` . “KUDA PLOVI OVAJ BROD” – TV-SHENJA

“KUDA PLOVI OVAJ BROD”

Sot për universitetet shqiptare në Maqedoni, për pjesën e tyre të pafat dhe joarsimore.

  1. Njëri universitet e ka edhe në emërim Europën, kurse psikanalistët thonë se kur diçka theksohet shumë pikërisht ajo gjë mungon aty më tepër. Gjatë kohës së ligjërimit atje, disa herë më janë dhënë syllabuse lëndësh që nuk i kuptoja as me disa të lexuar. Është ligj: mendimi i qartë pjell diskurs të qartë. Nëse nuk e merrja vesh vetë si do t’ua qartësoja studentëve? Si ka mundësi një person akademik, nuk më besoheshte! të shkruajë tekst të tillë dhe një person tjetër akademik ta recenzojë gjepurën? A do të donin fëmijëve të tyre t’u ligjëroheshin gjepura të tilla?

Bufeja e një institucioni është pasqyra më e mirë e tij. Bufetë e UEJL-it dhe UT-së janë më pak interesante sesa çajtoret e Çarshi. Flas si “insajder”, pas 7 viteve punë në universitet dhe pas qindra kafesh në Shkupin e vjetër. Mund të provoni ndonjëherë të uleni sa për provë në bufetë ku rrijnë doktor profesorët dhe asistentët e që do të duhej të ishin ajka e shoqërisë. Hiq përjashtimet, aty nuk bën vaki të dëgjosh biseda inspirative, jashtëpolitike ose hajde ta them troç – shkëmbim mbresash për një libër të lexuar, film, shfaqe, studim shkencor…e as diskutime se si të bëhen më cilësore, jo sa për sy e faqe, por vërtet më cilësore, plan-programet që emërohen në mënyrë moderne kurikulumet. Më falni në shprehje, ama palidhje emërtim siç janë palidhje një pjesë e mirë e tyre dhe duken si shkarravina fëmijësh; ose e kundërta – të mira në letër, të trishta si realizim në orët akademike. Kjo ndodh në të gjitha fakultetet private ku mbahet llogari për disponimin e studentëve sikur të ishin spa-qendra e jo tempuj të arsimimit sipëror.

  1. Universiteti tjetër nënkuptohet me rektorin e vet dhe me faktin skandaloz që profesorët part-time pagohen minimalisht në fund të vitit akademik. Nëse në shtet normal i propozoni një ligjëruesi të angazhohet falas në universitet, do t’ju shikojë me pabesi duke e marrë si tallje të pakrypë. Ata që punojnë angari në USHT e legjitimojnë sistemin diskriminues mbi të cilin qëndrojnë pezull pikëpyetjet “ku shkojnë paratë e akorduara për universitetin” ose “përse nuk i akordohen paratë e nevojshme” dhe, që paradoksi të jetë më i madh, shqiptarë kanë qenë ministra të Arsimit?

Kuptohet edhe te njëri edhe te tjetri universitet ka fakultete ku janë mbledhur ekip cilësor ligjëruesish prej të cilëve studentët kanë çka të mësojnë. P.sh Fakulteti i Shkencave Informatike, nëse mirëe  thash, në UEJL, Fakulteti i Gjuhës Shqipe në UT dhe po aty, POR AMA dikur, e jo tash me punësimet e reja nepotike, Fakulteti i Arteve Figurative.

  1. Universiteti Nënë Tereza?

Cilën fjalë ta përdor për atë film horror, shfaqe tragjikomedike ku gjoja leksionet akademike zhvillohen në shkollë fillore.

Universiteti,  që, për bela, mban alamet emrin e Nënës sonë, që nga fillimi më dukej si Frankeshtajn dhe ikonë, më drejtë thënë një nga ikonat e politikës improvizuese shqiptare, sidomos improvizuese pas Luftës në vend që të ishte e kundërta, nuk na besohet!