` . Kultura kushtetuese kruspull - TV-SHENJA

Kultura kushtetuese kruspull

Ngadhënjimi i NATO-s i parapriu miratimit të Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit (1999), me të cilën u vendos formimi i një autoriteti qeverisës në Kosovë me prezencë ndërkombëtare. Konkretisht, kjo do të shfaqej në dy rrafshe: në atë civil (UNMIK) dhe në atë ushtarak (KFOR)

 Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren  

Viti 2019 e rrumbullakon plotësimin e decenies së dytë të çlirimit të Kosovës, njëherësh edhe hapin më serioz në rrugëtimin e idealit për shkëputje nga ish-Jugosllavia.

Kur Organizata e Kombeve të Bashkuara dështoi ta jetësonte rolin e saj humanitar, që ia ngarkon para së gjithash Karta e Kombeve të Bashkuara (1945), atëherë bota (posaçërisht ajo perëndimore) u gjend para një mëdyshjeje: o do të transmetohej episodi vijues i dramës së Bosnjë-Hercegovinës o do të kishte shfaqje të re, e cila do të prishte skenarin serb, të inskenuar më parë në Gadishullin e përgjakur Ballkanik.

Dështimi i Konferencës së Rambujesë e përkeqësoi edhe më tej gjendjen në terren. Meqë konkurrenca gjeopolitike e superfuqive e paralizoi aktivizimin e mekanizmave të OKB-së për zgjidhjen e problemit të Kosovës, atëherë NATO, në mënyrë të njëanshme, vendosi të ndërhynte për ta ndaluar tragjedinë humanitare të ushtruar nga aparati shtetëror i Serbisë, e cila, në kuptimin e subjektivitetit në të drejtën ndërkombëtare, ende bënte pjesë në Republikën Federale të Jugosllavisë. Dhe, vërtet, mungesa e tërësishme e arsyes për aksione shfarosëse nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit ishte e pajustifikueshme me çdo lloj konvente ndërkombëtare dhe kundër secilës ndërgjegje të shëndoshë.

Ngadhënjimi i NATO-s i parapriu miratimit të Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit (1999), me të cilën u vendos formimi i një autoriteti qeverisës në Kosovë me prezencë ndërkombëtare. Konkretisht, kjo do të shfaqej në dy rrafshe: në atë civil (UNMIK) dhe në atë ushtarak (KFOR). Sikurse ky administrim ndërkombëtar, edhe akti bazik i rendit kushtetues që quhej Korniza Kushtetuese, ishte i karakterit kalimtar, me qëllim të shërbimit deri në zgjidhjen e një statusi përfundimtar të qenësisë juridike të Kosovës. Kjo periudhë paraqiste fazën transitore të vetëqeverisjes në vend dhe vazhdoi deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, kur edhe shkëputet relacioni i rendit juridik të UNMIK-ut, për t’ia lënë vendin rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Dy keqkuptimet

 Është e nevojshme që, para së gjithash, të vihet theksi në dy ngatërrime të bëra shpesh në opinionin kosovar, që nga komuniteti i juristëve e deri tek analistët politikë, lidhur me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të Kosovës.

Së pari, Republika e Kosovës u krijua formalisht më 17 shkurt 2008, me leximin dhe votimin e Deklaratës së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës dhe jo me kushtetutën e Kosovës, që u nxor disa muaj më vonë, siç ngjan të pretendohet herë pas here. Zaten, njohjet e shtetësisë së Kosovës e kanë pasuar Deklaratën e Pavarësisë, duke nisur që ditën e proklamimit të saj. Prandaj, veshja e kushtetutës me epitetin konstituiv të shtetit në rastin e Kosovës, paraqet lajthim doktrinar e faktik. Domethënë, kushtetuta e ka organizuar shtetin, por akti i krijimit të tij është miratimi i Deklaratës së Pavarësisë.

Së dyti, duhet potencuar një fakt, i cili, në kushte normale politike, pa populizëm artificial të fryrë nga makineria mediale, as që do të duhej të bëhej temë trajtimi: pavarësinë nuk e ka shpallur kryeministri i atëhershëm. Ai vetëm e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë. Bile, në aspektin protokollar, është e diskutueshme nëse kjo detyrë/privilegj i ka takuar kryeministrit para Presidentit ose Kryetarit të Kuvendit. Sidoqoftë, Deklarata e Pavarësisë ka fituar fuqi juridike me t’u votuar në Kuvendin e Kosovës, si organ përfaqësues i popullit.

Kushtetutat dhe faktori ndërkombëtar

Secili entitet që mëton shtetësinë, pas shpalljes së pavarësisë, ka nevojë të nxjerrë një akt themelor mbi të cilin do ta strukturojë tërësinë e vet organizative. Ky akt është kushtetuta.

Procesi i hartimit të kushtetutave është tejet i mundimshëm, sepse me këtë nuk parakuptohet vetëm teknika e shkrimit të tekstit kushtetues. Përveç vetisë që kanë si akt juridik, kushtetutat e bartin tiparin e një dokumenti socio-politik, një themel mbi të cilin ndërtohet shteti dhe garantohen të drejtat dhe liritë themelore. Duke pasur një funksion të shumanshëm, kushtetutat lypset të hartohen me një kujdes të shtuar, duke marrë parasysh dinamikat shoqërore, politike e ndërkombëtare.

Pushteti konstituiv origjinar, në cilësinë e nxjerrjes së një kushtetute të re, mund të shfaqet në disa mënyra. Njëra ndër to është edhe paraqitja e tij me asistimin e bashkësisë ndërkombëtare, si faktor në zgjidhjen e çështjes në fjalë. Por, pse ndodh kjo?

Historia ka provuar se disa popuj kanë kaluar peripeci shumë të rënda në përpjekjen për ta krijuar e konsoliduar shtetin e tyre. Natyrisht, ky synim nuk ka si të mos shoqërohet me procesin e kushtetutëbërjes. Një vend mund të jetë arenë e luftës për një periudhë të caktuar dhe, për pasojë, mund të ndryshojë dora e sovranit aty. Po ashtu, mund të plasë një luftë e brendshme civile dhe të përmbysen të gjitha balancat sociale. Këso situatash imponojnë përveshjen e një nisme për një kushtetutë të re, që do të ishte burim konsensual. Për arsye të tilla, mund të vijë deri të ndërhyrja e faktorit të huaj, i cili, në emër të vënies së klimës paqësore, përpiqet ta fusë në binarë jetën politike dhe rregullimin shtetëror në një vend.

Kështu, me të përfunduar Lufta e Dytë Botërore, shtetet humbëse iu rrekën lentimit të një identiteti kushtetues të ri. Për shembull, nën monitorimin e aleatëve fitues, në Gjermani u nxor Ligji Themeltar (1949), i cili ka sjellë mekanizma të shumtë për parandalimin e një përsëritjeje të mundshme të një regjimi totalitar si ai i Hitlerit. Gjithashtu, në Japoni qe hartuar Kushtetuta (1946) nën mbikëqyrjen e gjeneralit amerikan Douglas A. MacArthur.

Edhe në të kaluarën më të afërt hasen raste ku ka qenë e pranishme tutela ndërkombëtare në procesin kushtetutëvënës. Në këtë drejtim, Afganistani (2004) dhe Iraku (2005) paraqesin shembuj diç më të freskët nga kontinenti aziatik. Në Ballkan është rasti i Bosnjë-Hercegovinës, që për kushtetutë të përkohshme e ka adoptuar aneksin e katërt të Marrëveshjes së Dejtonit, të nënshkruar më 1995 në Paris, si dhe rasti i Kosovës, kur më 2008 e përgatiti kushtetutën në koordinim me faktorin ndërkombëtar, përfshirë edhe përcaktimin e Raportit të Ahtisaari-t për formimin e një komisioni për draftimin e Kushtetutës.

Kultura kushtetuese kruspull

 Kur kushtetutat, si pakte sociale, përgatiten në bashkërendim me faktorë të jashtëm, doemos do të pranohen disa parime dhe standarde ndërkombëtare. Para së gjithash, pothuaj në të gjitha rastet e krijimit të kushtetutave në periudhën post-komuniste, janë të sendërtuara principet demokratike dhe veçmas liberale, madje edhe në mos qofshin të pranueshme plotësisht për mentalitetin e shoqërive në fjalë.

Në botën bashkëkohore pranohen disa parime themelore, që duhet t’i përmbajë secila kushtetutë. Përgjithësisht, ato mund të përmblidhen si: epërsia e kushtetutës, ndarja e pushteteve, shteti i së drejtës, garantimi i të drejtave dhe lirive themelore, pavarësia e gjyqësorit etj. Që të gjitha këto i kontribuojnë sistemit të një demokracie pluraliste të formësuar në një shoqëri kolorite në aspektin etnik, racor, fetar a ideologjik. Pikërisht ky është qëllimi edhe i Kushtetutës së Kosovës, e cila paraqet një shembull sui generis të nxitjes për sigurinë e komuniteteve joshumicë.

Megjithatë, jo rrallëherë ndodhin abuzime me kushtetutën. Që nga etapa embrionale e shtetësisë, Kosova ka probleme serioze me shtrirjen e sovranitetit të saj në veriun e vendit. Komuniteti serb nuk është i integruar në shoqërinë kosovare. Pjesa dërrmuese e përfaqësuesve të këtij komuniteti në institucionet shtetërore të Kosovës janë të ndërvarur nga direktivat e Beogradit, gjersa dihet mirëfilli se Beogradi punon kundër fuqizimit të shtetësisë së Kosovës. Komunitetet e tjera etnike pakicë rëndom bëhen paterica për qeveritë e gjymta, sa për t’iu qasur përfitimeve që i ofron rehatia e të qenit në pushtet.

Përvjetori i njëzetë i çlirimit e gjen Kosovën edhe me qeverinë me numrin më të madh të anëtarëve. Përkundër buxhetit të vobektë, kabineti qeveritar numëron mbi njëqind anëtarë. Shto këtu edhe numrin e stafit përcjellës, si këshilltarët, asistentët e shoferët, pastaj mëditjet e darkat, qeveria shndërrohet nga bartës i nevojave të qytetarëve në barrë për qytetarët. Krejt kjo nga zyrtarët “arsyetohet” me pretekstin se kushtetuta nuk e paskësh përcaktuar nivelin maksimal të numrit të ministrive e të anëtarëve të qeverisë dhe se ende nuk është nxjerrë një ligj përkatës që do ta rregulluaka këtë çështje! Ky shembull mund ta ilustrojë zhvillimin e kulturës kushtetuese në Kosovë.

Zbatimi i ligjit është koklavitje, per se. Korrupsioni dhe krimi i organizuar akoma e ruajnë stadin e lartë të funksionimit dhe kjo shprehet haptazi në raportet ndërkombëtare. Së këndejmi, Raporti i Progresit i vitit 2018 për Kosovën, i përpiluar nga Komisionit Evropian, shprehimisht ka potencuar se “Kosova ka arritur pak progres sa i përket historisë së vazhdueshme të hetimit dhe ndjekjes për raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë, duke përfshirë dënimet përfundimtare. Është arritur progres edhe në konfiskimin preliminar të pasurive, edhe pse konfiskimi përfundimtar mbetet i ulët. Korrupsioni është gjerë i përhapur, si dhe mbetet çështje brengosëse”.(https://www.mei-ks.net/repository/docs/kosovo_report_2018_shqip.pdf.)

I njohur në teori si pushteti i tretë, gjyqësori është garanci më vete se nuk do të lejohet arbitrariteti dhe se e drejta do të jetë triumfuese pavarësisht për kë dhe ndaj kujt. Ndonëse ky shkruhet si një idil në letër dhe nuk është gjithaq lehtë i realizueshëm, prapëseprapë nuk duhet parë si utopi.

Ndër mallkimet që mund t’i ngjajë një shteti është kur shtetasit e humbin besimin në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Aktualisht, kjo është gjendja e shumicës së popullit. Nuk ka dyshim se të fuqishmit e gjejnë mënyrën t’i përvidhen drejtësisë, kurse qytetarët e zakonshëm vuajnë në procese të tejzgjatura gjyqësore, madje për vepra penale shumë më të lehta. Kjo e rrënon edhe konceptin e barazisë para ligjit. Lidhur me këtë problem, Raporti i lartcekur i Komisionit Evropian ka theksuar që “Gjyqësori është ende i nënshtrueshëm ndaj ndikimit politik dhe institucionet e sundimit të ligjit kanë nevojë për përpjekje më të forta për të zhvilluar kapacitetet e tyre.”

Kuptohet, se padrejtësia mund të haset si në vendet e fuqishme, ashtu edhe në ato më pak të zhvilluara. Mirëpo, nuk duhet lejuar që ajo ta krijojë shtetin e vet. Nëse arrin ta bëjë këtë, përmbyset gjithçka.

Tash do të hyjmë në dhjetëvjetëshin e tretë qëkur pranuam dhuratën e paçmuar që na e bënë miqtë ndërkombëtarë: lirinë. E diçka që na duhet cep më cep mendjes: jo më dekada të reja me mendësi të vjetra!