` . Kryeministri Rama reagon në lidhje me tentativën për grusht shteti në Turqi - TV-SHENJA

Kryeministri Rama reagon në lidhje me tentativën për grusht shteti në Turqi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me tentativën për grusht shteti në Turqi. Gjithashtu një reagim ka patur edhe nga Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila është forca kryesore politike e opozitës në vend dhe nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama nëpërmjet një statusi në profilin e tij zyrtar në Twitter shprehet: “I lumtur për popullin vëlla të Turqisë dhe mikun e çmuar Presidentin Erdogan për daljen me sukses të plotë nga një nate tejet e vështirë.”

Ndërsa reagim ka patur edhe nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ku shpreh mbështetjen për autoritetet e zgjedhura demokratike në Turqi. “Partia Demokratike e Shqipërisë ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e orëve të fundit në Turqi. PD shpreh mbështetjen për autoritetet e zgjedhura demokratike ne Turqi, demokracinë dhe shtetin ligjor. Ruajtja e rendit kushtetues dhe rikthimi i paqes dhe sigurisë publike janë në interes të të gjithë qytetarëve të Turqisë dhe miqve e partnerëve të saj”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e publikuar nga zyra e shtypit e kësaj force politike.

Reagim për tentativën për grusht shteti në Turqi ka patur edhe nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet: “PDIU ndoqi me shqetësim, ngjarjet e tentativës për grusht shteti në Turqi. Ne mbështesim institucionet shtetërore, vlerat e demokracisë. Ne besojmë se e vetmja rrugë për të qeverisur është vota nga populli. Fatmirësisht, kjo tentativë u mbyll pa gjakderdhje, si edhe tregoi qëndresën e popullit turk, për të mbrojtur demokracinë. Të gjithë institucionet ndërkombëtare reaguan njëzëri në mbrojtje të demokracisë, që tregon se bashkë ne do të dimë t’i ruajmë vlerat tona të përbashkëta”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

Postime të Ngjajshme