` . Krizat e FYROM-it dhe rregullat e Solonit - TV SHENJA

Krizat e FYROM-it dhe rregullat e Solonit

Trajtimi i temës mbi krizat në Maqedoni për vëzhguesit është bërë punë që jep bezdi. Për politikanët e diplomatët është veprimtari rutinore me fjalë e lëvizje boshe, që nuk po e zgjidhin nyjën gordiane “Maqedoni=Krizë”.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Politikanët shqiptarë po përpiqen ta anashkalojnë të vërtetën se në FYROM në rend të parë qëndron “kriza etnike” midis shqiptarëve e maqedonasve, jo thjesht me pasojat e krizës politike në luftën për pushtet midis maqedonasve. Nuk më duket bindës shpjegimi i Ali Ahmeti se shkaku i tensioneve të fundit paszgjedhore në Maqedoni janë vetëm bizantinizmat e presidentit të FYROM-it, që krizën politike të pushtetit maqedonas ta kapërcejë duke e kthyer në “krizë etnike”. Gjërat janë të njohura e të thëna me kohë. Para disa vitesh revista politike italiane “Limes” ka botuar një analizë të gjatë nën titullin domethënës “Maqedonia detonatori i Ballkanit” (“Gazeta Shqiptare”, 02.08.1998). Më 10 gusht 1998 Grupi Ndërkombëtar i Krizave botonte në Uashington raportin e tij “Çështja shqiptare në Maqedoni, implikimet që sjell konflikti i Kosovës për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni”. Atëherë kam shkruar se: “Meraku i madh për Maqedoninë dhe maqedonasit po kthehet në një obsesion pak si i çuditshëm i Perëndimit, veçanërisht në politikën amerikane. Duket që amerikanët vazhdojnë të udhëhiqen më shumë nga ide fikse sesa nga një kuptim i saktë për situatat në Ballkan” (“Bota Sot”, 14.8.1998). Kam qenë gjithnjë i prirë të mos i marr si fatalitet tezat alarmante të politikës shqiptare e të diplomacisë ndërkombëtare se “po u prish FYROM-i, fundoset i gjithë Ballkani e shembet Europa”. Nuk e quaj zgjuarsi politike kur politikanët shqiptarë përsërisin shprehjen pakëz mburravece se “pa shqiptarët nuk mund të ketë shtet maqedonas”. Nëse janë të sigurt për këtë, si lejojnë që për dekada të tëra shqiptarët të bien në pozitat e palakmueshme të altruistit pa mend në kokë. që të mbahet në këmbë shteti që i nëpërkëmbë?! Më tepër se forcë e vizion politik, mendësia “u bëfshim kurban për FYROM-in”, shpreh dobësi e qorollepsje politike.

Prandaj, reagimin tim kësaj radhe për “Krizën në Maqedoni” do të kisha parapëlqyer ta bëja si një rekapitullim të gjerë të shkrimeve të mia të mëparshme. Por, kjo është jashtë natyrës së një reviste si “Shenja”. Andaj do të përmend vetëm disa tituj e të sjell pjesëza të shkëputura, duke u përqendruar më posaçërisht në shkrimin “Nuk dinë ç’duan, apo nuk kërkojnë çfarë u takon?” (“Rimëkëmbja”, 21 dhe 28. 9. 2004). Aty kam radhitur disa rregulla të Solonit (640-558), njërit nga 7 të urtët e Greqisë së Lashtë, që mendoja se mund t’i shërbenin mendimit politik e diplomatik shqiptar rreth “çështjes maqedonase”. Duhet t’u rikthehemi këtyre “rregullave”, sepse në këtë mendim ka edhe më shumë tym e amulli.

Në një rast zgjedhjesh presidenciale në FYROM kam botuar vëzhgimin “Maqedonasit zgjedhin kalin, shqiptarët samarin” (“Rimëkëmbja”, 2.11.1999). Besoj se e njëjta gjë po ndodh edhe tani. Zgjedhësit maqedonas shkuan në kutitë e votimit më 11 dhjetor 2016 për të zgjedhur midis “kalit të zi” (VMRO-DPMNE) dhe “kalit balash” (LSDM). Shqiptarët nuk e kishin fare të qartë se përse po shkonin me pesë taborë partiakë, kur nuk kishin për të marrë e ndarë kurrfarë pushteti konkret dhe e vetmja që mund të bënin ishte se te cili samarxhi do ta porosisnin samarin e ri. Pas dështimit të llogarive që ishin bërë për rezultatet e zgjedhjeve aktorët figurantë politikë shqiptarë u thirrën në skenë që të mbajnë barrën më të lagët të makinacioneve të reja bizantine. Formacionet më të reja politike shqiptare, që dolën në skenën zgjedhore “për të sjellë shpresë të re”, vetëm po i bëjnë një fresk të ri politikës së vjetër.

Dilemën “Nuk dinë çfarë duan, apo nuk kërkojë çfarë u takon?!”, tashmë e quaj të zgjidhur për vete. Pjesën e parë të dilemës e pata gjetur të zgjidhur qysh atëherë në një analizë të Nebi Merselit me titull “Shqiptarët e Maqedonisë nuk dinë çfarë duan” (“Shekulli”, 15.8. 2004) dhe në një pohim të Arbën Xhaferrit “Shqiptarët janë futur në një dimension të konfuzionit ku asgjë nuk është më e qartë” (“Në dimension skandali”, “Shekulli”, 19. 9.2004). Ndërsa, tani pas 13 vitesh, unë mendoj se politikanët shqiptarë atje e kanë ditur se çfarë donin dhe çfarë nuk do të kërkonin. Këtë e ka shprehur qartë si fatalitet të përjetshëm kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti: “Ne duhet ta kuptojmë, edhe shqiptarët etnikë, edhe maqedonasit etnikë, se nuk kemi ku ta çojmë njëri-tjetrin dhe duhet të pajtohemi me fatin që ne duhet ta ndërtojmë bashkërisht çdo vlerë” (“Panorama”, 22.8.2004). Në këtë formulë është sanksionuar njëfarë verdikti ndërkombëtar se kombi shqiptar është i dënuar nga historia të mbetet i copëtuar (në rrugën drejt asimilimit) midis fqinjëve. Fatkeqësisht te një pjesë e shqiptarëve kjo është kthyer në pavetëdije politike, se shqiptarët nuk kanë përse të mendojnë e të kërkojnë më shumë nga ajo që me të drejtë të Zotit u takon. Prandaj, fjala Maqedoni më parë më kujton “Krizën e madhe shqiptare”.

Për të zbërthyer më lehtë gjëegjëzën “Maqedoni=Krizë” le të hedhim vështrimin edhe mbi sfondin historik e politik të ngjarjeve në Ballkan gjatë një periudhe 150-vjeçare, siç e gjejmë të konturuar nga studiues të historisë së Ballkanit e të Europës. “Jugosllavia u mbajt në këmbë, aq sa u mbajt, sepse vetë ekzistenca e saj jepte, në dukje, një zgjidhje që funksiononte për dy nga problemet më komplekse në Ballkan, problemin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të atij të Maqedonisë. Kur në vitin 1954 vlerësonte Kongresin e Berlinit që ishte thirrur për “të zgjidhur” Krizën e Madhe Lindore, historiani britanik A.J.P. Teilor theksonte se: “Maqedonia dhe Bosnja, dy arritjet më të mëdha të Kongresit, përmbanin, që të dyja, farërat e katastrofave të ardhme. Çështja e Maqedonisë e shqetësoi diplomacinë europiane gjatë një brezi, pastaj shkaktoi Luftën Ballkanike të vitit 1912. Bosnja së pari çoi në krizën e vitit 1908 dhe pastaj bëri që të plaste Lufta e Parë Botërore, një luftë që shembi monarkinë e Habsburgëve” (Misha Glenny “The Balkans…” 1999, f. 636).

Jugosllavia nuk është më. Por, ka mbetur “FYROM, litari i sherrit jashtë varrit të ish-Jugosllavisë” (“Rimëkëmbja”, 14. 9. 2004). Edhe Bosnja vazhdon të jetë kazan që vlon nën presion të lartë. Nga farërat berlineze të katastrofave që përmendte Teilor-i, kemi edhe më shumë bimë helmuese në Ballkan. “Nisma e Berlinit (projekti Merkel)” për Ballkanin Perëndimor duket si një kopshtari e re, që synon edhe pas 150 vitesh t’i kultivojë me metoda më moderne ato “farërat e katastrofave të ardhme”, që la Kongresi i Berlinit. Këtë e pamë dhe në takimin e fundit gërricës në Sarajevë midis kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në Raportin e GNK-së të 10 gushtit 1998 lëshohej alarmi se shkëputja e Kosovës nga Serbia do ta fundoste Maqedoninë. Kosova u shkëput nga Serbia, u njoh si e pavarur. FYROM-in nuk e gjeti gjë e keqe. Përkundrazi, gjithçka iu bë shëndet dhe vetë shqiptarët i thonë tani “Mashalla, do të të ruajmë ne nga çdo e keqe!” Në Raportin e GNK-së sugjerohej si rrugëdalje: 1) përfaqësuesit e shumicës maqedonase t’i marrin në konsideratë ankesat e pakënaqësitë e pakicës etnike shqiptare; 2) udhëheqësit politikë shqiptarë të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në jetën politike të Maqedonisë; 3) t’i jepet ndihmë ndërkombëtare e bashkërenduar”. Nga këto, vetëm pika e dytë është përmbushur. Drejtuesit politikë të shqiptarëve jo vetëm që kanë marrë pjesë në mënyrë “konstruktive”, pa kurrfarë ndikimi, në politikën qeverisëse maqedonase, por kanë treguar dhe dëgjueshmëri të pamatur ndaj ndërkombëtarëve pa paraqitur kërkesa të tyre të veçanta kombëtare. Ata kanë lënë përshtypjen se nuk ekziston më një çështje kombëtare (etnike) shqiptare për t’u zgjidhur në FYROM, por kanë mbetur ende vetëm çështje me karakter shoqëror, që edhe shqipfolësit të gëzojnë të drejta qytetare si sllavishtfolësit. E turbullon pak atmosferën çështja e shtrirjes së përdorimit të gjuhës shqipe. Kurse qëndrimet maqedonase janë bërë gjithnjë e më arrogante, siç e treguan këto ditë “pogromet kundër mbishkrimeve shqipe”. Prandaj duhen rikujtuar “rregullat e Solonit”.

 

*          *          *

 

Rregulli i parë i Solonit është: “Njerëzit i mbrojnë marrëveshjet që bëjnë vetëm kur asnjëra palë nuk ka përfitim t’i shkelë ato” (Plutarku, “Jetë njerëzish të shquar” botim shqip, Tiranë 1980 f. 50). Ka 15 vjet që bëhet zhurmë për zbatimin e moszbatimin e të ashtuquajturës “Marrëveshje E Ohrit”. Po ku jemi tani? Po në ato ujëra të turbullta që çuan deri në përleshje me armë. Dëgjohen po ato ankesa të mbytura e kërkesa minimale nga ana e shqiptarëve. Dëgjohen po ato përbetime e kërcënime arrogante nga ana e sllavomaqedonasve. Ata që e pranuan me dinakëri marrëveshjen e Ohrit (sllavomaqedonasit) dhe ata që e imponuan me mashtrim e trysni (ndërkombëtarët) e kanë ditur qysh në fillim se ajo marrëveshje, një hibrid i keq diplomatik, nuk do të gjente zbatim. Një shkrimit tim i kam pas vënë titullin “A do të dalë nga agonia marrëveshja e Ohrit?” (“Rimëkëmbja”, 9. 11. 2004). Sot përgjigjem: Po, ka dalë, veçse ka dalë e vdekur. Ata që e imponuan nuk marrin ende guximin ta shpallin të tillë e ta kallin në varr. Kurse politikat shqiptare nuk kanë vullnet të bëjnë më shumë se përshpirtje për të. Kurse pushtetarët sllavomaqedonas kanë qenë e janë të kthjellët, të palëkundur, madje të çiltër në qëndrimet e tyre “anti-Ohër”. Qysh para asaj marrëveshjeje, më 29 korrik 1998, gjatë një interviste në BBC, kryetari i atëhershëm i parlamentit fyromas, Tito Petkovski, parashtronte si të rëndësishme dy probleme: 1) shqiptarët në Maqedoni nuk mund të jenë e nuk do të lejohen të bëhen “komb, element shteformues”, por do ta kenë vetëm statusin e një minoriteti kombëtar; 2) çështja e Kosovës duhet të zgjidhet vetëm me një autonomi brenda Serbisë (autonomi që ua mohonte shqiptarëve në FYROM). Atëherë kam shkruar se “Petkovski duhet falënderuar që është kaq i sinqertë dhe kaq i prerë në armiqësinë e tij ndaj të drejtave të shqiptarëve dhe nuk na jep mundim për t’i nxjerrë nëpërmjet analizash qëllimet e tij e të politikës që përfaqëson. Tani shqiptarëve u mbetet ose t’i japin përgjigjen e duhur ose ta ulin kryet para këtij mohuesi të të drejtave të tyre” (“Mirë” thotë Tito Petkovski”, “Bota Sot” 15. 8. 1998).

Shqiptarët ia dhanë përgjigjen e duhur në vitin 2001, kur rrokën armët për të kërkuar “të drejtat kombëtare”, jo për të përshpejtuar integrimin në Maqedoni. Dihet tashmë si u mbyll kjo histori. Petkovskët u hakmorën ndaj sfidës shqiptare, duke e kthyer në paçavure Marrëveshjen e Ohrit. Shqiptarët nuk u bënë asnjëherë “pjesë e zgjidhjes së problemit”, siç shpresonin politikanët e tyre, por mbetën aktorë të dorës së dytë, ndërsa pushtetarët sllavomaqedonas, që nga Gligorovi e deri tek Ivanovi, Gruevski e Zaevi, i janë përmbajtur me konsekuencë parimit (të njohur si i ish-ministrit të Brendshëm Fërçkovski): mos u jep asgjë shqiptarëve nëse ka mundësi të manipulohet, duke pasur ndarjen si variant rezervë zgjidhjeje në rast se u shterojnë mundësitë për manipulim. Duhet “falënderuar” edhe Gjorge Ivanovin, që po ua përsërit shqiptarëve mësimet që këta i kishin harruar. Ai tha troç fare se për shqiptarët nuk ka status më të lartë se ai i minoritetit kombëtar në FYROM, se statusi i FYROM-it si shtet kombëtar unitar i sllavomaqedonasve është i paprekshëm dhe ushtria e fortë fyromase është gati ta sigurojë këtë me forcën e armëve. Kjo do të thotë që shqiptarët të mos i zënë më në gojë ato termat bajate, pa kuptim e pa përmbajtje, të përcaktuar si “element shtetformues”. Ivanovi e Gruevski në FYROM dhe drejtuesit e Kremlinit në Rusi e dinë fare mirë se ajo e “tmerrshmja Platforma Shqiptare” nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga Marrëveshja e vdekur e Ohrit dhe nuk është ndonjë program i përpunuar në Tiranë për të vënë në lëvizje mekanizmin imagjinar të krijimit të Shqipërisë së Madhe. Zhurma të tilla bëhen për të shtuar “mundësitë e manovrimit”, për të tmerruar shqiptarët se ushtritë ruse po nisen drejt Ballkanit si më 1878 dhe për të vrarë ëndrrën shqiptare të “Shqipërisë së Madhe”. Prandaj, duhet ta ruajnë FYROM-in, që ta shpëtojnë Ballkanin nga “gjëma më madhe”.

Edhe një rregull i Solonit: “Të bashkohet forca me të drejtën”. Nebi Merseli para disa vitesh tërhiqte vëmendjen në faktet dëshpëruese se: në Maqedoni disa shqiptarë kërkojnë shtet etnik e bashkim kombëtar, disa shtet të përbashkët me maqedonasit, disa zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, disa liri e integrime, disa ndarje, disa janë për centralizimin e Ballkanit e decentralizimin e shqiptarëve. Kjo çoroditje sikur është pakësuar tashmë. Formacionet politike shqiptare me “Platformën Shqiptare”, sikur i kanë thjeshtuar kërkesat në “përshpirtjen për Marrëveshjen e Ohrit” dhe në “ridefinimin mbi baza thjesht sociale të shtetit të FYROM-it”. “Platforma Shqiptare” do të kishte njëfarë kuptimi si taktikë politike po të ishte bërë para votimeve dhe ta ndërthurte forcën politike e partiake të njëjtësuar me të drejtën kombëtare të shqiptarëve. Kurse ajo u bë pas dështimit të skemave perëndimore të procesit zgjedhor për ta favorizuar marrjen e mandatit qeverisës nga Zajevi. Me sa duket, politikanët shqiptarë në përgjithësi dhe ata në FYROM-it në veçanti e kanë mbledhur mendjen se forcën me të drejtën nuk i bashkojnë dot. Prandaj, si rrugë më të shkurtër zgjedhin heshtjen për të drejtën e tyre që FYROM-i të jetë shtet federativ dhe kufizohen vetëm me kërkesa lidhur me hapësirën e përdorimit të gjuhës shqipe. Mirëpo rregullin e Solonit e kanë përforcuar edhe politikanë të mëdhenj të kohëve moderne. Presidenti i SHBA-ve, Uilson thoshte “E drejta është më e çmuar se paqja”.

Rregulli vijues i Solonit është: Kush heq dorë nga e drejta, nuk bëhet kurrë i fortë. Këtë e vërteton më së miri kurba e ngjarjeve në FYROM. Shqiptarët e nisën duke hequr dorë nga Ilirida. Në vitin 2001 i kthyen sytë, vullnetin, madje dhe armët në drejtim të mbrojtjes së të drejtës. Me marrëveshjen e Ohrit u thyen e kapitulluan para trysnive që i dinë më mirë ata. Nuk u bënë më të fortë se nuk janë mbështetur si duhet tek e drejta që u takon. Tani krijohet përshtypja se shqiptarët po heqin fare dorë nga e drejta kryesore për t’u kufizuar në kërkesa të pranueshme nga ndërkombëtarët.

Kur Solonin e pyetën se cili qytet qeveriset më mire, ai u përgjigj: “Ai në të cilin edhe ata që s’janë fyer përpiqen jo më pak se ata që janë fyer t’i dënojnë fajtorët”. Ky rregull në FYROM duhet të vlejë për sllavomaqedonasit, por këta nuk e çajnë kokën për të. Shqiptarët e fyer e të nëpërkëmbur shpresat i kanë varur vetëm në tre integrimet e mëdha: integrimin në FYROM, në Ballkan dhe në Europën e Bashkuar. E lënë mënjanë integrimin e tyre të vërtetë dhe shpëtimtar, bashkimin kombëtar. Ka shumë intelektualë “të shquar” shqiptarë që i mësojnë njerëzit të mos e çojnë fare në mendje këtë bashkim. Pra, të mos kërkojnë atë që u takon.

Është dhe një tjetër rregull i Solonit, që duhet t’i vejë shumë në mendim shqiptarët: “Për ligështinë tuaj nëse vuani, mëri kot mos mbani me perënditë, se vetë ju armiqtë i forcuat dhe ratë në të zezën skllavëri”. Prandaj, shpesh shqiptarët fyhen nga të huajt dhe Shqipëria nëpërkëmbet nga bijtë e saj. Po për këtë arsye dalin dhe llafet se shqiptarët nuk dinë çfarë duan, çfarë janë dhe nuk kërkojnë çfarë u takon. Mëri Perëndisë në qiell nuk po i mbajmë më, por as përhirimet e tepruara për “perënditë në tokë”, diplomacitë perëndimore, nuk po na ndihmojnë aq shumë.

Shqiptarët kanë shpërfillur rregullin e Solonit që jepet nëpërmjet këtij dialogu:

– Ezopi, “O Solon me mbretërit ja mos fol, ja fol sipas qejfit të tyre”.

– Soloni, “Jo për Zeus më mirë mos fol, ose fol siç është për të folur”.

Për shumicën dërrmuese të shqiptarëve tani mbretërit e tyre janë fuqitë e mëdha dhe mekanizmat europiane. Prandaj pushtetarët, politikanët, intelektualët në përgjithësi dhe shumica e shqiptarëve ndjekin porosinë pragmatiste të Ezopit. Mirëpo çështja madhore kombëtare shqiptare dëmtohet kur nuk mbahet parasysh edhe rregulli i Solonit, kur para “mbretërve” nuk shtrohet si duhet çështja shqiptare, nuk kërkohet bashkimi kombëtar, kur mohohet domosdoshmëria e krijimit të shtetit kombëtar në kufijtë e Shqipërisë Etnike në Ballkan ose federalizimi i FYROM-it. Janë gjëra që i kemi trajtuar shpesh. Si “Limes” më 1998 edhe gazeta austriake “Der Standard” lëshon tani alarmin se në rajonin e Ballkanit fjala luftë është në majë të buzëve. “Mjafton një shkëndijë dhe…” (“Tema”, 12.03.2017). Gazetari që jep alarmin nënvizon se nga udhëheqës të partive Besa e BDI ka mësuar që “shqiptarët nuk shprehin ndonjë interes për Shqipërinë e Madhe, as për ndryshimin e kufijve, as për mosrespektim të parlamentit”. U daltë për mbarë, se kjo e thellon “krizën shqiptare” në FYROM.

Postime të Ngjajshme