 nëntorit 2016.

E para, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, SHBA-ja mbeti superfuqia e vetme, pa asnjë konkurrencë. Kjo pozitë lideriste e pasfidueshme, i nxiti elitat amerikane, duke përfshirë madje edhe liberalët, që të bëhen më arrogantë. Me atë lloj radikalizmi, elitat politike, ushtarake, akademike dhe mediatike amerikane, krijuan klimën që të triumfonte doktrina radikale e neokonservatorëve, sipas së cilës SHBA-ja duhej të udhëhiqte e vetme, madje duke injoruar edhe OKB-në dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Agresioni kundër Irakut i vitit 1991, për ta dëbuar nga Kuvajti, pushtimi i plotë i Irakut më vitin 2003, pushtimi i Afganistanit në vitin 2001, janë veprime tipike të ideuara dhe të zbatuara nga neokonservatorët, të mishëruar në dy presidentët Bush, babë e bir. Përkrahja plebishitare e elitave, madje edhe e atyre liberale, për pushtimin e Irakut, nën pretekstin e pavërtetë se gjoja Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë, do të mbetet njollë e zezë intelektuale dhe morale për këto elita dhe dëshmi e miopisë së tyre. Inkurajimi dhe përkrahja e pushtimit të një shteti sovran, si Iraku, duke përdorur gënjeshtrën dhe mashtrimin, veçmas nga elitat akademike dhe mediatike, ka prodhuar një seri krizash e traumash morale në shoqërinë amerikane, e cila u intoksikua me islamamofobi iracionale. Dagllas Kellneri në studimin e tij monumental “Kultura mediale” e ka zbërthyer rolin skandaloz që ka luajtur media mejnstrim amerikane në luftën e Irakut, duke u vënë tërësisht në shërbim të agresionit ushtarak. Kushdo që e lexon atë studim mund të mbetet pa frymë lidhur me rolin e palavdishëm të medieve dhe të intelektualëve lidhur më agresionin ushtarak amerikan në Irak.

Por, çrregullimi dhe trauma kryesore është shkaktuar në Irak dhe në botën arabe. Çrregullimi spektakolar gjeopolitik, që ka shkaktuar pushtimi i Irakut në vitin 2003, në terren ka forcuar Iranin e Hezbollahun dhe ka rikthyer Rusinë në lojën e madhe gjeopolitike, duke e shndërruar të tutor të ri të Sirisë dhe përjashtues të SHBA-ve. Edhe shfaqja dhe faktorizimi i ISIL-t në Irak e në Siri është pasojë e pushtimit të Irakut dhe e vakumit që ka lënë tërheqja e pallogaritur mirë nga ana e SHBA-ve, duke stimuluar konfrontimet sektariane. Thënë thjesht, arroganca triumfaliste dhe mendjelehtë e elitave amerikane, ka frymëzuar kriza nga të cilat SHBA-ja ka dalë e dobësuara si superfuqi. Prandaj është votuar Trampi, që ta korrigjojë këtë dobësim evident ekonomik e ushtarak të SHBA-ve.

E dyta, sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001 në Nju Jork tronditi jo vetëm sigurinë e SHBA-së, por edhe atë mënyrë jetese që ishte e rrënjosur dhe që nuk ishte sfiduar as gjatë dy luftërave botërore. Sulmi i atyre përmasave në truallin amerikan ishte shokues dhe zgjoi një pezëm të papërshkrueshëm, që iu drejtua botës muslimane, duke prodhuar një shkallë të lartë islamofobie.

Duke hyrë në konflikt përmasash të gjera më botën arabe dhe muslimane, SHBA-ja shmangu vëmendjen nga dy shtetet që realisht e kërcënojnë pozitën e saj të superfuqisë, nga Rusia dhe nga Kina. Këto dy stërshtete, që nga viti 2001, kur SHBA-të invaduan Afganistanin dhe veçmas nga viti 2003, kur SHBA pushtoi Irakun, u përqendruan në zhvillimin e vet të papenguar ekonomik e ushtarak dhe në ripozicionimin e tyre gjeopolitik e gjeostrategjik. Për arsye se SHBA-ja hoqi presionin prej tyre, ngase ishte futur thellë në krizat në Afganistan dhe në Irak, fuqizimi i Kinës dhe i Rusisë ishte i shpejtë. Superfuqia që do të mund t’i frenonte, i la plotësisht jashtë vëmendjes, deri në atë masë sa ato filluan ta sfidonin edhe në sferat e ngushta të interesave amerikane, siç po bën Rusia në Siri dhe Kina në Detin Kinez. Puna vajti aq larg, saqë SHBA–ja, duke pasur nevojë urgjente për financa, për luftërat e kushtueshme, u fut nën një lloj varësie financiare nga Kina, duke u detyruar që të lejojë Kinën të blinte edhe borxhet e SHBA-ve! Pra, nga aspekti ekonomik, Kina ka penetruar thellë në ekonominë amerikane dhe paraqet rival kërcënues për vitet që vijnë. Ndërsa Rusia tashmë është shfaqur si konkurrent i rrezikshëm për primat në Lindjen e Mesme, duke lidhur edhe aleanca të përbashkëta me Iranin dhe me Turqinë, gjë që për SHBA-në është punë e  paimagjinueshme. Prandaj arsyeja pse Trampi tërë kohën adreson kërcënimet e tij ndaj Kinës, ka të bëjë me përpjekjen që të frenohet agresioni ekonomik e financiar kinez në drejtim të SHBA-ve dhe interesave amerikane. Ndërsa, islamofobia e retorikës së tij ishte brenda stereotipit dominues racist, që është rrënjosur qëmoti në mendësinë amerikane.

E treta, kriza financiare e vitit 2008 ka dëshpëruar miliona amerikanë dhe i ka detyruar t’i kthehen më shumë një qëndrimi izolacionist e mos ta shohin më shtetin e vet  si “policin e botës.” Edhe këto trauma dhe ndryshime janë reflektuar në triumfin e Donald Trampit. Por, jo vetëm këto.

Tërmetet e një bote të ndryshuar 

Në një tekst me titull, “Trampi e ka kuptuar se bota ka ndryshuar”, që e kam shkruar/publikuar  më 9 nëntor 2016, pra, një ditë pas fitores së Trampit në zgjedhje, kam shkruar edhe këta rreshta, që ruajnë të njëjtin aktualitet dhe saktësi:

“Tash pas këtij rezultati në dukje të papritur e shokues, mund të kuptohet më lehtë pse ka ardhur ky rezultat dhe çka mund të presim. Ky rezultat ka ardhur nga mënyra se si mediet, elitat dhe shoqëria amerikane e kanë trajtuar botën jashtamerikane në dy deceniet e fundit, veçmas pas vitit 2001. Shkulmet e paprera të sulmeve islamofobike ndaj muslimanëve kanë prodhuar islamofobinë, sulmet ndaj hispanikëve e kanë forcuar ksenofobinë, sulmet ndaj zezakëve e kanë rikthyer sindromin racist, nënçmimi ndaj femrës, vetëm sa e ka përligjur atë që transmetojnë mediet pa pushim dhe që realisht ndodhë me femrën në shoqërinë amerikane. Islamofobia, ksenofobia, racizmi dhe urrejtja gjinore, ishin në themelet e fushatës së Donald Trampit. Ai mund të mos jetë fare islamofob, as ksenofob, as racist, as femërurrejtës, por strategët e fushatës së tij e kanë kuptuar se këto kontingjente votuesish tashmë ekzistojnë dhe u kanë dhënë ofertën adekuate. Pra, fitorja e Trampit është disfata e liberalizmit koketues e hipokrit amerikan.

Tjetra: bota ka ndryshuar rrënjësisht në këto 30 vjet, edhe pa hipokrizinë e liberalizmit amerikan, po në disa raste edhe falë tij: sot ekziston një Kinë tjetër nga ajo e Mao Ce Dunit, një Rusi tjetër nga ajo e Boris Jelcinit, një botë arabe tjetër nga ajo e Mubarakut, Sadam Husejnit e Gadafit, një Evropë tjetër nga ajo e Theçerit, Kolit e Miteranit. Logjikisht, do të ketë ndryshuar edhe Amerika e Reganit, Bushit (Plak) e Bill Klintonit. Mbase pa e kuptuar ndryshimin e madh mediet dhe as elitat amerikane, ato që Fared Zakaria i quan “aristokracia amerikane”. Por, ky burri shihet që e paskësh kuptuar ndryshimin e botës. Prandaj ai flet për miqësi me Rusinë, për ashpërsim me Meksikën, për ftohje e injorim me Evropën, për rishikim raportesh me Kinën, etj.

Çka mund të pritet nga politika e re, e identifikuar me presidentin e ri amerikan, në raport me këtë botë të ndryshuar? Mund të priten këto zhvillime: 1. Promovimi i izolacionizmit dhe fuqizimi i grupeve sociale, politike e intelektuale me orientime islamofobike, ksenofobike, raciste e antifeministe; 2. Partneriteti i ri i SHBA- së me Rusinë (me Britaninë jashtë BE-së) mund ta rikthejë partneritetin e tipit Ruzvelt-Stalin- Çerçill dhe një rikonfigurim i interesave të këtyre tre fuqive; 3 Injorimi i Gjermanisë dhe Francës, për ta gjunjëzuar, (ose rizgjuar) BE-në, por gjithsesi me një BE të margjinalizuar; 4. Frenimi i ambicieve ekspansioniste e proteksioniste të Kinës, veçmas ndaj tregjeve amerikane; 5. Amerika Latine do të jetë nën presion të tmerrshëm, veçmas Meksika; 6. Sferat e influencës në Lindjen e Mesme do të rindahen mes SHBA-së e Rusisë, duke nxjerrë jashtë loje doktrinën e deritashme Sykes-Pikot; 7. Sa i përket Ballkanit, mund të rritet ndikimi i Rusisë edhe më shumë, pra Serbia mund të rifuqizohet.”

Çka mund t’u ndodhë shqiptarëve?

Tash na mbetet të specifikojmë paksa se si do të reflektohet presidenca e Trampit në Ballkan dhe në hapësirat shqiptare. Nëse thellohet partneriteti i SHBA-së me Rusinë, rreziku është që do të gjendemi përballë një zbatice, një tërheqjeje të politikës amerikane. Logjikisht, nëse nuk do të ketë probleme me Rusinë, për SHBA-në nuk do të jetë me shumë rëndësi ndikimi në Ballkan dhe në hapësirat shqiptare. Por, kjo nuk do të jetë e qëndrueshme, për një arsye: fuqizimi i Rusisë do të prodhojë kriza, provokime dhe jostabilitet (duke favorizuar Serbinë), ndaj të cilit SHBA-ja do të detyrohet të reagojë herët a vonë, ngase do të preken edhe interesat e SHBA-së dhe të NATO-s. Por, sinjalet janë që qeveria e Trampit nuk do t’i ofrojë më askujt përkrahje bianko, as Bashkimit Evropian, as shteteve anëtare të NATO-s, e as shqiptarëve në Ballkan. Prandaj edhe ne shqiptarët duhet ta ndryshojmë sjelljen e të mendojmë si të bëhemi partnerë vërtet të besueshëm, e jo të mbetemi vetëm objekt që kërkon ndihma e siguri amerikane bianko. Fatkeqësisht, me këto elita që kemi, ky transformim do të jetë i vështirë, në mos i pamundur. Prandaj rreziku i braktisjes nga SHBA-ja mund të jetë i madh. Rreziku mund të bëhet dramatik, nëse doktrina e re e Trampit i fut shqiptarët dhe hapësirat ballkanike nën llupën islamofobike. Në atë rast Serbia do të ftohej të kthehej në rolin e xhandarit në Ballkan, gjë që do të paraqiste një katastrofë të re për shqiptarët.

Postime të Ngjajshme