` . Kryediplomati pakistanez: Amerikanët u siguruan strehë të sigurt talebanëve, e jo Pakistani - TV-SHENJA

Kryediplomati pakistanez: Amerikanët u siguruan strehë të sigurt talebanëve, e jo Pakistani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), e jo Pakistani, u kanë mundësuar talebanëve një strehë të sigurt duke u dhënë 40 për qind të territorit të Afganistanit në 15 vitet e fundit, theksoi ministri i Jashtëm i Pakistanit, Khawaja Muhammad Asif, duke përgënjeshtruar pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se Pakistani u ka mundësuar “strehë të sigurt organizatave terroriste”.

Të martën, Asif u takua me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Kryeministrin Binali Yıldırım dhe ministrin e Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë vizitës së tij njëditore në Turqi.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) pas takimeve të tij zyrtare, Asif tha se bashkëpunimi dypalësh në tregti, ekonomi dhe mbrojtje ka qenë temë diskutimi në takime, së bashku me çështjet rajonale, në veçanti Afganistanin.

Asif theksoi se Turqia dhe Pakistani janë kundër një zgjidhjes ushtarake në Afganistan. “Pas deklaratës politike të presidentit amerikan, ne kemi biseduar me fqinjët dhe miqtë tanë në rajon mbi nevojën për të fituar besueshmëri në mënyrë që të kemi një qëndrim të përbashkët dhe e kemi theksuar nevojën për zgjidhje politike”, tha Asif.

Ai thotë se kanë arritur sukses në këtë pikë deri më tani dhe se shpresojnë që ta arrijnë këtë qëndrim të përbashkët. “Amerikanët përpiqen që zgjidhjen në të cilën i përfshijnë preferencat e tyre t’i imponojë në Afganistanin i cili ka vuajtur prej 40 vitesh”, vlerësoi Asif.

Ministri pakistanez theksoi se janë të kënaqur nga Turqia për sa i përket kësaj çështjeje, duke shtuar se Turqia dhe Pakistani kanë pikëpamje të përbashkëta kur bëhet fjalë për Afganistanin. Lidhur me këtë, tha ai, është marrë vendimi për rifunksionalizimin e samitit trepalësh Turqi-Pakistan-Afganistan, i cili u pezullua në vitin 2014.

Asif po ashtu tha se çështja e Afganistanit është diskutuar edhe gjatë vizitës në Kinë, e cila, siç thotë, ndan mendimin e njëjtë me Pakistanin në shumë pika dhe i kupton shqetësimit e Pakistanit në lidhje me Afganistanin.

Asif thotë se shpreson që do të gjendet një qasje dhe zgjidhje rajonale e cila do të sjellë paqen në Afganistan. “Zhvillimi i Afganistanit dhe forcimi i tij në sferën e ekonomisë janë çelësi i zgjidhjes”, konsideron Asif.

“Janë amerikanët ata që u kanë mundësuar strehë të sigurt talebanëve, e jo Pakistani”

Muajin e kaluar, Trump njoftoi një fazë të re në fushatën 16-vjeçare në Afganistan, e cila, ndonëse e shkurtër në detaje, u zotua për përfshirje të mëtejshme ushtarake të SHBA-ve kundër talebanëve.

Trump gjithashtu deklaroi se Pakistani ka siguruar “strehë të sigurta për organizatat terroriste” dhe i bëri thirrje rivalëve rajonal të Pakistanit, Indisë, që të përfshihen më tej në Afganistan.

Kalimi i dukshëm i SHBA-ve nga Pakistani kah India çoi në anulimin e tre takimeve të nivelit të lartë me zyrtarët e SHBA-ve nga Islamabadi dhe miratimin e një rezolute në parlament, e cila kritikoi politikën e re të Washingtonit, duke e quajtur atë armiqësore dhe kërcënuese.

Ndërkohë, Asif thotë se SHBA-të kanë shpenzuar triliona dollarë në luftën në Afganistan. Sipas tij, në qoftë se SHBA-të do të bënin shpenzime të duhura dhe më të mençura, mbase paqja do të sigurohej shumë kohë më parë. Ai po ashtu tha se Pakistani ka dobi më së shumti nga përfundimi i luftës në Afganistan, pasi që, siç tha, ata janë prekur më së shumti nga ajo luftë.

“Talebanët nuk kanë nevojë për strehë të sigurt në Pakistan. Janë SHBA-të, e jo Pakistani, ata që u kanë mundësuar talebanëve një strehë të sigurt duke u dhënë 40 për qind të territorit të Afganistanit në 15 vitet e fundit”, thotë Asif lidhur me pretendimet e presidentit amerikan Trump.

“Armiqtë e Turqisë, janë armiq edhe të Pakistanit”

Ministri i Jashtëm i Pakistanit Asif theksoi se Pakistani i jep mbështetje të plotë Turqisë në luftën kundër organizatës terroriste FETO. “Armiqtë e Turqisë, janë armiq edhe të Pakistanit”, shprehet ai.

Ai e cilësoi si mafioz kreun e FETO-s, Fetullah Gylen, i cili qëndron në Pensilvani të SHBA-ve. “Edhe ata janë armiq tanë. Kushdo që të jetë armik i Turqisë dhe popullit turk, ai është armik edhe i shtetit pakistanez”, tha Asif.

Në fund, ai shtoi se Pakistani është në anën e Turqisë në luftën kundër terrorizmit dhe se miqësia mes dy vendeve është e përhershme.

Postime të Ngjajshme