` . Kryeministri grek Mitsotakis, letër Macronit dhe Merkelit për Turqinë - TV-SHENJA

Kryeministri grek Mitsotakis, letër Macronit dhe Merkelit për Turqinë

Kryeministri i Greqisë, Kiryakos Mitsotakis i dërgoi një letër Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, duke u propozuar që ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë të nënshkruhet një marrëveshje e re për refugjatët.

Sipas gazetës greke “Proto Thema”, në letrën e tij Mitsotakis bën të ditur se bashkëpunimi me Turqinë luan një rol përcaktues në pengimin e fluksit të refugjatëve drejt Evropës dhe kërkoi një marrëveshje që konsiston në krijimin e një mekanizmi të ri financues ndërmjet BE-së dhe Turqisë.  

Ai bën të ditur gjithashtu se Turqia zotëron forcën për të kontrolluar plotësisht flukset e refugjatëve dhe pretendon se Ankaraja i përdor refugjatët si një mjet presioni ndaj BE-së.

Kryeministri grek theksoi se mbështetjen financiare ndaj Turqisë, Bashkimi Evropian duhet ta bazojë në parimin e proporcionit “për më pak kalim (fluks) të refugjatëve të jepet më shumë financim dhe për më shumë kalim Turqia të financohet më pak”.