` . Kuadrot profesionale braktisin Maqedoninë, shumica shqiptarë (VIDEO) - TV-SHENJA

Kuadrot profesionale braktisin Maqedoninë, shumica shqiptarë (VIDEO)

Maqedonia po humb kategorinë më vitale dhe kuadrot më të mira dhe potencialin arsimor dhe profesional. Gjithnjë e më shumë kuadro të përgatitura profesionale dhe me arsim të lartë, lëshojnë vendin dhe kërkojnë punë në vendet e BE-së. Jozyrtarisht mësohet se shumica prej tyre janë shqiptarë.

Interesimi më i madh është për në Gjermani, ku ka një treg të madh pune dhe procedura më të lehta për marrjen e vizave të punës dhe pajisjen me dokumentet e nevojshme. Zyrtarisht, në gjashtë muajt e fundit vetëm në Gjermani për vizë pune kanë aplikuar 3135 persona. Këto të dhëna Televizioni Shenja i siguroi nga ambasada gjermane në Shkup, por nuk dhanë më shumë hollësi rreth profesionit të aplikantëve si dhe numrit të atyre që kanë fituar vizën deri më tani.

“Në gjashtë muajt e fundit janë dorëzuar 3135 kërkesa për vizë pune. Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna statistikore për strukturën arsimore të aplikantëve”, kanë thënë nga ambasada e Gjermanisë për TV SHENJA.

Por burime jozyrtare nga agjencionet që ndërmjetësojnë në gjetjen e vendeve të punës, flasin se bëhet fjalë për kuadro të shkolluara dhe profesionist në disa drejtime si mjek, infermiere, inxhinier, gastronom dhe kuadro me përvojë në lëmi të tjera. Sipas të njëjtave burime interesimi rritet gjithnjë e më shumë, ndërsa bëhet fjalë për dhjetëra mijëra kuadro të arsimuar që janë shpërngulur viteve të fundit. Pjesa dërrmuese e tyre pas sigurimit të dokumentacionit dhe punësimit me vete marrin edhe anëtarët e tjerë të familjes që ndikon edhe më shumë në rritjen e numrit të personave që thonë lamtumirë Maqedonisë.
Arben Zeqiri /SHENJA/


ARBEN 1_03.09.2017 by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme