` . Kosovë, Oliver Ivanoviq do të mbrohet në liri - TV SHENJA

Kosovë, Oliver Ivanoviq do të mbrohet në liri

Liderit të Nismës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, sot i është pezulluar paraburgimi shtëpiak dhe ai mund të mbrohet në liri, raporton AA.

Avokati mbrojtës, Nebojsha Vlajiq konfirmoi për AA se Gjykata Themelore në Mitrovicë me kërkesë të mbrojtjes vendosi që Ivanoviç të mbrohet në liri. “Ky nuk është lirim i plotë, por i është pezulluar paraburgimi shtëpiak dhe ai mund të mbrohet në liri”, tha Vlajiq.

Ai theksoi se mbrojtja është e kënaqur që Gjykata e kuptoi se “Oliver Ivanoviq nuk do të arratiset, as që ka dashur ndonjëherë”.

Në fillim të muajit shkurt Gjykata e Apelit të Kosovës anuloi aktvendimin e shkallës së parë ndaj Ivanoviqit prej 9 vite burg për krime lufte dhe ktheu gjykimin në fillim.

Seanca e parë e gjykimit të përsëritur për Oliver Ivanoviq (64), filloi më 24 mars në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe me këtë rast Ivanoviq u prononcua se nuk është fajtorë për aktakuzat.

Në gjykimin e përsëritur, Ivanoviq është i pandehuri i vetëm dhe gjykohet për përgjegjësi penale për krime lufte kundër banorëve civilë në prill të vitit 1999.

Postime të Ngjajshme