` . Kufiri i ri e dëmton Kosovën - TV SHENJA

Kufiri i ri e dëmton Kosovën

“Sipas mendimit tim, komisioni ynë shkeljen e parë që ka bërë është mosrespektimi i procedurave elementare për përcaktimin e kufirit. Sipas rregullave të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, që mund të lexohen gati në çdo tekst të së drejtës ndërkombëtare, Komisioni i Demarkacionit duhet të bëjë shënimin e kufirit, duke vënë shenjat kufitare (shtyllat, gurët, piramidat ose ndonjë shenjë tjetër), por duke iu përmbajtur delimitacionit të bërë diku më parë, i cili shprehet me fjalë (tekst) dhe harta ku vijëzohet vija kufitare”, thotë prof. Gruda.

Intervistoi: Latif Mustafa

Zejnullah Gruda është ndër profesorët më eminentë që i ka Kosova për të drejtën ndërkombëtare. Përveç përvojës akademike dhe diplomatike, si ish diplomat në RSFJ, por edhe si drejtues i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, ai në opinionin shqiptar, veçmas në atë kosovar, njihet si intelektual që opinionin e tij publik nuk ngurron ta shpreh gjithnjë i prirë nga parime shkencore dhe krejt akademike. Në këtë frymë, në këtë numër të revistës mbarëkombëtare “Shenja” kemi realizuar një intervistë me të, në të cilën ai flet për problemin aktual të demarkacionit me Malin e Zi, por edhe për probleme të tjera me të cilat përballet shtetndërtimi i Republikës së Kosovës.

SHENJA: I nderuari profesor Gruda, meqë njiheni ndërkombëtarisht si profesor i së drejtës ndërkombëtare, a keni mundësi të na jepni një elaborim të shkurtë se si përcaktohen kufijtë ndërmjet shteteve?

GRUDA: Çështjet që lidhen me kufij janë lëndë e së drejtës ndërkombëtare publike. Nga kjo del se përcaktimi i kufijve rregullohet me normat e së drejtës ndërkombëtare të përcaktuara saktë. Shikuar kështu, është krejt normale që shumica e autorëve të së drejtës ndërkombëtare e shpjegojnë nocionin e kufijve, llojet e kufijve, mënyrat e përcaktimit të tyre si edhe mënyrat si zgjidhen mosmarrëveshjet kufitare. Midis këtyre autorëve, amerikani Charles Cheney Hyde në tekstin e tij kufijve u kushton 77 faqe. Shpjegime, sado që jo kaq ekstenzive, ka gati në të gjitha tekstet e së drejtës ndërkombëtare, në fjalorët e së drejtës ndërkombëtare, fjalorët e marrëdhënieve ndërkombëtare, fjalorët diplomatikë dhe të gjitha enciklopeditë e njohura. Studentët e shkallës së tretë në Zagreb në fillim të viteve të gjashtëdhjeta mësonin për kufijtë në kuadër të një lënde të veçantë që e mbante profesori i njohur kroat Juraj Andrassy. Ai, madje, kishte shkruar një dispencë për kufijtë, që fatkeqësisht kurrë nuk është botuar si libër.

Kufijtë përcaktohen përmes negociatave, arbitrazhit, vendimit gjyqësor, plebishitit, caktimit nga ndonjë organizëm ndërkombëtar, si Kombet e Bashkuara, cedimit si rezultat i shitblerjes ose cedimeve pas luftërave në kongrese ose konferenca të paqes ose me një akt të njëanshëm kur është fjala për kufijtë në det. Mjafton këtu të përmendet se plot akte të rëndësishme ndërkombëtare përmbajnë shumë dispozita që u referohen kufijve. Të këtillë janë, për shembull, Akti Përfundimtar i Kongresit të Vjenës të 9 qershorit 1815, Marrëveshja e Paqes midis Rusisë dhe Turqisë (Drinopol, 2 rujan 1829), Marrëveshja e Paqes midis Prusisë dhe Austrisë (Pragë, 23 kolovoz 1866; Neni V dhe VI), Traktati Preliminar i Paqes midis Gjermanisë dhe Francës (Versaj, 26 veljace 1871. Neni I); Traktati Preliminar i Shën Stefanit midis Rusisë dhe Turqisë (19 shkurt (3 mars) 1878); Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve (Londër, 1913); Traktati i Paqes së Versajit; Vendimet e Konferencës së Potsdamit (1945) etj. Në shumë nga këto akte të rëndësishme ndërkombëtare ka dispozita për kufijtë. Këso dispozita dhe praktika hasim çdoherë pas luftërave deri në Konferencën e Potsdamit, ku ishin përcaktuar kufijtë e rinj midis Gjermanisë dhe Polonisë, që ishin konfirmuar me marrëveshje të veçantë midis këtyre dy shteteve.

Të gjitha këto i përmendëm jo për lexuesit e thjeshtë, por më shumë për specialistët e përcaktimit të kufijve përmes kadastrës, që s’kanë lexuar shumë dhe atyre që mbrojnë këso ndarje të dëmshme për shtetin dhe kombin.

SHENJA: Kufijtë në Ballkan janë përcaktuar në shekullin XIX me krijimin e shteteve kombe dhe shkëputjen nga Perandoria Osmane, kurse kufijtë e shqiptarëve me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913. A mund të themi se edhe sot e kësaj dite Ballkani vuan nga përcaktimet e kufijve të dalë nga Konferenca e Londrës?

GRUDA: Kufijtë midis shteteve ballkanike janë përcaktuar në fazën e vonshme të kapitalizmit dhe në fazën e imperializmit. Si të tilla, ato janë shprehje e politikave imperialiste të shteteve të mëdha, disa nga të cilat ndihmonin popujt e ndryshëm të një feje ose të një race jo vetëm të pavarësohen, por edhe të zgjerohen në dëm të popujve të tjerë. Mjafton këtu të përmendet se Serbia vetëm gjatë luftërave ballkanike është zgjeruar për 81% kurse Mali i Zi nga 4.400 kilometra katrorë sa kishte në vitin 1860, pas luftërave ballkanike kishte 14.500 kilometra katrorë. Dhe, e kundërta, kufijtë e Shqipërisë, të vendosur nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve nuk përfillën asnjë nga aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar, duke ia lënë Shqipërisë vetëm “afërsisht gjysmën e trojeve dhe të popullsisë shqiptare”. Pasojat e kësaj ne i vuajmë edhe sot. Fatkeqësisht, përpjekjet për gllabërimin e tokave shqiptare kanë vazhduar edhe më pastaj (Traktati i Fshehtë i Londrës – 1915, Konferenca e Versajës – 1919) deri në ditët e sotme. Si kurorë e gjithë kësaj është detyrimi i Kosovës që na është imponuar, se nuk do të bashkohemi me ndonjë shtet tjetër. Dhe, ata që e kanë bërë këtë e kanë përdorë shumësin me u dukë parimorë, megjithëse intimisht kanë menduar me e penguar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Se kjo ndalesë është në kundërshtim me një normë jus cogens të së drejtës ndërkombëtare (pra është normë që nënkupton se asnjë normë tjetër nuk guxon me qenë në kundërshtim me të) dhe si e tillë është absolutisht e ndaluar, kurrkush nuk është preokupuar, por as përfaqësuesit tanë nuk ua kanë përkujtuar. Në këtë mënyrë Shqipëria dhe Kosova janë bërë pandan i Gjermanisë dhe Austrisë, sado që shqiptarët nuk kanë shkaktuar asnjë luftë botërore, evropiane ose ballkanike dhe nuk kanë kryer gjenocid ndaj cilitdo popull fqinj. Fat të ngjashëm me ne ka pasur Bosnja e Hercegovina, të cilën donin ta zhduknin nga faqja e dheut jo shumë kohë më parë, dhe populli boshnjak, që ka qenë objekt gjenocidi disa herë gjatë shekullit XX. Rezultat direkt i kësaj është “Republika Srpska”, e krijuar me akte të gjenocidit, me pastrime etnike, me kampe të përqendrimit dhe me shkelje më të rënda të ligjeve dhe zakoneve të luftë dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi, çfarë nuk ka parë Evropa që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Përkundër kësaj, kjo krijesë gjenocide, me miratimin e bashkësisë ndërkombëtare kishte, marrë afro 50% të territorit të Bosnjë e Hercegovinës, ndonëse serbët kurrë nuk kishin më shumë se 1/3 (një e treta) e popullsisë së Bosnjë e Hercegovinës. Kjo dëshmon se ndarjet në Ballkan s’kanë pasur të bëjnë fare me drejtësinë.

SHENJA: Edhe gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë u bë përcaktimi i kufijve ndërmjet republikave dhe krahinave autonome? Mbi çfarë kriteresh u bë përcaktimi i kufijve të, ashtuquajturës në atë kohë, Krahina Socialiste e Kosovës

GRUDA: Ndarja territoriale midis njësive federale, që ka ekzistuar deri në momentin e dezintegrimit të Jugosllavisë, është bërë pas çlirimit të Jugosllavisë në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe është bazuar në vendimet e Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar (AVNOJ). Prandaj, sa herë që dikush u është referuar kufijve të brendshëm brenda Jugosllavisë, rregullisht u është referuar si “Kufijtë AVNOJ-it”. Për këta kufij thuhet se janë vendosur shumë kohë para AVNOJ-it, kjo falë ekzistimit të ndarjeve historike.

Këta kufij janë vendosur duke u mbështetur në dy parime themelore: parimin etnik dhe parimin historik. Në esencë parimi etnik ka qenë themelor, kurse parimi historik ka qenë plotësues. Kjo shihet sidomos nga raporti i Gjillasit për çështjen e përkufizimit midis Kroacisë dhe Vojvodinës. Sipas shënimeve të Gjillasit, Komisioni kishte hulumtuar numrin e banorëve dhe përbërjen nacionale të Baçkës, Banatit, Sremit dhe Baranjës e, sidomos, raportin midis serbëve dhe kroatëve. Në këtë rast si bazë e përkufizimit është marrë parimi etnik me përjashtim të rrethit të Suboticës dhe qytetit të Somborit. Për disa territore Komisioni ka theksuar arsyet ekonomike dhe nacionale, ndërsa në një rast edhe arsyet gjeografike dhe ekonomike. Prandaj Komisioni pasi ka vizituar terrenin dhe pas bisedave me autoritetet lokale, përfaqësuesit organizatave politike dhe përfaqësuesit e kombësive, kishte përfunduar se kufiri i përkohshëm midis Vojvodinës dhe Kroacisë duhet të shkojë: nga kufiri i Hungarisë, lumit Danub deri … Për sa i përket territoreve kontestuese midis Kroacisë dhe Vojvodinës (rrethet e Suboticës, Somborit, Apatinit, Odzhacit, Batinës, Dardas, Vukovarit, Shidit dhe Ilokut) është vendosur në bazë të raporteve etnike. Kjo shihet qartë nga komenti i Gjillasit për metodologjinë e Komisionit, kur kishte zbuluar: “Ne shkuam prej fshatit në fshat duke u përpjekur të sigurohemi cili komb e ka shumicën. Politbiroi na kishte urdhëruar që t’i përmbahemi (t’i qëndrojmë besnikë) para së gjithash parimit etnik.” Kjo qasje shihet edhe nga raporti për përkufizimin midis RP të Serbisë dhe RP së Maqedonisë në territorin e Këshillit Popullor Vendor të Gjeneral Jankoviqit. Sipas tij, Komisioni kishte shqyrtuar aspektet kombëtare, që si arsye theksonin shokët nga Kosmeti, që pohonin se të gjithë banorët e territorit kontestues, nëse do të pyeteshin, do të deklaroheshin për Provincën e tyre autonome Kosmet.

Shikuar kështu, Jugosllavia e re ka qenë bashkim ose shoqëri e popujve ose kombeve të veçanta. Kurrkund nuk ka gjurmë të do farë kufijve kadastralë, qysh trumbetojnë disa “ekspertë“ kosovarë, e as që janë bërë ndarje midis shteteve të posaformuara mbi baza kadastrale në sektorë të rëndësishëm. Kufiri Kroaci-Vojvodinë (Serbi) edhe sot është kontestues në gjatësi prej afro 140 km për shkak të pozicioneve diametralisht të kundërta që kanë palët rreth parimit themelor për ndarje, me ç’rast Kroacia angazhohet për kriterin kadastral, kurse Serbia për Danubin si kufi natyror dhe siç e ka përcaktuar Komisioni i Gjillasit. Kufiri Kroaci-Mali i Zi për Prevllakën pretendohet të zgjidhet në bazë të do kritereve të tjera, e jo kadastrit. E njëjta gjë vlen edhe për kontestin midis Sllovenisë dhe Kroacisë për gjirin e Piranit. Prandaj, kur flitet për vijat e ndarjes, duhet ditur konkluzionet dhe propozimet e Komisionit të Gjillasit. Krejt të tjerat hyjnë në kuadër të spekulimeve.

SHENJA: Për opinionin brenda në Kosovë, por sidomos për shqiptarët jashtë Kosovës, si mund të na shpjegoni problemin e demarkacionit me Malin e Zi? Pse e gjithë kjo mosmarrëveshje? Në fakt, mbi çfarë kriteresh është propozuar ndarja e vijës kufitare me Malin e Zi, me ç’rast shumë zëra në Kosovë, përfshi edhe opozitën, thonë se – nëse ratifikohet kjo marrëveshje – Kosova do të humbë 8 mijë hektarë tokë? Ku është origjina e këtij problemi?

GRUDA: Problemi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi fatkeqësisht është shfaqur si problem i pozitës dhe opozitës në Kosovë e jo qysh rregullisht shfaqet si problem midis shteteve. Tashti ky ka marrë edhe një dimension tjetër, sepse nga një çështje thjesht bilaterale është shndërruar në çështje ndërkombëtare. Për këtë ka faj pozita, e cila tenton me çdo kusht ta kalojë një marrëveshje që është tejet e dëmshme për shtetin dhe kombin, duke insistuar të na bindë se Komisioni ynë për demarkacionin e kufirit e ka kryer punën mirë dhe se Kosova nuk humb asgjë. Për këtë qëllim pushtetarët trumbetojnë dilemën artificiale, se a na duhet demarkacioni apo jo, diçka që asnjë njeri normal nuk e vë në pyetje. Në këtë mënyrë ata përpiqen ta fshehin esencën e problemit që konsiston në lëshimet serioze në punën e komisionit tonë dhe me nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Për mua personalisht, Komisioni i ka tejkaluar kompetencat e veta, siç definohen me të drejtën ndërkombëtare, dhe në vend të shënimit të kufirit (që është thjesht punë teknike), ka përcaktuar një kufi të ri i cili është 5-6 kilometra larg vijës së njohur kufitare, me çka Kosova dëmtohet rëndë. Fatkeqësisht, të kundërtën e kësaj e thotë kryeministri i Kosovës, sipas të cilit Komisioni e ka shënuar kufirin aty ku është dhe s’ka qenë në mandatin e tij të caktojë kufij të rinj, që d.m.th. se Kosova nuk humb asnjë metër toke të saj. Ajo ku ne nuk pajtohemi është pyetja: ku ka qenë kufiri? Natyrisht, derisa unë (dhe jo vetëm unë) përgjigjen në këtë pyetje e kërkojmë në vitin 1945-1946 (Komisioni i Gjillasit) dhe hartat të cilat nuk mund t’i vë në dyshim ose t’i kontestojë kushdo qoftë, midis të cilave ka edhe harta të Malit të Zi që i kanë autorizuar organe malaziase, komisioni ynë na tregon do vija kadastrave, që tregojnë pronarët e tokave që janë pjesërisht persona të së drejtës private (individë ose shoqata) e pjesërisht persona të së drejtës publike (shteti, bashkësitë lokale), gjë që s’ka të bëjë me sovranitetin territorial, diçka që fare nuk është llogaritur relevante në kohën kur janë bërë ndarjet midis republikave dhe popujve të ish Jugollavisë. Dhe, për ta ilustruar këtë, mjafton të theksohet se Qeveria e RFPJ-së më 16 maj 1946 u kishte dërguar letër qarkore të gjitha qeverive të republikave popullore që sa më parë t’i paraqesin propozimet për ndryshimin e përkufizimeve me arsyetimet e detajuara nga pikëpamja e përbërjes nacionale, lidhjeve ekonomike me territoret tjera dhe motivet pse kërkohet ndryshimi. Pas kësaj, me shkresën e datës 26.IX.1946 njoftohej Kryesia e Qeverisë së Republikës Popullore të Malit të Zi se kishin arritur “propozimet konkrete për disa ndryshime territoriale në kufirin midis … Malit të Zi dhe Provincës Autonome të Kosmetit”. Në shkresë shkruante tekstualisht: “Duke mos u lëshuar në anën juridike të këtij kontesti rreth të drejtave të pronësisë dhe të drejtës së shfrytëzimit të pyllit të përmendur, konstatojmë se edhe këtu duhet përcaktuar vijën kufitare. Ju dërgojmë propozimet e mësipërme të … dhe provincës së Kosmetit, që për këtë të jepni mendimin dhe kundërpropozimet tuaja, në mënyrë që të mund t’i hyhet zgjidhjes së problemit të përkufizimit midis republikave popullore të caktuara.” Kështu qysh na servohet tashti, Kosova e paska transferuar sovranitetin mbi Bjelluhën kur Shoqëria Alpiniste “Gjeravica” e Pejës ia ka shitur dikujt në Plavë Shtëpinë e Alpinistëve në Bjelluhë (afërsisht në vitin 1961). Por, kështu as nuk përcaktohen kufijtë, as nuk ndryshohen kufijtë. Mjafton të shihet kufiri Holandë–Belgjikë, që në disa segmente i ndan rrugët, lokalet ose shtëpitë ose kufiri Finlandë-Suedi, që kalon përmes disa shtëpive.

Sipas mendimit tim, komisioni ynë shkeljen e parë që e ka bërë është mosrespektimi i procedurave elementare për përcaktimin e kufirit. Sipas rregullave të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, që mund të lexohen gati në çdo tekst të së drejtës ndërkombëtare, Komisioni i Demarkacionit duhet të bëjë shënimin e kufirit, duke vënë shenjat kufitare (shtyllat, gurët, piramidat ose ndonjë shenjë tjetër), por duke iu përmbajtur delimitacionit të bërë diku më parë, i cili shprehet me fjalë (tekst) dhe harta ku vijëzohet vija kufitare. Ky rregull mund të mos përfillet vetëm nëse Komisioni ka autorizim të veçantë për këtë dhe nëse e ndryshon vijën kufitare në masë të pakonsiderueshme. Kështu, psh. Jugosllavia dhe Italia, me rastin e përcaktimit të kufirit pas Luftës së Dytë Botërore, e kanë autorizuar Komisionin që mund t’i shmanget vijës së përcaktuar në tekst dhe në harta për maksimalisht 500 metra, nëse një gjë të tillë e arsyetojnë rrethanat vendore. Dhe, me kaq çdo gjë përfundon.

Kufiri Kosovë-Mali i Zi, sipas Gjillasit, është lënë në Çakor. Dhe, ky kufi është kufi historik, kufi natyror, kufi strategjik, kufi hidrologjik, kufi ekonomik e social etj. Kufiri në Çakor na shfaqet në të gjitha hartat e rëndësishme që pas së Luftës së Dytë Botërore deri në kohën e sotme, e madje edhe në hartën e Kosovës të përgatitur nga kryetari i komisionit tonë. Mjafton këtu të përmenden hartat e përgatitura nga Instituti ushtarak gjeografik, por edhe harta e vetë Malit të Zi, të cilat janë të autorizuara nga organet shtetërore të Malit të Zi. Pse atëherë janë bërë shmangie nga këto dhe është aplikuar një kriter dubioz i ndarjes, që nuk figuron në asnjë tekst të së drejtës ndërkombëtare si kriter bazë për përcaktimin e kufijve dhe që e ka ndryshuar vijën kufitare për 5-6 kilometra në sektorin e Çakorit dhe të Kullës, pra dy pikave më të rëndësishme që e ndajnë Kosovën me Malin e Zi. Dhe, në vend se ta shkarkojnë Komisionin dhe të distancohen nga puna e tij, pushtetarët i mbrojnë dhe lavdërojnë punën e tyre.

SHENJA: Nëse deri më tani shtetet që kanë njohur sovranitetin e Kosovës, e kanë njohur në kufijtë aktualë të saj dhe nëse supozojmë se Kosovës i rrudhen kufijtë ose i ndryshohen, kush mund të jetë arbitri final në përcaktimin e kësaj çështjeje, kur e dimë se Kosova akoma nuk është pjesë e OKB-së?

GRUDA: Gjatë diskutimeve rreth demarkacionit shpeshherë janë përmendur Kushtetuta e vitit 1974, Pakoja e Ahtisarit e vitit 2007 (që i referohej kufijve të Kosovës që kanë ekzistuar më 31 dhjetor 1988), Marrëveshja e Kumanovës etj. Dhe, deri këtu nuk ka asnjë problem. Problemi qëndron në kuptimin dhe interpretimin ose, më mirë thënë, keqinterpretimin e këtyre akteve. Ajo që botërisht është e njohur dhe e pranuar është se Kushtetuta e vitit 1974 (që të gjithë që i referohen përdorin njëjësin, sepse fjala është për kushtetutën federative), ka vetëm një dispozitë për kufijtë, në të cilën precizohet se territori i republikës ose territori i krahinës autonome nuk mund të ndryshohen pa pajtimin e republikës, respektivisht krahinës autonome, dhe se këta kufij mund të ndryshohen vetëm në bazë të marrëveshjes midis tyre (Neni 5, alineja 2 dhe 4). Për sa i përket territorit të Kosovës, edhe Kushtetuta e Republikës së Serbisë edhe Kushtetuta e Kosovës kanë një dispozitë identike, sipas së cilës territori i Krahinës Autonome të Kosovës nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e kuvendit krahinor (Neni 292 i Kushtetutës RS të Serbisë dhe neni 3 i Kushtetutës KSA të Kosovës). Kushtetuta republikane dhe krahinore thonë se territorin e krahinës autonome e përbën territori i komunave të tashme. Cili është ai territor nuk shkruan, por është e paimagjinueshme që, për shembull, kufiri i Komunës së Pejës të jetë afërsisht në Kuqishtë, kurse kufiri Serbi-Mali i Zi, respektivisht kufiri KSAK-Mali i Zi të jetë në Çakor. Kjo vlen edhe për kufirin midis Pejës dhe Rozhajës në Kullë. Dhe, me kaq çdo gjë përfundon. Tekefundit ndonjë “akademik” kur flet për këto është mirë të shikojë çka shkruan në vështrimin monografik “Kosova” të botuar nga vetë Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës në vitin 2011, pra katër vjet pas propozimit të Ahtissarit. Në faqen 23 të monografisë Kosova shkruan tekstualisht: “Në pjesën veriperëndimore Kosova kufizohet me Republikën e Malit të Zi. Linja kufitare ka gjatësinë rreth 78.6 km. Nga trekufiri Kosovë-Mali i Zi-Serbi linja kufitare shtrihet nëpër kotat e larta të Bjeshkëve të Nemuna – Bogiçevicë, Mokën, Hajlë dhe Zhleb. Linja kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi pritet me dy arterie rrugore automobilistike në Qafë Kullë (1.795 m) dhe Çakor (1849 m), që trajtohet si njëra ndër qafat më të larta malore në Ballkan”. Teksti identik është në versionin anglisht të botuar më 2013 dhe këtë mund ta lexojnë edhe ata që nuk e dinë shqipen, por që i dinë kufijtë më mirë se ne dhe njerëzit që kanë lindur dhe janë plakur në këto zona.

Sipas propozimit të Marti Ahtisaari-t, kufijtë e Kosovës janë ata që kanë qenë në fund të vitit 1988. Ata nuk janë ndryshuar pas vitit 1974, sepse ne do ta dinim për shkak të procedurave të parashikuara. Ata nuk janë ndryshuar për më tepër që nga viti 1945-46, me përjashtim të rastit kur Kosovës i janë bashkangjitur Leshaku dhe Leposaviqi më 1959. Prandaj, kur flitet për territoret e Kosovës, duhet të vendosë populli i Kosovës dhe askush tjetër. Rrjedhimisht, kushdo që insiston për diçka tjetër, duhet t’i thuhet siç i kishte thënë Hasan Ferri një pashai osman: “Sulltani mund t’ia japë Malit të Zi tokat e veta, por jo tokën shqiptare.” Atëherë Mali i Zi insistonte me dalë në Çakor për ta pasur në pëllëmbë Plavën e Gusinë, por tash kur i ka (padrejtësisht), pse kërkon t’i marrë dy pikat më të rëndësishme strategjike dhe të hyjë thellë në territorin e Kosovës, duke i shkelur të gjitha rregullat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare për përcaktimin e kufijve nëpër vargmale? Tekefundit një gjeograf malazias (Marko Knezheviq) na tregon se kufijtë e komunës së Plavës dhe tërë asaj lugine (me Gusinë) në pjesën më të madhe janë natyrorë (ujëndarja) dhe, përgjithësisht, përputhen.

SHENJA: Nëse në botë ka plot konteste aktive të kufijve, mes tjerash edhe të shteteve të BE-së, shtrohet një pyetje politike, që ka shpjegim me të drejtën ndërkombëtare: sa është i drejtë kushtëzimi që ia bën BE-ja Kosovës për liberalizimin e vizave me kusht që të miratohet demarkacioni?

GRUDA: Unë e thashë më parë se problemi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është shndërruar pa të drejtë nga një çështje bilaterale në çështje ndërkombëtare. Kështu, Kosova dhe populli i saj është vënë para një presioni të dyfishtë: një që vjen nga Bashkimi Evropian (Mogerini, T. Fajon, Urlike Lunaçek etj.), i cili tani ka sajuar një kusht që deri më tani nuk i është vënë asnjë shteti trashëgimtar të ish-Jugosllavisë (Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë dhe Serbisë), e që konsiston në kërkesën për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi ose nuk do të ketë heqje të vizave, ndërsa një presioni i dytë vjen nga Qeveria e Kosovës, që e përdorë Bashkimin Evropian (por edhe SHBA-të) si aleat për të heshtur kundërshtimet e arsyeshme dhe për ta kaluar Marrëveshjen, sepse pa plotësimin e këtij kushti “nuk do të ketë liberalizim të vizave”.

Natyrisht, unë jam i vetëdijshëm për rëndësinë e definimit të saktë të kufijve, pra edhe të këtyre me Malin e Zi, por ajo që nuk mund ta kuptoj është përpjekja e ndonjë gjeografi që veprimet e papërgjegjshme dhe joprofesionale të na i arsyetojë me kërkesat nga Konventa mbi të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve (Konventa e Montevideos, 1933), ku përmenden kushtet që duhet t’i plotësojë një subjekt për t’u llogaritur shtet. Dhe, meqë kështu diskutimi është zhvendosur në terrenin e së drejtës ndërkombëtare, unë po ia lejoj vetes t’jua përkujtoj se kufijtë definitivë të shtetit shqiptar janë definuar në vitin 1926, megjithëse Shqipëria është njohur në vitin 1913, ndërsa kufijtë e Izraelit nuk janë definuar deri në ditët tona, megjithëse Izraeli është pranuar në OKB më 1949. Prandaj, para se dikush të insistojë që të kryhet demarkacioni i kufirit Kosovë-Mali i Zi, do të duhej të kërkonte që e njëjta punë të kryhej midis Izraelit dhe Palestinës, që është plaga më e rëndë e botës për më shumë se gjashtë decenie.

Për hir të së vërtetës, duhet të them se insistimin e miqve tanë të vërtetë për ta definuar kufirin me Malin e Zi unë nuk e kam kuptuar si kërkesë që të legjitimohet një vijë e padrejtë dhe e dëmshme për Kosovën, por si kërkesë që të kryhet një punë që i ndihmon stabilizimit të Kosovës dhe i kontribuon forcimit të paqes në këtë pjesë të botës.

Postime të Ngjajshme