` . Krijimi i së “vërtetës” – TV-SHENJA

Krijimi i së “vërtetës”

Monopolizimi i të vërtetës së legjitimuar nga pushteti serb dhe struktura e tij janë evidente pothuajse në çdo pore të qytetarit shqiptar brenda shtetit serb. Së fundi, prania e po këtij pushteti shfaqet në mohimin e shenjës së lirisë, gjegjësisht lapidarit, i cili në mënyrë simbolike ngjiz tërë historinë më të lavdishme të këtij populli.

Shkruan: Liburn MUSTAFA, Preshevë

Në shumë komente të filozofisë shohim një tendencë për relevantizimin e dijes dhe relativizimin e pushtetit, kështu që dija ishte ajo e cila predeterminonte qeverisjen e mirë të pushtetit. Mirëpo, gjatë periudhës së modernizmit u dëshmua reverzibiliteti i këtij pohimi, me ç’rast pushteti e legjitimonte dijen, ndërsa dija nuk do të cilësohej me vërtetësinë po mos ta kishte mbështetjen e pushtetit, e që përmes kësaj dije realizohej vetë pushteti. “Për të drejtën dhe të vërtetën vendos vetëm pushteti” ose “dija është pushtet” janë fraza të cilat shprehin “krizën e tregimeve të mëdha”. Konkretisht shpreh simptomën e krizës së legjitimitetit në botën e sotme, si tregues të dallimeve midis botës moderne dhe asaj postmoderne.

Forma, përmes së cilës subjektit i servohet kjo dije, është metanarracioni dhe karakteri eskatologjik i këtyre rrëfimeve. Këto fenomene, të krizës së metarrëfimeve, i diskuton filozofi i njohur Jean-François Lyotard. Për të koncepcionet sunduese mbi historinë, njeriun, shoqërinë, mbi emancipimin e njerëzimit, qoftë në versionin e iluminizmit, në versionin hegelian mbi realizimin e Frymës ose në versionin marksist mbi çlirimin e proletariatit, kanë legjitimuar sa shkencat dhe institucionet aq edhe praktikat shoqërore. Por, tani në botën postmoderne ato kanë humbur besueshmërinë që kishin, pasi që e vërteta dhe drejtësia i janë shtruar një procesi të deligjitimimit.

Me këtë vihet në pah moderna, si botë në të cilën jetësohet legjitimiteti i dijeve dhe i shkencës në saje të tregimeve të mëdha. Sipas filozofisë moderne, të gjitha dijet dhe veprimet janë në funksion të realizimit të përmbajtjeve të atyre rrëfimeve. Pra, modernizmi i përbërë pikërisht nga këto rrëfime të mëdha vështron të gjitha institucionet, praktikat politike, praktikat sociale dhe të gjitha dijet nën thundrën e legjitimitetit. Ky është rrëfimi i narracionit iluminist, “aty ku heroi i dijes punon për një qëllim të mirë etiko-politik”, për paqen universale.

Një fenomen i tillë nuk mund të mbetet larg praktikave të shteteve të Ballkanit, ku pushteti është vetëlegjitimues ose, thënë në termat fukolodian (Michel Foucaul), dija është gjithnjë një mënyrë e pushtetit sa që ajo mund të fitohet prej pushtetit, sepse “pushteti dhe dija implikojnë drejtpërdrejtë njëra-tjetrën dhe nuk ka marrëdhënie pa një ndërtim korrelativ në mes tyre”. Shikuar në këto relacione, nuk mund ta tejkalojmë assesi rastin e enciklopedisë së shkruar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, që nxiti debate dhe kritika të ashpra nga faktorë të ndryshëm relevantë. Akademikët maqedonas shkruan se shqiptarët njihen si “arbanasë”, “arnautë” dhe “shiptari”; kjo e fundit shoqërohet me shpjegimin përkatës me shprehjen “pllaninci”, që do të thotë “njerëz mali”. Në këtë enciklopedi, të financuar nga Qeveria e Maqedonisë, shkruhet se “prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishe nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen e, për rrjedhojë, vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. Deri në fillimet e shekullit të 20-të shqiptarët numëronin 20 mijë banorë”. Sipas akademikëve maqedonas, rritja e numrit të popullsisë shqiptare në Maqedoni argumentohet me natalitetin e lartë dhe migrimet nga Kosova. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, përpos që minon përpjekjet e shumta për bashkëjetesë në Maqedoni, mes shqiptarëve e maqedonasve, ajo – duke mohuar tjetrin – bën pohimin e vetvetes ose, thënë ndryshe, duke deligjitimuar tjetrin legjitimon vetveten. Akademia, si institucioni më i lartë shkencor i sponsorizuar nga pushteti maqedonas, krijoi një “të vërtetë” të legjitimuar nga pushteti, pra veproi sipas një logjike monopolizuese të së vërtetës. Një lloj dije e cila do të duhej të bazohej mbi kriteret shkencore preferoi narracionin duke shpërfillur objektivitetin shkencor. Kështu pushteti maqedonas, përmes instrumentit të dijes, që ta përkujton thënien e Baconi-t “Dija është pushtet”, krijoi një të vërtetë, efikasiteti i së cilës erdhi në saje të fuqisë së pushtetit. Kontestimi i enciklopedisë nga ana e shqiptarëve, për shkak të të pavërtetave që thuhen rreth tyre, në një farë mënyrë ndërlidhej edhe me kontestimin e pushtetit maqedonas të Nikolla Gruevskit. Mund të ketë edhe enciklopedi të tjera të cilat thonë “të pavërteta” për shqiptarët, por nga që ne ndoshta nuk kemi dëgjuar për to ose nuk ja vëmë mendjen, fare atyre. Por, në një shtet ku shqiptarët bashkëjetojnë me maqedonasit, me ç’rast shqiptarët dëshirojnë ta ndajnë pushtetin me ta dhe këta të fundit, pavarësisht kësaj dëshire, me çdo kusht dëshirojnë ta mbajnë dhe mbizotërojnë këtë pushtet, dëshmon për një refuzim të legjitimitetit të enciklopedisë dhe të legjitimuesit të saj. Pasi që dijet maqedonase burojnë nga një pellg gnoseologjik tjetërfare nga pellgu gnoseologjik shqiptar – këto pellgje krijojnë edhe ligjërime të ndryshme, arritja e një konsensusi universal për një burim objektiv të dijes dhe legjitimimi i saj ishte i pamundur. Kryevepra refleksive e këtij legjitimimi të vetes dhe delegjitimimit të tjetrit është narracioni arkitektonik i ashtuquajtur “Shkupi 2014”. Ky projekt politik konsiston në krijimin e një narracioni për të ngulfatur të vërtetat e tjera, bazuar në të drejtën e krijimit të “Idesë” së maqedonasit dhe Maqedonisë per se.

Fenomen tjetër që kohëve të fundit që është akoma aktual dhe i vazhdueshëm edhe sot, është fenomeni i “legjitimit të historisë” ose edhe “legjitimimi i së drejtës dhe të vërtetës” nga pushteti serb. Në vitet e 90-ta, kur Akademia e Shkencave Serbe në Beograd, krijonte të vërtetën për veten dhe tjetrin, vetja e tyre ishin populli i qytetëruar serb dhe tjetri ishin barbarët përreth tyre: kroatët, sllovenët, boshnjakët dhe shqiptarët. Akademia identifikohej me pushtetin, kurse pushteti me tregimin e vërtetë, të “viktimës”. Pushteti, përmes teksteve të historisë, legjitimonte “pushtetin” e vet dhe e demonizonte kundërshtarin politik. Qëllimi i këtyre dijeve nuk ishte dija, por efikasiteti dhe riprodhimi i saj. Narracioni i ngjashëm i ligjërimit mbretëron edhe me pushtetin aktual. Në të njëjtin kontekst të trajtimit, ku pushteti vendos për të vërtetën dhe të drejtën, është rasti i burgosjeve dhe dënimeve politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Rasti i njohur është ai ku Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd i dënoi me burg 11 shqiptarë të Preshevës, i njohur si rasti i “Grupit të Gjilanit” në akuza për krime lufte ndaj serbëve në vitin 1999 në rajonin e Gjilanit. Ish-pjesëtarë të UÇK-së në Kosovë dhe UÇPMB-së ishin dënuar më 101 vjet burgim, edhe pse avokatët mbrojtës e kanë quajtur të montuar procesin ndaj këtij grupi, duke theksuar se autoritetet hetimore serbe kanë përdorur dëshmitarë të mbrojtur të rrejshëm. Pra, krijoi një të “vërtetë”, efikasiteti i së cilës erdhi në saje të fuqisë së pushtetit të Ivica Daçiqit.

Monopolizimi i të vërtetës së legjitimuar nga pushteti serb dhe struktura e tij janë evidente pothuajse në çdo pore të qytetarit shqiptar brenda shtetit serb. Së fundi, prania e po këtij pushteti shfaqet në mohimin e shenjës së lirisë, gjegjësisht lapidarit, i cili në mënyrë simbolike ngjiz tërë historinë më të lavdishme të këtij populli.

Përmes deklaratave se ai detyrimisht duhet të hiqet, e bën pushtetin deligjitimues ndaj historisë së tjetrit, ngase pushteti i kryeministrit Daçiq është ai që bën “të vërtetën”. Motivi i heqjes së lapidarit nënkupton se “të rënët e UÇPMB-së ishin terroristë”, ndërsa në këtë rast pushteti paraqitet si deligjitimues i historisë së tjetrit, por jo vetëm kaq – ai njëkohësisht legjitimon vetveten dhe shkruan historinë tashmë të legjitimuar.

Gjithashtu në këtë rast pushteti serb firmos, ratifikon dhe shkel të gjitha marrëveshjet dhe instrumentet juridike ndërkombëtare, Konventën e Kombeve të Bashkuara në Luftën Kundër të Gjithë Formave të Diskriminimeve dhe Ksenofobisë, këtu duke iu referuar konventave ndërkombëtare që flasin për trashëgimin e monumenteve kulturore dhe historike.

Ajo shkel legjislacionin e vetë, ngase çështja e përmendoreve është çështje e pushteteve lokale dhe në pajtim me Marrëveshjen e Konçulit, ku garantues janë ndërkombëtarët, pasja e shkel ligjin për demilitarizimin ose amnistinë totale për ish-ushtarët e UÇPMB-së, madje – jo më pak e parëndësishme – ajo mohon parimin e diversiteteve kulturore dhe etnike të qytetarëve të saj. Të gjitha këto, të ndërlidhura me rastin në fjalë, e bëjnë pushtetin krijues të së “vërtetës”, efikasiteti i së cilës erdhi në saje të fuqisë që e prodhon pafundësisht pushteti.

Prodhimi i “të vërtetës” në kuptimin vlerësues nënkupton “të vërtetën” ndaj së cilës duhet pasur respekt dhe frikë, që duhet t’i nënshtrohesh, sepse ligjërimi është prodhuar prej atij që e posedon këtë të drejtë, është po ky ligjërim që kumton drejtësinë, jo vetëm që tregon se ç’po ndodhë, por edhe se ç’duhet të ndodhë duke bartur edhe bindjet e njerëzve dhe profetizimin e së ardhmes. Andaj nga ligjërimi i prodhuar arrijmë të kuptojmë relacionin dije-pushtet, gjegjësisht pyetjen e shtruar nga Lyotard-i se “kush vendos se ç’është dija, e kush vendos se çka duhet vendosur?”.

Nga pushteti maqedonas e serb, gjegjësisht nga sinonimet e këtyre pushteteve, si i Nikolla Gruevskit dhe Ivica Daçiqit, janë në funksion të realizimit të përmbajtjeve të atyre ligjërimeve vetë-legjitimuese, respektivisht perfeksionimit dhe avancimit të teknikave dhe taktikave të sundimit dhe nënshtrimit.

Rreziku i të qenit i kolonizuar e i përthithur nga ligjërimet zyrtare subjektit shqiptar ia ofron dy mundësi: ai detyrohet të veprojë, të punojë dhe të praktikojë një mënyrë të dhënë jetese, të pranojë teknika të shumëllojshme nënshtrimi, t’i nënshtrohet arsyes shtetërore, që nënkupton humbjen e subjektit, dhe mundësia e dytë – që nuk i mbetet gjë tjetër pos rebelimit ndaj gjithçkaje në formë të shpërfilljes totale, kjo si formë e ruajtjes së subjektit.

Botuar në numrin 22. të Revistës SHENJA, viti 2013