` . Kryetarë dhe gjellëbërëse - TV-SHENJA

Kryetarë dhe gjellëbërëse

Nëse do të jetë dominues, udhëheqës i fuqishëm, atëherë domosdoshmërish do të bëhet autokrat, rreth të cilit do të krijohet kulti i personalitetit. Napoleoni, Çerçili, Stalini, Tito janë shembull i mjaftueshëm. Në nomenklaturat bashkëkohore partiake, një personalitet i tillë i fuqishëm, absolutisht nuk është as në dhjetë vendet e para, sepse ata i lënë nën hije të thellë të gjithë të tjerët.

Shkruan: Ferid MUHIQ, Shkup

Në një vizion të tij rreth shtetit të ardhshëm, drejt të cilit synon Revolucioni, e që bazohej në ekonomi të fuqishme dhe rregullim socialist, Lenin ka dhënë një sqarim të papritur në pikëpamje të profilit më të preferuar të kryetarit të atij shteti: “Çdo gjellëbërëse do të mund ta drejtojë këtë shtet, të bëhet kryetare e tij”.

Këtë parashikim të tij, Lenini e kushtëzoi me një model konkret të shtetit – shtetin socialist.

Mirëpo, kur njeriu shikon, do të vërejë se as në të e as në ndonjë shtet tjetër konkret, nuk është kusht i domosdoshëm që atë ta drejtojë çdo gjellëbërëse. Në fakt, në shumë shtete, kryetarët qenë dhe janë në atë nivel, saqë çdo gjellëbërëse mesatare jo vetëm që do të kualifikohej, por edhe do të rikualifikohej, për të mos thënë overqualified!

Në realitetin politik, në të cilin jetojmë, nuk janë të nevojshëm super-kualitetet për t’u bërë kryetar shteti. Realiteti flet qartë se secili mund të bëhet kryetar, përkatësisht ata që janë bërë kryetarë, fare pak, për të mos thënë aspak, nuk kishin ndonjë aftësi intelektuale ekstraordinare dhe karakteristika morale.

Këtë të vërtetë, në mënyrë plastike, e shprehu një qytetar i një vendi fqinj, i cili ditë më parë në një pyetje televizive se pse në këtë funksion u zgjodh pikërisht kryetari aktual, pa hamendje, si “prej topi”, deklaroi: “Më të keq nuk pati, ndërkaq më të mirë se ky nuk pati!”

Republika e Maqedonisë së Veriut, në një atmosferë tepër të tendosur, është në prag të zgjedhjes për kryetar të saj të parë pas ndryshimit të emrit kushtetues. Ky moment dhe një mori problemesh të tjera, por edhe mospajtimet e shumta, ndikuan dukshëm në ndarjen e shoqërisë, madje edhe publikisht i ndanë qytetarët, si në aspekt të përkatësisë partiake, ashtu edhe në vija të ndarjes intra e inter-etnike. Në rrethana të tilla është e kuptueshme që me vëmendje të veçantë pritet zgjedhja e kryetarit të ri, prej të cilit pritet që sa më parë ta stabilizojë edhe klimën politike, por edhe atë ekonomike në vend.

Në frymë të kësaj, pyetja se “çfarë kryetari na nevojitet tani?”, përgjigjen e ka në profilin e atij/asaj, i cili ose e cila në mënyrën më të mirë do t’i zgjidhë këto dy çështje esenciale: 1. Ta bashkojë shoqërinë, e cila është ndarë në të gjitha aspektet; dhe 2. T’ia kthejë dinjitetin shtetit dhe reputacionin kryetarit.

Me zgjidhjen e këtyre problemeve mjaft të ndërlikuara, disi natyrshëm ndërlidhen pritjet që kryetari i ardhshëm (në fakt, çdo kryetar) të ketë kapacitete të mirëfillta intelektuale, por edhe virtyte morale. Mirëpo, kur njeriu pak më me kujdes i shqyrton profilet e shumicës së kryetarëve gjatë 100 vjetëve të fundit, do ta kuptojë se çështja kryesore është se pse akoma i ushqejmë ato pritje, mbi çfarë baze e krijuam atë arketip ideal, atë model të kultivimit, të inteligjencës, vizionit, guximit, integritetit moral, altruizmit, kualitete këto, të cilat – në instancë më të lartë – duhet të jenë të gërshetuara në personalitetin e kryetarit!?

Nuk ka asnjë kryetar nga i cili, në shtetin e tij, nuk do të gjeni me mijëra njerëz shumë më reprezentativë dhe më superior sipas të gjitha kritereve.

Parashtrojeni pyetjen: në cilin shtet kryetari ishte më i mençur? Më i ndershëm? Më i aftë? Cili kryetar i cilitdo shtet në botë, me të drejtë, mund të konsiderohet si model arketipi i aftësive më të larta intelektuale dhe i kualiteteve më superiore morale!? Megjithatë, pa marrë parasysh se nuk do të gjejmë asnjë shembull që do ta mbështeste këtë, kërkimi i një arketipi të tillë është legjitim. Për nga vetë funksioni, e sidomos për nga përgjegjësia, detyrat dhe rregullat që i ka, kryetari, në çdo pikëpamje, do të duhet të tregohet si shembull pozitiv për të gjithë qytetarët e tij.

Sipas kësaj, foto-roboti i kryetarit ideal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në këtë moment dhe në rrethanat e këtilla, intelektualisht duhet të jetë superior, me arsimim të lartë, me autoritet profesional dhe shoqëror, i pranueshëm për të gjitha bashkësitë, me integritet të theksuar personal dhe autonomi të vullnetit moral, jopartiak, me orientim qytetar, i çliruar nga ngarkesat nacionaliste, mundësisht edhe me bindje kozmopolite, e që në mënyrë të drejtpërdrejtë shpie kah preferenca që të jetë pjesëtar i ndonjë nga bashkësie joshumicë. Sipas këtij përshkrimi, arrijmë deri te paradoksi se kryetari ideal, i cili në këtë moment dhe në rrethana të këtilla realisht do të ishte më i miri për të gjithë qytetarët, por edhe për shtetin, në fakt do të ishte plotësisht i papranueshëm, si për partitë më të fuqishme politike, ashtu edhe për dy bashkësitë, përkatësisht dy popujt shumicë, që jetojnë në shtet.

Konkretisht, është e qartë se pyetja “Kush do të jetë”, përkatësisht “Si duhet të jetë kryetari i ardhshëm?”, e shtruar në kontekstin ideal dhe teorik, s’ka lidhje me pyetjen: “Kush do të bëhet dhe si duhet të jetë kryetari i ardhshëm?”, të adresuar nga pozicioni i dy partive dhe bashkësive më të mëdha etnike.

Nëse do të jetë dominues, udhëheqës i fuqishëm, atëherë domosdoshmërish do të bëhet autokrat, rreth të cilit do të krijohet kulti i personalitetit. Napoleoni, Çerçili, Stalini, Tito janë shembull i mjaftueshëm. Në nomenklaturat bashkëkohore partiake, një personalitet i tillë i fuqishëm, absolutisht nuk është as në dhjetë vendet e para, sepse ata i lënë nën hije të thellë të gjithë të tjerët. Pas pushtetit të tyre, detyrimisht pason një zbrazëtirë, në të cilën ndërrohen një numër i kryetarëve të butë, pa autoritet të vërtetë, e që – në të vërtetë – është opsioni i fundit me të cilin do të pajtohej cilido lider partiak në botë, përfshirë edhe këta tanët.

Tashmë e thamë se, duke pasur parasysh konfrontimin e thellë, kryetari i ardhshëm duhet të jetë jopartiak. Sepse, nëse kandidati do të propozohet nga Lidhja Socialdemokrate e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si parti në pushtet, kjo gjithsesi do ta thellojë konfliktin me partinë më të madhe opozitare, çka do të thotë se nuk mund ta zgjidhë detyrën e parë – integrimin e shoqërisë dhe stabilitetin politik, përfshirë këtu edhe pajtimin.

Nëse zgjidhet kandidati i partisë më të madhe opozitare, kjo sërish do t’i intensifikojë konfrontimet dhe do t’i acarojë edhe më tej marrëdhëniet politike në shtet.

Nëse do të jetë maqedonas, do t’i distancojë shqiptarët nga qëllimet e përbashkëta. Nëse është shqiptar, do të ballafaqohet me pakënaqësinë e maqedonasve. Përfundimi është i qartë: për të pasur gjasa reale për bashkimin e shoqërisë dhe pakësimin e tensioneve politike-partiake, kryetari i ri, përkundër të gjitha kualiteteve personale, duhet të jetë kandidat jopartiak, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të shpresojë në përkrahjen e partive në pushtet dhe të atyre në opozitë dhe, pos kësaj, ai duhet të jetë me bindje qytetare dhe pjesëtar i bashkësive etnike joshumicë, sepse kjo do të krijonte mundësi reale që atë ta votojnë edhe maqedonasit, edhe shqiptarët.

Por, kjo nuk do të ndodhë, sepse realiteti flet se ai duhet të jetë kandidat i një partie të fuqishme dhe të jetë pjesëtar i njërës ose tjetrës bashkësi etnike që janë shumicë. Ndërkaq kjo do të thotë se nuk do të mund t’i përgjigjej me sukses detyrës së parë.

E konstatuam, po ashtu, se kryetari i ardhshëm ideal duhet të jetë personalitet i pjekur dhe shpirtërisht stabil, me integritet të fuqishëm moral. Sepse vetëm me këto tipare ai do të mund ta shtyjë agjendën, që nuk i favorizon interesat partiake as të partive në pushtet, e as të partive në opozitë. Por, për diçka të tillë përkrahjen nuk do ta ketë nga opozita, sepse për ta me rëndësi vitale është që kryetari të jetë “i tyre”, që ashtu ta pranojë rolin e marionetës partiake, pavarësisht se sa do të jetë e sofistikuar ajo.

Meqë personaliteti i kryetarit me integritet të fuqishëm moral nuk është i përshtatshëm si kandidat partiak për kryetar, partitë do të orientohen për një personalitet tjetër, me të cilin do të mund të manipulonin. Është e qartë se atëherë, edhe në bazë të kësaj, detyra kryesore për bashkimin e shoqërisë dhe qetësimin e tensioneve politiko-partiake, me një kandidat të tillë politiko-partiak të propozuar, vështirë se do të realizohej me sukses.

Kuptohet, në këtë moment ka personalitete që plotësisht mund të inkorporohen në prototipin e kërkuar për kryetar të ardhshëm të RMV-së, por problemi qëndron në atë se ata janë të papërshtatshëm nga pikëpamja e faktorëve themelorë, që vendosin për zgjidhjen. Ajo që në mënyrë shtesë e përjashton një kandidat të tillë, është edhe fakti se njeriu me integritet moral dhe dinjitet, absolutisht nuk përputhet as me kriteret e bashkësisë ndërkombëtare. Bile, edhe nëse pozita dhe opozita, maqedonasit dhe shqiptarët, do të pajtoheshin për një personalitet të tillë, bashkësia ndërkombëtare me siguri do ta pamundësonte këtë. Sepse asaj, me shumë se opozitës e pozitës, i nevojitet vetëm kryetar, i cili do të jetë në thelb marionetë, që do të ketë përkrahje të plotë vetëm e vetëm për t’i realizuar qëllimet e tyre strategjike, të cilat jo gjithnjë përputhen me interesat më të mira të shtetit dhe qytetarëve të RMV-së.

Sipas të gjitha gjasave, Lenini, megjithatë, kishte të drejtë më shumë seç besonte edhe vetë: për funksionin kryetar shteti të RMV-së do të kërkohet kandidati me profil dhe kualifikime të një gjellëbërëse mesatare.

Se çfarë gjellë do të na përgatisë, do të mbetet të shohim.

Edhe pse as kjo nuk është e rëndësishme.

Tashmë jemi mësuar të hamë gjithçka që na hedhin në sofër.