` . Kur nacionalistët bënin çmos që ta shpëtonin shqiptarinë - TV-SHENJA

Kur nacionalistët bënin çmos që ta shpëtonin shqiptarinë

Kongresi i Kopilaçes mori vendime të rëndësishme: emërimi i Lëvizjes së rezistencës, nga “Lëvizja e Ballit Kombëtar” në “Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare”, kjo për arsye se në të qenë përfshirë të gjitha organizatat e partitë politike shqiptare, të cilat për synim kishin “Çlirimin dhe Bashkimin Shqiptar”.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Siç është e njohur, më 15-16 gusht 1945 në Kopilaçe u mbajt Kongresi I (III) i NDSH-së, në të cilin u sollën vendime të rëndësishme për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Burimet arkivore na bëjnë me dije se komitetin e NDSH-së së Shkupit e përfaqësuan Qemal Skënderi dhe Mexhit Haki Zyberi. Në kongres duhej të merrte pjesë edhe Hasan Bilalli, mirëpo kjo nuk ndodhi për shkak se pikërisht në atë periudhë kohore ishte tepër i zënë me kursin veror të mësuesisë, i cili mbahej në Shkup. Mospjesëmarrjen në kongres Hasan Bilalli e sqaron si më poshtë: “…Nuk kaloi shumë kohë nga betimi, Qemali më njoftoi se në f. Tanishec do të mbahet Kongresi i III i udhëheqësve të çetave balliste dhe se ata kanë kërkuar që nga Shkupi të shkojnë dy përfaqësues. Ne vendosëm të shkojmë në atë Kongres, mirëpo meqë unë nuk kisha mundësi, isha i zanë me shkollën, shkuan Qemal Skënderi dhe Mexhit Akiu…”.

Mbledhja u mbajt te shtëpia e Zylbehar Kopilakut, siç konstaton Qemal Skënderi. Në mbledhje foli Hysen Tërpeza, i cili ndër të tjerash i njoftoi delegatët e Kongresit për lidhjet e vendosura me komitetet e NDSH-së në Gjilan, Prishtinë, Prizren dhe, së fundi, edhe me Shkupin. Më pas ai tha se para disa ditëve, përmes Muharrem Bajraktarit, i kishte arritur një letër nga Bari, në të cilën thuhej se ishte formuar “Komiteti Kombëtar për çlirimin e Shqipërisë” dhe se “qëllimi i atij komiteti është rrënimi i pushtetit të Enver Hoxhës dhe vendosja e pushtetit të ri demokratik sipas shijes së demokratëve perëndimorë”. Më tej, në letër, të cilën para të pranishmëve e lexoi vet Hysen Tërpeza, thuhej: “…Ky Komitet Nacional (i Barit –Q.L.) dhe qeveria e tij do të pranohet nga anglo-amerikanët, e jo qeveria e Enver Hoxhës. Anglezët, të cilët na ndihmojnë, na kanë premtuar se do të na dërgojnë rreth 30-35.000 pushkë, mitraloza dhe armatim tjetër, që neve na nevojiten për ta rrëzuar pushtetin në Shqipëri e Jugosllavi. Anglia dhe Amerika do të përpiqen që reparacionet, që Italia duhet tia paguaj Shqipërisë, mos t’i paguhen qeverisë së Enver Hoxhës, porse t’i paguhet Komitetit Nacional në Bari. Në të ardhmen lëvizja jonë nuk do të quhet “Lëvizje Balliste”, por “Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare”, sepse në të do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha partive dhe në udhëheqjen e saj do të marrin pjesë nga një përfaqësues i atyre partive. Meqenëse vet Komiteti në Bari është formuar si koalicion  i partive dhe në të secila parti ka përfaqësues të vet. Kështu në të janë 5 nacionalistë, 2 zogistë, 2 ballistë, 2 fanolistë/social demokratë/ dhe 2 komunistë… Në këtë mënyrë lëvizja jonë do të jetë më masovike dhe më gjithëpërfshirëse, sepse në të do të marrin pjesë të gjitha partitë, derisa nuk fitojmë, ndërsa më vonë, përmes rrugës së zgjedhjeve të lira do të formohet qeveria e përbërë nga parti të ndryshme…”.

Pas tij folën Luan Gashi, Adem Gllavica dhe Ibrahim Kelmendi. Në emër të Komitetit të Shkupit foli Qemal Skënderi, i cili e njoftoi Kongresin për aktivitetin e organizatës së NDSH-së së Shkupit, e cila – siç do të shprehet ai – “punon për bashkëngjitjen e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore me Shqipërinë”, që në mesin e të pranishmëve ishte shfaqur një kënaqësi e përgjithshme dhe në bazë të kësaj kishin vendosur që të mbahet lidhja nëpërmjet korrierëve, të cilët do t’i dërgojnë krerët ushtarakë te Qemali, ndërsa në anën tjetër Qemali ta njoftonte Hasan Bilallin, Azem Maranën dhe anëtarët e tjerë të komitetit për qëllimin e ardhjes së tyre.

Kongresi i Kopilaçes mori vendime të rëndësishme: emërimi i Lëvizjes së rezistencës, nga “Lëvizja e Ballit Kombëtar” në “Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare”, kjo për arsye se në të qenë përfshirë të gjitha organizatat e partitë politike shqiptare, të cilat për synim kishin “Çlirimin dhe Bashkimin Shqiptar”. Ndër vendimet e tjera të Kongresit I(III) të LNDSH-së duhet veçuar: “Komiteti i NDSH-së në Shkup është organi politik më i lartë i lëvizjes për lirimin e tokave shqiptare dhe lidhja e vetme e lëvizjes me komitetet shqiptare në Greqi dhe në Itali, si dhe me guerilen shqiptare, ballistët, të cilët quhen ushtri popullore demokratike shqiptare”. Kongresi e emëroi Shtabin e Përgjithshëm të luftës, me të cilin udhëhiqnin: Hysen Tërpeza, Luan Gashi, Hysen Xhakri, Rexhep Okllapi, Shaban Haliti, Sulë Hotla dhe Din Hoxha. Në shtabin e luftës ishin edhe Adem Gllavica, i ngarkuar për propagandën, si edhe Ibrahim Kelmendi dhe Luan Gashi. Kongresi e aprovoi platformën për një thirrje që shtabi suprem i ushtrisë popullore demokratike shqiptare të Kosovës duhet t’ia lëshonte popullit. Nga të dhënat e dala nga hetuesia ndaj Azem Maranës kuptohet se thirrja u shumëzua kah mbarimi i shtatorit ose fillimi i tetorit të vitit 1945, përkatësisht para se në RP të Maqedonisë të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme republikane (11 tetor). Në atë periudhë kohore, Abdullah Musliu, asaj kohe kryetar i rrethit të Ferizajt, erdhi në Shkup dhe u takua me Azemin, të cilin e informoi se urgjentisht duhej të mbahej një takim, në të cilin do të merrte pjesë edhe Hasan Bilalli dhe Abdyqerim Saiti. Takimi i paralajmëruar u mbajt në shtëpinë e Azemit, në të cilën morën pjesë personat e lartpërmendur. Me kërkesë të Abdullah Musliut, Azem Marana e lexoi me zë proklamatën dhe pasi ranë dakord, të njëjtën e shumëfishuan në disa kopje. Në proklamatë, përveç tjerash, theksohej gjendja e shqiptarëve në Jugosllavinë mbretërore gjatë okupimit dhe tani ku vihej në dukje se nuk kishte kurrfarë ndryshimi, sepse shqiptarët ishin të përndjekur dhe të torturuar nga regjimi i okupatorit serbo çetnik. Popullit shqiptar i bëhej me dije se, falë tradhtisë së Fadil Hoxhës, Mehmet Hoxhës dhe Rifat Berishës, u masakruan 3.000 shqiptarë në Tivar. “Për dhjet muaj” thuhej më tej në proklamatë: “sistematikisht dhe në mënyrë më barbare, gjoja se do t’i marrin në ushtri, kanë depërtuar mbi 70.000 shqiptarë, djem më të mirë e më të zgjedhur nga Kosova, të cilët janë detyruar t’i mbyllin shtëpitë e tyre dhe familjet e tyre i kanë lënë në mjerim më të skajshëm.”. Duke iu kundërvënë kësaj, në këtë proklamatë fuqimisht hidhet poshtë çdo lidhje e imponuar e Kosovës me Serbinë dhe me Jugosllavinë dhe decidivisht konstatohej se populli shqiptar “nën Jugosllavinë, mbi gjysma e kombit që jeton në viset etnike kompaktësisht në 85-100% shqiptarë nuk pranojnë asnjë lidhje me Beogradin” dhe se dëshira e vetme e shqiptarëve, që përbën shumicën absolute në Kosovë është BASHKIM ME SHQIPËRINË”. Kjo ka qenë dhe është dëshira e vetme e kombit shqiptar në Kosovë, mirëpo “çlirimtarët” nuk e pranojnë këtë të drejtë të kombit: “të drejtën për të jetuar me vëllezërit e vet për nga gjaku e gjuha”, të cilën ata e quajnë “shoviniste, imperialiste dhe fashiste” Diçka që nuk ndodhë në Evropë “lejohet të zbatohet në Ballkan, që shumica të jetë në robëri, ndërsa pakica në liri. Kjo ndodhë me shqiptarët, shumica e të cilëve gjenden nën robërinë e huaj jugosllave.”. Duke u ndalur në zgjedhjet e paralajmëruara për në muajin tetor të vitit 1945, në të cilat duhej të përcaktohej regjimi i ardhshëm i Jugosllavisë, në Proklamatë shprehimisht thuhej: “Mos merrni pjesë në zgjedhjet që dëshirojnë të na fusin me forcë. Këto zgjedhje nuk janë për ne. Në kundërshtim me parimet demokratike zgjedhjet që do të pasojnë /që duhet t’i kemi/ neve na i mohojnë. Populli i Kosovës nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, sepse nuk janë të vetat. Ne pranojmë të votojmë që të bashkohemi me Shqipërinë.” Në fund të proklamatës apelohej tek vëllezërit shqiptarë që ta ndihmojnë “ushtrinë e shenjtë për ÇLIRIMIN E KOSOVËS DHE BASHKIMIN ME SHQIPËRINË”, sepse siç vihej në pah: “Lirinë askush nuk na e falë. LIRIA fitohet me gjak dhe me mund”, andaj “ndihmojuni vëllezërve tanë të cilët gjenden nëpër male”, sepse “ekzistimi i tyre në mal paraqet sigurinë tuaj nëpër qytete dhe fshatra”.

Qëndrimi i prof. Ibrahim Kelmendit në Shkup

Meqenëse Komiteti i NDSH-së së Shkupit u shpall organi më i lartë i LNDSH-së, Qemal Skënderi dhe Mexhit Zyberi, gjatë qëndrimit dyditor në Kopilaçe, zhvilluan bisedime kokë më kokë me disa figura të shquara ushtarake, intelektuale e atdhetare shqiptare, pjesëmarrës në kongres. Ndër ta duhet veçuar bisedën e zhvilluar me profesor Luan Gashin, i cili – siç deklaron Qemal Skënderi – është interesuar për disponimin e popullit shqiptar ndaj pushtetit komunist jugosllav në përgjithësi, e ndaj Nexhat Agollit në veçanti, si eksponent i komunizmit jugosllav etj. Gjithashtu, është interesuar edhe për Hasan Bilallin dhe pasi ata e kishin njoftuar se edhe ai vepronte në organizatë, “ai kishte ngel shumë i kënaqur”. Më pas ai u ka folur se si nëpër Kosovë ka të organizuara komitete dhe organizata, prandaj do të duhej që të tilla të organizoheshin edhe në Shkup dhe nëpër qytete tjera të Maqedonisë Veriperëndimore. Në përgjithësi, u ka folur për strukturën e organizatës se si duhet të dukej ajo, duke i porositur që të jenë shumë të kujdesshëm se cilët njerëz duhet t’i organizonin, përkatësisht që ata “të jenë besnikë ndaj Lëvizjes”.

Nëse do të punoni kështu – shprehet profesor Gashi – ne do të mund ti arrijmë qëllimet tona. Do e rrënojmë pushtetin dhe do ta vendosim pushtetin tonë të ri. Nëse do ta arrijmë ta rrënojmë, tërë ajo organizatë ilegale do të kërkojë nga Beogradi që në mënyrë ultimative Kosova dhe Maqedonia Perëndimore tu bashkëngjiten Shqipërisë”.

Më tej, Luan Gashi i njoftoi dy bashkëbiseduesit e tij për ndryshimin e parullës “Shqipëria e shqiptarëve – vdekja e tradhtarëve”, që njihej si parullë e Ballit Kombëtar, e cila parullë tash, për shkak formës së re të luftës, do të ishte “Vdekja e tradhtarëve – liria e shqiptarëve”. Gjithashtu ata e përcaktuan shenjën e njohjes reciproke midis korrierëve dhe anëtarëve të Komitetit të Shkupit, që ishte “Gare – Juriza”. Në fund të takimit Gashi ua dorëzoi një letër për HasanBilallin, të cilit i shkruante se “tashmë një vjet qëndron në mal dhe se vetëm për idealin kombëtar po mundohet shumë”, porse gëzohet shumë se si në Shkup është “formuar organizatë e cila vepron për të njëjtat qëllime”. Në fund të letrës ai kërkonte nga H. Bilalli “t’i dërgojë material kancelarie, si: letër, stilolapsa, ngjyrë etj..”.

Një takim tjetër me rëndësi e patën edhe me profesor Ibrahim Kelmendin, i cili – siç u tha më lart – në kongres qe deleguar për në Shkup, si përfaqësues i lartë i LNDSH-së. Gjithnjë duke iu referuar deklaratave të Q. Skënderit, dhënë organeve hetuese e gjyqësore, ai në atë takim, siç pohon Q. Skënderi, u kishte thënë se njihte shumë mësues shqiptarë, të cilët për momentin e përcillnin kursin pedagogjik në Shkup dhe se do të bëjë përpjekje që ata t’i organizojë. Është shtruar edhe çështja e udhëtimit për në Shkup, për çka I. Kelmendi u kishte propozuar që të udhëtonin së bashku. Mirëpo, një propozim të tillë, për shkaqe sigurie, e hodhën poshtë Q. Skënderi dhe M. Zyberi, duke e porositur që në Shkup të vij i veshur me uniformë të policisë jugosllave i shoqëruar nga dy policë shqiptar, tashmë anëtarë besnik të organizatës, Rexhep Dauti dhe Xhemal Fazli Ferra.

Disa ditë pasi Qemal Skënderi dhe Mexhit Zyberi u kthyen nga Kongresi, në Shkup arriti edhe prof. Ibrahim Kelmendi. Ai u vendos te dhëndri i tij, Memedali Mehmeti, një veprimtar i shquar shqiptar me profesion tregtar. Duhet të vëmë në dukje faktin se ai në Shkup nuk erdhi me përcjellje të dy policëve shqiptarë, Rexhep Dauti dhe Xhemal Fera, siç i kishin propozuar, Q. Skënderi dhe M. Zyberi, por përmes një korrieri të Shtabit të Sulë Hotlës, Mehmet Orllanca, i cili po atë mbrëmje e njoftoi Qemal Skënderin. Ja se si e përshkruan Qemal Skënderi ardhjen e I. Kelmendit në Shkup dhe takimin e tij të parë me të: “…Ndërkohë edhe Ibrahim Hakiu erdhi në Shkup. Në duqanin tim erdhi Mehmet Orllanca dhe ma tregoi shenjën, përkatësisht parullën “Jurizi”. Unë iu përgjigja “Gara”. Pas asaj Mehmeti më tha se ka ardhur Ibrahim Hakiu dhe se më thërret mua të shkoj te shtëpia e Memedaliut ku ishte vendos. Unë e dija se është te Memedaliu, pasi Ibrahim Hakiu më pat thënë se atë e kishte dhëndër dhe se kur do të vijë në Shkup do të jetë te ai. Ibrahim Hakiun nga mali në Shkup e solli korrieri Mehmet nga Orllanca…Po atë mbrëmje shkova te Memedaliu, u pashë me Ibrahim Hakiun, i cili më tha se duhet të shohim se cilët persona duhet ti ftojmë për të biseduar. Unë i thash se mos të ftojmë shumë, sepse mund të zbulohemi, por për fillim do të mjaftonte të merrte pjesë vetëm Hasan Bilalli dhe unë. Ai u pajtua me propozimin tim dhe vendosëm që mbledhjen e parë ta mbajmë pas dy ditëve e deri atëherë unë të vendosi kontakt me Hasanin…”.

Mbledhja e paralajmëruar u mbajt në kohën e caktuar te shtëpia e Qemalit, në të cilën përveç tij morën pjesë edhe Ibrahim Kelmendi dhe Hasan Bilalli. Në mbledhje është biseduar për zgjerimin e komitetit të Shkupit, për çka kishin vendosur ta ftojnë Fetah efendi Raufin dhe Riza Agën, duke vlerësuar se nuk do të kishte nevojë ta ftonin dikë tjetër, sepse – siç shprehet Q. Skënderi para organeve të hetuesisë: “nëse do t’i kishim ata, do ta kishim tërë Shkupin”. Mirëpo, ata edhe pse fillimisht pranuan të takoheshin me Ibrahim Kelmendin, më vonë u tërhoqën me arsyetimin se “ndiqeshin nga organet e sigurimit”.

Po në atë mbledhje është biseduar edhe për situatën e përgjithshme politike, me theks të veçantë  për zgjedhjet e ardhshme në RP të Maqedonisë, të cilat ishin paraparë të mbaheshin gjatë muajit tetor të atij viti. Në pyetjen e Hasan Bilallit se çfarë qëndrimi të mbante Komiteti i NDSH-së së Shkupit, Ibrahim Hakiu përgjigjet: “Për kënd të votojmë, kur jemi robëruar si nga të parët poashtu edhe nga të dytët, as për kralin as për Titën, do të ngelemi neutral, përkatësisht pasiv”.

Një çështje tjetër që u shtrua në mbledhje ishte mundësia e vendosjes së lidhjes sa më parë me konsullin anglez dhe atë turk në Shkup. “Qëllimi i Ibrahim Hakiut – shprehet Q.Skënderi para organeve të hetuesisë – ka qenë të na ofrojë ndihmë në organizimin e komitetit, si dhe ta paraqesë bazamentin e organizatës sonë, duke na lidhur me personalitete të shquara në Shkup, në mënyrë speciale me konsullin anglez. Gjithnjë na fliste se ne si organizatë nuk mund të qëndrojmë pa vendosur lidhje me konsullin anglez. Të njëjtën gjë na e thoshte edhe gjatë qëndrimit tonë në Tanishec…”.

Pas dështimit që në organizatë të përfshiheshin Fetah Efendiu dhe Riza Aga, me kërkesë të Ibrahim Kelmendit, Komiteti i Shkupit i organizoi disa takime, në të cilat u shtruan edhe disa çështje tjera, si: situata politike e brendshme dhe ajo ndërkombëtare, mundësia për hapjen e ndonjë radiostacionit, nëpërmjet të cilit Komiteti i Shkupit do të lidhej me Komitetin e Barit dhe me Zonën Operative në Greqi, zgjerimi i organizatës në grupe të mëdha, si dhe koordinimi i Komitetit me grupet e armatosura që vepronin në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore.

Takimet ishin tejet sekrete, ndërsa krahas Kelmendit morën pjesë anëtarët më të besueshëm të organizatës, si: Azem Marana, Hasan Bilalli, Qemal Skënderi, Qelebi Destani, Mexhit Zyberi e ndonjë tjetër.  Një mbledhje e tillë u organizua nga Qelebi Destani, në të cilën morën pjesë gjithsej 9 vetë, në mesin të cilëve edhe Ibrahim Kelmendi, Hasan Bilalli dhe Qemal Skënderi. Të pranishmëve iu drejtua I. Kelmendi, i cili foli se si duhet të organizohen shqiptarët: “Duhet të jemi të gjithë kompaktë, të gjithë të shkolluarit e të pashkolluarit, të moshuarit e të rinjtë të punojmë në organizimin e kombit shqiptar. Nëse nuk punojmë, askush nuk do të na pranojë; ndërkohë, nëse na shohin se jemi me vlerë dhe punojmë, atëherë do të na ndihmojnë anglezët dhe amerikanët…”.

Menjëherë pas fjalimit të Kelmendit reagoi një i moshuar, i cili merrte pjesë në mbledhje, i cili duke iu drejtuar parafolësit u shpreh: “Ju që jeni të shkolluar shkoni përpara dhe punoni, ndërsa ne do u ndjekim prapa”.

Në një takim tjetër të radhës, që Ibrahim Kelmendi e mbajti me anëtarët e Komitetit të Shkupit, kërkoi mënyrën se si të vendoste lidhje me konsullin anglez. Me atë rast, Qemal Skënderi e propozoi Jozef Bërkiqin, ish korrierin e konsullit anglez, me të cilin njihej që nga koha e LDB-së. Me këtë u dakordua Ibrahim Kelmendi, mirëpo në takimin që ata e patën në shtëpinë e Qemal Skënderit, Jozef Bërkiqi nuk ishte në gjendje që konsullit anglez t’ia dërgojë një letër të Kelmendit, për shkak se atë “nuk e njihte sa duhet”. Megjithatë, ai u premtoi se këtë do të mund ta bënte pas një kohe shumë të afërt, pasi – sipas disa burimeve të konfirmuara – së shpejti Qeveria e Britanisë së Madhe për konsull në Shkup do ta rikthente  konsullin e mëparshëm, me të cilin ai njihej shumë mirë.

Në ato rrethana Ibrahim Kelmendi, në një mbledhje të radhës, vuri në dukje “se pasi dështuan të gjitha përpjekjet për të vendosur lidhje me konsullin anglez”, atëherë do të ishte mirë “të vendosnim lidhje me konsullin turk dhe përmes tij edhe me atë anglez”. Rrjedhimisht, Hasan Bilalli e propozoi anëtarin e NDSH-së, Xhavit Abdullah Selimin, i cili – sipas tij – ishte njeri shumë i besueshëm dhe se “atë detyrë mund ta kryente me sukses”. Atëherë Hasan Bilalli na tha se si ai ka njeri, përmes të cilit mund të lidhet me konsullin turk. Ibrahim Hakiu tha se ai do e shkruajë një letër për të.  Disa ditë më pas Ibrahim Kelmendi i shkroi një letër konsullit turk, Emin Vefa Geçek. Letra ishte shkruar në emër të rinisë shqiptare të Shkupit dhe e mbante titullin: “Pikëpamja e rinisë shqiptare në Shkup”, të cilën për shkak të peshës historike që ka po e paraqesim të plotë në vazhdim:

“Kombi ynë në përgjithësi ka ndjenja të larta fetare dhe që të mund të shpëtojë nga torturat sllave, gjithmonë duke e ruajtur në shpirt këtë ide fetare dhe duke e lënë atë si e kaluar, tash janë të frymëzuar me idenë kombëtare. Kështu në Ballkan disa qindra mijëra myslimanë jetojnë nën robëri, andaj që të mund ta fitojnë lirinë përfundimtare, luftojnë në planin politik dhe shoqëror. Kjo rini shqiptare me dashuri dhe zemër është e lidhur me popullin heroik turk. Nuk e dimë se a ka nevojë t’i nënvizojmë? Rinia shqiptare nga Kosova, Presheva, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Ohri, Kërçova, Manastiri dhe qytetet tjera. Vëllezërit tanë myslimanë, që të arrijnë deri te liria, besojnë se me idenë shqiptare mund të arrihet kjo. Për një politikë të tillë në Shkup ka pak njerëz që punojnë me guxim. Shkupi, që është kryeqendra e Kosovës, dhe të gjitha fshatrat e këtij qarku janë në të njëjtën ide. Dëshira e fshehtë e maqedonasve është që neve të na ndajnë dhe në këtë mënyrë shumë lehtë të na mbajnë nën robëri. Kjo është më se e vërtetë. Politika turke në Shkup në këtë pikëpamje bazohet te populli dhe dëshiron ta pengojë këtë rrezik që e kryejnë edhe shqiptarët. Numri i vogël i njerëzve në Shkup, të mashtruar nga robëruesit sllavë, e kundërshtojnë bashkimin e familjeve myslimane, disa duke shkuar me maqedonasit dhe të tjerët me hegjemonistët shtetërorë serbë. Me ose pa vetëdije ata i shërbejnë dhe japin mundësi që popullsia të përçahet. Këta vëllezër tanë shpeshherë i kemi këshilluar që të bashkohemi dhe të punojmë për një qëllim dhe të krijojmë një vëllazëri të madhe e të vetme shqiptaro-turke dhe të sigurohemi nga cilido rrezik qoftë. Nëse paraqitej nevoja, madje në cilëndo formë qoftë kjo, që të mund të qëndrojmë në rrugën tonë. Për këtë bëmë përpjekje të shumta, mirëpo të gjitha përpjekjet tona i kanë refuzuar. Ata kanë deklaruar se emri shqiptar është i prapambetur dhe ata ma parë do të bashkëpunonin me kral Petrin sesa me Shqipërinë. Ky popull mendon më lehtë të shpëtojë me idenë turke dhe se ajo ka mundësi politike dhe ne për këtë jemi thellë të bindur dhe me të gjitha forcat jemi të gatshëm për bashkëpunim, mirëpo ne kemi ngelur pa përgjigje. Ja, pas heshtjes së tyre, ne mendojmë se rruga jonë është e drejtë dhe duke i marrë parasysh të gjitha rreziqet, ne shkojmë me hapa të vështira për qëllimin tonë. Se ideja jonë është e drejtë besojmë se edhe Ju do të pajtoheni dhe jemi të bindur se Ju, me idetë tuaja idealiste, do të na jepni një mbështetje morale që të mund të mbijetojmë me këshillat tuaja të mira. Ne obligohemi se direktivat tuaja do t’i zbatojmë pikë për pike.

Rinia shqiptare e Shkupit”.

Ashtu siç u tha më lart, letrën për konsullin turk në Shkup e dërgoi Xhavit Abdullah Selimi, i cili pas një jave sërish u takua me diplomatin turk në selinë e tij, nga i cili e mori këtë përgjigje gojore: “Nuk ka përse të urreheni me turqit, ju jeni muslimanë dhe po ashtu edhe ata. Lërini mënjanë mospajtimet nacionale. Duhet të luftoni si myslimanë dhe mos u frikësoni, sepse çfarëdolloj zënke do ju dëmtojë. Ju a shihni se në çdo luftë vetëm myslimanët bëhen viktima. Ja, tash po i vrasin nëpër fshatra, si për shembull nga Bllaca e deri në Gjilan a shihni se sa janë vrarë? Ata tentojnë që myslimanët një ditë të shpërngulen prej këtu. Kështu, ti përshëndeti shokët dhe thuaju që të merren vesh disi që si muslimanë të veprojnë bashkërisht, të jenë të bashkuar”. Njëkohësisht, konsullit turk, e ftoi edhe kryetarin e organizatës turke “JUXHEL”, Shaip Azis Isak, duke ia tërhequr vërejtjen se nuk ishte duke vepruar mirë për arsye se “myslimanët duhet të jetojnë në harmoni”.

Është me rëndësi të theksohet se deri në atë periudhë turqit, për dallim nga shqiptarët, ishin më të privilegjuar dhe si të tillë shërbenin si mashë e pushtetit komunist maqedonas. Të dhënat arkivore bëjnë të ditur se elementi turk në administratën shtetërore dhe në pjesën legjislative ekzekutive të pushtetit merrte pjesë me një përqindje shumë më të madhe se shqiptarët. Vetëm në Këshillin e ri Ekzekutiv të Shkupit, të konstituuar më 17 prill 1945, nga gjithsej 17 anëtarë, turqit përfaqësoheshin me 5 përfaqësues, ndërsa shqiptarët ishin pa asnjë përfaqësues të tyre. Një dukuri e tillë ishte e pranishme edhe në sferën e arsimit e të kulturës.

Vendimi për kalimin në Greqi

Në kohën kur bëheshin përpjekje maksimale për konsolidimin e Komitetit të NDSH-së së Shkupit, papritmas Ibrahim Kelmendit i erdhi një letër, e cila ishte nënshkruar nga Hysen Tërpeza. Letrën e solli Tefik Ferizi – Tanisheci, i cili asaj kohe ishte lidhja midis Komitetit të Shkupit dhe forcave ushtarake të Kopilaçes. Hysen Tërpeza, kërkonte që anëtarët e Komitetit të NDSH-së së Shkupit të shkojnë në Kopilaçe për t’u takuar me trupat e Sulë Hotlës, ku do të mbahej një mbledhje, në të cilën do të merrej vendim që Komiteti i NDSH-së, bashkë me forcat e armatosura, të kalojë në Greqi. Në fakt,  kjo kërkesë ishte e Muharrem Bajraktarit dhe e Mit’hat Frashërit drejtuar shtabit suprem të Kosovës, të tubuar rreth Adem Gllavicës, që forcat e rezistencës shqiptare antijugosllave dhe antikomuniste të kalonin në Greqi, për të hyrë në shërbim të planeve globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe për rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, kurse çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara prej Jugosllavisë “do të vijë si pasojë e ndryshimeve të sistemit në dy vendet fqinje, në Shqipëri dhe Jugosllavi!”.

Kah mesi i tetorit 1945 Bajram Begunca me 100 ushtarë nga Kopilaçja niset për Greqi. Ai me forcat e veta e mori drejtimin Llokme, Dërmjak, Bllacë, Nigishtan, për të kaluar në Karshiakë, përkatësisht në bjeshkët e Satapetkës, ku qëndronte çeta e Shaban Satapetkës. Derisa bëheshin përgatitjet për t’u nisur në drejtim të Kërçovës, Komiteti i NDSH-së nga Shkupi dërgoi një letër, në të cilën kërkohej që forcat ushtarake mos ta lëshojnë vendin, sepse kjo është në kundërshtim me programin e organizatës. Pas kësaj, një pjesë e ushtarëve të Bajram Beguncës, në mesin e tyre edhe Xhemal Fera, vendosin të mos kalojnë në Greqi.

Edhe grupi i Hysen Tërpezës dhe Hasan Kabashit nga gjysma e nëntorit u nis për Greqi. Këtij grupi u ishin bashkuar edhe disa grupe të gueriljes që vepronin në viset e Zhegosit, Kopilakut, Ferizajit dhe Kaçanikut. Pas shumë peripecive, më 29 dhjetor 1945 edhe ky grup kaloi në Greqi. Për kalimin e Hysen Tërpezës në Greqi Komiteti i NDSH-së në Shkup u njoftua prej letrës që e dërgoi Tefik Halid Shemsiu, i cili shkruante se “Hysen Tërpeza, me forcat e veta, ka arritur në Greqi, ku është emëruar komandant brigade dhe vepron në rrethin e Lerinit dhe Volosit …!”.

Vendimi për kalimin e njësive ushtarake të NDSH-së në Greqi, sipas zëvendëskryetarit të  KQ të NDSh-së, Qemal Skënderi, erdhi menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të cilat u zhvilluan në Britani të Madhe, në të cilat fitoi opozita majtiste, përkatësisht Laburistët. I pyetur nga oficeri i UDB-së se cila qe arsyeja kryesore që njësitë e armatosura të kalonin në Greqi, Qemal Skënderi përgjigjet si më poshtë:

“…Kur nga ai kongres i tretë u kthyem në Shkup, dëgjuam se partia e Çurçillit ka humbur në zgjedhje dhe në pushtet kishin ardhur Laburistët. Ibrahim Haki-Kelmendi erdhi në Shkup dhe momentin politik na e komentoi në këtë mënyrë: ‘Të ishte Çurçilli në pushtet, deri te lufta do të vihej shumë më shpejt. Ardhja e Atli-ut gjithashtu nuk paraqet rrezik për ne, por deri te lufta do të vijë më vonë. Prandaj çlirimi ynë do të shtyhet edhe për një kohë të caktuar’. Udhëheqësit ballistë në mal nuk e kishin aq të qartë pozitën e tyre dhe për sa unë e kuptova nga disa miq të mi, të cilët e komentonin personalisht, pas atij momenti politik ndërkombëtar, ata moralisht kishin rënë dhe nga dita në ditë kufijtë jugosllavo-grekë, nga ana jugosllave, bëheshin gjithnjë e më të përforcuar, saqë ekzistonte rreziku që gjatë dimrit ata (çetat) të eliminoheshin… Ka mundësi që përmes Muharrem Bajraktarit nga Bari, nga Komiteti Nacional të ishte marrë direktiva, që çetat të kalonin në Greqi, por këtë ne nuk e shihnim si çështje pozitive. E di vetëm atë se Ibrahim Haki-Kelmendi fliste se si ai do të mbetej në Shkup gjatë tërë kohës së Ramazanit dhe Bajramit dhe gjatë zgjedhjeve në Jugosllavi për të shtypur afishe përmes të cilave do ta ftonte kombin shqiptar të mos dalë të votoj për Republikën. Mirëpo, pas marrjes së letrës nga Hysen Tërpeza dhe Luan Gashi, pas disa ditëve, i përcjellë nga korrieri, shkoi në mal, përkatësisht te çeta, e cila më pas kreu lëvizje për në Greqi. Ne u dërguam letër që të qëndrojnë deri në zgjedhje, që të na ndihmonin dhe stimulonin si krah opozitar në Jugosllavi, që të vinte deri te konflikti siç ne e mendonim dhe ata e pranuan letrën, të cilën ua dërguam përmes Dullës, por nuk na erdhi përgjigjja, ngase ata shkuan për Greqi. Për Greqi shkuan udhëheqësit ballistë: Hysen Tërpeza, Hasan Kabashi, Luan Gashi, Ibrahim Haki-Kelmendi, Adem Gllavica dhe Qazim Llugaxhiu. Din Hoxha me 7-8 luftëtarë ngeli në Tanishec, si edhe Sulë Hotla, i cili nuk donte të shkonte dhe qëndroi në Karadak…”.

Me kalimin e një pjese të forcave të armatosura shqiptare në Greqi, organizimi politik dhe luftarak në këtë kohë u dobësua, por nuk u shua. Ndjekja që bëhej nga ana e sigurimit shtetëror gjithnjë e më tepër po merrte kahje të shfarosjes së trurit dhe ndërgjegjes shqiptare. Në këto kushte Komiteti i NDSH-së vazhdoi punën falë veprimtarisë së palodhshme të kreut të tij drejtues, si: Azem Marana, Hasan Bilalli, Qemal Skënderi, Mexhit Zyberi etj.