` . Kur dhurimi i librit bëhet traditë – TV-SHENJA

Kur dhurimi i librit bëhet traditë

Meqenëse dashuria për t’u ushqyer me dije rrënon mure e kufi, furnizimi i librarive (atëherë kur ndodh) vjen nga institucione e organizata joqeveritare. Aksione të tilla për dhurim të librave ka ndërmarrë Shtëpia Botuese “Logos- A”. I fundit kishte simbolikën e Ditës së Mësuesit – 7 Marsi. Me rastin e kësaj date historike për shqiptarët, kjo shtëpi botuese dhuroi 30.000 kopje në gjuhën shqipe

Shkruan: Teuta BUÇI, Shkup

Mungesa e literaturës shkollore e universitare, si dhe i librave të tjerë, është një problem e shqetësim i kahmotshëm i shqiptarëve të Maqedonisë, madje edhe i atyre të Shkupit. Shqiptarët që jetojnë në Shkup e dinë mirë se furnizimi me libra në këtë qytet është një sfidë e vërtetë për nxënësit e studentët shqiptarë. Këtë e dëshmon edhe numri i vogël i librarive, të vogla e të vendosura në ndonjë cep të Çarshisë ose ndonjë lagjeje të qytetit, si dhe i bibliotekave. Në fakt, bibliotekat e shkollave fillore numërojnë disa rafte, të mbushura me lektyra të vjetra e të pluhurosura, me faqe të zverdhura e kopertina të dëmtuara. Ndërkaq, ato të shkollave të mesme kanë mungesë të titujve. Atje i gjen vetëm klasikët në shumë pak kopje dhe furnizimi i tyre me letërsinë moderne dhe bashkëkohore duket të jetë larg realitetit të afërt. Bibliotekën universitare nuk e kemi akoma, as të madhe as të vogël, fatkeqësisht.

Por, meqenëse dashuria për t’u ushqyer me dije rrënon mure e kufi, furnizimi i librarive (atëherë kur ndodh) vjen nga institucione e organizata joqeveritare. Aksione të tilla për dhurim të librave ka ndërmarrë Shtëpia Botuese “Logos- A”. I fundit kishte simbolikën e Ditës së Mësuesit – 7 Marsi. Me rastin e kësaj date historike për shqiptarët, kjo shtëpi botuese dhuroi 30.000 kopje në gjuhën shqipe, prej të cilave nga 150 libra për bibliotekat e të gjitha shkollave fillore në gjuhën shqipe dhe rreth 7 mijë kopje për arsimtarët dhe arsimtaret.

“Sivjet kemi vendos të shpërndajmë 30.000 libra gjithsej. Rreth 7 mijë libra janë “Ndërgjegjja’ dhe ‘Gratë’, ndërsa pjesa tjetër është, siç e shihni, atlaset, lektyrat shkollore dhe kështu me radhë. Pse ‘Ndërgjegjja’? Pikërisht, sepse për herë të parë botohet. Është një risi për lexuesin shqiptar, për arsimtarin shqiptar, sepse për herë të parë pas 114 vitesh, qëkur e ka shkruar Sami Frashëri në gjuhën osmane, ajo për herë të parë botohet në gjuhën shqipe. Ndërsa ‘Gratë’ janë një dhuratë të veçantë për arsimtaret, që deshëm t’ua bëjmë për 7 Marsin”, deklaroi drejtori i SHB “Logos A”, Adnan Ismaili gjatë pres-konferencës së organizuar me këtë rast.

Karvani i shpërndarjes së librave në kuadër të këtij aksioni filloi më 7 Mars nga Shkupi dhe fshatrat përreth, për të vazhduar udhëtimin e tij gjatë ditëve në vijim në Komunën e Sarajit, rajonin e Pollogut (Tetova, Gostivari dhe fshatrat përreth), në shkollat shqipe të fshatrave të Velesit, Manastir, Krushevë dhe Prespë.

Por, ky nuk është aksioni i vetëm e as më i madhi i SHB “Logos A”, pasi dhurimin e librave për universitete, shkolla, biblioteka e OJQ ajo tashmë e ka shndërruar traditë.

Aksioni që u ndërmor në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë vazhdon të jetë më i madhi deri më tani. Në mesin e aktiviteteve të shumta, që u shënuan në këtë përvjetor jubilar, Logos-A shënoi atë përvjetor dhuroi 100.000 libra, të cilat janë shpërndarë në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe në Çamëri. Vetëm për Kosovën u dhuruan 40 mijë kopje, të cilat iu dorëzuar zyrtarisht Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, që më pas kjo bibliotekë të bëjë shpërndarjen e tyre përmes rrjetit të saj në të gjithë Kosovën.