` . Krisjet euro-atlantike thellojnë çarjet ballkanike - TV-SHENJA

Krisjet euro-atlantike thellojnë çarjet ballkanike

Krisjet e euro-atlantizmit nuk duhet të shërbejnë për të thelluar të çarat e mëdha që ekzistojnë midis popujve e shteteve të Ballkanit. Bisedimet shqiptaro-serbe tani po bëhen më të pakuptimta se kurrë. “Nisma e Berlinit” për krijimin e një Jugosllavie të tretë në Ballkanin Perëndimor tashmë duhet quajtur e dështuar

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

 

Janë disa fakte që ma diktojnë këtë perceptim të zhvillimeve më të reja në Europë dhe në Ballkan.

  1. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE po bëhet më i padëshiruar për burokracinë brukselase në këtë ndërrim vitesh. Nuk e kujtonim kështu kur festonim ardhjen e vitit 2018.
  2. Fjalët “euro-atlantizëm” tani duhen shkruar me një vizë ndarëse në mes, siç ndodhi para disa dekadash kur emërtimi i një shteti “Çekosllovakia” para ndarjes u bë “Çekia-Sllovakia”.
  3. Breksit pritet të marrë formën përfundimtare në muajt e parë të vitit 2019. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një krisje të papritur në koracën vezulluese e premtuese të “euro-atlantizmit”, i cili zanafillën e ka pasur në vitin 1941 me “Deklaratën e Atlantikut” midis Presidentit amerikan Ruzvelt e Kryeministrit britanik Çërçill, për të përgatitur fitoren mbi boshtin fashist Gjermani-Itali-Japoni në Luftën e Dytë Botërore. Atlantizmi gjeti shprehjen në “Planin Marshall” të ndihmës së SHBA-ve për rimëkëmbjen e vendeve të shkatërruara të Europës Perëndimore dhe u konkretizua politikisht e ushtarakisht me krijimin e NATO-s në vitin 1949. NATO-s euro-atlantike në vitet 1950-ta iu shtua dhe Tregu i Përbashkët Europian prej 6 vendesh, që sot është zgjeruar disafish dhe quhet Bashkimit Europian, me natyrë më shumë politike sesa ekonomike. Prandaj tani Breksit-i merr kuptim të veçantë, sepse mund të shënojë fillimin e një rruge ndryshimesh të reja, që nxjerrin më në pah përbërësin “atlantizëm” si njëfarë rikthimi te vlerat e mëparshme të anglo-amerikanizmit në zhvillimet botërore, deri kur gradualisht u eklipsua disi nga ambiciet europiane për rivalitet në marrëdhëniet ndërkombëtare.
  4. Nuk gabuam kur hamendësuam se Breksit-i ishte paralajmërim për fitoren e Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale amerikane, as kur prisnim se kjo zgjedhje do të kishte rrjedhoja acaruese në ribërjen e skemave të zhvillimeve botërore dhe do të shkaktonte krisje më të dukshme edhe mbi sipërfaqen e lëmuar të “euro-atlantizmit”.
  5. Shenjat më të dukshme të këtyre rrjedhojave janë tani marrëdhëniet e ndera midis Uashingtonit e Parisit, që kanë çuar deri në debate teorike se cili qenka më i mirë “patriotizmi” (francez) apo “nacionalizmi” (amerikan). Dikur burri i madh i shteti të Francës, Sharl de Gol, i sfidoi SHBA-të duke e nxjerrë Francën nga struktura ushtarake e NATO-s. Por, ai nuk e mbajti dot deri në fund të mandatit postin e presidentit, sepse në vitin 1968 Franca u përfshi nga demonstratat studentore. Pasardhësit e De Golit në postin e presidentit e rikthyen Francën në strukturat ushtarake të NATO-s. Presidenti i tanishëm i Francës, Makron, duket sikur po e sfidon Amerikën me projektin e krijimit të një ushtrie të veçantë të pavarur europiane. Si për çudi, i kanë dalë ngatërresa si të De Golit dikur, sepse po përballet me valët e demonstruesve të quajtur “jelekverdhët”.
  6. Lidershipi amerikan në NATO është ndeshur me ngurrime aleatësh europianë, sidomos të Gjermanisë e të Francës, për të marrë pjesë në operacione të ndryshme. Tani Amerika po ndesh në kundërshtimin e po këtyre aleatëve pse po i tërheq forcat ushtarake nga Siria e Afganistani. NATO, në fillimet e saj, u krijua si justifikim i shtrirjes së një protektorati ushtarak amerikan mbi Europën Perëndimore, për ta mbrojtur nga kërcënimi prej komunizmit sovjetik. SHBA-të edhe tani mbeten forca kryesore e kësaj mbrojtjeje, madje e kanë zgjeruar gjeografinë ushtarake në Lindje e Jug-Lindje të Europës, pas shpërbërjes së BS-së dhe prishjes së rivalit ushtarak, Traktatit të Varshavës. Presidenti amerikan Tramp në shumë raste ka theksuar qortueshëm se Amerika ka bërë shumë sakrifica për ta mbrojtur Europën, prandaj aleatët europianë të SHBA-ve në NATO duhet të marrin përsipër detyrimet që u takojnë për shpenzime më të mëdha financiare se deri tani për NATO-n e praninë ushtarake amerikane në Europë. Por, SHBA-të asnjëherë nuk kanë treguar interes që protektorati ushtarak amerikan në Europë të dobësohet ose ta ndryshojë natyrën e tij, nuk e kanë pëlqyer idenë që Bashkimi Europian ta ndërtojë ushtrinë e vet.
  7. Euro-atlantizmi vuan edhe nga ngërçet që i shkaktojnë shtrirjet ushtarake dhe ekonomike në Lindje e Jug-Lindjen e Europës, sepse problemet që janë trashëguar e krijohen rishtas këtu kanë natyra mjaft të ndryshme nga ato të Europës Perëndimore. Më të ndërlikuara për t’u trajtuar janë problemet që ndeshen në Ballkan, ku kanë mbetur të çara të thella e plagë të pakuruara e të padregëzuara nga periudha të ndryshme historike, sidomos nga luftërat e fillimit e të fundit të shekullit XX. Janë krijuar edhe probleme të reja të ndërlikuara nga veprimet e pamenduara mirë të BE-së e të NATO-s ose shteteve të veçanta, por me peshë, si SHBA, Gjermania, Franca, Italia ose dhe shtete më të vogla, por ambicioze për të marrë përsipër role të mëdha ekonomike e politike në Ballkan.
  8. Tabloja e marrëdhënieve të shteteve të Ballkanit me NATO-n e BE-në ka disa veçanti penguese. Vendet ballkanike janë pranuar në kohë të ndryshme në këto mekanizma. Anëtarët e vjetër kërkojnë të kenë njëfarë privilegji në krahasim me të rinjtë dhe ndonjëri si Greqia luan shëmtueshëm me të drejtën e vetos për të shkëputur haraç nga kandidatët më të rinj. Disa vende, si Turqia e Shqipëria, janë të anëtarësuar në NATO, por nuk janë në BE. Maqedonia, Kosova, Serbia, Bosnje-Hercegovina, nuk janë anëtarësuar as në NATO, as në BE. Burokracia e Brukselit nuk ka përcaktuar qëndrim të qartë nëse këto vende duhet të pranohen njëherësh ose në ë kohë të ndryshme, çka mund të krijojë rrezikun që të dalin përsëri shtete penguese, duke përdorur veton kundër atyre që mbeten më mbrapa. Kuptohet, më e rrezikuara do të jetë Kosova në qoftë se Serbia pranohet para saj, e cila nuk do ta përdorte veton për të mos lënë Kosovën të hyjë në BE si shtet sovran e anëtar i njëllojtë me të tjerët, por ta pranojë të hyjë si bisht i Serbisë. Në Bruksel e në kryeqytetet europiane i dinë fare mirë këto rreziqe, por vazhdojnë të bëjnë një lojë të keqe e të dyshimtë, që të shkëpusin sa më shumë lëshime nga Kosova për të kënaqur lakmitë e pangopshme të Serbisë. Këto manipulime e vënë në vështirësi edhe Shqipërinë, që ka detyrimin kombëtar të dalë gjithmonë në krah të Kosovës. Edhe për shkak të shumicës së popullsisë myslimane, shtetet shqiptare mund të trajtohen jo si të gjitha të tjerët gjatë procesit të aderimit në BE, duke ua zëvendësuar anëtarësimin normal me ndonjë marrëveshje specifike partneriteti, siç mendohet edhe për Turqinë prej kohësh.
  9. Shqetësim për shqiptarët mbetet edhe dëshira e madhe e fuqive perëndimore, posaçërisht e SHBA-ve, për ta parë Serbinë të integruar në BE e të anëtarësuar në NATO, si premisë për shkëputjen e saj nga ndikimi i madh e tradicional rus. Janë bërë edhe hapa konkretë që kjo të arrihet nëpërmjet lëshimeve që i imponohen Kosovës. Serbia e ka shfrytëzuar shumë deri tani këtë atmosferë të pafavorshme për të intensifikuar fushatat politike, diplomatike e agjenturore që të kthehet mbrapsht i gjithë procesi i deritanishëm për çlirimin e njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran, për ta kthyer këtë proces në pikën e vdekur, ku mbeti për faj të Serbisë në përfundim të Konferencës së Rambujesë në mars të vitit 1999. Në atë kohë Serbia përgatiste mësymjen e madhe për gjenocidin e spastrimin etnik në Kosovë dhe fshihej pas një kërkese të vetme: statusi i Kosovës të përcaktohet me bisedime pas 20 vjetësh. Tani po mbushen plot 20 vjet nga ajo kohë dhe Serbia, me ndihmën e Rusisë, thotë “hajdeni ta nisim gjithçka nga e para e të gjejmë një status të Kosovës të pranueshëm dhe për serbët!”.
  10. Pjesë e kësaj strategjie serbe e ruse është dhe “marrëzia diplomatike” që të shtyhen shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës (më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së) që ta rishqyrtojnë vendimin e tyre dhe ta tërheqin njohjen. Në shkrimet e mia të viteve të shkuara kam shtjelluar se njohja ndërkombëtare e bërë një herë nuk përmbyset më, sepse ajo është një veprim politik i parevokueshëm. Por, marrëzia serbe nuk ka të ndalur. Pikërisht tani vonë kryeministrja e Serbisë i ka dërguar dy letra homologut të saj në Shqipëri që ai të ushtrojë ndikimin që e ka në Kosovë. Kryeqeveritarja serbe kalon në një provokim të shëmtuar se, në qoftë se qeveria e Kosovës nuk i bindet trysnisë nga Tirana, atëherë qeveria e Shqipërisë duhet ta tërheqë njohjen e shtetit të Kosovës. Nuk ka nevojë për komente për të treguar se deri ku shkon marrëzia diplomatike serbe.
  11. Gjithnjë e më shqetësuese po bëhet prirja e keqe që po manifestohet më hapur se kurrë në mjediset diplomatike të BE-së e të NATO-s për të mos i vënë re makinacionet e Serbisë, për të mos e qortuar atë për mbrapshtitë në sjelljet e saj ndaj Kosovës dhe për t’i zgjidhur ngatërresat serbo-shqiptare vetëm në dëm të shqiptarëve. Ishte një gjë krejt e pakuptueshme dhe papranueshme, që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shtolterberg, të ushtronte trysni mbi Kosovën që të mos e krijonte ushtrinë e saj. NATO duhet ta kishte nxitur Kosovën ta bënte me kohë këtë hap dhe Kosova të mos kishte pritur kaq gjatë. Absurdi në qëndrimin e shefit politik të NATO-s kësaj radhe ra më shumë në sy kur krijimin e ushtrisë së Kosovës e mbështetën dhe përshëndetën anëtarë të rëndësishëm të aleancës, si: SHBA, Gjermania e Turqia. Mbetet enigmë se për çfarë qëllimesh u krijua kjo gjendje paradoksale në NATO. Por, është e kuptueshme se euro-atlantizmi nuk është më si ka qenë. Shkrimin tim “NATO si trashëgimi e bekuar e Luftës së Ftohtë” (“Shenja”, maj 2018) si për shpoti zbavitëse e pata mbyllur me fjalitë “Unë nuk mund të përjashtoj fare hipotezën se në botë dikur mund të krijohen situata ku në rolin e më besnikëve të NATO-s të shfaqen SHBA, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Kosova”. Ndoshta tani, në fund të muajit dhjetor 2018, duhet të filloj të mendoj pak më seriozisht se shqiptarët duhet të presin ende shumë nga anglo-amerikanizmi dhe të tregohen më të vëmendshëm e më skeptikë ndaj burokracive euro-atlantike në Bruksel.
  12. Zhgënjimet dhe frikësimet më të mëdha tani duhet t’i presim nga prirjet haptazi nervoze e shantazhuese të diplomacisë europianiste të Brukselit, sidomos të dyshes italo-austriake Mogerini-Khan, që përveç arsyeve të politikës proserbe, që ka lëshuar rrënjë në BE qysh kur filluan bisedimet shqiptaro-serbe atje, duket se kanë edhe motive të karrierës së tyre personale, prandaj kërkojnë suksese në kurriz të Kosovës. Qëndrimi i qeverisë së Kosovës, në radhë të parë i kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, përballë Mogerinit e Khanit, ishte jo vetëm i drejtë, i qartë dhe i vendosur, por dhe me një rëndësi të madhe politike e diplomatike si asnjë qëndrim i deritanishëm qeveritar nga Kosova. Mendimet e pikëpamjet e peshuara e të paqortueshme nga çdo këndvështrim që Haradinaj i shpalosi zyrtarisht në takimin me Mogerinin tani duhet të jenë modeli se si i duhen dhënë mesazhet shqiptare diplomacisë ndërkombëtare për marrëdhëniet shqiptaro-serbe. U provua në praktikë se shqiptarët dinë t’i japin me saktësi e dinjitet mesazhet që u takojnë. Këto mesazhe duhet t’i ngulisin mirë në mendje vetë shqiptarët, qofshin pushtetarë, politikanë, propagandistë ose qytetarë të zakonshëm. Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet edhe nëse nuk e ka në nivelin e aftësive luftarake si Serbia, e cila tërbohet jo aq nga krijimi i ushtrisë së Kosovës si rrezik për të, por sepse krijimi i ushtrisë dhe i Ministrisë së Mbrojtjes e plotësojnë edhe më mirë fizionominë e simbolikën e shtetit të pavarur të Kosovës si shtet sovran. Kosova ka, gjithashtu, të drejtën e plotë t’i mbrojë interesat e veta ekonomike politike si i mendon ajo në fushën e marrëdhënieve me Serbinë dhe jo si duan strukturat burokratike në Bruksel.
  13. Krisjet e euro-atlantizmit nuk duhet të shërbejnë për të thelluar të çarat e mëdha që ekzistojnë midis popujve e shteteve të Ballkanit. Bisedimet shqiptaro-serbe tani po bëhen më të pakuptimta se kurrë. “Nisma e Berlinit” për krijimin e një Jugosllavie të tretë në Ballkanin Perëndimor tashmë duhet quajtur e dështuar. Këtë e dëshmon dhe fakti që vetë presidenti i SHBA-ve e çmoi se duhej të angazhohej personalisht në procesin e bisedimeve shqiptaro-serbe që të arrihet një “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, për të cilën ende nuk dimë asgjë pasi askush nuk thotë gjë. Por, kuptohet, se ka kohë që punohet mbi të. Sa herë që problemet trajtohen në mënyrë të mjegullt, shqiptarët duhet t’i zërë ankthi e frika se përsëri mund t’u hiqet ndonjë fashë e ri të drejtave e interesave të tyre, të cilave tashmë u ka mbetur vetëm kocka pa u bluar. Çfarëdo lëshimi të bëjë Perëndimi në favor të serbëve mbi të drejtat e shqiptarëve, Serbinë nuk e shkëput dot nga Rusia. As Greqinë nuk e bën dot anëtare më besnike të NATO-s kryeministri grek në Moskë, që u mor vesh mirë me presidentin rus, madje shkoi dhe në Beograd për t’i dhënë mbështetje të plotë Serbisë kundër Kosovës. Provat janë sheshit, që blloku i shteteve ortodokse në Ballkan po i shtrëngon edhe më shumë radhët e veta nën hijen Rusisë. Krisjet e euro-atlantizmit për fat të keq po ia lehtësojnë këtij blloku punën diversioniste e kërcënuese në Ballkan.
  14. Në Kosovë gjendja është rënduar shumë. Presidenti këmbëngul se, po nuk u bë marrëveshje për ndreqje kufiri me Serbinë e marrëveshje gjithëpërfshirëse, mund të ketë luftë. Kryeministri kundërpërgjigjet ,se po të bëhen lëshime territoriale, do të ketë luftë, se Kosova tarifat tregtare nuk i hequr pa u njohur pavarësia e Kosovës nga Serbia. Kush, vallë, mund të jetë frymëzues e gatues i një konspiracioni që t’i fusë shqiptarët e Kosovës në përleshje midis i tyre?! Armiqtë kanë punuar gjithmonë për këtë. Mos, vallë, edhe miqtë e shqiptarëve po neglizhojnë ta vënë re këtë rrezik?!
  15. Krisjet e euro-atlantizmit po e trazojnë edhe gjendjen në Shqipëri. Ashtu si para tri dekadash në rrugët e Tiranës, studentët e revoltuar për shumë arsye e motive të kuptueshme e, në thelb, të drejta po brohorasin sërish si paraardhësit e tyre në dhjetor 1990 e shkurt 1991 “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Shqipëria gjatë këtyre tri dekadave në shumë drejtime, në realizimin e lirisë e të demokracisë, u bë si gjithë Europa. Por, në disa drejtime, si zhvillimi ekonomik, arsimimi, shëndetësia, dhënia e drejtësisë, është shumë poshtë niveleve të Europës. Nuk mund të qortohen studentët se pse ringjallën nëpër rrugë thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Por, të gjithë duhet ta bëjnë pyetjen, të paktën me veten: “Po Europa a na do neve?!”. Mesa duket ende jo si duhet e sa duhet. Edhe kjo ndikon shumë që të bëhen lëmsh zhvillimet shqiptare.