` . Kosova me ushtri, një shtet si gjithë të tjerët - TV-SHENJA

Kosova me ushtri, një shtet si gjithë të tjerët

Më 1998-99, kur forcat ushtarake serbe nisën dhunën, Kosova nuk kishte ushtri, qytetarët shqiptarë nuk kishte kush t’i mbronte, ato pak grupe të armatosura që ishin krijuar nuk kishin kapacitet për një mision të tillë, andaj u desh ndërhyrja e aleancës ushtarake perëndimore që e ndaloi dhunën serbe në Kosovë

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Shteti është organizim politik i një shoqërie me synimin ruajtjen e rregullit dhe sigurisë, me anë të ligjeve, mbi një territor gjeografik të caktuar. Ky është përkufizimi i shtetit sipas Enciklopedisë Britanike, dhe, pak a shumë, është përkufizim universal. Nga ky përkufizim, lexohen dy gjëra: shteti synon ruajtjen e rregullit, që nënkupton nga trazirat e brendshme, dhe ruajtjen e sigurisë, që nënkupton mbrojtjen e rendit të tij nga sulmet e jashtme. Këto detyra kryhen nga institucione të veçanta, policia për ruajtjen e rregullit të brendshëm dhe ushtria për mbrojtjen e sigurisë. Kosova, deri tani, duke pasur vetëm institucionin për ruajtjen e rregullit, ka qenë një shtet gjysmak.

Me shpalljen e pavarësisë, e njohur tashmë nga 116 shtete, Kosova hodhi hapin më të rëndësishëm në plotësimin e synimeve për të krijuar shtetin e saj. Krijimi i ushtrisë është një hap tjetër në plotësimin e synimeve të saj shtetformuese. Të panatyrshme janë kritikat për krijimin e ushtrisë së Kosovës, jo krijimi i ushtrisë së saj. Është fare e thjeshtë: në një botë ku nuk ka një forcë sigurie mbishtetërore, çdo shtet e zgjidhë çështjen e sigurisë së tij me mbajtjen e një ushtrie. Kosova nuk ka pse bën asnjë përjashtim. Të jesh kundër ushtrisë së Kosovës do të thotë të jesh kundër përpjekjeve të saj për të krijuar shtet.

Kritikja më e fortë e krijimit të ushtrisë së Kosovës është Serbia. Ky është një qëndrim i natyrshëm i saj, prej të cilët Prishtina s’ka pse shqetësohet, sepse ajo në çdo moment punon për pengimin e forcimit të shtetit të Kosovës.

Serbia ka qenë prej kohësh kundër çdo lloj përparimi të Kosovës. Ajo ishte kundër idesë së shqiptarëve për t’i dhënë Kosovës statusin e republikës brenda federatës jugosllave, një status që e kishin dhe etni më të vogla se shqiptarët, siç ishte, bie fjala, Mali i Zi. Ishte kokëfortësia e Serbisë për të mohuar të drejtat e shqiptarëve, që çoi në ndërhyrjen e ushtrisë së saj më 1998-99 në Kosovë, në përzënien masive të shqiptarëve nga Kosova, një masakër gjenocidale, e cila u ndal me ndërhyrjen e NATO-s. Serbia ishte kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe vazhdon të mbajë qëndrime mohuese ndaj këtij fakti. Shkurt, kundërshtimi i Serbisë për krijimin e ushtrisë së Kosovës nuk është një kundërshtim serioz, madje qëndrimi armiqësor i Serbisë është ndër faktorët kryesorë për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Më 1998-99, kur forcat ushtarake serbe nisën dhunën, Kosova nuk kishte ushtri, qytetarët shqiptarë nuk kishte kush t’i mbronte, ato pak grupe të armatosura që ishin krijuar nuk kishin kapacitet për një mision të tillë, andaj u desh ndërhyrja e aleancës ushtarake perëndimore që e ndaloi dhunën serbe në Kosovë. Ky rrezik është ende i pranishëm dhe është një nga arsyet pse Kosova duhet ta krijojë ushtrinë e saj. Ajo nuk mund të mbështet pafundësisht në mbrojtjen e forcave të NATO-s ose të OKB. Një ditë misionit të tyre do t’i vijë fundi dhe krijimi ushtrisë së Kosovës është shenjë e këtij fundi. Shteti i Kosovës ose duhet të krijohet i tillë që të jetë në gjendje ta mbrojë veten ose do të jetë gjithmonë në rrezik.

Ajo që ka rëndësi për Kosovën është qëndrimi i aleatëve të saj, disa prej deklaratave të të cilëve mund të jenë interpretuar dhe si qëndrime kundërshtuese. Në fakt, ka dallim mes qëndrimit kundër dhe qëndrimit kritik.

Më 14 dhjetor, kur Kuvendi i Kosovës i miratoi tri ligjet që i hapnin rrugë kthimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në një ushtri të Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh: “Sot, institucionet në Kosovë kanë miratuar tri ligjet për procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me keqardhje them se ky vendim është marrë përkundër shqetësimeve të shprehura nga NATO. Derisa transformimi i FSK-së është në parim çështje e Kosovës, ne e kemi bërë të qartë se është lëvizje në kohë të papërshtatshme.” Edhe më herët Stoltenberg kishte bërë deklarata të ngjashme, por që duhen lexuar me kujdes. Ai nuk ishte në parim kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës, por koha e zgjedhur nga udhëheqja kosovare i duhej e papërshtatshme. Deklarata e zotit Stoltenberg-ut duket si një përpjekje për të mos i ngritur tensionet, duke e përcjellë përgjegjësinë te elita politike e Kosovës, me shpresë që reaksioni ndërkombëtar do të jetë më i vogël. Nëse NATO do të dilte përkrah krijimit të ushtrisë së Kosovës në vijë të parë, mendoj unë, atëherë kjo do të dukej pjesë e një strategjie ushtarake me implikime më të mëdha ndërkombëtare. Në kohën që iniciativa iu faturohet udhëheqësve lokalë të Kosovës, atëherë gjithçka mbyllet brenda një qarku më të shkurtër dhe është më e vështirë për t’u kundërshtuar nga palët mospajtuese.

BE-ja, shumica e vendeve të së cilës, ashtu si dhe vendet e NATO-s, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk u shpreh kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës, por vazhdon ta mbështesë idenë që statusi i FSK-së të ndryshojë me një proces gjithëpërfshirës e gradual në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Kosova pikërisht këtë bëri – ndoqi procesin ligjor.

Qëndrimi i SHBA-ve shpjegon gjithçka: ajo ishte më e drejtpërdrejtë në mbështetje të krijimit të ushtrisë së Kosovës, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Pa këmbënguljen dhe rolin udhëheqës të SHBA-ve nuk do të ishte mundësuar as çlirimi (1999) dhe as pavarësia e Kosovës (2008). Veprimi i udhëheqësve të Kosovës për krijimin e ushtrisë, në mirëkuptim me aleatin e saj më të rëndësishëm, është garancia për suksesin e tij.

Krijimi i ushtrisë së Kosovës është një zgjidhje e përshtatshme për të gjitha palët. Për Kosovën, ushtria do të thotë që ajo ta ketë fuqinë e saj mbrojtëse, pra të jetë e aftë t’i mbrojë qytetarët e saj nga sulme të mundshme. Një Kosovë pa ushtri e kishim më 1999 dhe kur hynë forcat ushtarake serbe, populli i Kosovës u detyrua të largohej nga vendi në mënyrë masive. UÇK-ja, pa ia mohuar kontributin, nuk ishte në gjendje ta përballonte makinerinë ushtarake shtetërore të Serbisë. Për vendet aleate, krijimi i ushtrisë së Kosovës do të thotë një mundësi që ata të mos detyrohen të sakrifikojnë ushtarët dhe financat e tyre për ndërhyrje të mundshme ushtarake në Kosovë, sepse atë që e bënë forcat e NATO-s ose që e bëjnë forcat e KFOR-it, në të ardhmen do të jetë detyrë e ushtrisë së Kosovës.

Krijimi i ushtrisë së Kosovës është diçka e natyrshme: hapi i radhës në procesin e shtetformit të Kosovës. Kosova, pra, ose do ta krijonte ushtrinë e saj ose do ta dorëzonte pavarësinë. Nuk mund të bënte përjashtim nga shtetet e tjera. Ajo thjesht u bë si ata.