` . Kosovë, hapet panairi “Integrimi evropian dhe mbështetja për ndërmarrjet e grave” – TV-SHENJA

Kosovë, hapet panairi “Integrimi evropian dhe mbështetja për ndërmarrjet e grave”

Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës, Ministria e Integrimit Evropian (MIE) e Republikës së Kosovës në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës organizoi aktivitetin me titull “Integrimi evropian dhe mbështetja për ndërmarrjet e grave” me një panair në të cilën gratë kosovare do të shesin dhe promovojnë produktet e tyre, raporton AA.

Panairi i cili filloi sot dhe do të zgjasë deri më 9 maj, në Ditën e Evropës organizohet në kuadër të aktiviteteve të MIE-së me rastin e Ditës së Evropës. Në panair marrin pjesë një numër i madh i shoqatave të grave të cilat prodhojnë produkte të ushqimit tradicional dhe kostume tradicionale punë dore.

Ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Dhurata Hoxha e cila pas vizitës në standet e grave në këtë panair në një deklaratë për media tha se aktivitetet për Ditën e Evropës i ka filluar me rininë dhe me gruan duke theksuar se ata janë një pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë kosovare.

“Duhet t’i fuqizojmë për shkak se procesi i integrimit evropian nuk do të jetë i plotë pa përfshirjen dhe fuqizimin e rinisë dhe gruas. Andaj ky ka qenë edhe qëllimi i shënimit të Ditës së Evropës me këto aktivitete”, tha Hoxha.

Ajo tha se duhet përkrahur aktivitetin e gruas sa më shumë, sepse sipas saj, ka gra shumë të zonja të cilat po na zbardhin fytyrën jo vetëm në fushën e punës së dorës apo aktiviteteve tradicionale por edhe në art, muzikë, sport dhe shkencë.

Sevdije Ramadani, menaxhere e Shoqatës “Gora” nga Dragashi në një prononcim për AA bëri të ditur se dhjetë gratë e kësaj shoqate prodhojnë mbulesa dekoruese tradicionale për tavolina.

“Organizatën e kemi themeluar në vitin 2010 me qëllim që gratë gorane të kenë më shumë kontakte me gratë shqiptare dhe me gratë e nacionaliteteve të tjera. Deri tani kemi pasur mjaft sukses nëpër panaire të tilla dhe në tregun mobil që hapet çdo të marte në këtë shesh”, tha Ramadani.

Ndërsa Afërdita Murati e cila vjen nga komuna e Podujevës merr pjesë në panair si themeluese e Shoqatës “Drita e Llapit” dhe prodhuese e produkteve të mjedrës dhe aronias. Ajo tha se gjendet në tregun mobil që nga viti 2015 e cila financohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyrën e BE-së.

“Falënderoj MIE-në për këtë panair ku ne edhe po kemi përfitimet tona por poashtu edhe i promovojmë produktet vendore që të përdoren sa më shumë”, tha ajo.