` . Kosovë, protestë gjithëpopullore për lirimin e Haradinajt – TV SHENJA

Kosovë, protestë gjithëpopullore për lirimin e Haradinajt

Në disa qytete të Kosovës, si në Pejë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë dhe Ferizaj sot u mbajt një protestë gjithëpopullore me moton “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë”, ku kërkohej lirimi i ish-kryeministrit dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, raporton AA.

Gjatë këtyre protestave qytetarët dhe pjesëtarët e e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), kërkuan lirimin e menjëhershëm të Haradinajt dhe heqjen e fletarresteve të lëshuara nga Serbia, duke i konsideruar ato si të papranueshme.

Në komunat e Pejës dhe të Gjakovës, të cila shtrihen në rrafshin e Dukagjinit, në zonën ku Haradinaj ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, të cilët dënuan ndalimin e Haradinajt.

Në të gjitha qytetet, protestat përfunduan qetë dhe pa incidente.

Ndërkaq, javën e kaluar ditën e premte edhe në Prishtinë, ishte mbajtur një protestë e tillë, ku mijëra qytetarë marshuan drejt Ambasadës së Francës në Kosovë me moton “Ramush Haradinaj është Kosova”.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqës i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i AAK-së, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhër arresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.

Ai në vitin 2015 ishte arrestuar në Slloveni dhe më pas është liruar. Ndërkaq sot Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka dërguar kërkesën deri te organet e drejtësisë franceze për ekstradimin e Haradinajt, i cili që nga dita e ndalimit ndodhet në paraburgim në Francë.

Postime të Ngjajshme