` . Kryediplomati rus dhe ai venezuelian takohen në Vjenë - TV-SHENJA

Kryediplomati rus dhe ai venezuelian takohen në Vjenë

Ministrat e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe Venezuelës, Sergey Lavrov dhe Jorge Arreaza, janë takuar në Vjenë në margjinat e seancës së 62-të të Komisionit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Drogat Narkotike, transmeton AA.

Sipas një deklarate të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Lavrov theksoi rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje për krizën venezueliane brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Arreaza falënderoi homologun e tij rus për mbështetjen në emër të qeverisë venezueliane.

“Ne mund të avancojmë më shumë tema ku po punojmë së bashku, është me rëndësi të madhe. Dhe, mbështetja juaj në këtë luftë është shumë e rëndësishme. Ambasadori juaj në OKB, Vasily Nebenzya, ka qenë shumë aktiv. Dhe, OKB është vendi ku ne duhet të luftojmë dhe fitojmë”, tha Arreaza.

Venezuela është tronditur nga protesta që nga 10 janari kur presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan kur Juan Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u deklarua president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga SHBA-të dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Turqia, Rusia, Irani, Kuba, Kina dhe Bolivia mbështetën presidentin Maduro, i cili është zotuar të shkurtoj të gjitha lidhjet diplomatike dhe politike me SHBA-të.