` . Krerët e partive dhe institucioneve ngushëllojnë Francën – TV SHENJA

Krerët e partive dhe institucioneve ngushëllojnë Francën

Deri në këtë çast nuk ka informata për shtetas të vrarë ose të lënduar të Maqedonisë në sulmin terrorist në Nicë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet kompetente franceze.

Ndërkohë, liderët e institucioneve kryesore të vendin kanë shprehur ngushëllime dhe kanë dërguar telegrame ngushëllimi për presidentin francez, Fransoa Oland, dhe për homologët përkatës. Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë  Emil Dimitriev, dhe Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanovski, njëzëri dënuan ashpër sulmin terrorist dhe shprehën solidaritetin me Republikën e Francës në luftën kundër terrorizmit.

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i dërgoi telegram ngushëllimi presidentit të Francës Frasoa Oland, kryeministrit Manuel Vals dhe familjarëve të viktimave në sulmet terroriste në Nicë.

“Opinioni i gjerë i Maqedonisë është në shok, me tmerr dhe me keqardhje e pranoi lajmin për aktin terrorist që mbrëmë vonë ndodhi në Nicë. Mendimet tona dhe lutjet janë me familjarët e viktimave, por edhe me tërë Francën”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Ngjashëm veproi edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili në emër të tij dhe në emër të LSDM-së dërgoi telegrame me rastin e sulmeve terroriste në Nicë.

“Dërgoj ngushëllime të thella dhe të sinqerta deri te familjet e mbi 89-të të vdekurve, të mbi 100 të lënduarve në sulmet terroriste, deri te kreu shtetëror francez si dhe deri te populli mik në Republikën e Francës, në emrin tim dhe në emër të LSDM-së, ku pësuan shumë qytetarë derisa festonin festën kombëtare, 14 Korrikun”, tha kreu i LSDM-së, Zoran Zaev.

Edhe nga Lëvizja BESA kanë shprehur ngushëllime pas sulmit të mbrëmshëm terrorist, prej nga thonë se sulmet e vazhdueshme terroriste në botë dëshmojnë se bashkimi ndaj të keqes është një nevojë e domosdoshme,

“Lëvizja BESA shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta pas sulmit të mbrëmshëm terrorist në Nicë, kështu në këtë moment kur terrorizmi ka thyer zemrat e miliona njerëzve në botë, dëshirojmë të inkurajojmë se edhe ne shqiptarët jemi pranë popullit francez. Sulmet terroriste si ai i Nicës, s’janë vetëm kundër Francës dhe popullit të saj, por janë sulme edhe ndaj vlerave qytetërimore evropiane të ngritura me shumë mund”, thonë nga Lëvizja BESA.

Edhe redaksia e Televizionit SHENJA solidarizohet me popullin francez, dhe shprehur ngushëllimet më të thella për familjarët e të ndjerëve dhe të lënduarve  në sulmin terrorist në Nicë, duke theksuar se ky, dhe sulmet tjera kudo në botë, nënvizojnë një fakt të qartë: terrorizmi nuk ka as fe e as komb!

Abdulla Berisha /SHENJA/


Krerët e partive dhe institucioneve… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme