` . Kroacia kthen tarifën e vjetër të frutave dhe perimeve - TV-SHENJA

Kroacia kthen tarifën e vjetër të frutave dhe perimeve

Kompensimi për mbikëqyrje inspektuese dhe kontroll të përputhshmërisë së frutave dhe perimeve me standardet e tregut gjatë importit në Kroaci nga vendet e treta, nga 2.000 kuna (270 euro) do të rikthehet në çmimin e vjetër prej 90 kuna, konfirmon për Anadolu Agency, Mirko Sharoviq, zëvendës i kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës.

“Rregullorja do të kthehet në të vjetrën. Ky është një sukses i madh për ne. Ka pasur edhe versione të tjera, por më pak të favorshme”, tha Sharoviq.

Ai tha se me vendimin e fundit, nuk do të ketë nevojë për takime të ministrave të rajonit me kolegun e tyre kroat rreth kësaj çështjeje.

“Gjithçka ka marrë fund. Tani nuk është fare e rëndësishme nëse do të takohemi në Dubrovnik, Podgoricë ose Zagreb. Gjithçka kthehet në normale”, tha ai.

Më 14 korrik Kroacia miratoi Rregulloren për mbikëqyrje inspektuese dhe kontroll për përputhshmërinë e frutave dhe perimeve me standardet e tregut për çka tarifa për inspektimet ishte rritur me 22 herë, më konkretisht nga 90 në 2000 kuna, gjë e cila shkaktoi probleme të mëdha për eksportuesit e frutave dhe perimeve.

Ministrat kompetentë të Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë pas një takimi të mbajtur në Sarajevë ditë më parë, bënë thirrje për heqje urgjente të dispozitave diskriminuese.

Postime të Ngjajshme