` . Kultura politike në demokracinë konsociative – TV-SHENJA

Kultura politike në demokracinë konsociative

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Libri studimor i autorit Behar Haziri Kultura politike e Kosovës, doktoratë e mbrojtur në Universitetin e Europës Juglindore, paraqet një vepër sui generis për kontekstin shqiptar, që merret me një subjekt te veçantë, atë të diadës kultura politike dhe demokracia konsociative, si dhe me një terminologji jashtëzakonisht relevante për shkencat politike, si demokracia e shumicës (modeli Westminster), demokracia centripetale, demokracia centrifugale, kultura politike homogjene, kultura politike heterogjene, modeli kongruent dhe inkongruent e të tjera, gjithnjë duke u ndalur te konteksti kosovar i fragmentarizuar kulturalisht, politikisht dhe në baza partiake. Vepra, përveç instrumentariumit të pasur teorik, ngërthen edhe pjesën kuantitative ose empirike (1007 respondentë), që e bën punimin më të kompletuar me të dyja qasjet, të cilësorëve dhe atë të sasiorëve.

Autori e analizon thellësisht sjelljen politike dhe faktorët që ndikojnë në të, si: arsimi, institucionet religjioze, klasat sociale, grupet e interesit, partitë politike, mediat, etj., gjithnjë duke iu referuar autoriteteve të fushës, si Almond dhe Verba (1963), të cilët kulturën politike e kanë elaboruar në veprën  e tyre “Civic Culture”, duke identifikuar tre forma të saj: parokiale, të subjekteve dhe të participuesve. Në këtë drejtim ai konstaton se në rastin e Kosovës periferia është e pranishme që nga viti 1999, gjë kjo që në tipologjinë e Almondit shpjegohet me rregullimin autoritar dhe atë të demokracive paraindutsriale

Një figurë tjetër e rëndësishme, të cilën e fokuson Haziri është edhe Arend Lijphart (1969) me “Consociational Democracy”, që ka gjeneruar këtë sintagmë për të përshkruar një sistem që synon të mirën e komuniteteve në vende thellësisht pluraliste. Autori e elaboron çështjen duke iu qasur edhe autorëve të tjerë, që janë marrë me këtë temë, si Gerhard Lembruch, Richard Hrair Dekmejian, Matthijs Bogaards, John McGarry, Brendan O’Leary dhe Manfred G. Schmidt. Ndërkohë ai e detekton Kosovën si një shoqëri me pluralizëm të polarizuar, tipar ky që shënjon shoqëritë e fragmentarizuara (Sartori, Giovanni, 1976: 111). Kosova, sipas tij, është larg kulturës politike perëndimore, në veçanti larg asaj homogjene, që e gjejmë në shtetet skandinave (Suedia, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda), duke shënuar edhe ngjashmëritë me këtë të fundit për nga larmia e strukturës sociale-demografike, ndonëse Kosova mbetet më e përçarë (Finlanda me bashkësi fetare dhe politike identike, kurse në rastin kosovar bashkësitë fetare janë të ndara në vijën e dy bashkësive etnike). Sipas autorit, një ndër problemet e funksionimit të shtetit kosovar janë edhe subkulturat, që refuzojnë komunikimin me sistemin politik dhe e vendosin Kosovën në modelin konsociativ me një fraksionalizim të lartë, që i ka rrënjët te përvoja shoqërore specifike, ku pakica me dekada ka sunduar mbi shumicën: deri në qershor të vitit 1999 (protektorati ndërkombëtar), në Kosovë, minoriteti serb 5,7 % ka qenë sunduesi, kurse shumica shqiptare 93 %-she e sunduar. Autori sugjeron që, përmes kulturës së tolerancës aktive dhe zyrtare (Marcuse), duhet që nga inkongruenca, të kalohet dukuria e harmonisë (kongruenca) dhe drejt formës së katërt për reduktimin  e konfliktit ndëretnik (Horowitz), që inkurajon rreshtimin e bazuar në interesa të tjera, përveç përkatësisë etnike dhe që kundërshton decentralizimi në baza etnike (përpjekja për unifikimin e komunave me shumicë serbe). Ndër faktorët që pengojnë avancimin e shtetndërtimit janë edhe paaftësia qytetare për të ndikuar në proceset politike me anë të votës dhe “shpirti shqiptar”, në veçanti ai elitar parokial, bajraktaresk. Sipas autorit, ndërhyrjet në sistemin politik të shtetit të Kosovës shfaqen në formë të trinomit: a) bashkësia ndërkombëtare, që si qëllim primar ka stabilizimin e situatës postkonfliktuale ndërmjet dy etnive, asaj shqiptare dhe serbe; b) elita politike shqiptare, që bën përpjekje për ta normalizuar procesin e shtetndërtimit; dhe c) minoriteti serb, që duke përfituar nga diskriminimi pozitiv e pengon procesin e shtet-ndërtimit.

Haziri e ndan kulturën politike kosovare në dy faza: a) para pavarësimit, që përfshin periudhën e komunizmit (1945-1990), periudhën e totalitarizmit (1990-1999) dhe periudhën e protektoratit ndërkombëtar (1999-2008); si dhe b) pas pavarësimit të shtetit të Kosovës më 17 shkurt 2008. Ai konstaton se debati dhe mendimi kritik rreth çështjeve publike me partitë në raportin qytetar-pushtet në hapësirën kosovare mbetet akoma nën nivelin që e kanë demokracitë e zhvilluara perëndimore, se grupet e interesit kanë qenë më aktive në vendimmarrje dhe shpeshherë e kanë ndryshuar agjendën e partive, duke i detyruar të mos e zbatojnë programin partiak të prezantuar në zgjedhje. Një gjetje tjetër është edhe fakti se shoqëria kosovare nuk ka arritur ta kalojë pragun e emancipimit nga ndikimi i madh komunist, ndonëse ka bërë përpjekje për një tranzicion sa më të shpejtë. Autori shënon se shumica shqiptare bën përpjekje të vazhdueshme për të funksionuar sipas modelit Westminster, derisa minoritetet – nëpërmjet dy elementeve të fuqishme, si koalicioni dhe vetoja – më shumë e preferojnë modelin konsociativ. Përfundimet e përgjithshme të autorit janë këto:

  • besimi i qytetarëve te politikanët dhe institucionet është shumë i vogël;
  • kultura politike e periferisë është shumë më aktive sesa kultura politike e zyrtarëve administrativë ose e pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në sistemin politik;
  • minoriteti serb më shumë është i orientuar në zgjedhjet lokale sesa në ato qendrore;
  • divergjencat mes partive politike shqiptare – që reflektojnë qeverisje të mbingarkuar dhe interesa rivale dhe strategji të vetëkënaqësisë (Held, 2011) – rezultojnë me kriza të njëpasnjëshme;
  • shoqëria kosovare, në bazë të skemës së Ingelhardtit, rishtazi ka kaluar nga materializmi (mbijetesa), drejt post-materializmit (vlerat intelektuale – 1970 e këndej);
  • përmes motivimit dhe përgjegjësisë qytetare, etikës politike dhe vendimmarrjes racionale, demokracia e lartë dhe ekonomia e zhvilluar janë të pritshme dhe reale edhe për kontekstin kosovar.

Për fund mund të themi se kjo vepër i kontribuon universitetit shqiptar, që ballafaqohet me probleme të mëdha të produktivitetit shkencor autentik dhe shoqërisë shqiptare, në përgjithësi, në drejtim të progresit të përgjithshëm dhe të rrugëtimit në proceset euro-integruese, duke krijuar sfond shkencor për ndërtim të shoqërisë së shëndoshë e konkurrente me vlerat avancuese të shoqërisë globale.