` . Ku do të jenë shqiptarët pas 11.780 ditësh!? – TV-SHENJA

Ku do të jenë shqiptarët pas 11.780 ditësh!?

Dhe thuaj: “Unë jam vetëm qortues i haptë”, siç i kemi qortuar Ithtarët e Librit, ata të cilët Kur’anin e ndajnë në pjesë. Dhe pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t’i marrim në përgjegjësi, për atë çka kanë bërë. (Kur’ani, el-Hixhr, 89-93)

Shkruan: Ismail BARDHI, Shkup

Hyrje

 Më pëlqeu kërkesa e revistës “Shenja” për futurizmin, se ku i shoh shqiptarët në vitin 2050. Në çast m’u paraqit e kaluara jonë dhe e përjetova dhimbjen e tyre, që “nuk” e shprehin, e ajo është pyetja: “Ku e shohim ne veten nesër, respektivisht dje!?!” Faktikisht, këtu qëndron problemi: çështja e kohës dhe moskuptimit të saj, e cila ka qenë dhe mbetet si fenomen në të cilin shkruhet çdo gjë. Por, kjo neve nuk duhet të na mashtrojë. Ne duhet ta shohim realitetin brenda mundësisë sonë njerëzore, ndërsa mundësia jonë njerëzore është tek përgjegjësia që kemi dhe në atë se si jemi. Këtu qëndron problemi i madh i kohës së kaluar, që nuk kalon asnjëherë.

I Hyrje

 Edhe të lashtit konsideronin se, ashtu si “perëndia” Janus, koha është “hyjni” me dy fytyra. Nëse është hyjni, do të thotë se është shumë e rëndësishme për jetën tonë njerëzore. Por, përse i ka dy fytyra? Përse njëra e ka ngulitur shikimin në të kaluarën, ndërsa tjetra në të ardhmen? E çfarë gjendet midis atyre dy fytyrave? Pikërisht ajo “kokë” e Janusit, që siguron bashkimin dhe tërësinë e kohës. Në të, sipas vizionit të Th. S. Eliotit, “E tashmja dhe e kaluara janë të pranishme në të ardhmen, ndërsa e ardhmja është e përmbajtur tek e kaluara”.

Kjo kohëzgjatje e ndërlidhur është ai rrotullim i kohës dhe ne atë e quajmë kohshmëri. Ai është “themel i drejtpërdrejtë ontologjik” i çdo këtu-qenieje (siç thotë Heidegger), ndërsa ne më me dëshirë do të thoshim këtu-qenieve. Kohshmëria është tipar i qenësishëm, që kohën e bën kohë, d.m.th. ajo vetë bërthama e fenomenit, që ne e quajmë kohë. Kohëzgjatja në raport me “më parë” dhe “më pas” ia jep kohës identitetin dhe vazhdimësinë e saj. Kohëzgjatja në kohshmëri e mundëson ligjshmërinë në natyrë, ndërsa ligjshmëria e lind shkencën.

Po të mos ishte ligjshmëria, nuk do të mund të ekzistonte asnjë shkencë, pra as ajo për kohën. Prandaj, kronologjia (të mos përzihet me kronikën) është e lidhur ngushtë me kosmologjinë dhe fizikën dhe pikërisht shkencëria e saj i mundëson justifikim dhe rreptësi. Si e tillë, ajo është e bashkëqenësishme për çdo shkencë tjetër. Koha e ka humbur vlerën objektive dhe shkencore dhe është tërhequr në dhomat e fshehta të shpirtit.

E di se në pyetjen e parashtruar, se ku e shohim veten në të ardhmen, pritet një interpretim joteorik, por më tepër politik dhe kulturor, por ç’të bëjmë që fenomeni i kohës kërkon thellësi dhe një interpretim mes të mundurës dhe të pamundurës. Duke lexuar një vepër me peshë të përkthyer në gjuhën shqipe, mes tjerash, vërejta përkthimin e një hadithi që ishte disi larg origjinalitetit të tij dhe më nxiti të mendoj se përse ishte përkthyer asisoj!? Nuk është e kotë thënia se “koha ndikon në gjithçka”; edhe në hadithin e përmendur ka ndikuar koha: ai nuk ishte përkthyer sipas përmbajtjes së vet thelbësore, por sipas asaj që ekziston ndër ne dhe për ne, sepse ne ashtu jemi duke e “praktikuar” kohën e kohës. Përkthimi i hadithit ishte: “Allahu urdhëroi se njeriu e shan kohën; ndërkohë që kohën e kam krijuar Unë!…” Është e ditur se hadithet me status të veçantë thonë se “duhet pasur kujdes me kohën, mos e shani atë, ajo nuk është fajtore”, por ja që tek ne të gjitha lëshimet tregojnë se kjo kohë është duke na dënuar. Ne po tallemi me kohën!

 

II Hyrje

 

Të flasësh për të ardhmen, duke e harruar të kaluarën, është shumë vështirë; duhet ta harrosh gjuhën, vendin dhe mendjen, sidomos rrethin e rrethuar ku jetojmë, i cili jo vetëm që na ka “rrethuar”, por edhe na ka robëruar dhe vazhdon të na robërojë, ndaj gjithandej e ndjejmë veten si hiçgjë, ngaqë e përjetojmë ndëshkimin e së kaluarës që është i shumëllojshëm, duke qenë kryesori ai kur njeriu e humb vetveten në mes të vendit ose kur thotë: “Oh, Zot!”.

Pas kësaj “oh” dhe kërkesës për një shtegdalje në trajtën e “shqiptarëve në vitin 2050-të” më dolën parasysh kultura/edukata dhe feja. Dihet se një ndër popujt më të lashtë janë çifutët. Ata me shekuj nuk kanë pasur shtet, por kanë pasur kulturën/edukatën dhe fenë, ndaj në saje të kësaj një grup radikal fetar në mesin e tyre (Neturei Karta) mendon se fundi i këtij populli mund të jetë ose është krijimi i një shteti të vetëm të tyre, ku do të mblidheshin të gjithë. Koha disi është duke e dëshmuar se kuptimi i shteteve dita-ditës është duke humbur. Për këtë jemi dëshmitarë edhe kur i shohim shtetet jofunksionale, por edhe kur shohim njerëz të sikletosur nga shteti i tyre, kjo për arsye se politika dhe nacionalizmi i ka mbytur dhe i ka ngulfatur në diçka që është e pamundur të përkufizohet në formë të përmbledhur. A thua edhe ne shqiptarët nuk e kemi ngulfatur vetveten?!?

Më lejoni t’i rikthehem në mënyrë kronologjike të kaluarës, jo asaj aq të largët. Ne dimë për Perandorinë Osmane dhe “robërimin” nga ajo, që asokohe nuk i është bërë kritikë, por shumë më vonë. Është mirë të mos e harrojmë se në atë kohë faktori shqiptar ka sunduar në 5 vilajete, të cilat sot nuk mund t’i shohë as në ëndërr. Edhe krijimi i shtetit shqiptar “pas-osman” u bë me “zor” dhe atë nga figurat e njohura të po asaj perandorie, që ne akoma tërë energjinë intelektuale e mbështesim duke e kritikuar. Pse vallë? U krijua ashtu siç u krijua një “shtet” përplot me probleme dhe paqartësi. Dikush e pranoi, dikush nuk e pranoi, pa marrë parasysh se pjesa më e madhe territoriale e tij mbeti jashtë ndikimit të shqiptarëve. Brenda kësaj periudhe ka pasur vazhdimisht konflikte, e deri te princa “të dhuruar” me kombësi joshqiptare për shqiptarët. Në vazhdën e kësaj u vetemërua një mbret shqiptar, që u luftua nga vetë shqiptarët. Dalëngadalë në atë kohë u përgatit terreni për një sistem krejtësisht tjetër, që ishte larg traditës dhe kulturës shqiptare – ideja marksiste-komuniste nën mbikëqyrjen ruse/serbe. Për atë kohë nuk flitet shumë, por dihet se ajo i nxori shqiptarit gjithçka nga brendia e tij dhe e përgatiti atë të flasë vetëm për “ardhmërinë”; e mësoi të mos fliste për “krimin dhe ndëshkimin”, i hyri në palcë shpirtit dhe mendjes së shqiptarit. Ajo kohë, nga vetë shqiptarët, ka mbytur më shumë shqiptarë se çdo sundim i huaj mbi shqiptarët. Përfundimi i këtij sistemi përfundoi para se të fillonte, sepse e tregoi realitetin se ne shqiptarët e harrojmë enigmën e kohës dhe kuptimin e asaj që ishte e djeshme, e sotme dhe e nesërme. Sa turp i madh kur i shihje teksa iu vërsuleshin përmendoreve të panumërta të figurës së “pavdekshme” të Shokut! Besoj se akoma nuk janë harruar as lotët dhe vajtimi për të. Paramendoni prej “asaj” kohe të kalosh në një kohë “tjetër” – në demokraci të një lloji të paparë askund në botë. Jam i bindur se edhe ata u trishtuan me vetveten e tyre dhe me atë çka bënë: e operuan nga vetja ndërgjegjen dhe arsyen dhe u futën në një kohë “tjetër”, e cila mund të themi lirshëm se ishte “e kaluar”. Tërë populli e përqafoi me lot në sy. E çka ndodhi më ’97-ën? Kryeministri i një vendi u arratis nga burgu pa i dhënë llogari askujt dhe u shkaktuan trazira që nuk shpjegohen dot, u zbraz Shqipëria nga gjithçka që kishte: u vodh armatimi, natyrisht me ndihmën e shqiptarëve, u shitën shinat e hekurudhave për skrap, u shitën edhe gëzhojat e predhave për skrap… Shikoni se sa “të mençur” jemi ne shqiptarët, nuk flasim shumë për këtë dhe nuk dëshirojmë t’ia dimë për këtë kohë! E ç’të flasim për “piramidat” e shqiptarëve të kohës së faraonëve modernë, që e “shkaktuan” ‘97-ën: u “mashtruan” të gjithë dhe u vodh e vjedhura e tyre me ligj; shqiptari sërish u përplas për toke. Pastaj u paraqit, me vonesë, lloji i dytë i shqiptarëve, që nuk shiheshin me simpati të madhe nga vetë shqiptarët. Edhe pse kishin “flijuar” shumëçka për diçka që ata akoma nuk e dinë pse, edhe ata përdorën të njëjtën metodë! Sikur ta kishin ditur se e kanë flijuar vetveten për një “ardhmëri” të shkuar, nuk e di se a do të ishin “pjesëmarrës” të lëvizjeve nëntokësore, mbitokësore dhe ajrore. Besoj se mbetën të trishtuar nga emërimet që u bënë nga dikush. E njëjta gjë i ndodhi edhe një pjese shqiptare që mezi e kapërcen 25-qindëshin, sipas disave, kurse sipas atyre që vetëkënaqen me shifrat, arrin mbi 50 për qind. Asnjëherë nuk përputhen fjalët që fliten në vetmi dhe në shtëpi me atë që thuhet publikisht; pa fare turpi mbështetet mendimi i fitimit dhe shpëtimit në qarqet e grupeve të gjeneralëve, komandantëve!

Në këtë kohë nuk duhet harruar edhe kohën e kulturës, e cila dita-ditës është duke u zhdukur, pa marrë parasysh “mundimet” e dhimbshme të revistave dhe shkrimeve, respektivisht mendjes së shqiptarëve. Ne flasim për një kohë 100-vjeçare. Çfarë gjurmësh jemi duke lënë mbi atë kohë, që eventualisht i ndihmojnë diçkasë? Si duket, kjo nuk ndodh rastësisht, por kërkon një mendje dinakërore, shejtani, se përndryshe askush nuk ka mundësi të veprojë me një arsye të shëndoshë. Ta harxhosh mundin njerëzor pa e ditur, të mos themi me qëllim të shkatërrimit, nuk jemi duke parë në hapësirën tonë, përpos nesh. Gati të gjithë “fituan” dhe lanë histori, e ne çka? Çka ka ngelur nga kultura jonë, cilat institucione? Edhe fondet evropiane harxhohen atje ku askush nuk jep llogari. Ne jemi të rrethuar dhe të dënuar me kulturë të pakulturshme dhe të financuar që jokulturën e pakulturshme ta bëjmë të kulturuar. Kjo ndodh tek ne.

Arkitektura “jonë” është temë më vete, që dita-ditës është duke e humbur kuptimin e saj historik, kulturor e estetik. Hapësira urbane shqiptare, në këtë dimension, për çdo ditë, javë e muaj vetëm tmerrohet nga ajo që shesh. Thuajse nuk është sundim nga ne, por nga dikush tjetër “i mbinatyrshëm”.

Bota e informacionit, e cila e ka humbur lirinë, faktikisht është e dalë në ankand: kushdo të japë më shumë – aty e ke, pa marrë parasysh se kemi njerëz të aftë në këtë lëmë. Shtëpitë informative shuhen ose zhduken si kërpudhat “para” shiut. E ç’të flasim për institucionet fetare, të cilat jetojnë “mbi” fenë, së cilës nuk i shërbejnë, por i shërbejnë së ligës, ngaqë heshtin para saj?! Nuk besoj se ka Krishteri  dhe Islam siç janë ato tek ne, për çka ne jemi dëshmitarë të gjallë se dita-ditës vlerat morale dhe siguria njerëzore “shpëtimin” mund ta kërkojë dhe ta gjejë vetëm nëpër shkretëtira. Kulmi i kësaj ishte dhe mbetet “ndalimi” i Zotit. Ato e shpërfillin përgjegjësinë që kanë ndaj krijimit dhe mbrojtjes së imazhit për shqiptarin dhe, për fat të keq, heshtin para atyre që krijojnë ardhmëri të rrezikshme për të gjithë ne. Ata nuk pyeten asnjëherë se kush është duke krijuar armiqësi me fqinjët tanë.

Kryeministrat tanë të shumtë dhe me karaktere të veçanta nuk mbështeten në asgjë, përpos tek çallëmi dhe kotësia, sepse ata veprojnë sipas humbësve më të mëdhenj të botës: fjalët dhe veprimet e tyre janë dëshmi për këtë, kjo ngaqë ata me veprimet e tyre “mendojnë” vetëm për të nesërmen. Këtë e bëjnë me paramendim: janë të vetëdijshëm se shqiptarët, shikuar historikisht, shumë më tepër kanë luftuar njëri-tjetrin dhe janë masakruar më shumë nga vetja sesa nga të tjerët. Ata qëllimisht i uzurpojnë postet e tyre, duke “i hipur” njëri-tjetrit. Ata janë “të pavdekshëm” dhe thonë se do të largohen kur të vendosin vetë. Ata janë duke i falur territoret shqiptare në një mënyrë që nuk e bën askush në botë; ata janë duke u shfaqur si “gjeneralë të ushtrisë së vdekur”.

III Përfundim

Për gjithë këtë gjëmë, që na ka gjetur, gjithsesi se ka zgjidhje dhe në kërkimin e saj gjithsesi duhet menduar për shpëtimin dhe jetën ideale, për të pasur një shoqëri “ideale”, një shtet “ideal”. Për këtë si burime i kemi kohën, tokën, Shpalljen, kemi arsyen, kemi zemrën. Të gjitha këto nuk meritojnë të shiten e blihen, të bëhen pjesë pazarllëqesh; të gjitha këto nuk lejojnë krijimin e miteve dhe mitologjizimin; të gjitha këto nuk lejojnë nënçmimin dhe ofendimin. Koha në të cilën jetojmë pandërprerë na fton për të pasur kujdes të veçantë për atë se nga është duke shkuar njerëzimi; ajo flet për rrezikun e shkencës pa Zot dhe teknologjisë që mundohet të prodhojë njerëz në seri pa shpirt dhe pa dashuri, por vetëm me mendje/çipa, kjo përkundër faktit se tokë pjellore për idealen gjithmonë kanë qenë dhe mbeten e Vërteta, Drejtësia, kultura dhe feja. Siç ka thënë Faik Konica: “… Kur m’u poq mendja më tepër, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar ishte një problem moral. Me fjalë të tjera, kuptova se ky popull që të shpëtojë ka nevojë, më parë se çdo gjë tjetër, t’i stërvitet e t’i lartësohet karakteri e t’i spastrohet zemra…” Pashko Vasa tha “Lini kisha e xhamia!”, por, për fat të keq, ne le që lamë kishën dhe xhaminë, por e humbëm edhe shqiptarinë. Sipas së kaluarës dhe së tashmes, ne e kemi “të ndaluar” të mendojmë për të ardhmen, sepse kështu siç jemi duke shkuar, ne nuk kemi të ardhme as në dimensionin filozofik, e as në atë real-politik.

Do ta përfundoj këtë shkrim me një urtësi: kur Zoti i mundëson dikujt ta bëjë të mundurën, ndërsa ai e kërkon të pamundurën dhe fillon të synojë për të pamundurën, atëherë ai resht së interesuari për të mundurën. Kështu ai sërish vjen në fatkeqësinë që të pamundurën ta supozojë si të mundur. Ne nuk guxojmë të jemi të tillë. Përkundrazi, ne duhet të jemi po aq rrënjësorë dhe po aq të paepur në vendosmërinë tonë që t’i këpusim të gjithë zinxhirët shpirtërorë dhe ta flakim sundimin e detyrimit të huaj, ta gjejmë unin tonë të vërtetë, ta zbulojmë dhe zhvillojmë lirinë tonë shpirtërore të patjetërsueshme dhe ta shfrytëzojmë atë për ta arritur udhëzimin dhe shpëtimin. Ky nuk është vendi ku do të mendonim për atë se çfarë do të përfshinte detyra jonë e lartësuar dhe e mistershme. Kjo mbetet akoma e panjohur. Kur’ani pyet: “Mos ka qenë moti koha kur njeriu nuk ishte i denjë për t’u përmendur?”