` . Kosovë, nënshkruhet memorandum me BE-në për vëzhgimin e zgjedhjeve - TV SHENJA

Kosovë, nënshkruhet memorandum me BE-në për vëzhgimin e zgjedhjeve

Ministri në largim i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nënshkruar në emër të Qeverisë, memorandumin me Bashkimin Evropian, përkatësisht zyrën e BE-së në Kosovë, i cili ka për qëllim monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit nga një mision vëzhgues, i deleguar nga BE-ja, transmeton AA.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, së bashku me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ministri Hoxhaj ka vlerësuar se kjo është një praktikë e ndjekur mes Kosovës dhe BE-së edhe në zgjedhjet e kaluara, thuhet në një njoftim nga MPJ e Kosovës.

“Kosova si vend që synon që sa më shpejtë të bëhet pjesë e familjes evropiane është e përkushtuar për të arritur standardet më të larta në funksion të organizimit dhe garantimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Prandaj, nënshkrimi i këtij memorandumi është mënyra më e mirë për ta dëshmuar një gjë të tillë dhe për të konfirmuar orientimin tonë të qartë si shtet i ri”, ka thënë Hoxhaj.

Në njoftim thuhet se Hoxhaj ka ofruar gatishmërinë e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për të garantuar të gjitha kushtet për një proces të lirë dhe demokratik.

“Vetë ftesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi drejtuar BE-së për të monitoruar zgjedhjet e 11 qershorit, flet për interesimin, gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të organizuar zgjedhje sa më të mira”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Postime të Ngjajshme