` . Kosova në 10 vjetorin e pavarësisë – TV-SHENJA

Kosova në 10 vjetorin e pavarësisë

Duket se ne nuk e paskemi ditur se njësoj nevojitet mund, dije, guxim dhe sakrificë edhe për ta mbajtur e forcuar shtetin, jo vetëm për ta shpallur e formuar atë. Ne e kemi menduar shtetin si një vetëshërbim ku mund të gjesh dhe marrësh falas gjithçka: punë, para, pushtet, shërbime, përfitime, mirëqenie, siguri, liri, drejtësi e çka jo tjetër

Shkruan: Shemsi KRASNIQI, Prishtinë  

Krijimi i shtetit të Kosovës i përngjan lindjes së një foshnje. Jo vetëm se pse çlirimi i vendit ndodhi pas nëntë dekadash të sundimit serb dhe jugosllav, por edhe pse çlirimi ndodhi pas një dhimbje të tmerrshme – një lufte dhe gjenocidi të paparë, një eksodi të quajtur biblik. Liria erdhi në vitin 1999 – në fund të një shekulli plot vuajtje dhe fillimin e një tjetri, i cili që në dekadën e parë (2008) solli pavarësinë e Kosovës. Tash po bëhen dhjetë vjet prej asaj ngjarje historike, prej atij momenti unik politik dhe magjik në të njëjtën kohë, që e provuam ne, por nuk e provuan gjenerata të tëra para nesh, që nuk e provuan shumë nga ata që derdhën mund, djersë, lot e gjak, që shkuan zemërplasur e syçelë për ta parë atë që po e shohim sot, për ta përjetuar atë që po e përjetojmë sot – lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Pavarësia e Kosovës ishte një ëndërr e bërë zhgjëndërr. Nuk ka fare dilemë se, për shqiptarët e Kosovës, ditë më e gëzueshme se 17 shkurti 2008 ka mund të jetë vetëm 12 qershori 1999 – dita e hyrjes së forcave të NATO-s dhe e çlirimit të Kosovës. Nuk ka po ashtu dilemë se në të dy këto ditë emocionet jo vetëm se kanë qenë tepër të forta, por edhe të përziera. Njerëzit kanë qarë prej gëzimit. Kanë qarë për të dashurit e vet që nuk e pritën, por vdiqën me mallëngjim për ta parë Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Nga një hulumtim që kemi bërë së bashku me studentët e sociologjisë të Universitetit të Prishtinës del se shqiptarët e konsiderojnë ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës si ngjarjen historike më të rëndësishme prej vitit 1912 e këndej. Kujtimet e asaj dite vazhdojnë të mbesin të forta, sikurse edhe dashuria për vendin, lirinë dhe pavarësinë e tij. Gëzimi dhe krenaria e asaj dite kanë mbetur të pashlyera dhe do të mbesin të papërsëritshme në jetën dhe kujtesën e kosovarëve.

Por, si çdo shtet tjetër, edhe shteti i Kosovës nuk është vetëm emocion. Shteti, para së gjithash, është institucion, është një mekanizëm i madh, i ftoftë dhe kompleks, që vepron në shumë dimensione. A është në funksion të plotë shteti i Kosovës apo ka disa gjymtyrë që nuk funksionojnë si duhet? Duket se kjo e dyta është e vërteta e Kosovës në 10-vjetorin e pavarësisë së saj. Kosova nuk i ka akoma disa mekanizma dhe elemente vitale, që duhet t’i ketë një shtet, si: ushtrinë, kontrollin e plotë mbi territorin, demarkimin e plotë të vijave kufitare me vendet fqinje, kontrollin e hapësirës ajrore, integrimin e të gjitha komuniteteve etnike, sistemin unik të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqësisë; pastaj Kosovës i mungon njohja e plotë ndërkombëtare, sidomos njohja nga pesë vende të BE-së, si dhe anëtarësimi në OKB dhe në organizatat e saj, si UNESCO, anëtarësimi në INTERPOL etj. Për fat të mirë, Kosova është anëtarësuar në FIFA dhe UEFA, por edhe në disa organizata të tjera ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore. Kosova ka mbetur prapa në procesin e integrimeve në BE dhe, ajo për të cilën më së shumti brengosen qytetarët e Kosovës, është pamundësia e lëvizjes së lirë, përkatësisht mungesa e liberalizimi të vizave. Kjo e fundit, ndër të tjera, domethënë se kosovarët, këta “europianë të rinj” (“The Young Europeans”) edhe pas dhjetë vitesh shtet vazhdojnë të mbeten “europianë të mbyllur”. Mbyllja dhe izolimi i një popullate me 60% të rinj, i një vendi të sapodalë nga një luftë shkatërruese dhe që sapo e ka shpallur pavarësinë, shkakton frustrim, nervozë, dëshprim, fajësim e, rrjedhimisht, edhe veprime aventureske për të bërë zgjidhje personale, qoftë edhe duke t’ia kthyer shpinën atdheut, duke hequr dorë nga shtetësia, duke ikur nga vendi për të shkuar në skaj të dynjasë, veç “mos me ndejt në Kosovë”. Krejt kësaj i ndihmojnë edhe dukuri të tjera negative, si shkalla e lartë e korrupsionit, krimi i organizuar, nepotizmi, abuzimi me pushtetin, pasiguria për të ardhmen, kriza ekonomike, varfëria, papunësia, kriza morale, mjedisore etj.

Ç’është ky hidhërim i kosovarëve me atdheun e tyre? Ç’është kjo ikje prej vendit të lirë dhe të pavarur, për të cilin dikur derdhëm gjak, qamë me lot, e pastaj për lirinë dhe pavarësinë e tij u gëzuam aq sa qeshëm me zë? Ç’është kjo prirje për të kritikuar, fajësuar dhe shpërfytyruar kaq shumë shtetin? Duket se krejt kjo nuk vjen vetëm nga abuzimi i pushtetarëve me shtetin, nga degradimi moral e politik i reprezentuesve të shtetit, nga veprimet e papërgjegjshme dhe skandaloze të tyre, por edhe nga mënyra se si e kemi kuptuar shtetin, nga kultura jonë shtetformuese dhe shtetndërtuese. Natyrisht se tashmë e kemi të qartë se shteti nuk është dhuratë hyjnore, por për të ardhur deri te kjo arritje historike nevojitet mund,vullnet, dije, guxim dhe sakrificë njerëzore. Duket se ne nuk e paskemi ditur se njësoj nevojitet mund, dije, guxim dhe sakrificë edhe për ta mbajtur e forcuar shtetin, jo vetëm për ta shpallur e formuar atë. Ne e kemi menduar shtetin si një vetëshërbim ku mund të gjesh dhe marrësh falas gjithçka: punë, para, pushtet, shërbime, përfitime, mirëqenie, siguri, liri, drejtësi e çka jo tjetër. Kemi menduar se shteti është një e mirë publike që përdoret për njëqind interesa private. Duket se kemi gabuar në mënyrën si e kemi kuptuar shtetin, sidomos përgjegjësinë tonë ndaj tij. Ne e kemi kuptuar raportin tonë me shtetin si marrë-dhënie, por jo si dhënie-marrje. Pra kemi kërkuar që ne të marrim prej shtetit, e jo t’i japim atij. Shtetit tonë duhet t’i japim shumë më tepër se vetëm dashuri e emocion. Duhet ta japim tatimin, punën vullnetare, votën e qëlluar, detyrimin qytetar, dijen, dëshminë, kontributin, kompetencën, përkushtimin, nderin dhe respektin e merituar, sidomos respektin që ka të bëjë me institucionet, ligjet dhe simbolet. Shtetit të Kosovës është dashur t’i japim shumë më tepër seç i kemi dhënë deri tash – tamam si një foshnje që nuk ke se çka të marrësh prej saj, por duhet t’i japësh. Në Kosovën e pavarur është ndier shpesh fraza çoroditëse “Pas 17 Shkurtit nuk punoj më pa para”. Ç’është kjo ikje prej përkushtimit, përgjegjësisë, punës vullnetare dhe kontributit për vendin dhe shtetin tënd? Ç’është kjo makutëri për të zënë e fituar lekun me çdo kusht? Kjo frazë dhe kuptimi që bart ajo është një prej goditjeve që ka marrë shteti i Kosovës edhe prej qytetarëve të vet, jo vetëm prej pushtetarëve.

Një arsye tjetër e hidhërimit të kosovarëve më vendin e tyre ka të bëjë me mënyrën si e kanë përdorë shtetin politikanët. Shteti nuk është pushteti dhe as anasjelltas – pushteti nuk është shteti. Si popull i vogël e me tradita të theksuara komunitare, kosovarët e njohin mirë njëri-tjetrin. I njohin e politikanët dhe liderët e vet, e njohin të kaluarën e tyre, lidhjet familjare, origjinën sociale, cilësitë morale, të bëmat e zakonshme dhe të pazakonshme, varfërinë e dikurshme dhe pasurinë e tanishme. Në këtë aspekt ka një mospërputhje të madhe ndërmjet imazheve që i ruajnë në kujtesë dhe atyre që i shohin me sy. Ka një diskrepancë të madhe mes asaj se që ka qenë dikur filani a fisteku dhe asaj që është bërë tash. Mobiliteti social është dukuri e zakonshme në shoqëritë moderne, por në shoqëritë në tranzicion, siç është Kosova, mobiliteti është më dramatik, më traumatik dhe më problematik në çdo aspekt. Diferencat e mëdha sociale reflektohen në kohezionin social të shoqërisë, në zhvillimin asimetrik, në funksionimin e sistemit, në ruajtjen e rendit dhe stabilitetit, në perceptimin e shtetit dhe krijimin e besimit në të. Mënyra se si vihet deri te pushteti dhe si sillen pushtetarët më pastaj, çfarë fjalori përdorin dhe çfarë veprimesh bëjnë, çfarë luksi dhe çfarë shpenzimesh bëjnë, çfarë mashtrimesh dhe keqpërdorimesh realizojnë, çfarë imponimesh dhe importimesh kanë, çfarë kontrolli ushtrojnë mbi mediat, shoqërinë civile, intelektualët, çfarë respekti tregojnë ndaj qytetarëve të vendit, ndaj të rënëve për liri, pastaj çfarë abuzimesh bëjnë me ligjin dhe institucionin, me lirinë dhe demokracinë, çfarë lidhjesh joformale dhe koniukturale përdorin për ta kapur postin, institucionin, pushtetin dhe, pastaj, krejt shtetin, krejt kjo prodhon një ftohje dhe distancim të qytetarëve në raport me shtetin, një zbehje besimi dhe entuziazmi, një ndjenjë të pasigurisë dhe paperspektivës, një ndjenjë identifikimi të pushtetit me shtetin. Sjelljet e papërgjegjshme të pushtetarëve, që burojnë nga ekzaltimi dhe magjepsja e tyre me pushtetin, nuk bën të na i luhatin bindjet tona për shtetin si një e mirë publike, e cila duhet të çlirohet prej pushtetarëve të papërgjegjshëm. Sakrifica që e bëjnë qytetarët për ta ruajtur stabilitetin e shoqërisë, për ta pritur realizimin e shpresave të tyre, për të kultivuar idealet pse edhe iluzione, nuk guxon të bëhet edhe vet një iluzion. Qytetari e ndërton shtetin po aq sa pushtetari, në mos edhe më mirë.

Në 10-vjetorin e pavarësisë së vet Kosova po ballafaqohet me sfida të shumta, disa prej të cilave janë tepër të rënda. Mosbesimi dhe zhgënjimi i qytetarëve në klasën politike, pamundësia për të gjetur një konsensus të brendshëm e pastaj edhe të jashtëm rreth përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi, Asociacioni i Komunave Serbe, i cili së bashku me provokimet e herëpashershme të Serbisë, të shoqëruara me ndikimin e Rusisë, pamundësia për ta vënë rendin dhe kontrollin në pjesën veriore të Mitrovicës, pastaj Gjykata Speciale dhe frika nga izolimi ndërkombëtar, sikur i kanë vënë në plan të dytë problemet reale të qytetarëve, si: varfëria, papunësia, cilësia e arsimit, cilësia e shërbimeve shëndetësore, ndotja enorme e ajrit, tokës dhe ujërave, pasiguria e pronës etj.

Megjithatë, në Kosovë, në këtë vend me njerëz të mirë dhe me natyrë të bukur, me bjeshkë përrallore dhe tokë pjellore, të pasur me resurse dhe me mundësi zhvillimore, me qytete të bukura dhe vendbanime historike, me monumente të lashta dhe vlera arkeologjike, me kulturë, traditë, trashëgimi, art, muzikë dhe kinematografi, bëhet një jetë njerëzore. Rinia e këtij vendi është mjaft e zgjuar dhe në disa fusha, si sporti, muzika e filmi, arrin piedestalin botëror. Njerëzit janë të hapur, mikpritës dhe mjaft të shoqëruar. Dinamika e ndryshimeve është aq e madhe sa nuk lë përshtypje se këtu para disa vitesh ka pasur luftë dhe se mbi njëqindmijë shtëpi janë djegur e rrënuar. Tashmë gati çdo lagje fshati është e asfaltuar, ndërsa autostradat janë ndërtuar dhe po ndërtohen kryq e tërthor vendit për t’u lidhur kështu me shtetet fqinje, e pastaj me tërë kontinentin. Kosovarët kanë letërnjoftimet dhe pasaportat e tyre ku shkruan “Republika e Kosovës” dhe këto dokumente njihen nga mbi njëqind shtete të botës. Kosovarët e dinë mirë rëndësinë e kësaj dhe vazhdojnë të përpiqen për arritje të reja. Kosova ka shtet, ka identitet dhe për këtë është krenare. Dashuria për këtë vend është e pashuar. Uroj që kështu të jetë edhe përgjegjësia!