` . Kroaci, 56 raste të reja me koronavirus, gjithsej 713 të infektuar - TV-SHENJA

Kroaci, 56 raste të reja me koronavirus, gjithsej 713 të infektuar

Shtabi i Mbrojtjes Civile i Kroacisë sot do të shpallë rezultatet e reja mbi gjendjen e të infektuarve me koronavirus, kurse deri më tani në këtë vend janë konfirmuar 713 persona të infektuar dhe gjashtë të vdekur nga COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dje në Kroaci u konfirmuan 56 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të pacientëve në 713.

Viktima e gjashtë e koronavirusit ishte një 84-vjeçar, i cili përveç koronavirusit vuante edhe nga një sulm në tru.

Gjithsej 52 persona janë shëruar dhe 26 pacientë janë në respiratorë.

Dje, një aeroplan i kompanisë “China Eastern Airlines” nga Shanghai zbarkoi në Zagreb, duke sjellë 12,5 tonë pajisje mjekësore të nevojshme për të luftuar koronavirusin.

Më shumë se 20.000 njerëz janë nën masën e izolimit, ndërsa policia ka marrë më shumë se 3.000 raportime për shkelje të masës së përcaktuar, dhe në 893 raste shkelja është konfirmuar dhe personat do të gjobiten.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik dhe anëtari i shtabit të krizave Krunoslav Capak dje për mediat kroate tha se masat e izolimit në Kroaci mund të zgjasin deri më 1 qershor, pra edhe dy muaj të tjerë.

Për riparimin e pasojave të tërmetit që goditi Zagrebin dhe rrethinat e tij, kryeministri Andrej Plenkoviç sot i shoqëruar nga ministrat do të takohet me kryebashkiakun e Zagrebit, Milan Bandiç.